e shtunë, shkurt 16, 2008

SI E TAKOVA POETIN NË KTHETRA DIKTATURE


Aleko Likaj
(Bordeaux - Francë)

(Kujtime nga Metalurgjia)
Në vjeshtën e 1974-ës poeti Agim Shehu u dërgua në Kombinatin Metalurgjik i dënuar me punë kazme prej të internuari për 10 vjet, sepse te një „shok" kish fyer Udhëheqësin; se ishte në drejtim të Festivalit 11 borgjezo-revizionist(!), kish krushqi me armiq, përkrahte të deklasuarit etj! Ne që e donim si të rinj në letërsi, te vuajtjet e tij njohëm disi më të prekëshme mekanizmin e diktaturës mbi intelektualët, pasi sadopak qemë afër të dënuarit.
Në mencën e Durrësit të punëtorëve ulej vetëm, si „armik"! Herë pas here kthente kokën nga dritarja e humbëte vështrimin te kodrat e Kërrabës drejt Tiranës ku kish familjen. I afroheshim; vinim në tavolinë dy gota verë dhe pjatën me peshk. Jashtë binte një shi i murmë që dukej sikur nuk do pushonte. Na dukej se atë shi poeti i dënuar e kish brënda syve të tij, e ai vetëm heshtëte. Mali i Vashës qe zbardhur nga dëbora e Zaranika erën e sillte të ftohtë para kohe. Nga dera e mencës hynin njeri pas tjetrit punëtorët e lodhur me çizmet tërë baltë të cilën e lëshonin njolla përdhè. Donim të bisedonim diçka me poetin, edhe ne të ndrojtur disi; ai i mbante sytë në tavolinë me një mendim të largët, të pakuptueshëm. Shtypi nuk botonte asgjë të tij. Shkruante nganjëherë në gazetën e punëtorëve „Metalurgu", por dhe andej i erdhi fjala që të mos u dërgonte më shkrime. Në numurin e fundit i kishin botuar te faqja letrare dhe një reportazh për vinçierët dhe njerëzite e transportit ku punonte. Por poeti atyre duhej t’u këndonte pasi të qe edukuar mirë prej tyre!..
Rrinim në tavolinë, kurse mëndja e tij shpesh shkëputej nga biseda. I thashë një ditë që të botonte diçka, e ai tha me pikëllim se nuk e afrojnë! Hidhte bishtin e syrit nga lëvizjet rreth tij se e dinte që spiunët i qenë rrotull. Ndjehesha tepër ngushtë pranë tij. Nuk mund t’i tregoja që përgjegjësi i gazetës „Metalurgu", Luani, më pati thënë si gazetar që isha se dikush lart e kish urdhëruar që „Agim Shehut nuk duhet t’i dalë fytyra as te gazeta e punëtorëve"! Luani i mirë, tek ma thoshte mbante ballin me pëllëmbë...Një ditë desha ta qetësoja poetin, se kjo qe porosi e ndonjë të lajthituri, për të fituar „pikë politike"!.. Ai ndiqte me sy një mizë në tavolinë që i vinte rreth pjatës së tij posa poeti largonte pirunin. Poshtë vetullave të zeza qe i palexueshëm. Nuk donte as të pinte, e gotat e verës shpesh rrinin përgjysëm. Sela i gjatë, përgjegjës guzhine që i kisha bërë një nder, na kish përgatitur një qefull të zgjedhur, e ai po ftohej në pjatë.
Menca qe boshatisur; dolëm dhe ne. E ftova të dilnim për darkë në qytet. « Në mbrëmje do punoj me grupin amator për Festivalin e Estradave, m’u përgjegj; ma kanë ngarkuar. Më thanë të shkruaj humor, po humori im ka ngrirë » e nënqeshi lehtë. «Ti do marrësh çmim, e ky do jetë dhe çmim për ty…do ikësh shpejt në4 shtëpi"! Befas i vjen urdhëri që të mos drejtojë më as estradën, pasi klasa ka "humorin e vet të shëndoshë" e s’mund t’ia stisë atë i dënuari! Por mbetën keq, dhe e afruan përkohësisht, me kontroll. Drejtori i ndërmarjes ku punonte qe një shofer, një Maksut me dy gram shkollë të pambaruar. E kishin prurë nga fshati si dorë të hekurt e injorant antologjik, gjer sekretar partie i Kombinatit.
Shqetësimet e mia për poetin e shquar dënuar pamëshirshëm i këmbeja dhe me mikun tim, Bashkim Çarçani, normist dhe adhurues i Agimit që herët; ai njihej me të si krahinar dhe nxënës i atij gjimnazi dikur. Ia dinte përmendësh lirikat e rinisë e m’i futi dhe mua në zemër. Tani rrinim tok pranë dramës së tij.
Hyra te vinçi ku poeti punonte në magazinën e Velës. Ndali vinçin pak, e u ul të më takonte. "Shkruaj ndonjë gjë për Partinë, të ndihmon, të paktën të të lënë të qetë, i thashë; pena të ngjit te ky vaj i trashë makinash në duar" shtova me humor. Nënqeshi e ma ktheu: Ndoshta, më mirë, kur vaji të më hiqet nga duart, të mos e ndot penën"! Më pa në sy. Nuk e kuptova mirë dhe heshta. Në mbrëmje ia tregova këtë Bashkimit tek pinim kakao në Turizmin e qytetit. "Nuk duhet trazuar më thellë nga sa pranon të flasë, më këshilloi shoku; më mirë të mësohet ta mbajë gojën kyçur. Poetët janë dhe naivë, hapen...".
Sekretar Maksutit i kërkohej një shkrim nga gazeta Metalurgu për disiplinën proletare!..Po e vononte. "Më duket, do thërresë Agimin, më tha kryeredaktor Luani; por sekretari është me dy fytyra; ia kam frikën poetit nga ai!". "Poeti është sa i mënçur dhe i fortë, më tha Bashkimi me të cilin flisnim gjer buzë nenit të tmerrshëm 55 "Për agjitasion e Propagandë..."
I thirrur nga sekretari, të nesërmen poeti ngjiste me përtesë shkallët e komitetit, si njeriu që bën dru për dasmë por në tryezë s’e qasin. Nuk e dinim si kish përfunduar biseda e tyre, por pas një jave erdhi në redaksi një letër nga Maksuti me 7 pika ku poshtë thuhej: merrini këto e gatuamëni artikullin! Poeti nuk kish hyrë në parmëndën e sekretarit edhe pse qe hallemadh e në derë të burgut. Pashë shkrimin e sekretarit: të merrte frika t’ia shihje fjalët, hieroglife kineze apo fytyra të çmëndurish, këmbë pulash mbi baltë! U thirrën disa njerëz për të zbërthyer saktë shkrimin. Nuk ia dolën dot dhe prunë disenjatorin e ndërmarjes së parë të tij, nxënës gjysmak në një shkollë mekanike të natës. Ai e zbërtheu, dhe u emërua menjëherë instruktor komiteti! Poeti vazhdonte të ngordhte në punë.
Dikur isha në vitin e parë në gjimnazin e Cerrikut e një shok më dha një libër lirikash me ballinë blu. Me të në çantë shkova në shtëpi, dhe pa e kuptuar e përpiva si me një frymë. Qe njohja e parë me poetin e ri. Më pëlqeu veçanërisht, si gjithë rinisë së kohës, lirika me humor "Dashuria e një matematikani" ku ne gjenim veten. Isha në moshën kur niste ngacmimi i vajzave. Më tej, na vinte turp më tepër se vajzave. Në fund të orëve i drejtohem si budalla naiv shoqes së bangës me një varg të vjershës: "Ty po të drejtohem, vajzë, moj syzezë/, Më do a s’më do, kjo është hipotezë"! e po vazhdoja pa pyetur pikë a presje. Ajo në fillim heshti e habitur, pastaj befas më flaku një pëllëmbë që m’u bënë faqet më të kuqe nga ç’i kisha! Më shkrepën sytë. Vargjet i kish marrë si propozim për të! S’qe aq e pashme, e me atë pëllëmbë i shtonte dhe rëndësi vetes. Pas mësimit, kujdestare Donika bëri mbledhjen për futje në organizatën e rinisë. Në fund tha që të shihej dhe kërkesa me anë poezie e Alekos! Shoqja e bangës qante në bangë kokulur. Më keq se për mosfutje në rini, më vinte për lotët pa faj të saj. Kurse "fajin" e hodha te poeti i lirikave, që nga larg më kish krijuar atë ngatërresë në qytetin tim të urtë!
Kish kaluar një vit me poetin në dënim mes nesh. Tetori erdhi me shira të ftohta. Ngjyra gri sundonte tërë fushën e Bradasheshit ku shtrihej Metalurgjia si gjigand i një ëndëre absurd të shtetit komunist. Përndjekja e poetit qe një absurd tjetër brënda kësaj klime dimri në natyrë e në shoqëri. Nexhi, shoqja ime e klasës dhe tani drejtore e bibliotekës së Cerrikut më kërkoi një takim me shkrimtarë, dhe vendosëm të merrnim Agim Shehun pranë nesh. E dinim që qe provë me rrezik, por do provonim gjëndjen. Nexhit i tregova dhe historinë e shuplakës, e ajo e priti me kënaqësi takimin. Ajo do ftonte gjimnazin dhe disa punëtorë, të mblidheshin në sallën e SMT-së. Unë qetësoja veten, se ishim larg qytetit të Elbasanit ku dosjet e poetit rrinin të hapura e në lëvizje. Në ndërmarje poeti kish një shofer të përzemërt, Petrit Qosjen, i cili e çmonte dhe e donte të dënuarin lirik. Për të ligjëruar udhëtimin, makina e tij do ngarkohej me pako llamarinash të ndryshkura e do çoheshin në Cerrik për shkrirje.
Po ngarkonim makinën të tre. Unë e shoferi bënim kujdes për poetin që nuk ia dinte anën kësaj pune të rëndë. Nisi një puhizë dëbore si valle insektesh të bardha rrotull makinës. Metalet i bënte akull. Petriti ngarkonte duke kënduar « ç’u dëshiruesh me të pa ty!» Pas tij, poeti me kominoshe punëtori e çizme tërë baltë të rëndë shtrëngonte fytyrën, të përballonte peshën e rëndë të llamarinave të ngjeshura. Te duart vuri re një rëkezë gjaku; qe prerë. Petriti u trondit nga ndryshku ! Agimi e fshiu me një leckë benzine që e mbante në xhep. «Po shkoj në takim me shenjën e gjakut tim si i dënuar», tha me humor. Ne me shoferin pamë njeri tjetrin në sy me keqardhje. «Kush janë më të rënda, pakot e metalit apo poezia»? pyeti Petriti me shpirt artisti. « Ato që ngarkoj në çast » tha poeti po me humor. Qe bërë tërë ndryshk në rroba e në fytyrë. Me atë ndryshk do hynte në takimin poetik me lexuesit.
Bora po shtohej. Agimi përsëriste vargjet, që mesa duket i pëlqente shumë për atë çast: "O murlan, njat frymën ndale/, ndal ti akull, mos më ngrij"!..Heshti pak sa hodhi pakon e rëndë lart në makinë, shkundi duart duke vazhduar me vete: "mos më ngrij kët pikë gjak,/ struku-struk i shkreti plak"...Janë të Mjedës. E dëgjonim në heshtje, pastaj hipëm lart e u nisëm. Kaluam Paprin e ndalëm te lagja "Shelg" e Cerrikut. Te lulishtja e qytetit poetit i vanë sytë te ca njerëz të vetmuar në stol, larg njeri tjetrit. Me borselinë e kostum të rregullt, shihnin lodrat e fëmijëve rrotull, kurse ata s’u afroheshin se u fliste edukatorja; dhe topin e fëmijëve te këmbët e tyre s’e preknin!
Zbritëm nga makina. Frynte erë mali. Agimi ecte rrotull të ngrohte këmbët brënda çizmeve të ftohta prej llastiku. Te dera e SMT-së me drejtoren qenë dhe tri gjimnaziste që na prisnin...U hap mbledhja. Nexhi tha mirëseardhjen. Foli ca për krijimtarinë dhe për fatin e mirë që e kishin afër, në Metalurgji...Poeti përshëndeti shkurt, me fjalë të matura; pastaj iu ndërpre ca fjala: në mur përballë pa fotografinë e Udhëheqësit e iu duk, siç më tha jashtë, se i foli zemërueshëm: "Po ti, ç’do këtu me popullin, dhe në ditëlindjen time?!" Poeti foli dhe ca për ndihmën që u jep Partia shkrimtarëve...Mbaroi, dhe vërshuan pyetjet me letra. Qenë shumë. "U dashka ta gdhijmë këtu" tha ngadalë. Drejtori i SMT-së, një krahinar i tij i shkurtër me fytyrë të mprehtë e të thartuar lëvizi nga presidiumi e më tha kërcënueshëm: "Na ke prurë një të dënuar nga partia, si armik!? Ti na the për një "Agim" tjetër në Lidhje! Na gënjeve!" dhe u ngrit e iku. Pas tij u ngritën dhe zyrtarë të tjerë krah tij. Mbetëm tre veta në ballë. Agimi, i pikëlluar, po u përgjigjej sa më shkurt pyetjeve. Dikush e pyeti për një roman që kishin shkruar në vegjëli me Ismail Kadarenë. Tregoi ngjarjen me humor, e foli me dashuri për shokun e vegjëlisë, si shkrimtarin më të madh të vëndit. Salla e duartrokiti gjatë. Nga dera befas hyn një si hije, ecën qetë e ulet në fund të sallës këmbë mbi këmbë. Vështronte tinëz rrotull e na ngulte sytë ne në presidiun si të qe gjarpër që i mbërthen njerëzit me sy. Ish operativi i sigurimit në Elbasan. Habitesha ku e kish marrë vesh! Nxënësit recitonin poezi të poetit; salla duartrokiste. Sigurimasi shihte se kush i përpiqte më shumë duart. Unë sa i afroja pëllëmbët, i ndaja pa i përplasur! I thashë Nexhit që ta mbyllte takimin, dhe e mbyllëm.
Dolëm jashtë. I fundit doli njeriu i sigurimit. Nën fëshfëshen kafe i dallohej revolveri. E pa me dorë që e kish në vënd, dhe u drejtua nga të njohurit e vet. Një tog veteranësh me drejtorin në mes rrinin mënjanë, duke e parë poetin si një diversant që ia kish dalë t’u hynte në mes! Nxënësit nuk i ndaheshin. Ecëm drejt makinës, hipëm e u nisëm. Agimi vështroi gjatë e i heshtur drejt të internuarve ulur të vetmuar në stolet e lulishtes. Dikush numuronte kokrat e tespihes si të qe dhe koka e tyre...Tërë udhës s’foli. E prera e dorës me llamarinë ndryshk i qe ngrirë. Në të zbritur, i thamë të shkonim në ambulancë. "Më mirë tetanozi..." m’u bë se foli me vete, dhe u kthye në dhomën-barangë të tij të ndërmarjes ku fjeti 10 vjet i vetmuar, larg familjes. E shoqëruam gjer atje. Menca s’qe e hapur. Shtrati i tij qe afër një grope në mes të dhomës, ku rregulloheshin tubat e avullit të Kombinatit. Një dyshek i thatë dukej si një arkivol i ngushtë buzë varrit ku pritej të hidhej. Te koka kish romanin "Njeriu që qesh" të Hygoit. Dikush e kish spiunuar lart, se i dënuari vazhdon tallet: në vënd që të mbajë librin "Njeriu që qan" amban atë "që qesh" me ne!
Pas dy dite, te sheshi i Uzinës Mekanike takoj operativin e sigurimit që e ndiqte. "Ç’kemi?! -pyeti me ironi të dukëshme, - besoj ke kohë dhe për mua të më japësh një kafe"! E pashë me habi, megjithatë u nisëm për në mencën e afërt. "Më pëlqen pena jote, si gazetar anon dhe nga letërsia! - më tha më tej. - Edhe unë e dua poezinë, më parë edhe kam shkruar diçka...Por jeta më drejtoi gjetkë, detyra më të rëndësishme..." Më shihte në sy, e i bëra qejfin. "Kush e organizoi takimin me poetin nga Labëria"? pyeti papritur. Ngrita supet, të fitoja kohë për përgjigje:
"Është muaj letërsie...ka një komision qyteti, dhe unë brënda!" Sytë me shkëlqim gjarpëri m’i kish mbërthyer si të kish përpara poetin që gjurmonte. Më kishin thënë se ai kish qënë guzhinier në rrethin fqinj, e meqë mësoi të gatuante mirë, e çuan në shkollën e Sigurimit. Ç’"gjellë" kish në mënd të gatuante dhe për poetin e shkretë!?..Në mencë vërshuan punëtorët pas turni; ai pa orën e u ngritëm, se kish një të afërm në spitalë! Drejtoren e bibliotekës në Cerrik e pushuan. Shkova në bibliotekën e Elbasanit, të merrja librin me lirika të poetit të çmallesha me to lirisht, të freskoja lirizmin e shpirtit. Punonjësja the se është libër i ndaluar, - dhe e futi në një raft më të mbyllur. Ndjeva se aty mbylli shpirtin tim. Diktatura kish "internuar" dhe artin e bukur.
Bashkim Çarçani, miku besnik, kish dëgjuar se Agimi pas dy dite do merrte një goditje të fortë nga organe sigurimi e partie! Qe jetë o vdekje. S’ma donte zemra, e i thashë se po ia fut kot! Ai shtoi se sekretar Maksutit i ka ardhur një zarf tjetër akuzash nga Tepelena (çuditërisht vëndlindja kundër poetit të tyre të njohur, që ta varrosnin). Akuzat e rënda qenë nga një i njohur i besuar firmosur nga Komiteti i Partisë atje: se Agimi ka thënë që Qemal Stafën e vranë shokët pas krahësh...se grupet e dënuara "armiqësore" qënkan pa faj ashtu si vetë ai e nesër mund t’u ngrihej monument!..
Udhëtoja për në Cerrik e në krah kisha një punëtor që punonte me poetin e që e donte. Më tha se kishin mbledhje urgjente partie për të. I kërkova ta ndihmonin se ka dhe fëmijë! Ma priti, se ai qe brima e fundit e kavallit!..Mbledhja apo kalvari i Krishtit u krye. Takoj Bashkimin te Turizmi e më tregon se në darkë, në dhomën e tij te hoteli i punëtorëve kish poetin. Sapo kish dalë nga mbledhja skëterrë e qe tjetër njeri. I ngrirë, i hutuar, si njeri i botës tjetër. U vendos njëzëri që akuza e rëndë kundër tij t’i vejë prokurorisë ! Bashkimi kish shkuar bashkë me të në telefon, t’i fliste dhe një herë familjes sa t’i dëgjonte zërin. Pas ishte hija e njeriut të Sigurimit, dhe e la telefonin. Në dhomë kisha raki e pimë një shishe (kur s’e „edukoi" klasa, pse të mos vetedukohej nga rakia)?!..Më të gdhirë, si piu dhe një gotë, tregon Bashkimi, në nisje i fola me humor: „Tani mos çaj më kokën! I mbyturi s’pyet nga të lagurit. Ik në Tiranë çlodhu ca se je me detyra „të realizuara"! Ai qeshi hidhur e u ndamë...Nuk di si kaluan më pas mekanizmat se me të s’u takova më. U tha, se bashkë me akuzuesin Tepelenas nuk u gjet dhe një dëshmitar i dytë, veç iu shtuan dhe 5 vjet të tjera dënim me kazmë!..
Erdhi demokracia. Pas aq vitesh e takoj te Radio-Televizioni me mikun e tij besnik, shkrimtarin Pandeli Koçi. E përqafova: "Ku je, poet, që përballove tërë atë diktaturë"!? Ai më mori dorën në pëllëmbë: "Mik i paharrueshëm, si të ta shpërblej ty e Bashkimit!?" foli. Sytë iu përlotën lehtë. Poeti dhe regjizori Vasil Tabaku po bënte filmin dokumentar për të, e bëheshin gati të shkonin te ish Magazina e tij në Metalurgji, për t’i filmuar një pjesë të dramës në diktaturën e tmerrshme mbi intelektualët dinjitozë...

Nuk ka komente: