Nga Fatmir Terziu
Pesë kapituj nën peshën domethënëse të rreth 100 poezive, përbëjnë “pretencën” e vëllimit poetik të Vahid Hyzotit, “Jemi të Pandehur”. Një “pretencë” poetike që vjen si një mesazh dokumentar në absencën tonë njerëzore, ku kuadratura njeri ngjizet nga regjenca jetike e urdhërshërbesës karshi një grushti morish natyrore. Në këtë urdhërshërbesë ndjesish njerëzore, kapërcimi modest ravijëzohet në disa anatema logjike. E gjitha nën siparin hapës të vëllimit poetik që “Globus R.” e ka sintetizuar ndjeshëm deri në çastin e duhur.
Botimi i fundit i Hyzotit, ka formuluar ndryshesën e tij në mesin e një lëvrimi që nis më 1986 me pozitë e përfshira tek “Zërat e ditës së re” të botuar në Tiranë dhe më pas me një ndjekje të rrugës së prozës së botuar në vitin 2002 në Detroit me një sigël domethënëse “Thashëtheme të vërteta”. “Qyteti i të marrëve” është padyshim ajo simptomë që edhe në analizat tona të mëparshme e kemi detajuar deri në ‘marrëzi’ të marrësh që sfidojnë cingërimat e dikushfaqura apo normative. Pastaj sërrish proza e botuar në vitin 2007 në Tiranë ka një simbolikë të lidhur me pasardhësit, ku “Fëmijë i vjedhur”, ka ligjësinë e vet. Dhe më në fund deri tek kjo ‘pretencë’ poetike që vjen si një morfozë ligjesh brenda jetikes. Pa harruar këtu se Vaid Hyzoti është bashkëautor i katër antologjive letrare, si dhe bashkëpunëtor prej më se 25 vjetësh i shtypit letrar për vlerësime kritike të veprave të botuara.
Vahid Hyzoti, zë një vend në poezinë bashkëkohore shqiptare, si një krijues tipik. Në listën e gjatë të krijimtarisë së tij të kohëve të fundit, poezia është ajo që flet me një risi kontemporane, ku gjuha e poezisë vjen në jë figuracion të plotë e tepër tërheqës. Në shumë tekste poetike kjo gjuhë dhe ky figuracion në shumë raste e paraqesin poezinë e Hyzotit si një këngë më vete, edhe pse dihet që kënga dhe poezia jo gjithmonë mbartin të njëjtin mesazh, madje edhe pse dihet që kënga dhe poezia kanë gjuhë të ndryshme. Që në fillim të vëllimit të tij poetik, në pozinë “Të më pyesin” ritmi i këngës vjen modest në një shtrat poetik tipik të vargëzuar qartë:
“Të më pyesin: sa ke jetuar?
S’përgjigjem dot, s’di
Në gëzova një vit,
Një muaj,
Një ditë
Se vitet shkonin.
(Si shkuan kaq vite?),
ngarkuar me strese,
halle,
mërzitje.”
Me një pyetje retorike dhe me një abstenim personal, shkallëzimi figurative pasohet si një teoremë poetike në vetpërgjigjen e thjeshtë, ‘se vitet shkonin’. Këtu hapësira në kohë, kapërcen arsyen e njhjes së vendit dhe hapësirës. Ngjashëm me poetin e madh anglez të të gjithë kohërave, Ëordsëorth, puna e tij nuk mund të kuptohet nëpërmjet lenteve miope dhe lexuesve kalimtarë që nisen nga rastësia e emfazuar në listën ditore të tyre, pa njohjen e qetë të vargut dhe gjuhës së tij. Në këtë teoremë poetike vihen pastaj në shërbim edhe anët lidhëz-jetësore dhe sipari detajkrijues i autorit. Idealizmi i tij i natyrës dhe emfazi i tij në dëshirën njerëzore, në më të shumtën e rasteve e gjen shtratin poetik në një kuadraturë muzikore, dhe shpeshherë si tek “Poetët e moshës sime”, “Plazh” apo “Gjyshja”, krijon efektin muzikal mbi zërin folës të tematikës. Këtu natyrshëm është edhe një risi tjetër me arkaizmin ndërkombëtar të “Rimës së Marinarit të Hershëm” dhe të dronit hipnotik të poezisë bashkëkohore që nuk imiton fjalimin e sotëm, duke krijuar në vend të tij më shumë stilizime dhe efekte dobiprurëse në poezi.
Për më tej, poezia e Hyzotit komplikon fenomenin e Wordsworthit të cilin e merr në konsideratë: uniteti i thjeshtë midis fëmijës dhe natyrës dhe rilidhjes së të riturit me natyrën nëprmjet memorjes së fëmijërisë; në poema si “Ikim, biri im”, “Në Bronx Zoo”, “Telefon”, “Qytet në rërë” apo “Pas humbjes”, Hyzoti indikon thyeshmërinë e pafajshme të fëmijës duke e krahasuar me sferën rrethuese dhe sigurinë e plotë memorje-kujtesë të fëmijërisë së tij si eksperiencë. Në poemën “Ndryshimi”, që i përket kësaj kategorie, dhe tek “Pritje për të ikur”, ai streson divizionin midis mendjes së tij dhe bukurisë së botës natyrale, ku nëpërmjet pyetjes së djalit zbulon këtë enigmë:
“Më pyet djali:
-Ku është ndryshimi
mes detit dhe oqeanit?”.
Hyzoti disaherë privilegjon të treguarat hershëm dhe imazhet e bëshme mbi vendndodhje e vendjetime, simplicitete të tilla që në gojën e Wordsworth avokatojnë; si “mijëra e mijëra gjëra të natyrshme” që kalërojnë mbi rutinë dhe që sigurojnë “pretencën” poetike të pralajmëruar që në titull nga autori. Por nëse poezia e tij riprezanton jastëkun qëndror të jetesës njerëzore duke atakuar romanticizmin dhe kroniken, argumenti i tij është natyrshëm një suportues i ndjeshëm. Kërkimet e tij në imagjinatë, pavarësia e tij nga bota e jashtme rrethuese dhe krijimi i pikturave fantastike siç janë ata të gjetura tek rima, dritësojnë një influencë të sigurtë e brilante në brezin e tij poetik. Pesha e kuptimit të këtyre ndjeshmërive, gjithashtu ndihmojnë të paralelizohet vuajtja e stereotipeve brenda normativës poetike. Kjo plotësohet në figurën dhe mendimin e tij idio-poetik.
Portreti i tij i mendjes, ndërsa ajo vihet në lëvizje, edhe kur është në qetësi, si tek poezitë “Pesimizëm”, “Kjo grua më urren” apo “Amerika” gjithashtu ndihmon të kuptohet emocionalizmi dhe konstituohet emocionalja si një tranzicion shpirtëror i rikoleksionuar nga praktika dhe emulsion ii jetës. Poezia e Hyzotit mbart jo vetëm intensitetin e emocionit, por edhe legjitimitetin e prezencës nëpërmjet stigmës së tij poetike dhe aplikon një presion konstant filozofik në idenë e tij. Poezia e tij shihet edhe si një udhërëfim në metafizikë dhe politikë, dhe si një përqëndrim filozofik poezia e tij ngjizet nga kjo metafizikë si në poezitë “Vizatim nga Nju Jorku” dhe “Kruja”, në të cilat marrëdhënia midis mendjes dhe natyrës është përcaktuar në një version specifik të pamjes trunore. Mendja e Hyzotit, nuk është vetëm frymëzim natyror, por edhe një stres i grumbulluar vitesh që tenton të bëjë rastin prekës natyror një pamje ‘pavdekësie’…
Nuk ka komente:
Posto një koment