
Doc.dr.sc.Mirushe Hoxha
Më datë 26 gusht shënojmë ditëlindjen e Nënës Terezë (26.08.1910). Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup kërkon ndjesë opinionit të gjerë që këtë datë me simbolikë të posaçme për gjithë njerëzimin, sidomos për shqiptarët, nuk është në gjendje ta shënojë në mënyrën e planifikuar: me një akademi shkencore e solemne në frymën e Nënës Terezë, shkaku i bllokimit të buxhetit të Institutit nga ana e MASH-it pa kurrfarë arsyetimi juridik. Si pasojë e këtij diskriminimi që i bëhet veprimtarisë të Institutit të Trashëgimisë Shqiptare nga ana e Koalicionit VMRO-DPMNE - BDI, Instituti detyrohet që shënimin e nderit ndaj shqiptares Nënë Terezë (Gonxhe Anjeze Bojaxhiu) ta modifikojë - respektivisht - ta kufizojë me artikullin autorial në vazhdim, të shkurtuar dhe adaptuar. Fragmentet autoriale në vazhdim planifikohej të lexohen në akademinë e dështuar për arsyen e lartëpërmndur, në mënyrë që të oficializohej korniza e gjerë e projektit afatgjatë të Institutit, pra projektit të Nënës Terezë - së bashku me leximin e letrave të pabotuara të Nënës Terezë, që i kishte shkruar disa ditë para se të nderonte jetë.
Hyrje (Abstrakt)
Artikulli në vazhdim informon rreth analizës psikologjike të personalitetit të Nënës Terezë. Qëllimi është zbardhja e Kodit të " personalitetit komplet ", që trashëgimia shqiptare e ka të kodifikuar në personalitetin e Nënës Terezë. Një krahasim i këtij Kodi të trashëguar të shqiptarit (Kodit të personalitetit komplet, që sot është kryesisht në mungesë) me Kodin e perceptimit te bllokuar (Kod ky që sot dominon, është kryesisht prezent), do të nxiste dilemat rreth çështjes të faktorëve që ndikojnë në modifikimet e proceseve psikologjike të një populli, si dhe tejkalimin e tyre. Ky tejkalim është rruga e vetme e SHENDETIT MENTAL të individit. Pikënisja e analizës është binari " prezente / në mungesë ". Kjo pikënisje lë hapësirë mundësisë të efekteve pozitive që mund t'i sjellë aktualizimi dhe sendërtimi i " Ligjit të shëndetit mental " (Gazeta zyrtare e RM-së, n. 71/2006), përmes argumenteve konkrete të hedhura në formë informative në këtë artikull.
Aktualizimi i këtij Ligji përmes argumenteve të sistemuara të shkencës të psikologjisë, etnografisë, antropologjisë dhe jurisprudencës është korniza e gjerë e projektit të Nënës Terezë të Institutit të Trashëgimisë Shqiptare në Shkup, që konform Ligjit të veprimtarisë hulumtuese-shkencore (" Gazeta zyrtare e RM-së " n. 46/2008) do të jepte një imponim konkret, me argumente, të një Institucioni shqiptar në kahjen e sendërtimit te Strategjisë nacionale të RM-së.
Personaliteti i Nënës Terezë : një shembull që thyen pushtetin e Ego-s
Problemi qenësor i njeriut është tirania e Ego-s. Atëherë, parashtrohet pyetja: cilat janë udhëzimet të cilat na shpijnë drejt komunikimit të efektshëm ndër-personal dhe shëndetit mental të individit dhe shoqërive në përgjithësi? Një shembull konkret i asaj që psikologjia bashkëkohore e quan "Strategjia e sjelljes ndaj tjetrit": shembulli i "Strategjisë të sjelljes" i Nënës Terezë, sublimon referencat, qe do të kishin qenë bazë e sendërtimit të lartëpërmendur. -Arketipat e sjelljes ndaj tjetrit dhe arketipi i Nënës Terezë. Psikologjia e personalitetit dallon nëntë arketipa të sjelljes ndaj tjetrit (arketipe të personalitetit), që dominojnë Egot e njerëzve. Të gjitha nëntë Strategjitë kanë nivelin e tyre të shëndoshë dhe nivelin që nuk është i shëndoshë. Çdo individ ka prirje të sillet sipas njërës nga këto nëntë arketipa, në njërin ose nivelin tjetër të lartëpërmendur. Shoqëritë gjithashtu, mund të identifikohen me njërën nga këto nëntë arketipa, gjegjësisht " Strategji ". Ndërkohë që personaliteti komplet (i rrallë dhe i shëndoshë) tejkalon këtë bazë, duke i përfshirë të gjitha sjelljet e rafinuara të "Strategjive" në një tërësi, si vijon: "Strategjia e ndihmës me manipulim" i nënshtrohet tjetrit dhe identifikohet me tjetrin, që duket më i fuqishëm dhe që është në gjendje t'i jep mbrojtje. "Ndihmës" i mungon vetëdijesimi i faktit se qëllimet mund të arrihen pa i manipuluar vet qëllimet përmes ndihmës që i ofrohet tjetrit. Për dallim nga "Ndihma" e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë ndihmoi njerëzimin pa manipulim: pa kërkuar ose pritur shpërblim. "Strategjia e arritjes me theks në përfytyrim" dëshiron të duket (të jetë) mirë. Kjo është gënjeshtra e kësaj strategjie, që nuk ka për qellim të mashtroje të tjerët, aq sa ka për qëllim të mashtrojë veten. Sepse, " Arritja " nuk mund të tolerojë dhimbjen e vet-vlerësimit. Për dallim nga " Arritja " e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë toleroi dhe tejkaloi të gjitha dhimbjet njerëzore. "Strategjia e shkëlqyeshmërisë me disponim nostalgjik" ik nga realiteti prezent dhe largohet në një fantazi të idelizuar. "Shkëlqyeshmëria" është garuese, kurse gara është mjet që mat vlerën e vetes me vlerën e të tjerëve. Për dallim nga " Shkëlqyeshmëria " e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë, i cili nuk qe garues, është personalitet i cili gjithmonë arriti të vërejë anën e mirë dhe anën e keqe të dukurive të këtij çasti dhe të kësaj bote.
"Strategjia e dijes me tërheqje" i largohet rrezikut që stimulon frikë. Në këtë mënyrë i largohet komunikimit për problemet e botës " të jashtme ". Problemi i posesivitetit i "Dijes" është diçka që duhet të mbahet për vete dhe mos ndahet me të tjerët. Për dallim nga "Dija" e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë punoi pa anuluar veprimin, veproi duke ditur si dhe kur duhet zhvendosur nga pozita e vrojtimit të situatës, në vendimmarrje ndaj situatës ."Strategjia e sigurisë me frikë dhe dyshim " nuk bën dallimin e frikës së imagjinuar nga frika që vjen prej një burimi të argumentuar. Problemi kyç i "Sigurisë" është mungesa e forcës, që këtij personaliteti do t'i kishte mundësuar të ndahet nga "vlerat e masës", në mënyrë që të mund ta ndjejë realitetin e vet, vetëgëzimin e vetëaftësive. Për dallim nga "Siguria" e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë e kuptoi dhe nuk e kufizoi vetëgëzimin e aftësive personale për vetvete, por këto begati i ndau me të tjerët. "Strategjia e optimizmit të lehtë me aktivitet të rëndë" bën përzgjedhjen e perspektivës "mbi situatë", kur ballafaqohet me zgjidhjen e një problemi më të cilin konfrontohet. Për dallim nga "Optimizmi" i cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë nuk lejoi që pozicionimi "mbi situatë" të jetë i paefektshëm dhe i paqëllimshëm. "Strategjia e drejtësisë të vetëdefinuar me arrogancë" është dëshira që të mbërrihet ajo që është e ndaluar. Kjo arritje sjell fajin dhe dënimin, por njëkohësisht edhe vetëvullnetin dhe vetëdijen. Për dallim nga "Arroganca" e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë vetëdijësoi ligësinë që mban njerëzimi, prandaj dhe arriti të jep kontributin e vet botës reale. "Startegjia e mosagresivitetit me indolencë" karakterizohet me agresion pasiv, që në formë të heshtur mbyll dyert e një komunikimi të efektshëm. Për dallim nga "Indolenca" e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë njohu ndërlidhshmërinë e të gjitha fakteve ekzistuese, duke mos u kursyer në aktin e domethënies të plotë të ndarjes me tjetrin (lat. cum-partire). "Strategjia e përkyershmërisë" vjen nga barra e pritjeve që njeriu ia parashtron vetvetes. Çdo gjë duhet të jetë nën kontroll, kurse gabimi është pothuajse i pafalshëm. Për dallim nga "Përkryershmëria" e cunguar, personaliteti komplet i Nënës Terezë zgjoi rregullin e artë: "mos u krahaso me tjetrin !".
Përfundim
Shqiptarja Nënë Terezë u lind, jetoi dhe ndërroi jetë. Pra, Nëna Terezë është argument. Gonxhe Agnezë Bojaxhiu është referenca e kahes që nënkupton plotësinë e shëndetit mental të individit. Prandaj, personaliteti komplet i Derivuar nga shqiptarja NënëTterezë dhe i sistemuar në argumente të përpunuara psikologjike, është baza e ofruar të cilës do të duhej t'i referohet aktualizimi dhe sendërtimi i Ligjit të shëndetit mental të RM-së. Argumentet e përpunuara psikologjike, të derivuara nga Strategjia e sjelljes e Nënës Terezë, do të kishin qenë referencë e sendërtimit të Ligjit të shëndetit mental të RM-së, sepse do të ishin përgjigjur në pyetjen e lënë pezull: çka nënkupton shëndeti i plotë mental? Duke mos pretenduar përsëritjen e individualitetit të Nënës Terezë, aktualizimi i Ligjit të lartpërmendur me argumentet e derivuara nga personaliteti i Nënës Terezë do të nënkuptonte imponimin konkret dhe me argumente të Kodit shqiptar në Strategjinë nacionale të RM-së, kurse me këtë dhe do të dëshmonte prezencën e shqiptarit si faktor shtet-formues. Le të përkujtojmë se një prezencë e shqiptarit e natyrës të këtillë dhe ishte qëllimi i Marrëveshjes të Ohrit, e cila Marrëveshje nuk është duke u realizuar, por është duke u degraduar.
(Autorja është drejtore e Institutit të Trashëgimisë Shqiptare në Shkup dhe ligjëruese universitare)
Nuk ka komente:
Posto një koment