Nga Fatmir Terziu
"....Jane disa karaktere ne prozat e Lazrit qe vijne (si pershtypje e pare per
lexuesin) nga mjedisi ku eshte rritur. Jane aq "fantastike" sa veshtire te
pranohen si njerez qe realisht kane jetuar...."
Faruk MyrtajDuke vëzhguar krijimtarinë e sotme të prozatorisë shqipe krahas problemeve të tjera shikon edhe fjalën si elementin bazë të tregimit, novelës, apo edhe romanit. E kur sheh fjalën démodé apo edhe atë me kostum mode të shtrenjtë në emër të modernes, duke e sajuar pa ndonjë lidhje në më të shumtën e rasteve, në një botë internetike të pasur e tepër të begatshme për të abuzuar me të, ndjenja e argumentit shtohet, edhe pse dikush e përkëdhel si një ‘pasurim të gjuhës shqipe’ apo edhe si një ‘modë’ e re në prozë. Këtu nuk është fjala për fjalën që sjell ngjyrimin emocional, poetik, tradicional, modern apo edhe detajues, kur ajo është produkt i vet krijuesit, por për fjalën që ‘shkrimtari’ gjen të gatshme në larminë e hapësirës së sotme linguistike që falë hapjes së portave ka harruar edhe portën e saj të hapur. Vet Stani në një nga shkrimet e tij analitike të adresuar në problematikën e të qënit shkrimtar profesional kur nuk ekziston një shkollë e tillë e kalon shqetësimin e tij teorik në detaje që lidhen me problemin tonë: “Keqkuptimi i shkrimtarit me vetveten, i krijon atij edhe obligimin profesional: të shkruajë kur nuk i shkruhet, të rendisë fjalë kur nuk ka asgjë për të thënë, të improvizojë ndjenja dhe përfytyrime, kur vërtetë e ka shpirtin të rrafshtë, kur inertsia i ka shuar çdo reaksion tė brendshëm”. Tek ky argument dhe tek problematika e fjalës si detaj lind edhe ajo që lidhet me një hije tejet të padukshme në krijimtari, por që përbën një problem. Këtu është ajo që spaletizon krijuesin dhe padashje krijimtarinë e tij, në një ambient të fjalës së shtirur, apo fjalës së grabitur. Por më kryesorja them është ajo që buron nga argument Stani: “Keqkuptimi i parë, më i rëndësishmi, më seriozi, është keqkuptimi i shkrimtarit me vetveten”. Në këtë këndvështrim unë mendoj se nuk është vetëm keqkuptimi me vetveten, por keqkuptimi me botën në të cilën shkrimtari mendon se i përket, apo edhe me një rrethanë në të cilën përditë e më shumë tkurret rrëndësia e fjalës shkrim, shkrimtar dhe krijues.Si diçka e lehtë, por tepër problematike është krijuar ky tip spektakël komoditeti, ose ky efektizëm special në prozatorinë shqiptare, duke krijuar në fakt edhe një lehtësi për kritikën që të zbulojë origjinalin e krijimtarisë, më saktë fjalën e tij të drejtë, fjalë-pronën krijuese nga ku edhe realizohet vlerësimi. Origjinalja, nëse do të huazojmë këtë term nga kritika britanike, ose në shqipen më të thjesht, ajo që krijon autori mbi këtë bazë jashtë praktikave plastiko-kozmetike, por brenda kuadratit të lejueshëm letraro-figurativ dhe atij figurativo-letrar i përket penës së Stanit dhe në këtë majë natyrshëm ndihet edhe pasuria letrare në sinkron të plotë, si një shtysë ushqyese për rrëfenjën dhe kallëzuesen e tij të detançuar në tregimin e tij, që veç pasurohet duke ecur. “Dënesje në Dru”, është një garanci për këtë.
VAZHDIMËSIA SI POSTULAT RRËFIMI NË LETËRSI
Tregimi, novela dhe romani shqiptar që në orrigjinën e tyre kanë afruar shembuj të dëshira-plotësimeve: ata kanë mbyllje të gëzuara në të shumtën e rasteve, ku heronjtë ndjehen të qetë në ëndrrën e dashurisë apo adresimit të saj apo dhe problemacionit tjetër që strukturohet në to. Që në aktin e parë e deri në detajin e fundit “Lulja e Kujtimit” e Foqion Postolit, mund të merret si një organikë tipike në këtë kontekst që të shpie në penëtryezën moderne të tregimtarisë së sotme shqiptare të cilën e kam shprehur në analizat e mëparshmë. E gjitha si në një skript, e gjitha si në një ‘storyboard’, ku mesazhet dhe teksti paralajmërojnë ardhjen e domethënies, qëllimit dhe realimin e tij. Në këtë rrugë ka plot situata të këndshme, ku e rrëndësishme është të theksohet: figuracioni është ai që bie në sy që në pamjen e parë. E thënë troç, kjo mënyrë komunikimi me lexuesin, ku krehja figurative qartëson boshtin dialektik në gjuhën e analistëve perëndimorë, por edhe herët me analizën e letërsisë ruse, ku spikat vlerësimi për Eseninin, është quajtur dhe quhet një postulat rrëfimi në kritikën analitike. Në këtë rrafsh ku kritika gjen materialin e saj ushqyes, natyrshëm janë mjaft pena shqiptare, të periudhave të ndryshme krijuese shqiptare, por vazhdimësia është me gishta ose shumë pak. Arsyet janë të njohura disi nga artikujt analitikë dhe nga kritika, por shumë pak janë argumentuar, dhe shumë pak janë dhënë argumenta përse ndodh kjo. Po ti referohemi 'tabuve' të Lazër Stanit, një nga arsyet, ose kryesorja sipas tij është: “kritika është e paaftë të çlirohet nga tabutë, është e paaftë të mendojë pa komplekse, shkencërisht”. Duke përmendur Postolin me “Lulja e Kujtimit”, ndoshta jo në kuptimin e tabuve të Stanit, natyrshëm rruga është e largët për të zënë fillin, por tradita duhet kapur në rrënjë, për të analizuar frutin e saj. Ndryshe do të ndodhte që për ti rënë shkurt të kapësh veshin e majtë me dorën e majtë, të përdorësh proverbin e të zënit të të njëjtit vesh me dorën tjetër, që sjell një nënkuptim jo pak problematik, të cilin natyrshëm në rrethana të ndryshme e gjejmë në parrathënie librash, ku një zanafillës i kërkon firmën një shkrimtari, që me ombrellën e tij të kaloj 'dushin e kritikës', apo edhe 'shiun pas diellit të nxehtë' me duartrokitje promovimesh ne klube. Në argumentin tonë prurja e fakteve gjen një vazhdimësi tek e gjetura model në prozë. Në vazhdën e saj është një nga arritjet shqiptare, Lazër Stani, që në mënyrë ultimative eksploton elemente të rrëndësishme të fantazisë në prozën e tij. Në tërësinë e së gjithës proza e Stanit, qëndron si një “model Sindorele”, ose një mutacion që shkërmoq përrallën e mençur popullore në detaje të modernes në letërsi. Edhe pse në fakt proza e Lazrit në plan të parë, kur nuk ka angazhuar elemente folklorikë në strukturën e saj, prapë se prapë ajo mbart në heshtje një dimension logjik që të shpie në udhëtimin imagjinar dhe plot fantazi të realizimit të mesazh-komunikimit.
DRAFTEZIMI I NUANCAVE ROMANTIKE
Gjithashtu, Stani duket se mer kënaqësi në draftëzimin e romancave moderne, duke pikasur një fjalë domethënëse e tepër argument-prurëse në gjuhën shqipe, fjalën që shpreh shumë me një nëkuptim sa real aq edhe figurative. Dënesje! Ndërsa ajo gjen vend në prozën e tij, po aq gjen edhe shtratin në tregimin dhe fjalinë e tij: “Provoj të mbyll sytë, të harroj të gjitha pamjet e pshtjelluara që më shfaqen, dua të përqendrohem në një tingull magjik, që ta mbush shpirtin me nostalgji dhe harrim, por pikërisht atëherë kur jam larguar shumë nëpër atë udhëtim të heshtur e të paformë, dëgjoj dënesjen që të këput shpirtin”. Në fjali të tilla një fjalë e tillë që duket se përmbyll mendimin qetësisht, të bën të krijosh një ndërhyrje të lehtë në insinuatën lidhëse dhe përdoruese të fjalës. Natyrshëm të krijohet më pas një parantesë, ku vërtitet e gjithë kërkesa e parabërë në shërbim të mesazhit. “Shenjat e natës” kanë një prioritet të mbeten kërshërima të Lulusë, e asaj Luluje, që sjell bota e stisur e autorit nën një organikë letrare të fiksuar e të zhdërvjellët, derisa na shfaqet si në një ekran imazhi i saj. Një Lulu, jo si shumë “Lulu” të tilla, që të mbijnë në bahçet e dëshirave kundërshtare e krijojnë mundësinë e një komunikimi letraktiv në të gjitha situatat, dhe shprehi ndjenjash në të gjitha kohët. Pra, rasat e emrit, apo thjesht emri i lakuar dhe i palakuar i Lulusë, i gërshetuar me foljen, që pushtetëron fuqinë e veprimit të stisur nga produkti mendje-autor, ngjan në një sinkronizim real e tepër të ndjeshëm. E ngrohta përvëluese që prodhon një lidhje si te tyren, pra te emrit dhe foljes ne kontekstin filozofik dhe sintaksor, katapulton romancën ekzistuese dhe sjedh tension në mes dy 'palëve' autor-tekst në marrëveshjen figurë-tekst. Në këtë kontekst ashtu siç ndodh me tensionet e krijuara nga njeriu në mesazhet fjalëpërcjedhëse, ose thashethemnaja, tensionohet edhe figurativja që prodhohet nga argumenti tepër i arritur ku mobiljet luajnë rolin e personifikimit letrar. Mobiljet janë një gjë, një gjë shabllone, e ftohtë, e heshtur, e pazëshme, por e mençur e autorit që pasaportizohet pa liçencë në mendjen e kundërshtarit për të sjedh një argument kaq tërheqës e tepër kuriozitar deri në zgjidhje. Mobiljet jane parandjere te kene mish te ftohte, si statuja qe gelltisin vetem pluhurin e shterpesise postulat ne mendje qe vetem nje pene e tille i ndricon qarte. Dhe kur argumenti çimentohet në një mendje të ngurtë e kërshëri kundërshtie, të bindur në ftohtësinë e heshtur të sindikatës referuese ‘mobilje’ në shumës një pasazh i tillë gati gëlltitet me ëndje, dhe jo vetem se përcjell diçka që lidhet me sensin njërëzor: “E shtrëgova në gjoks kokën e Lulusë, e përqafova dhe e putha fort duke e shuar gjithë zjarrin e një dashurie të ëndërruar në buzët e saj, paksa të ftohta dhe si të mpira. Provouam të bëjmë prapë dashuri, po Luluja i mbante sytë të hapur, kqyrte e trembur anash, mendjen e kishte të humbur kushedi se ku. Kjo më trishtoi, u shkëputa prej saj, i ktheva kurrizin dhe e ngjesha kryet fort pas jastëkut të akullt që ende mbante erën e detergjentit të ri që Luluja e kishte zgjedhur nëpërmjet reklamave televizive si markën më të mire”.
E VEÇANTA, FANTASTISKJA DHE EKSPERIMENTALJA
Këtu argumenti analitik sjell në skenë Anton Nikë Berishën “Me tregimet e mëparshme të Lazër Stanit si dhe me këto të përfshira në këtë vëllim, që përligjin një botë poetike sa të veçantë aq edhe të pasur, proza jonë tregimtare (bashkë me tregimet e Koliqit, Kutelit, Pashkut, Y. Shkrelit etj.) bëhet prozë, letërsi e madhe. Letërsitë e mëdha i bëjnë vlerat, jo numri i atyre që i flasin gjuhët me të cilat ato përftohen. Mbetet detyrë e jonë e rëndësishme që këto vlera të dimë t’i bëjmë pjesë të jetës sonë shpirtërore dhe të dimë t’ua paraqesim edhe të tjerëve, që t’i njohim edhe ata. Nëpërmjet tyre ata do ta njohim botën dhe shpirtin tonë në mënyrë më të plotë se nëpërmjet çdo forme tjetër”.Në fakt duke argumentuar me Anton Nikë Berishën nga Universiteti i Kalabrisë, Itali në shkrimin e tij kritik “Rrëfimi si dramatikë jetësore dhe si dramatikë shpirtërore” ajo që në fakt përkitazi duhet kundërshtuar është se Stani ka një mjet komunikimi tejet të mprehtë me lexuesin, deri në marrëdhënie të tilla që afrojnë prozë-sinqeritetin njërëzor të krijuesit, gjë që natyrshëm e klasifikon tregimin e tij ndryshe nga ajo që Berisha parathekson. Tregimi i Lazër Stanit, është plot fantazi dhe si i tillë ai natyrshëm kundërshton argumentin “tregimet e Stanit nuk janë fantastike” (Berisha, 2005). Le të sjellim faktin pse tregimet e Stanit kanë fantazinë si ushqim, pasi vet Berisha në kritikën e tij e thekson se ato ‘ushqehen nga ëndërra’, gjë që në teorinë e Frojdit sjell ‘fantazinë’ si fakt në tryezën e analizës. Por duke shkuar më tutje ky mjedis fantastik që shtrydhet në këtë kritikë natyrshëm kompetiton arritjen dhe të qënit i klasifikuar si tregim fantastik. E gjitha nën pushtetin e fantazisë gjen një mori shpjegimesh të tjera, por vet fjala të cilën ne argumentuam që në fillim, duke dalë nga një fabrikë fantastike, gatuan edhe një tregim fantastik, pra të arritur e menivel.Por ndërsa Anton Nikë Berisha mendon të shpërthejë tek e veçanta e Stanit, logjika e tregimit të tij në vetën e parë, vetngulmon të shpall edhe një tjetër kundërshti, pasi tregimi i Stanit, nuk është eksperimental, dhe si i tillë ai s’ka si të shkëputet e të jetojë në orbitë. Tregimi i Stanit ka një rrugë të frymëzuar dhe një ecje të sigurtë, mbijetese te gjate. Kjo është kryesorja dhe mendoj se është domethënësja. Të cilësosh se ti je i veçantë, apo tregimi yt është krejt ndryshe nga bashkëkrijuesit do të thotë të pranosh një dështim në mos-eksperimentimin tënd, pra në atë që ti kur se ke menduar të tillë dhe kur nuk e ke krijuar fjalën eksperiment si një veçori krijuese.Duke parë edhe rrethanat në të cilat ndonjëherë kritika kryhet, padashje edhe krijuesi bie në një domosdoshmëri-kritikë, dhe vetëm kaq. Kur analiza thellohet, dukuria mbetet një debat. Atëherë përse duhet parë kritika si një domosdoshmëri-kritike, kur ajo në fakt fsheh ose nuk paranjeh thelbësoren? E veçanta në letërsi, art, krijimtari është e njohur në kohën moderne nga mbarë lëvruesit e saj si një rrugë eksperimentale. Si e tillë ajo kërkon sakrificë. Dhe sakrifica duhet përligjur, se shumë herë eksperimentet janë vetëm eksperimente, dhe të tillat s’kanë as edhe frute në art, madje aspak në krijimtari. Njëherë e një kohë Harold Bloom shkruajti për krijuesit “se si një krijues ndihmon të formohen të tjerët”, që mund të thuhet ndryshe në letërsinë e sotme shqipe kemi një zinxhir krijuesish që mbijnë nga kjo ndihmë. Në esenë e saj klasike “E zeza dhe Bluja në San Juan Hill” (1993) për Roosveltin në The Rough Riders, Kaplan thotë dicka të ngjashme me këtë: “krijuesit kanë ndjekur historikisht njëri-tjetrin, duke kaluar nga një diskurs në tjetrin, por edhe duke dështuar” (p.219). Si shumë studiues të tjerë Kaplan është një dicka tjetër në fushën e retorikës. Kaplan këshillon që pikërisht në këtë pikë ka mbirje nuancash dhe koordinatash piketuese në ecjen e duhur. Më konkretisht në këtë pikë kemi edhe atë që shwnon pikwtakimin me krijimtarinë e Stanit, ku tregimi i tij wshtw marrw si njw model nw morinw e krijuesve tw rrinj.
Nuk ka komente:
Posto një koment