e enjte, nëntor 22, 2007

DITARI POLITIK I NJË POLITIKANI

Nga Fatmir Terziu
...pata në studion e TV Dardan Kryetarin e PR-së Fatmir Mediu. Ishte ftuar nga ana ime të fliste me një temë që ziente prej kohësh në politikën shqiptare të asaj kohe. Gjatë emisionit i bëj një pyetje, një pyetje jashtë marrëveshjes paraprake me të. Ai u përgjigj, u përgjigj prerë dhe saktë, por pas emisionit më tha: “Kush t’i ka dhënë këto fakte kaq të rrëndësishme?” Unë qesha dhe ktheva sytë nga Arian Madhi, që ndodhej jo shumë larg prej nesh…

Arian Madhi, një nga politikanët shqiptarë që ka provuar ngjitje të menjëhershme, deri në majë të Qeverisë, natyrshëm ka krijuar një eksperiencë tepër pozitive, që gjithkush në politikën shqiptare duhet t’a përfitojë dhe t’a zotërojë. E them kështu, jo vetëm nga njohja ime personale me të, si politikan lokal i PD-së së Elbasanit në vitet më të vështira për PD-në ku zoti Madhi dha një kontribut politik dhe intelektual, as edhe si gazetar politik i kësaj partie, që pata rastin të intervistoj dhe të flas e konsultohem me të, por nga ajo që është më e rrëndësishme për një politikan: Mbajtja e Ditarit Politik, si mjeti më efikas për të ndërtuar rrjedhën e duhur në evenimentin e duhur Politik. Më konkretisht. Në një periudhë tepër kritike dhe tepër të frikshme ‘konfrontuese’ kur shumë politika lokale dhe politikanë lokalë ishin tulatur prania e tij nisi të sjell ndryshim. Një ditë, si gjithë ditët e tjera të vitit më të tmershëm 1997, duhet të shkruaja për një fakt politik, por nuk po gjeja burimin zyrtar dhe të besueshëm. Arian Madhi mendova! Më ftoi në shtëpinë e tij. Ishte pasdite. Dhe menjëherë nisi biseda. Ariani fliste me fakte, fliste me data, me orë, me kohë e me vend. Fliste me situata e me lidhje të situatave në nivel ndërkombëtar. Unë dëgjoja dhe fiksoja në letër e në tru eksperiencën e tij. “Mbaj shënime o politikan: Ndërto ditarin tënd politik, nëse dëshiron të ngjitesh e të kesh sukses”- pati nje shprehje diku. Ke mundësinë të bëhesh një shans më shumë, një fakt më shumë një ‘magazinë’ faktesh më shumë. Këtë z. Arian Madhi duhet t’ia lekturojë edhe të tjerëve në Shqipëri, sidomos politikanëve të rrinj, që ndoshta ende nuk dinë se c’është Ditari Politik. Duke mos patur një ditar të tillë, gjithkush mund të bëhet nesër “Pronar” i interesave politike e të bërtasë pas fitores: “Unë jam, …unë kam….unë njoh… dhe unë duhet të jem këtu e aty”. Por jo vetëm kaq. Në politikë nuk ecet vetëm. Në politikë ecet në grup. Dhe kur grupi ka bagazhin e duhur, asnjëherë nuk ndodh mëkat. Arian Madhi është në politikë dhe është aty, është në politikën Shqiptare dhe në Parlamentin shqiptar. Kush ka interes të jetë e t’i shërbejë politikës ai aty është, edhe për t’i shfletuar pak jetë nga ditari i tij politik i kahershëm…
Pak kohë më pas takimit me Madhin, pata në studion e TV Dardan Kryetarin e PR-së Fatmir Mediu. Ishte ftuar nga ana ime të fliste me një temë që ziente prej kohësh në politikën shqiptare të asaj kohe. Gjatë emisionit i bëj një pyetje, një pyetje jashtë marrëveshjes paraprake me të. Ai u përgjigj, u përgjigj prerë dhe saktë, por pas emisionit më tha: “Kush t’i ka dhënë këto fakte kaq të rrëndësishme?” Unë qesha dhe ktheva sytë nga Arian Madhi, që ndodhej jo shumë larg prej nesh…

Vazhdon…

copyright Fatmir Terziu

Nuk ka komente: