e martë, dhjetor 04, 2007

NJË ZË LARTËSOHET MAGJISHËM


Nga Fatmir Terziu*


(Kushtuar legjendës shqiptare: Tefta Tashko Koço)


Aty pranvera ka gjetur strehë
Aty rinia ka mbetur buzëqeshur
Aty muzika dhe kënga marrin vlerë
Aty talenti mbeti ndezur!

Një zë që lartësohet magjishëm
Në imagjinaren rrugëtuese të këngës
Përshkon tejskajshëm jetën
Me motivin e saj jashtë brengës.

Një simbol që mbeti Meshë e muzikës
Nga breza dashamirës që e mbajnë gjallë
Një lajtmotiv legjende që sfidon ecjen e kohës
Zëri i Teftës, i veçantë, tipik dhe i rradhë!

Në labirinthet e historisë, shkëlqen nuri i saj mbi foto
Kënga e saj kumbon ende rrjedhshëm
Pentagrami krenohet me emrin; Tefta Tashko Koço;
Që t’u flasë brezave të sotëm dhe të nesërm.

Aty pranvera ka gjetur strehë
Aty rinia ka mbetur buzëqeshur
Aty muzika dhe kënga marrin vlerë
Aty talenti mbeti ndezur!

Një vepër që dita-ditës i shtohen vlerat
Kur këngën e saj e dëgjon me ëndje
Që mbetet e tillë për të gjithë brezat
Ngjizur tek ai Zë që kurrë s’ka vdekje!

*Shkeputur nga vellimi i ri ne botim i autorit: Zera dhe Legjenda.

______________________________________________________
I dashur Fatmir,

Te falenderoj shume per poezine e bukur e te ndjere mbi nenen time, Teften. Falenderimin deshiroj te ta bej personal, e jo pjese te klubeve elektronike, sepse e tille eshte poezia yte, e dale thelle nga shpirti. Te jem fare i sinqerte me ty, kjo poezi, ne kete moment te jetes sime, me ka bere efekt me shume se cdo krijim tjeter dedikuar Teftes ne te shkuaren. Mos ndoshta jam bere me sentimental? E vleresoj tej mase vemendjen, dashamiresine dhe mbi te gjitha frymezimin dhe talentin Tuaj per te shkruar kaq embel. Paçi sukses a mbaresi ne jete.

Me mirenjohje e respekt,
Eno Koco
_____________________________________________________________
Z Fatmir Terziu !
Ju uroj per poezine e bukur qe lexova per te madhen Tefta Tashko,vargjet e asaj poezie jane me te vertete te arira dhe teper te rralla.
Me pelqeu shume.
Po te kete mundesi me deshiren tuaj une mund ta dergoj ate tek i biri i saj z Eno Koco,me te cilin kam miqesi familjare,ose ne te kundert Ju mund te lidheni direkt me te.(une mund t'ju dergoj privatisht adresen e tij elektronike)
Eshte nje nder i madh qe Ju beni per kengetoren e madhe dhe per te birin e saj.
Urime.

Petraq J. Pali
____________________________________________________________
Shume Faleminderit z.Terziu .
Per kete poezi qe e ndate me ne Forumin qe mban emrin e Zerit qe lartesohet MAGJISHEM! Le te shendrrohet kjo poezi ne HYMN te Forumit TEFTA TASHKO KOCO! I perjetshem kujtimi i Saj ,dhe vepra e saj,zeri i saj..!
Respekte
Raimonda Moisiu Hartford CT USA.
______
_________________________________________________________
Shume bukur! Ju lumshin ata duar qe e shkruan kete dedikim ndaj te madhes Tefta! Bekuar qofte ajo mendje e shpirt i jot qe e prodhoi kete poezi kaq te bukur, Z.Terziu!
Duhet ta pasqyrojme ne faqen hyrese te forumit tone! Faleminderit per kontributin.
Me respekt
Merita Bajraktari McCormack
_________________________________________________________________

e mërkurë, dhjetor 05, 2007

VALËVE TË JETËS

Nga Fatmir Terziu


Kam kohë që krihem në mes të liqenit
Kam kohë që matem me rrëmbesën e lumit
Kam kohë që detin e kam aq shumë pranë
Kam kohë që Atlantikut ia ndjej freskinë
Kam kohë që jam në vallen e Yjeve
Kam kohë që valles së tyre ia kam zilinë
Kam kohë që sytë më kanë mbetur Qiellit
Kam kohë që shumëzoj rrezet e Diellit
Kam kohë që ndodhem mes gjelbërimit
Kam kohë që përgjoj dritën e Agimit
Kam aq kohë sa të flas për ëndërrën
Kam aq kohë sa t’u thurr atyre këngën.
Pastaj mbetem me ta për pak kohë!
Liqenit i marr borxh qetësinë
Lumit ecjen dhe pagjumësinë
Detit zhurmën dhe freskinë
Oqeanit i pranoj pafundësinë
Yjeve largësinë
Diellit dritën dhe ngrohtësinë
Dhe i kthehem Ditës
I rikthehem normales
Pas Agimit të dritës
Aty në fushën e madhe fëminore,
Mes valëve të jetës!



e mërkurë, dhjetor 05, 2007

ROBOTË JO-ELEKTRONIKË

Botën e kemi marrë tashmë elektronike
Jetës ia kemi qepur elektroniken
Flasim, qeshim e tregojmë në linjën elektronike
Vrasim kohën me modën elektronike.
Elektronikë kemi lindur në këtë shekull
Elektronikes i jemi ngjitur si petull.
Kokrizat e elektronikes ngasim
Në hapësirën tonë vitale
Pastaj prapë në ajër zgjasim
Linjat e padukshme dixhitale.
Botës elektron i jemi ngjizur
Botës që e ëndërronim si të krisur
Botës që na quan elektrolitë
Botës që na përqesh përditë!
Ne prapë e kemi nga halli
Qepjen pas elektronikes
Lajmë me të mallin
Mbledhur skutave të mërgimit prej vitesh.
Ne jemi robotët e rrinj jo-elektronikë
Që ramë në dashuri me elektroniket
Ne jemi për t’a thënë krejt pa frikë
Nga ajo ‘parajsë’ ku edhe natën të iket.


Nuk ka komente: