e premte, mars 13, 2009

DY SHENIME PER NOVELEN E MARTIKOS

SHENIM BIOGRAFIK PER NOVELEN

“NJE ÇMIM PER SHKRIMTARIN E VDEKJES”
(Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur)


Gjithë idealizmi i rreshtave të mia buron prej faktit që pata në jetë një prind e mësues të jashtëzakonshëm si Dino Martikon. Në historinë botërore të njerëzimit rrallë mund të gjënden njerëz të tillë, që para detyrës imperative të të qënurit i ndershëm deri në ekstrem, qoftë edhe më të panjohurin apo më të fundin e lagjes, shkojnë të sakrifikojnë edhe vetë familjen.
Kjo pikërisht ndodhi me ne.
Përfytyroni pak vitin 1946... Me mbylljen e kufijve, Shqipëria e asaj kohe i përngjante një Ferri të vërtetë dantesk. Dy oficerë sigurimi, të deleguar nga Ministria e Punëve të Brendshme i propozojnë Dino Martikos për ta dërguar në Greqi si agjent të kuq. Mund të tërhiqte gjithë familjen në të ardhmen. Të gjendeshim të gjithë në Perëndim. Veç do t’ i duhej detyrimisht të spiunonte bashkatdhetarët e arratisur, të instaluar jashtë vendit. Qe koha kur njerëzit në Shqipëri vriteshin pa gjyq, rrugëve... Im atë i njihte për bukuri pasojat e refuzimit, pasi ishte sekretar i Kom. Ekz. në Sarandë dhe njëkohësisht anëtar partie. Iu përgjigj të dërguarve të ministrisë prerë, me këto dy fjali tepër të thjeshta: “Jam ekonomist. Nuk e njoh atë zanat”.
Burgosjet e para në Bregdetin e Sipërm të Sarandës ndodhën pikërisht kur atë e kishin përjashtuar nga partia. I gjendur në të njëjtën celulë me parinë e lartë të qytetit, zihej fyta-fyt, për të mos aprovuar arrestimet. I drejtohej shefit të sigurimit të asaj kohe me fjalët: “Mos harro që ke qënë dikur spiun i italianëve. Pikërisht ti meriton të futesh në burg dhe jo viktimat e pafajshme që shkon të shkaktosh në Bregdetin e Sipërm”... Natyrisht, nuk mund ta mbante gjatë në radhët e saj partia e krimit një person të tillë, i cili guxonte t’ i dilte kundër, madje, në problemet më kardinale të saj, siç qe Lufta Famëkeqe e Klasave.
Intrasigjenca e karakterit të tij të papërkulur e kurajoz u sprovua veçanërisht në burgimin e tij të parë, kur i u drejtohej hetuesve të sigurimit të Vlorës dhe gjeneralit Petrit Hakanit me frazat: “Mos u mundoni më kot me mua. Pse nuk shkoni më mirë në familjen time? Merrni djalin tim e më thoni se do të ta varim këtu, para syve të tu!... Nga unë nuk keni për të nxjerrë asgjë. Jam i pafajshëm!”. Gjithë këtë rezistencë Dino Martikua e bënte ngaqë nuk mund të dekonspironte apo tradhtonte, qoftë edhe një grimë bisede të kryer me miqtë e tij kundër regjimit komunist.
Atëhere qe dyzetedy vjeç. Hetuesia zgjati gjashtë muaj.
Në burgimin e dytë qe gjashtëdhjetepesë vjeç. Hetuesia zgjati nëntë muaj. I trajtuar me mënyra çnjerëzore, arriti të dalë në gjyq kockë e lëkurë. Veç i pajisur me karakter prej çeliku e shpirt fisnik, përsëri kishte arritur të ruante të paprekur, me fanatizëm, miqtë e tij apo ndryshe, shqiptarët... Matanë dyerve të mbyllura të sallës së gjyqit, në Vlorën e terrorizuar deri në palcë të vitit 1980, në mjaft raste toni i tij i prerë e nervoz u lartësua i fuqishëm, mbi zërat e prokurorit e gjykatësve famëkeqë të kohës...
Dino Martikua është personi i cili, me kapitullimin e Italisë fashiste, në shtator të vitit 1942, arriti të marrë në dorëzim qytetin e Sarandës pa gjakderdhje, ndryshe nga ç’ndodhi në Gjirokastër. Nga tri qeveri të ndyshme arriti të burgosej dy herë prej secilës, gjithësej gjashtë herë, pa u dorëzuar kurrë moralisht dhe duke e përbuzur vdekjen. Burgimi i fundit i mori jetën në burgun e Zejmenit, në vitin 1985, në moshën shtatëdhjetë vjeçare.

Sa për mua, i vetmi akt patriotik ndaj shqiptarëve, që më bën të ndjehem krenar dhe njëkohësisht ballëlart, është se nuk kam asnjë viktimë në ndërgjegje. Natyrisht, u mundova shumë për ta arritur një gjë të tillë: veçanërisht, dy vjet të tëra në një repart ushtarak të Tiranës, megjithë presionet dhe kërcënimet e shefit të sigurimit.
Me e rëndësishmja konsiston në faktin se është gjë e mrekullueshme kur arrin të kuptosh se nuk është aspak e lehtë të tradhtosh, jo vetëm shokun e mikun por edhe të panjohurin...
Do të dëshëroja që pikërisht flakën e kësaj edukate, ndershmërie e karakteri t’ i përçoja brezit të të rinjve në letërsinë kontemporane... Kjo është arësyeja që i jap një rëndësi të dorës së parë çështjes së modeleve shpirtërore të një shoqërie për së mbari, e denjë për të çarë të ardhmen me kokën lart dhe jo të zvarriset si një qënie e molepsur dhe e sëmurë në errësirat dhe humnerat e pafund të historisë...
Duke e konsideruar patriotizmin, si një akt respekti ndaj kultit të shenjtë të njeriut, sinqerisht më vjen për të qeshur me ca patriotë, që nuk arrijnë të kuptojnë se dashuria e tyre duhet në radhë të parë të drejtohet për shqiptarin dhe pastaj për malet, detet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, poplat apo gjërat e pashpirt të rrugës. Për fat të keq, numri i tyre është mjaft i madh dhe mund ta quaj një sëmundje të vërtetë për të ardhmen e vëndit.
Sipas meje, patriotizmi nuk duhet të përbëjë afsh e etje të pashuar për pushtet e pasurim me çdo kusht, por një zemër të hapur e të ndershme të mbajtur në dorë, të destinuar kryesisht për përparimin moral të NJERIUT...
Hapja e shpirtit drejt të bukurës së ndershmes, fisnikes, ideales, edukatës, heroizmit, të bukurës e të ndershmes, garanton Rilindjen e vërtetë të një Kombi!
Autori






PASTHENIE E AUTORIT PER NOVELEN
“NJE ÇMIM PER SHKRIMTARIN E VDEKJES”
(Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur)


Eshtë një libër - thirrje, në mënyrë që institucionet kudo në botë të bëjnë përpjekje të vijueshme për të konservuar denjësisht vlerat humane... Monumentet e konsakruara për depozitimin e kujtesës së iluministëve të një kombi, mishërojnë aspiratat dhe gjakun e derdhur në emër të idealeve më të larta njerëzore për ndriçimin dhe ndërtimin e një bote më të bukur... Jo përplasjen e njeriut me planetin e tij, siç ndodh për fat të keq, në ditët e sotme.
Duke iu kthyer rëndësisë së vlerave klasike të urtësisë dhe ndershmërisë në formimin e individit, dua të theksoj se Panteoni i një vendi nuk është një mejhane sarahoshësh. Ky libër përbën njëkohësisht thirrje për kujtesë dhe respekt të thellë ndaj viktimave të pafajshme të komunizmit. Nuk mund të harrohet kurrsesi Lufta e Klasave me gjashtëdhjetë miliona të vdekur në gjithë botën si dhe çiraku i saj, tepër aktiv, i ashtuquajturi famëkeq, Art i Realizmit Socialist, që shoqëroi hetatombat e panumurta të jetëve njerëzore me devotshmërinë e një hiene, mercenari dhe njëkohësisht të një sahanlëpirësi ekzemplar.
Eshtë për t’ u habitur që deri më sot, një vend i vuajtur e i stërmunduar si Shqipëria, nuk kujdeset për të vendosur në piedestalin më të lartë të saj, heronjtë e saj të jashtëzakonshëm, të cilët nuk u dorëzuan kurrë para hetuesive të sigurimit, por merret me ca tipa me karakter të vajtueshëm, të cilët vetëm dëm mund t’ i sjellin brezit të ri si modele njerëzore. Në vend ta edukojnë se si t’ i verë gjoksin ndershmërisht jetës, krejt ndryshe, e mësojnë atë të fshihet e dredhojë në emër të kërmës dhe interesave personale. Jo më kot një proverbë italiane mëson se, kujt i pëlqen të çalojë, mëson të bëhet çalaman.
Eh! Kjo është gjithë ambicja ime letrare, të paktën deri në këto çaste... Të përpiqem të iluminoj djemtë e Arbërit, në Shqipëri apo të shtrënguar në emigrim, ku vuajnë e zvarriten pa e kuptuar se nga ju vjen dhe nga u ka ardhur historikisht e keqja... Dhe pikërisht nga brashnjarët e ndërgjegjes njerëzore, që e konsiderojnë të afërmin e tyre si mjet për ta vrarë, zhdukur, shfrytëzuar, vjedhur e poshtëruar.
Pavarësisht nga gjynahet e Botës së Sotme të Civilizuar, arritjet e këtyre vendeve nuk zbritën nga asgjëja... Gjithnjë brenda kombeve të tilla, të ndritura, është ruajtur dimemsioni hyjnor i modeleve të tij. Jam nga ata shkrimtarë që kryesisht i jap një rëndësi të dorës së parë edukatës së fëmijëve tanë. U del detyrë institucioneve të një kombi hapja e shpirtit të ndershëm e fisnik dhe jo mbyllja e tij. Shpirtërisht, nuk do të aprovoja kurrësesi të vendoseshin përbri Skënderbeut, Çerçiz Topullit, Mujo Ulqinakut, Pjetër Meshkallës, Dom Ded Malajt, Zef Jubanit, Azem Hajdarit, Nënë Terezës apo Lasgush Pogradecit hienat e mbijetuara dhe furbot e mirënjohur të historisë.
Udhëheqësit e lartë të Shqipërisë duhet t’ i konsiderojnë postet që u kanë besuar votat demokratike, si një detyrë imediate shpërblimi dhe lehtësimi të vuajtjeve shekullore të popullit dhe jo ndihmë e rryshfete të pamerituara për njerëz që dikur u drejtoheshin diktatorëve të ngrenin gijotina kokëprerëse në mes të Tiranës. Dhe për çfarë, të nderuar zotërinj?!... Për të vrarë e masakruar shqiptari shqiptarin, vëllai vëllanë... Më falni, por këta prototipa jo vetëm që nuk vlejnë për t’ u vendosur në Panteonin e Shenjtë të Kombit, por duhen karantinuar e mbajtur me yje drite larg tij.
Kam shkruar këtë libër, në mënyrë që të mos harrohen kurrë ato faqe turpi, errësire, zije, vdekjeje, kolere e depresioni historik, madje, prej intelektualëve më të zgjedhur të vendit. Nuk janë të denjë të qëndrojnë përbri dritës e reflekseve të gjakut të heronjve e martirëve të demokracisë...
Çfarë rilindje shpirtërore pritet të ndodhë në Shqipëri? Si mund të ndërtohen pallatet e të nesërmes, me materialet prej kallαmi dhe balte, të së kaluarës? Zotërinj të nderuar, nuk bëhet fjalë për mbeturina ushqimi pas një dreke të shtrenjtë, por për gjënë më të çmuar, NJERIUN!
Mund t’ju siguroj se në Shqipëri ka mjaft talente të reja, për të arritur çmimet maksimale në botë... Të jeni më se të bindur. Personalisht njoh mjaft prej tyre. Vetëm duhen ndihmuar të përkthehen e lançohen për t’ u bërë të njohur në botë, siç bëri dikur diktatori famëkeq Enver Hoxha, për motive personale.
Sa për mua, njësoj siç veprova dikur, kur isha në moshë të re, kur për herë të parë muza e letërsisë më trokiti në shpirt në një kohë kur krimet dhe burgjet e Shqipërisë gjëmonin dhe zgjodha heshtjen, moralisht të njëjtën gjë kryej edhe sot: përpiqem ta drejtoj Artin drejt gjërave të ndershme të jetës... Mos të gënjejë mendja ndokënd se do të nisesha për të realizuar këto radhë, prej ambicjesh dritëshkurtra. Nuk më hyjnë në punë kurorat apo dafinat e pëgëra, të lyera me gjak...
Mbetem besnik i parimit klasik se Nderi duhet të ushqejë Artet...
I gjithë qëllimi im, i këtyre rreshtave të thjeshta, është që fëmijët tanë të rriten në një botë të bukur, të kthjellët dhe pa re. Pikërisht këtyre u takon e drejta të jenë engjëjt e denjë e të bukur të së ardhmes...
Ndërkohë, ju kërkoj falje për tonin tim. E megjithatë, kur bëhet fjalë për modelet e shenjta dhe për perkursionet e tyre iluministe për të ardhmen e humanizmit, nuk do të rezervohesha aspak për ta përsëritur...

ROBERT MARTIKO

Nuk ka komente: