e diel, shtator 21, 2008

I kam nje borxh atij Qeni



Nga Sami Milloshi

Jemi perballe televizorit. Ketu. Domethene ketu ne Amerike. Nuk jemi atje. Domethene ,atje ne Shqiperi. Ekrani i televizorit eshte i madh,shume i madh. Ketu. Atje e kishim shume me te vogel se ketu. Dhe pamja e figures ketu eshte kaq e qarte sa mua me kujtohen ujerat e lumit te Valbones. Atje, Valbona eshte atje, jo ketu. Qartesise se figures ketu i thone "High definition". Ne Shqipe, atje, fjale per fjale do te perkthehej " Percaktim i larte." Por une do t'i qendroja krahasimit me kthjelltesine e lumit te Valbones.
Valbona eshte atje. Valbona nuk eshte ketu...
Ne ekran shfaqet nje reklame. Reklama titullohet "Pedy paws".Shfaqet nje qen me thonj
te paprere. Zonja qe ben reklamen na tregon se me gershere tradicionale ti mund gabimisht te presesh edhe mishte a majes se gishtit te qenit. Dhe ajo, na kumton se ky eshte nje tmerr, nje mekat i madh. Ketu. Jo Atje. Por zonja na ofron nje pajisje qe quhet "Pedy Paws" qe ben mrekulline: edhe thonjte e qenit i pret, edhe nuk e demton. Ketu. Jo Atje. Atje do te dukej luks i madh dhe marrezi ta transmetoje nje reklame te tille.
Njeriu qe kam ne krah i lumturuar nga mrekullia e reklames thote: " Me mire qen ketu, se sa njeri atje." Une qe nuk e dij pse nuk jam kaq i shpejte per te reaguar, perpiqem te fshij peshtymen qe , mu duk sikur ma hodhi ne fytyre. Ketu. Jo atje. E kote. Askush nuk me ka peshtyre, mua ashtu mu be. E mbledh veten. Jam Ketu. Jo Atje. Perpiqem te them
ate qe duhet thene. Ketu. Jo Atje. Dhe them: " Jo, eshte mire te jesh njeri edhe ketu, edhe atje." Te jesh njeri Ketu. Te jesh njeri edhe Atje.
Te jesh njeri ketu eshte po kaq e veshtire sa te jesh njeri atje. Ndersa te jesh qen Atje, kuptohet eshte me e veshtire se sa te jesh qen ketu. Jam me mije perqind i sigurte se nuk eshte nevoja ta shpjegoj se pse qeni Ketu eshte me i privilegjuar se Atje. Me vjen keq per qente e Atjeshem. Njelloj sic me dhimbset nje njeri i dashur Ketu. Por gjerat meritojne te thuhen me emrin e vet. Ne nuk kishim,(sic thuhet ne menyre formale) "statusin e Qenit" Atje. Dhe ne nuk i hipem avionit per t'u bere njerez ketu. Dhe une besoj se askujt nuk duhet t'i shkoje neper mend se po ta kete shnderruar vetveten ne qen Ketu, kur te shkoje Atje do ta presin si njeri. Jo dhe jo. Harrojeni kete. Do ta presin si qen. Sepse Atje Njerezit vazhdojne te jene Njerez dhe e dijne shume mire se cfar eshte dallimi ne mes Njeriut dhe Qenit.
Ketu nuk kam qen. As atje nuk kam patur kurre. Ku ta mbaje edhe po ta kishe. Dy dhoma e guzhine ne parafabrikat ishin si "kepuce qe vrasin" edhe per njerezit, jo me te pretendoje te merrje edhe nje qen brenda. Por , ju lutem, mos me keqkuptoni. Kurre nuk i
kam denigruar qente. As Atje . As Ketu. Sepse kam respekt per shprehjen e Atjeshme."
Punon si Qen". Domethene ,punon shume. Ketu eshte absolutisht e pamundur ta perdoresh kete shprehje. " He works as a dog". Do te behesh qesharak, i pakuptueshem.
Madje mund ta fyesh njeriun qe ka qen. Ketu behen edhe konkurse qensh. Kurse Atje ...
Eh, Atje... Atje eshte nje qen i komshiut tim te mire ne nje shtepi qerpici private, te cilit i kam nje borxh te madh. I kam borxh atij qeni sepse me zgjonte shume heret ne mengjes
ne ato kohera te veshtira kur me duhej te ngrihesha heret me dy shishe qelqi per te zene
rradhe per qumesht. E lehura e atij qeni me bente nder te madh. Heret ne megjes. Atje. Jo Ketu. Ai qen,po, e meriton t'ia blej nje "Pedy Paws" Ketu. Sepse kishte meriten te me zgjonte heret qe une pastaj, si gjithe te tjeret, te punoja shume. SI QEN.
I kam borxh atij Qeni. Askujt tjeter!

Nuk ka komente: