e diel, nëntor 25, 2007

KRISJA: “NJËSITET GUERRILE NË SKENË”

Nga Fatmir Terziu
Shkeputur nga "Mot i Qashter"

Atë kohë isha caktuar nga redaksia të mbulojë gati ç’do lëvizje të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, në vizitat e tij të punës nëpër rrethe. Isha gati pjesë e asaj kolone të gjatë që gjarpëronte me trokun e një shpejtësie marramendëse, si në garat e makinave, për të dhënë lajmin dhe shënuar gati gjithë fjalën, thëniet, pyetjet, përgjigjet dhe ndodhitë e evenimentit. Dhe gjithkush nga shtypi dhe njërëzit e shtypit që ka ndjekur Pr.Dr. Sali Berishën në misionin e tij tepër të përkushtuar, është shumë lehtë t’a kuptojë atë, por shumë e shumë vështirë t’a ndjekë e t’a raportojë me të njëjtën shpejtësi. Takimet e fushatave dhe takimet me raste të Kryetarit të PD-së dhe Presidentit të Republikës ishin gati rrufe. Ata fillonin e mbaronin në terren të gjërë, nga Jugu në Veri, gati-gati pa pushim. Pra ishin dhe janë shumë për t’i hedhur në letër. Po kujtoj vetëm njërën, ndoshta njërën që më ka mbetur paksa më shumë në mendjen time.
Rradhën e kishte Gjirokastra, pas një vizite rrufe në Përmet. Situata në Jug të Shqipërisë po ziente, lajme të ndryshme gazetarësh vinin nën zë për kërcënime të shumta. Unë isha në një makinë me Zamira Kolecin e radios. Ajo aspak e qetë, më e ndjeshme dhe më pranë lapsit dhe diktofonit të saj. Flisnim për gjëra kot, aspak në lidhje me situatën. Nuk e di pse. Udhëtuam gjatë dhe ndaluam në hyrje të Gjirokastrës. Kishim kaluar Tepelenën, ku kishte zhurma se s’do t’a kalonim dot, pasi kishte lajme se do të bllokohej rruga nacionale nga një grup të pakënaqurish që kishin humbur paratë në firma dhe në meditim e sipër pamë e ripamë sheshin e qytetit të gurtë duke u ngjitur drejt Pallatit të Sportit. Rolandi, pedagogu i Universitetit të Gjirokastrës ishte më i angazhuari. Ai kishte marrë rolin e organizatorit dhe në pamje të parë dukej si në një xhirim filmi. Dy skenarë shkonin e vinin. Ai që ziente diku përreth, e në skuta dhe ai që në sipërfaqje kishte një buzëqeshje dhe një temperament të ftohtë. Presidenti kreu fjalën e tij në një Pallat Sporti të mbushur plot. Entuziazëm. Entuziazëm!? Pastaj drejt Universitetit. Aty sërrish tension. Studentë që hynin e dilnin. Studentë që pastaj paraqisnin opsione dhe pyesnin. Presidenti dëgjonte dhe përgjigjej… Diku andej nga fundi i stolave plot me studentë në sallën e leksioneve të Universitetit, ku zhvillohej takimi, një student i rrethuar me nja dy a tre të tjerë ishte më i zjarrti. Fliste pa rradhë, pëshpëriste dhe trazonte e turbullonte situatën… Askush nuk i ndërhynte, veç Rolandit, pedagogut të Universitetit, që i thoshte: “Mirë, mirë … të njohim ne ty… të njohim”. Pyeta, se ç’ishte kjo njohje për studentin, por gjeta ngritje supesh. Aty kaluan plot 45 minuta dhe asgjë në fakt për të thënë ishte rezultative, se shumica e studentëve të pranishëm ishin gati spektatorë dhe të heshtur. Vetëm dëgjonin e pëshpërisnin!
Pastaj një ikje e shpejtë e Presidentit. Helikopteri kishte ardhur të transportonte atë dhe kolona e makinave kishte lënë qytetin e Gjirokastrës në rrugën e Përmetit dhe jo nga rruga nacionale e Tepelenës. Ne pyesnim, dhe habiteshim: “Pse?!” Por askush nuk dinte gjë… Pastaj shpejt në makinë, dhe bashkë me ne shumë gazetarë të tjerë. “Do ikim nga Tepelena?”- pyesnim dhe shihnim shoferin… Ai nisi makinën. Një tension i brendshëm ziente mes nesh. Pastaj në rrugë. Kolona të gjata makinash dhe pastaj një kthim prapa… Rruga në të hyrë të Tepelenës ishte bllokuar. Barrikadë me skelete makinash të vjetra dhe blloqe betoni ishin shkarkuar në mes të saj. Shoferi pyeste drejtuesit e makinave që ktheheshin prapa, makinat që qëndronin në vend dhe ata që shanin e shanin …
Është një rrugë tjetër. Është rruga nga Përmeti, por është e gjatë dhe e frikshme. Ashtu bëmë. U kthyem prapa. Ecëm e ecëm. Kur fap një zhurmë. Pastaj një tjetër. Makina filloi të tundej e shkundej e tëra. “Gomat!”- tha shoferi. Dy dërrasa me gozhdë dymbëdhjetëshe ishin ngulur në mes të tyre dhe kaq e pati. E dija që Përmeti ishte historik, nga historia e shkollës sime, por nuk e dija se historia e shkollës sime do të përsëritej në këtë mënyrë. Unë e dija dhe kisha mësuar s’e gozhdët ia vinin njësitet guerrile kamionëve armike që transportonin ushtarë dhe armatime dhe jo gazetarëve apo dhe vetë shqiptari-shqiptarit. E çuditshme; “Njësitet Guerrile janë rringjallur”- tha dikush mes nesh… Për fat pas nesh ishte një makinë e Gardës…, dhe ne qëlluam me fat. Në Kolonjë hymë pas mesnate. Aty komunikova me redaksinë e Tiranës… “Mos u mërzit më tha redaktori për shkrimin,… a je mirë vet, se shkrimin e bejme ne(!?)” I tregova se me kë isha dhe kaq... Lamë Pogradecin pas, kur ora shënonte tre e tridhjetë minuta pas mesnate… (vazhdon)

Nuk ka komente: