e shtunë, shkurt 09, 2008

UNIVERSITETI I TETOVËS, “PELISTERKA” DHE HAMENDËSIMET E (JASHTË)DIXHITALIT

Nga Fatmir Terziu

Gjatë vitit 1988 dy herë pata rastin të ndeshem me të njëjtën hamendësi të të tjerëve, apo edhe timen, bazuar në diçka që më shtonte edhe më shumë vetëkurreshtjen. Ishte momenti kur në zyrën e ish rektorit të Universitetit të Tetovës, Pr. Dr. Fadil Sulejmani, në të dy rastet që pata të vizitoj atë, shërbehej uji “Pelisterka” në shishe njëlitërshe qelqi. Dhe ndryshe nga të gjithë protagonistët e dokumentarit që unë po realizoja për Universitetin me ‘probleme ligjore’ për shtetin e atëhershëm Maqedonas, unë e dija nga vinte ky ujë në tryezën e Universitetit ‘të paligjëruar’ nga qeveritë e asaj kohe të Maqedonisë, por që ishte një godinë ku trokisnin zemrat rinore arsimdashëse shqiptare dhe ligjërimin e kishte mbi këtë bazë një arsye më tepër. “Pelisterka”, vinte nga burimet natyrale-minerale të shtetit që përndiqte Universitetin në fjalë, vinte nga burimet natyrore, aty nga dhe emri ndoshta përkonte me të, vinte dhe udhëtonte bashkë me studentët shqiptarë që vinin nga ajo zonë, por në dy rrugë: e para në rrugë tregtie dhe e dyta rruga studentore, në rrugë dëshirash për të mësuar në gjuhën amtare.
Pelisterka?! Ato shishe të rënda qelqi udhëtonin disa kilometra të hynin në atë tavolinë Universiteti. Dhe unë thoja me veten time, duke shtuar pikëpyetjet me hamendësinë time, si do të flasim ne për Universitetin shqip, kur uji në tavolinën e tij flet Maqedonisht. Unë isha i gabuar?! Të tjerët që më shoqëronin, profesori i nderuar i Universitetit Rahmi Tuda, Qazim Radoniqi, Amit Dika e profesori Isa Basha ishin të gabuar?!
Sot unë e shoh historinë e “Pelisterkë”-s jo shumë si të lexohej maqedonisht ose si një ujë mineral maqedonas, përballë një uji me emrin shqiptar, por si një ilustrim për të përcaktuar diferencën midis zhargonit gjuhësor të të hamendësuarit dhe një grimce të tij. Sot tregu i ujërave dhe i universiteteve, i ka kaluar këto hamendësime. “Pelisterka” në fakt është ajo që është, ndoshta dhe ajo që ishte, ndërsa Universiteti i Tetovës, është Universiteti Shtetëror i Tetovës në shtetin ku serviret “Pelisterka”. Ish rektori i Universitetit, Pr. Dr. Fadil Sulejmani, që u njoh skenave dhe ekraneve të botës nga pamjet e hershme me tym dhe krisma të Reçiçës, tani është në platformën ligjore të Maqedonisë, tani është Deputet i Parlamentit Maqedonas.
Dhe ndërsa ecja atëherë koridorit të ngushtë të kampusit qendror të universitetit në një kënd shkruhej:
“Kontribute të veçanta shoqërore të Pr. Dr. Fadil Sulejmanit: Më vitin 1990 në Shkup ka organizuar simpoziumin nacional “Shqiptarët e Maqedonisë”, kushtuar çështjes së shqiptarëve në Maqedoni për liri, barazi dhe demokraci. Më 1990 ka formuar Këshillin për Pajtimin e Gjaqeve dhe, duke qenë në krye të tij dhe në bashkëpunim me intelektualë të tjerë, kanë pajtuar vetëm në komunën e Tetovës afër 100 familje për zënie e ngatërresa të ndryshme dhe kanë bërë që të falen mbi 50 gjaqe midis shqiptarësh”.

Kjo është një ndryshesë e ndodhur shpejt, madje një ndryshim në kohë dhe vend të caktuar që ka ndodhur shumë shpejt. Dhe ta krahasosh me ecjen dixhitale sot ajo ngjan si një garë e avancuar. Në çështjen e “Pelisterkës”, ne udhëtojmë imagjinatën tonë patriotike mijëra kilometra prapa, qindra vite të shkruara e të pashkruara, ndërsa në çështjen dixhitale kur mendon këtë krahasim në fillim deklaron atomin dhe pastaj u kthehesh termave të fuqisë kompjuterike që lidhet me sa bajt ka ai, pra kompjuteri ku ti shkruan dhe e përfundon historinë e një uji natyral dhe të një universiteti. Ndërsa në aspektin e figurës jashtë kësaj imagjinate është realiteti që lidhet me publikimet dhe artikujt e Profesorit të nderuar:
“Krahas punës edukuese dhe arsimore si pedagog në fakultet, prof. F. Sulejmani, është marrë intensivisht edhe me krijime profesionale-shkencore, duke shkruar dhe publikuar një numër librash, kryesisht nga gjuha shqipe, dialektologjia, etnografia shqiptare, gjuha gjermane etj., siç janë: 1. “E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës” (Monografi për jetën dhe veprën e këtij autori arbëresh të Italisë); 2. “Praktikumi i gjuhës shqipe”; 3. “Lindja, martesa dhe vdekja në Malësitë e Tetovës”; 4. “Njohuri themelore për Gjermaninë dhe popullin e saj”; 5. “Fonetika e gjuhës gjermane”; 6. “Morfologjia e gjuhës gjermane”; 7. “Hap historik i Universitetit tonë”, si dhe disa libra të tjerë që janë në përgatitje e sipër për botim, si: 8. “E folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës”; 9. “Toponimia e tri malësive të Tetovës”; 10. “Sintaksa e gjuhës gjermane” etj. Ai Ka shkruar edhe disa dhjetra artikuj të ndryshëm profesional-shkencorë, kryesisht nga fusha e albanistikës. Gjithashtu ka shkruar edhe një numër artikujsh publicistikë nga fusha të ndryshme të jetës dhe punës shoqërore, politike, kulturore dhe shkencore për çështje të ndryshme të shqiptarëve në Maqedoni.”
Aty gjendet nocioni logjik dhe fakti që të con tek librat dhe libraritë, rrugën që duhet ndjekur për të anashkaluar hamendësitë. Thomas Jefersoni avancoi konceptin e librarive dhe të drejtën të marrësh librin me vete për një kohë të caktuar pa ndonjë pagesë. Por ky njeri i Madh, kurrë nuk konsideroi atë që shtatë milionë njërëz a më shumë të një Kombi të shpërndarë e të copëtuar, mund të përdorin një librari dixhitale në mënyrë elektronike dhe të marrin përmbajtjen apo materialin e nevojshëm pa ndonjë pagesë. Ndoshta jo për “Pelisterkën”. Jo, se “Pelisterka ishte mijëra kilometra larg Jefersonit të madh, madje mijëra vjet larg mendimit të tij. Dhe pastaj nga uji në fjalë shkenca e merr fjalën…
Ndryshimi nga atomi tek bajtet është i pandalshëm dhe madje i përjetshëm. Përse tani? Sepse ndryshimi është gjithashtu i dukshëm, me diferenca të vogla nga e djeshmja që mund të ketë ndryshime shokuese për të nesërmen.
E dini ju pyetjen fëminore me përgjigje të vështirë për punën e ditës që kushton një lek për një muaj, por që jua dyfishon rrogën tuaj çdo ditë? Në se ju e filloni këtë skemë të mrekullueshme pagese në Ditën e Vitit të Ri, ju mund të fitoni më shumë se një milionë në ditën e fundit të Janarit. Kjo është pjesë të cilën shumë njërëz nuk e kuptojnë, por e kujtojnë. Çfarë ne bëjmë për të mos e realizuar atë është zotërimi i të njëjtës skemë, duke fituar 30 për qind më pak, përshembull nëse Janari është tre ditë më i shkurtër, ose shkurti akoma më i shkurtër se sa është. Ec e kuptoje këtë logjikë të Nicholas Negopronte’s që ushqehet në ‘të qenit dixhital”, ndoshta edhe me ndjenjën se kompjuterat tani po pushtojnë edhe sipërfaqen e “Pelisterkës”. Përshembull, në vitin 1996, kompjuterat e bashkuar të Maqedonisë, Kroacisë, Bosnjës dhe të disa rrethinave të tjera në ish Jugosllavi shënuan lëvizjen e parë internetike që turbulloi qarqet qeveritare, në zgjedhjet e atij viti, ku opozita kryesohej nga lëvizja internetike në shumën e gati 150 mijë kompjuterave të lidhur në rrjet, duke sfiduar ndërhyrjen qeveritare. Pra atë që Negopronte na lajmëron, edhe pse s’ka të bëjë me hamendësinë për “Pelisterkën” prapë ka domethënien e caktuar: “kompjuteri nuk është vetëm kompjuter tashmë. Ai është pjesë e jetës” (Negopronte, 1996:6).
Dhe ajo që lidhet me hamendësinë në këtë koklavitje teorike lidhet me kompleksin e medias interaktive që lë pak vend për imagjinatë dhe hamendësime. Si një film Hollivudi, narracioni shumëngjyrësh përfshin disa reprezantime specifike që janë lënë lehtësisht të pushojnë në sytë e mendjes. Në kontrast, fjala e shkruar tingëllon e bashkëtingulluar me imazhet dhe evokon metaforat që gjejnë shumë në kuptimin e saj dhe plotëson imagjinatën e lexuesit. Shumë nga hamendësuesit më të mëdhenj të sotëm shprehen “diçka, ç’do kohë, gjëkundi” si një poemë për përdorimin modern të një imagjinate në kohë e vend të caktuar që ushqen hamendësinë tënde ndoshta të provokuar e të gabuar. Por fjala ime konsiston në “asgjë, kurrë, në ndonjë kohë a vend” shumëpak mund të jetë e panevojshme, rrëndësishme, e mërzitshme, e ndërvarur për të kapur imagjinatën, që të plotësosh të vërtetën. Ajo që ndoshta hamendësohet i përket udhëtimit jashtë dixhitalit, udhëtimit pa atomin dhe bajtet kompjuterike, që mbesin akoma kuadrateve librore që myken librarive, ose që shkruhen e s’dihet pse e nga se frymëzohen të shkruhen. Të qënit hamendësues në epokën dixhitale s’ka të bëjë me “Pelisterkën” as me tryezën e hershme që e respektoi atë, ujin e pafajshëm të hamendësuar.

Nuk ka komente: