e hënë, shkurt 04, 2008

POEZIA, ‘HARAÇI’ TJETËR PËR KOHËRAT- NË KOHË BOTËN QË JETOJMË





Nga Fatmir Terziu

“Në kohë-botën që jetojmë
Një gjë të dy fort mirë e dijmë:
Njeri mbi tokë, tjetri mbi qiell-
S’e trashëgojmë dot Dashurinë…”


Kështu shkruan poetja elbasanase, Iliriana Sulkuqi, në një nga poezitë e saj për të krijuar modelin e qartë të poezisë si një ‘haraç’ apo ‘medalje’ tjetër për kohërat. Në fakt është vargu i saj që të rrëmben, të përhumb në figuracionin e tij, të bën të shtosh ‘kreshendon’ tipike të saj që e saktëson në një nga poezitë e saj dhe t’u dhurosh brezave një rrugëtim të mbarë poetik. Aty ka një filozofi dhe një figuracion kuptimplot. Aty natyrshëm kuptohet pse dashuria s’mund të trashëgohet. Aty është mesazhi. Është elementi poetik, që rreket të gjejë vetveten në kapërcimin kohor dhe rutinën kohore.

  • ELEMENTI POETIK: KAPËRCIMI KOHOR DHE RUTINA KOHORE.


Kapërcimi kohor dhe rutina kohore, janë dy gjëra të kundërta me njëra-tjetrën. Edhe pse në plan të parë ato duken sikur kanë të njëjtin kuptim, në fakt janë tamam dy ‘ndryshesa’ artistike që ndërvaren nga pozita ku krijuesi ndodhet dhe nga niveli ku krijimtaria e tij gjendet me kohën. Në një kapërcim të tillë, poezia është më e ndjeshme, dhe jo se krijimtaria tjetër letrare, proza e shkurtër apo novela e romani janë përjashtuar nga ky rregull meta-sintaksor, por se poezia ka më shumë elementë detajues dhe figurativ. Këta veçori i japin asaj telajon e një pikture që flet me gjuhën e vet tipike. Duke patur një gjuhë të veçantë, poezia ka këtë ndjeshmëri më të theksuar dhe natyrshëm karakterizohet si një filozofi më vete, si një gjuhëshprehëse dhe tingëlluese. Poezia është delikate. Ajo është një model i çmuar dhe i shtrenjtë që me pak përkëdheli mund të quhet e ledhatuar, ose e llastuar, por me një përkujdesje tipike letrare ajo merr jetëgjatësi dhe mbahet rëndë në llojin e vet. Kështu duket poezia e poetes Iliriana Sulkuqi, që flet me një gjuhë filozofike dhe që mbart filozofinë e saj në hapësirë dhe kohë të ndryshme. Diku pata anashkaluar një kritikë ‘dashamirëse’ për modelin kohë dhe ‘tematikë’ të autores, të poezisë së saj në fakt, që padyshim kishte ‘apotezën’ e shkundjes së pemës me kokra nga dikush që pret të piqen kokrat e një peme pa kokra apo edhe nga metafora e pemës si pemë pa kokra. Të huazosh e të kritikosh është ndryshe. Të marrësh shembull, apo busull orientuese frutat e një peme të begatë në ‘Pranverë’ me frutat e një peme nga “Dimri” përvëlues, që gënjen pemën ‘budallaqe’ të çelë, lulëzojë e të bëjë fruta para kohe, duket si një model shterp, ose si një fëmijë shtatanik që për hir të fatit mund të jetojë e mbahet shëndoshë e mirë mes të tjerëve të lindur normal, të lindur e pjekur në barkun e nënës. Edhe ajo ombrelle që duket pas medalionit ‘argument’ duke rrëkëllyer inatin në gotën e urrejtjes e duke shpaguar me fjalën e vargut të kahershëm poetik duket si një hapësirë e stisur ku kapërcimi kohor dhe rutina kohore krijohen si dy binjake dhe me një kuptim. Sipas kritikëve me emër të Perëndimit, modeli i “Colin Jones dhe Poemat e shënimeve”, mesazhi duket i qartë në tërë këtë ndasi mendimesh. Aty në mënyrë figurative thuhet: “Ju gjithmonë vini mbrapa dhë rrëmoni në kohën e poezisë sime, që lindi ashtu si lindi, ose siç lind poezia, ju vini për të goditur kohën time, që s’është kohë ndryshe nga e juaja, që s’është kohë ‘minierash’ nëntoke pa mineral, teksa unë ju lë poezinë time si një model para syve tuaj të shikoni se si krihen aty kohërat dhe horizontet e kritikës flejnë e gjenë rehat. Ironia s’është me ju, as me mua, ajo është me poezinë time” (Jones, 2006:146).
E ndërsa kjo tingëllon kuptimplote, ndjej kënaqësi të shpreh këto fjalë për poeteshën ‘pa moshë’ të të gjitha moshave, Iliriana Sulkuqi. Jashtë kuadratit të ndërthurur metafizik, ajo është një burim ndjenjash, frymëzim tejskaj dhe një busull orientuese brezash, gati-gati në tërë rrugën jetike dhe krijimtarinë e saj. Për së shumti në një vizion poetik, ku larmia ideore tingëllon qetësuese dhe tërheqëse vargu tipik i Ilirianës ka kostumin real, personal dhe mbart vlera reale. Le të shtoj këtu edhe timbrin e rezonancën sintaksore që mbart vargu i saj për ne kolegët e saj dhe për të gjithë të tjerët jashtë kësaj vorbull-pene në këtë shekull të numëruar 21. Dikur poeti Elbasanas Milianov Kallupi do të shprehej poetikisht për vargun e Ilirianës që “troket e troket derisa të të zgjojë”. Ajo vetë e shpreh këtë dhe natyrshëm në “Trokit e Zgjo”, ku natyrshëm do të ishte mirë të ishin zgjuar realisht edhe ‘fikësit’ e kahershëm të ëndrrave dhe trokitjeve letrare…

  • POEZIA DHE POPULLORJA: ‘KOSTUMI I TJETRIT TË LË PAMARTUAR’


Brezi im si dëshmitar i disa ndryshimeve historike mbahet mend edhe për të ashtuquajturat “Blloqe Kujtimesh”. Në fakt unë nuk e di se kur nisën të lulëzonin këto ‘kujtime’ bashkëmoshatarësh, dhe as që në fakt kam ndërmend të gërmoj për historinë dhe zanafillën e tyre, por dua të theksoj se aty nga mesi i viteve 80-të ata, pra “Blloqet e Kujtimeve” ishin si një modë më vete. Krijuesit e tyre, bashkëmoshatarë shkolle, linin nga një foto dhe nga një mesazh, aty mbi faqet e “Bllokut të Shënimeve”. Diku edhe ndonjë tregim, poezi, apo edhe ndonjë skicë modeste. Më tutje dikush edhe me një fillimtrokitje në portat letrare, disa edhe të botuar më pas në shtyp, e pse jo edhe të pëlqyer e vlerësuar nga redaksi e redaktorë dhe të publikuar në libra. Ata janë disa! Sot mjafton vetëm me kaq, se diçka tjetër më ngacmoi kujtesën time. Një “Bllok Shënimesh” i tillë ka mbetur pjesë e memorjes sime. Aty ka jo pak emra dhe pena të mirënjohura sot. Por unë nuk dua t’i bëj publike, se qëllimi i këtij shkrimi është tjetër pra. Teksa e shfletoja një ditë m’u kujtua një detaj. Një kujtim i lënë në formën e një skice, dhe të një poezie më preku në fakt. Poezia më duket e lidhur me çfarë dua të shpreh, ndaj po riprodhoj nga origjinali i saj këtë varg:

“Jam mirë në trikon time,
jam e lirë
ndjehem vetja ime
jam mirë…!”


Unë që e dija historinë e asaj skice dhe asaj poezie nisa të qesh por edhe të thellohem më tepër në kujtesë, në fakt diç thoja, psherëtija në heshtje me veten time. Ishte një triko që shëtiste midis vajzave. Dikujt i kishte ardhur peshqesh nga jashtë shtetit. Dhe gati të gjitha vajzat donin të bënin nga një foto me të. “Pronari” i asaj fotoje kishte debatuar me autoren e poezisë dhe e kishte përjashtuar nga modeli i fotografive me trikon e ardhur nga jashtë, që po t’i shihje ato foto, vajzat që kishin pozuar bardhë e zi, dukeshin gati si të ndonjë jetimoreje, ku në atë kohë u prenin dhe u blenin rroba të një uniforme, të një ngjyre. Dhe autorja e prekur nga ky ‘incident’ i asaj kohe, me inate ‘bashkëmoshatarësh’, foli dhe u shpreh me ‘revoltë tek poezia e lënë në atë “Bllok Kujtimesh”. Në fakt ajo, pra poezia, e atij blloku sot tingëllon ndryshe. Tingëllon mesazhlënëse. Kjo është edhe një lidhje në kohë dhe hapësirë të nevojshme për përcaktimin e asajt që mbart popullorja “Kostumi i tjetrit të lë pamartuar” ose “xhaketa e tjetrit të lë në rrugë”, që natyrshëm në njëfarë mënyre ajo mund të konvertohet edhe në fushën e krijimeve sot, dhe më së shumti në poezi, ku lumi i poetëve ka ardhur me prurje të madhe dhe tepër domethënëse. Një model ndryshe por tejet domëthënës rroket tek krijimtaria e Sulkuqit. Aty shija e provuar gjetkë, padyshim amortizohet, dhe tejçimi i vlerave gjejnë rrënjë motake, të mbira nga një moshë foshnjore të krijimtarisë së saj poetike. Në një nga poezitë e saj gjendet qartë ky lejtmotiv tipik e domethënës. Është poezia “Për inat të natës sime…” që sqaron:


“Për inat të natës
sime
Natën tënde e
mbërthej . . .
E mbërthej me ca
trazime
që veç Zotit ia
rrëfej . . .

Prej një ëndrre
drithërime,
drithërimat qaj e
laj…
Për inat të natës
sime -
Natën tënde zgjuar
mbaj.”

Dhe duke dalë nga nata metaforike e Sulkuqit një ditë e bardhë agon për dashamirësit e sinqertë të poezisë shqiptare, një bardhësi prodhon vargu që rreket mes urimit, dashurisë, dhimbjes dhe shpirtpërmallimit njërëzor. Aty ka vend kënga, natyra dhe ëmbëlsia e një stine që prodhon vetëm talenti i një pene, i një zemre dashamirëse. Aty është kostumi real, rrobja e shtrenjtë që vesh poezia e Sulkuqit. Aty ligjërimi ka fjalën e përzgjedhur dhe mesazhin e drejtuar saktë dhe qartë, aty prehet malli:

“Më ka marrë malli për ty,
që fëmijë, ardhur nga gjyshër…
që kur lojëza Nuse – dhëndër
ishte lojëz e
gënjeshtërt.”


Si një piktore karakteresh realë që historia i ka marrë në gjirin e saj ajo detajon dhe përjetëson Myzyrin e Madh, qytetin e shtrenjtë të vendlindjes së saj, Elbasanin dhe i përçon lehtazi në motivin tradicional, me këmbë të forta e të mbështetura mirë aty ku burron edhe përshtatja me modernen, bashkëkohoren e fshikëlluar me mjeshtëri nën pushtetin e saj karakteristik.

4 komente:

Anonim tha...

Une jam me ate qka ju po shiqoni ne poezine e Sulkuqes, ndaj shume menime me shkrimin tuj. Kam lexue do poezi te shkrujtura nga ajo, dhe i kam pelqye, por ma s'shumti shkrimi juj u duka taper profesional.
O zotni Ju lumte dora dhe mendja!

B.Sh.

Anonim tha...

Bukur, Fatmir!

Disa autore kane shprehur konsiderimet e tyre per poezine e Iliriana Sulkuqit, dhe te gjithe e kane pohuar, duke perfshire edhe autorin e ketij komenti pakfjalesh, por shqyrtimi juaj fiton gravitetin e nje fjale profesionale, qe i shpeton mrekullisht njohjes me autoren.
Edhe pa u permendur, poetja ka pesuar nje hop te ndjeshem ne krijimtarine e saj, dhe do te ishte e udhes mbase nje bisede e drejteperdrejte me te: asnje autor nuk mund te mohoje te shkuaren e vete krijuese, por a mund te veshtroni veten e tanishme, dhe te gjeni tek ajo çfare beri qe te mundnit te vishni kete 'rrobe te shtrenjte' poetike qe keni tani? E keni hequr ate rroben e ngushte te dikurshme (te prinderve jetime per shkak te varferise dhe mbylljes), apo keni deshire ta mbani nen kete te mbramen, si nje pancir qe ju siguron imunitetin gjate fluturimeve prej njerit kontinent ne tjetrin?!
Urime Ilirianes, bashke me dashamiresine tuaj te perligjur,

Faruk Myrtaj
Toronto
By fmyrtaj - Tue, 05 Feb 2008 16:08:40 GMT

Anonim tha...

Fation Pajo
Z.Fatmir. Jeni shume konciz me c'po thoni per te madhen Ilirjana. Cdo mendim tjeter eshte i tepert. Gjithe te mirat. Fationi.

Anonim tha...

Si elbasanlli nuk mund te them ndonje fjale me shume se keni thene ju per motren e shokut tim. Ajo ka dell poezie...

B.F.