Quhej Ilo Kovi, një emigrant nga Vithkuqi në Boston. Në vitin 1999 në gazetën "Shekulli" është botuar një shkrim i Kujtim Boriçit për të njëjtën temë, ndërsa para 4 vitesh një temë e tillë ka zënë vend edhe në faqet e "Gazeta Shqiptare". Në të gjitha rastet askush nuk pati fatin të gjente një fotografi të protagonistit Ilo Kovi.
Ngjarja bëri botën të fërkojë sytë e të zgjohet… bota e sotme u zgjua më 15 prill 1912… Shkruante pas asaj që ndodhi një i mbijetuar i mbytjes së anijes më të famshme të botës, "Titanikut". Diku midis Anglisë dhe Nju-Jorkut, 93 vjet të shkuara, në errësirë, u realizua një nga historitë më tragjike të njerëzimit. Ngjarja e përmasave të pazakonta përkujtohet çdo vit në mes të prillit në shtetet më të qytetëruara të botës. Televizionet dhe mediat në të njëjtën periudhë, veç risjelljes, mundohen t'i shtojnë ndonjë detaj të ri historisë së madhe. Ndërsa në Shqipëri pak të interesuar e dinë se natën e frikshme, fare pranë anglishtfolësve e të tjerëve, mes britmave të tmerrit, panoramës tronditëse të zhytjes nën ujë të gjigantit më të madh të detrave, përpjekjeve të shpirtrave për mbijetesë, ka patur edhe diçka shqiptare. Një frymë njeriu, një zë, që mbase nuk ka shqiptuar asnjë fjalë në gjuhën e nënës, por që thuhet se ka klithur me gjuhën e dhimbjeve. "Ilua u kap pas një varke të mbushur vetëm me gra, që fatkeqësisht nuk kishte lopata. Askush nuk do të kishte mbijetuar, nëse ai nuk do përpiqej. Vorbulla e shkaktuar nga mbytja e anijes do të thithte, duke marrë pas vetes, atë varkë pa drejtim. Ilua ishte i ri dhe i fuqishëm. Duke përdorur këmbët si lopata, ai arriti ta largonte varkën nga Titaniku që fundosej… Më pas këmbët, për shkak të ujit të akullt, i'u gangrenizuan dhe doktorët i'a prenë njëra pas tjetrës. Njërën i'a preu doktor Polena, i njohur në Korçë…". Kjo është një pjesë e rrëfimeve për Ilo Detin, shqiptarin e vetëm që udhëtoi në anijen "Titanik" dhe që i mbijetoi tragjedisë. Histori e denjë për një hero.
Kokëforti
Nga ujërat e ftohta në veri të Atlantikut, ngjarja që drithëroi mbarë botën, zbret në Vithkuq të Korçës dhe mblidhet rreth një kurbetliu. "Ndërsa i kishte këmbët të prera, ai e kishte zakon të ulej në shesh pranë lëmenjve të grurit para shtëpisë së vet, që gjendej në lagjen 'Grekas' të Vithkuqit, ku qarkohej nga kureshtarët, që e lusnin t'u rrëfente për 'Titanikun". Historinë e tregon, pas 93 vitesh, i biri, në shtëpinë e vet, ku soba me dru, që në pjesën e sipërme ka një sipërfaqe tejet të lëmuar dhe brendësia e një dhome të ngrohtë të katit të parë, thonë se banon në Korçë. Quhet Dhimitër Deti, 80-vjeçar, me një shëndet mrekulli dhe një dorë të fortë si darë. Pranë i rrinë e shoqja, Parashqevia, dhe e bija, Donika, të cilat plotësojnë momentet në rrëfim, kur plaku nuk është i sigurt.
"Në listën e të mbijetuarve të 'Titanikut' nuk ka ndonjë person të quajtur Ilo Deti…".
"Im atë quhej Ilo Kovi, pasi i ati i tij, pra gjyshi im, quhej Kovi".
"Po… nuk ka asnjë emër të tillë të ngjashëm në listë…".
"Ilon në Amerikë e thërrisnin 'Lui'. Ka edhe një tjetër korçar, që ka jetuar në Amerikë, të cilin edhe sot e kësaj dite në Korçë e thërrasin 'Lui'. Edhe ai emrin e vërtetë e ka Ilo. Pra amerikanët të gjithë emrat 'Ilo' i kthenin në 'Lui'. Ndërsa mbiemri që mund të ketë përdorur, duhet të jetë 'Jakovi'. Kur erdhën grekët në Vithkuq, në vitin 1941, kujtoj se tim atë e thërrisnin me mbiemrin 'Jakovi".
"Si u gjend në anijen më të famshme të të gjitha kohërave vithkuqari Ilo Kovi? U nis nga këtu?".
"Jo. U nis nga Amerika. Ishte vetëm 22 vjeçar. Gjendej në kurbet, në Boston, dhe me të dëgjuar për anijen gjigante, u nis për në Angli. Por për të gjithë ne, të themi të vërtetën, kjo pikë mbetet e paqartë. Më shumë ka të ngjarë të jetë nisur vetëm, sepse ishte kurioz të shihte anijen e famshme. Dikush përmend një variant, sipas të cilit u nis me dy miq të vet nga Anglia, të merrte pjesë si i ftuar në dasmën e njërit prej tyre. Përsëris që këtë moment askush nga ne nuk e di të saktë. Di vetëm të them se ishte një njeri shumë kokëfortë dhe se i shkonte në fund gjithçkaje të nisur. Kujtoj nënën, Efigjeninë, gruan e Ilos, e cila kur isha i vogël dhe bëja ndonjë prapësi, më sulej duke më thënë se i ngjaja tim eti. Historinë e tij babai nuk na e tregonte neve të vegjëlve. Shumicën e atyre që dimë e kemi nga nëna, si dhe nga miq e shokë të tij".
Amerika
Në fakt, historia e rrallë e shqiptarit Ilo Kovi nuk është e izoluar. Atë e kanë njohur dhe bërë objekt bisedash të gjithë kurbetlinjtë vithkuqarë apo edhe korçarë të Bostonit. Sipas rrëfimeve, ishin të njëjtët njerëz që i mblidhte kokë më kokë shoqata e famshme "Vatra" e Bostonit, e cila më pas u konvertua në "Vllazëria Vithkuqare", sekretar i së cilës, të paktën në një rast, sipas të birit, ka qenë Ilo Kovi, shqiptari i "Titanikut". Ilua kishte mërguar në Boston rreth 6-7 vjet para tragjedisë së "Titanikut". Në Amerikë vithkuqarët shkonin nëpërmjet Greqisë. Futeshin klandestinë në anije, të fshehur me javë të tëra në hambarë. Thuaj po deshe që historia nuk përsëritet pas gati njëqind vjetësh! Në Boston, Ilua, bashkë me shumë vithkuqarë, ishte punësuar në një fabrikë syzesh. Miq të tij kanë qenë Tasi Moni, Koli Rënxa, Vasil Kolaci, ky shok i ngushtë, Koli Shorja, të gjithë nga Vithkuqi. Të gjithë këta kanë rrëfyer e mbjellë aventurën e Ilo Kovit në anijen "Titanik", duke filluar nga Bostoni i Shteteve të Bashkuara deri në Vithkuq e Korçë. "Na kanë thënë se një kishë në Southbridge të Bostonit ka në regjistrat e saj të dhëna tepër të sakta për vithkuqarët e asaj kohe në Boston", shton djali i njeriut të "Titanikut". Sipas të njëjtit, deri para pak vitesh nuk kishte patur asnjë fotografi të Ilo Kovit, të cilit i ishin mbaruar ditët e jetës në vitin 1949. Në fillim të viteve '90, një vithkuqar, i quajtur Pandi Rrapo, kishte mundur t'i sillte fotot e Ilo Kovit nga Bostoni, me qëllimin e vetëm që të vërtetën e shqiptarit të "Titanikut" ta materializonte në historikun e Vithkuqit. Porse vdekja e kishte marrë përpara se.
Kthimi
Duke mbajtur në duar një foto të të atit, që nga pas shkruan "C2324, George M.Cushing, PHOTOGRAPHY-Boston, 306 NEWBURY Str. 536-4750". Dhimitër Deti e përshkruan si një burrë të fortë fizikisht, jo shumë të gjatë, autoritar e kokëfortë. "Në Shqipëri Ilon e solli e ëma, Vasilika. Gruaja plakë kishte dëgjuar për historinë e tij në 'Titanik', kishte mësuar se i biri kishte vuajtur shumë dhe donte ta shihte të gjallë", rrëfen Dhimitri. Në fakt, Ilo Kovit në të njëjtën kohë i kishte vdekur gruaja e parë që kishte lënë në Shqipëri, dhe shkaku i kthimit në vitin 1915, më shumë sesa lutjet e së ëmës, duket ka qenë ky. Sipas rrëfimeve, edhe djali i vetëm i kishte vdekur, pothuaj menjëherë pas së shoqes. Pak vjet më pas Ilo Kovi ishte rimartuar. "Mori për grua nënën tonë, Efigjeninë, dhe patën katër fëmijë. Djali i madh, që tashmë nuk jeton, quhej Ropi, i vitlindjes 1923. Më tej në vitin 1925 kam lindur unë, pas meje njëra nga motrat, Dhora, që tashmë jeton në Greqi, dhe e fundit, në vitin 1932, Emilia që jeton në Vithkuq", rrëfen plaku. I njëjti shton se të atit, që pas mbërritjes nga Amerika, i dhimbte shumë njëra këmbë, për shkak të një plage të marrë gjatë mbytjes së "Titanikut". Sipas Dhimitrit, në vitin 1918 plaga ishte gangrenizuar. Por duke i shkuar deri në fund kokëfortësisë së vet, i ati i kishte injoruar këshillat e mjekëve të zonës. Pak muaj më pas doktorëve të Selanikut u ishte dashur t'i prisnin këmbën poshtë gjurit. "Më 1930 iu sëmur këmba tjetër, po nga gangrena. Në vitin 1932, sërish në Selanik, e preu dy herë atë, poshtë gjurit, dhe së dyti në rrëzë të kofshës", flet duke reflektuar një kujtesë të saktë Dhimitër Deti. Plaku nuk harron të shtojë se nëpër spitalet e Selanikut shkuan të gjitha kursimet e njeriut që kishte punuar në Amerikë, madje u shitën edhe disa parcela toke. Më tej njeriun me këmbë të prera e kujtojnë edhe të tjerë dwshmitarë. Sipas njërës prej dëshmive, Ilo Kovi, i mbartur nga një karrocë, shkonte shpesh në livadhet e fshatit Leshnje, ku kishte blerë një copë tokë. I pëlqenin natyra, aroma e barit dhe bisedat me bashkëmoshatarët, të cilët shpesh i kërkonin mend për çështje të ndryshme. "E çoja unë me një kalë të kuq", hidhet në bisedë i biri, Dhimitri, i cili nuk ia fal vetes që në ato kohëra nuk i kishte ndenjur më pranë të atit, të fiksonte mirë në mendje historinë e "Titanikut", por e kishte pasur mendjen të bridhte livadheve pas rabeckave.
Një histori shqiptare
Në fakt, historia e shqiptarit të vetëm që e përshkoi tragjedinë e "Titanikut" duke dalë i gjallë prej saj, ka diçka të përbashkët me fatin historik të bashkëkombësve të tij. Një e vërtetë e dhimbshme, edhe pse larg të qenit brilante apo heroike. Ja ngjarja, e rrëfyer nga i biri, që betohet se përsërit fjalët e së ëmës, duke thënë variantin më të besueshëm. "Në momentet që anija gjigante, pas përplasjes me ajsbergun, kishte filluar të mbushej me ujë e marinarët po zbrisnin barkat e para me gra dhe fëmijë, kryesisht të klasit të parë, Ilua kishte ndihmuar të sistemohej në varkë një familje. Në çastin që varka po ulej, Ilua ishte kapur pas njërit prej litarëve të saj të lëshimit. Në këtë kohë ai është qëlluar me lopata e sende të tjera të forta nga marinarët, duke rënë në det. Me të rënë në kontakt me ujin e ftohtë, ai arrin të kapet pas barkës së sapolëshuar. Pak çaste më vonë tenton të hipë në varkë, por marinarët e qëllojnë me lopata ku të munden. Ata kishin urdhër që të mos rrezikohej mbytja e varkave, qoftë nga mbipesha, qoftë nga shkaqe të tjera. Ilon e kanë goditur disa herë me lopatat e drunjta pa mëshirë në këmbët në momentet kur kapej dhe tentonte të shalonte anën e varkës për t'u futur në brendësi të saj. Porse në çastet që marinarët arrinin ta prapsnin duke e hedhur sërish në det, barka anohej dhe tronditej. Babai ka rrëfyer se e kishin gjakosur duke e goditur, pasi ai ishte përpjekur disa herë radhazi të hipte, pa i shkëputur duart nga varka. Dikur njëra nga gratë, pikërisht ajo që Ilua e ndihmoi të sistemohej në barkë, këmbëngul ta merrnin edhe atë, duke protestuar e thënë se ai kishte rrezik t'i mbyste të gjithë", përfundon plaku i rënë në mendime, pikërisht në momentin kur mbijetesës së shqiptarit të vetëm të "Titanikut" i ishte thënë "po". Më 15 prill 1912, 1523 shpirtra njerëzish u lëshuan në formën e avujve në drejtim të qiellit dhe vetëm 705 vazhduan të ngrohnin të njëjtët trupa. Mes tyre edhe të një shqiptari. Ishte ora kur njerëzimi duhet të paguante shtrenjtë për historinë e tij.
93 vjetori i tragjedisë dhe shkrimet për shqiptarin e Titanikut
Pak ditë më parë, më 15 prill, ishte 93 vjetori i mbytjes së Titanikut. Për fat të keq pothuaj asnjë stacion televiziv shqiptar nuk u kujtua të paktën të shfaqte një film kushtuar kësaj ngjarjeje. Një përkujtim që mund të ishte bërë, jo për faktin se në atë anije të famshme ka patur edhe një shqiptar, pasi kjo dihet vetëm nga një pakicë të interesuarish. Për herë të parë historinë e shqiptarit të "Titanikut" e ka shkruar në vitin 1992 pas një pune disajavore në Korçë, Kristaq Laka, ish-kryeredaktori i gazetës "Pasqyra".
Në vitin 1999 në gazetën "Shekulli" është botuar një shkrim i Kujtim Boriçit për të njëjtën temë, ndërsa para 4 vitesh një temë e tillë ka zënë vend edhe në faqet e "Gazeta Shqiptare". Në të gjitha rastet askush nuk pati fatin të gjente një fotografi të protagonistit Ilo Kovi.Ndërkohë që edhe pjesët e shkruara, përjashtuar variantin e Kristaq Lakës, ishin rrëfime të personave që nuk ishin lidhje familjare të Ilo Kovit, e që dinin pak hollësi të së vërtetës. Një tjetër problem ka mbetur edhe dokumentimi i pranisë së një shqiptari në Titanik nga studiuesit botërorë të kësaj tragjedie. Është fakt se në vitin 1912 Shqipëria ka qenë nën Turqinë dhe ka të ngjarë që Ilo Kovi, pas zbritjes nga anija "Carpathia" të jetë konsideruar e regjistruar si turk. Nuk është çudi që i njëjti pas tragjedisë e zbritjes në Amerikë të ketë thënë se ishte amerikan duke shqiptuar emrin e vet të ngjashëm apo të ndryshëm nga ai që kishte.
Titaniku, gjigandi i deteve dhe historia e parashkruar
Titaniku ishte anija më e madhe e kohës së vet. U deshën pothuaj 5 vite për ta ndërtuar. Ajo nisi udhëtimin e saj të parë më 10 prill 1912 nga Southampton i Anglisë, me 2 228 njerëz në bord, përfshirë ekuipazhin, por nuk shkoi kurrë në destinacion, që ishte Nju Jorku. Titaniku u përplas me një ajsberg në afërsi të Newfoundland pesë ditë më pas më 14 prill. Përplasja ndodhi në mesnatë në orën 11.40, ndërkohë që anija u fundos 2 orë e 40 minuta më pas në orën 02.20 të datës 15 prill. U mbytën dhe humbën 1 523 njerëz dhe mbijetuan vetëm 705. Një orë e dhjetë minuta më pas në vendin e tragjedisë u afrua anija greke "Carpathia" që mblodhi të mbijetuarit. Intersant është fakti se 14 vite më parë, më 1898, një shkrimtar amerikan i quajtur Morgan Robertson kishte publikuar një roman profetik duke parashikuar saktësisht tragjedinë e Titanikut. Sipas historisë së Robertson, anija e tij imagjinare që quhej "Titan" u nis në prill duke patur në bord 3 000 pasagjerë. Fatkeqësisht ajo ndeshi një ajsberg dhe u mbyt. Humbën jetën më shumë se 1000 njerëz.
2 komente:
Posto një koment