...OSE EKZEKUTIMI I PAFAJESISE
ROBERT MARTIKO
Më ka rastisur të lexoj monografinë “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”. Eshtë libri i Leonit për babanë e tij të paharruarin Zef Leka. Gjeste të tilla ku djali merr në krahë të atin, padashur më kujtojne historinë e Eneut me Ankisin ulok gjatë shkatërrimit të Trojës. Janë gjeste të një edukate të jashtzakonëshme
Duke u përshkuar nga fillimi e deri në fund të leximit prej ndjenjës së një keqardhjeje të thellë, jo pak herë bëra pyetje, natyrisht pa përgjigje rreth paditurisë, egërsisë dhe mizorisë njerëzore e cila nuk di të ndalet as përpara ca natyrave mjaft të veçanta të mbrujtura me butësi, mëshirë, talent, art e mbi të gjitha dashuri për njeriun siç qe Zef Leka. Burgjet e këtyre artistave e njëkohësisht qëniesh të dashura e të përvuajtura të kujtojnë padashur, personalitete të rralla si shkrimtari Silvio Peliko, për të cilin thuhet se dëmtoi Austrinë e asaj kohe, shumë herë më tepër nga aktiviteti i kryengritësve italjanë carbonari. Dhe pikërisht nga natyra e butë e njëkohësisht heroike që vetëm artistët e vërtetë janë në gjëndje të rrezatojnë përreth.
E lexova librin e Leonit me ndjenjën se vuajtjet e Zefit pjesërisht qenë edhe vuajtjet e mia... Nuk mund të mos të të prekë fakti se kur një artist dënohet dhe vuan më kot, është njësoj sikur të asistosh në skenën e hedhjes në ujë të përvëluar të një fëmije të pafajëshme. Në libër nuk mungojnë skenat makabre si fjala vjen, ajo, ku tregohet se për të mbyllur arkivolat e shkurtër, nëpër burgje shqiptare, të vdekurve u sharroheshin këmbët.
Pavarësisht nga këto detaje, krimi i shoqërive komuniste qe i tillë që në të gjithë botën i kapërceu të gjashtëdhjetë miljonët e viktimave. Stalini thoshte se në të tilla raste kemi të bëjmë me të dhëna statistikore dhe jo tragjedi njerëzore. Natyrisht një kriminel i atij kalibri nuk mund të mendonte ndryshe. E keqja për mua konsiston se vrasjet masive u shoqëruan edhe prej gjithfarë shërbëtorësh e mandarinësh që i u ofruan përbindëshave gjënë më të shënjtë që natyra ose Perëndia u ofroi, shpirtin e tyre...
Nëse në ditët e sotëshme do të dëgjoni individë që qoftë edhe në një korespondencë të thjeshtë elektronike apo publikim gazetaresk do ti drejtohen kolegut gjithë fyerje e egërsi, të paktën për mua do të thotë se egërsia klasike gjëndet mjaft bukur e fshehur në guackë... Njerëzit që flasin në emër të gjoja grupeve njerëzore apo idealeve, janë nga ata që nuk do të rezervoheshin një ditë të të shkrepin një armë drejt e në mes të syve.
Sinqerisht, më habiti një ditë një djalë shqiptar i rritur në Perëndim kur iu drejtua të atit me fjalët: “Përse më duhet të tregohem i egër. Ndjehem mjaft i qetë brenda natyrës time të butë. Nuk është turp”
Pikërisht ky është mesazhi i bukur që përcjell një njeri i veçantë e i jashtzakonshëm si Zef Leka, një kompozitor e njëkohësisht poet i madh në shpirt.
Më kujton teksin e bukur të një kënge të këngëtorit të famshëm, francez Zhilbert Beko, në të cilin thuhet se kur poeti vdes, të gjithë miqtë qajnë, e gjithë bota qan, varroset ylli i tij në një fushë të madhe me grurë, kjo është arësyeja që atë e gjejmë në këtë fushë të madhe me lule gruri...
Nuk ka komente:
Posto një koment