FT shkruan sot për misionin e BE-së dhe pakicën serbe në Kosovë |
Misioni për stabilizim do të vendoset së shpejti dhe ndarja zyrtare mund të ndodhë gjatë fundjavës, shkruan korrepondenti i gazetës në Bruksel.
Zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian i kanë thënë atij se deklarata e pritshme e pavarësisë së Kosovës këtë fundjavë nuk pritet të shkaktojë dhunë apo eksod të serbëve nga Kosova.
Sipas një zyrtari të BE-së, "ka sinjale të mjaftueshme për të pasur besim se nuk do të ketë dhunë nga asnjëra palë dhe se nuk pritet të ketë as lëvizje të popullsisë, siç ka pasur në të shkuarën në Ballkan".
E përditshmja britanike The Financial Times shkruan se qeveritë e BE-së po përgatiten për autorizimin e dërgimit të një misioni për të siguruar stabilitetin në Kosovë, pas ndarjes së saj nga Serbia e cila e kundërshton kryekëput pavarësinë.
Vala e parë e këtij misioni, një personel prej 15 zyrtarësh të BE-së, mund të mbërrijë në Kosovë nga fundi i shkurtit.
Rusia, shkruan gazeta, jo vetëm që mbështet Beogradin në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, por thotë edhe se misioni i BE-së është në kundështim me ligjin ndërkombëtar dhe kërcënon sigurinë e Europës, në shkallë më të gjerë.
Nga ana tjetër, Britania, Franca dhe Gjermania pritet ta njohin menjëherë Kosovën, por disa kryeqytete europiane janë të shqetësuara për mungesën e një strategjie daljeje të misionit europian dhe frikësohen se BE-ja do të kyçet në një vend të mbërthyer nga problemet e varfërisë, korrupsionit e krimit të organizuar dhe që nuk e ka statusin e një vendi anëtar të Kombeve të Bashkuara.
Gazeta The Financial Times citon një zyrtar të BE-së që ka thënë se misioni "do të shkojë atje për nja dy vjet dhe shpresojme të mos qëndrojë atje përgjithmonë". Zyrtari ka theksuar se BE-ja kërkon që të gjithë komunitetet të gjejnë një vend të sigurtë tek institucionet e Kosovës, veçanërisht komuniteti serb.
Në një artikull tjetër, në formë reportazhi, The Financial Times sjell opininet e disa qytetarëve serbë nga Rahoveci dhe Hoxha e Madhe.
Nën titullin "Masa për të ruajtur një fill shpëtimi për serbët e izoluar", gazeta shkruan për papunësinë dhe shpresat e vakëta në radhët e komunitetit serb në Kosovë.
Gazeta citon ministrin e Serbisë për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, të ketë thënë se "duhet bërë gjithçka që serbët të qëndrojnë në tokën e tyre dhe të jetojnë të sigurtë si qytetarë të Serbisë."
Shkrimi i sotëm në The Financial Times mbyllet me përshkrimin e një banori serb të Hoxhës së Madhe që thotë se 70 për qind e serbëve që kanë mbetur aty mund të largohen pas shpalljes së pavarësisë. Një tjetër thotë se "kush i ka pasur mundësitë për t'u larguar, është larguar me kohë".
Nuk ka komente:
Posto një koment