e diel, mars 09, 2008

XHULI NJË SHTRAT SIGURIE NË POSTSTRUKTURIALIZËM

Nga Fatmir Terziu
Poezitë e Xhulit janë të krijuara kohët e fundit dhe publikohen për herë të parë këtu tek “Fjala e Lirë” dhe tregimi që është shkruar edhe në greqisht, del këto ditë në një libër me tregime në Tiranë...së bashku me vëllimin e ri poetik "Ditën ëndërroj, natën e lë zgjuar.."



Le t’a themi hapur që në fillim, le të shprehemi me gjuhën që krijimtaria e Luan Xhulit e shpreh për ne. Një krijimtari që gjallëron përditë e më shumë me synime modeste, e pse jo tepër të qarta. Një poezi e qetë, një tregim tërheqës. Kjo është nyja që mbin hapur në udhëkryqin e cuditshëm të krijimtarisë së sotme shqiptare. Një poezi si “Jeshilen s’e mora hua” është një garanci për këtë, po aq sa garanci jep edhe moduli strukturor i një tregimi si “Thethëza e babait”. Autori i pranishëm në ecurinë e letrave shqipe kap karakteristikën empirike dhe trazon talentin e tij të mirë në dy fusha paralele, ku poetikja në fakt gjen fushë të begatë në lëvrimet e tij. Unë përzgjodha nga pena e Xhulit disa poezi si “Athina në Gusht”, “Kthim nga Atdheu”, “Jeshilen s’e mora hua” dhe “Vajzën që dashurova dikur…” duke mos lënë mënjanë tregimin e autorit për të përcjellur një ide të qartë në këtë fushë ku autori i mëshon talentit të tij. Poezia për autorin është një përditësi. Një përditësi që endet e krekosur në insinuata artistike dhe që ushqehet me vlera të shumta figurative si një kundrim rrezatues në hapësirën që ai sjell në sy të lexuesit.

DUALITET PËRDITËSIE

Tek poezia “Athina në Gusht” fjala ushqen vargun në dy mënyra. E para është një siguri që vjen nga krahasimi ‘si lehonë’ dhe e dyta nga metafora që shënon ‘sytë e nënës’. Në tërë këtë dualitet përditësie që fuqimisht pastaj karakterizohet me një mal krahasimesh që nisin me ‘si vajzë capkëne’ dhe mbarojnë në krahasimin kohor ‘si dikur’ janë siguria e fjalës dhe garancia e autorit për të ekspozuar një tematikë poetike që sinjalizon një Athinë në mes të muajit më vapësjellës ku vjen motivacioni harmonik i argumentit që struket në një skenar ‘pa thinja, pa syze miopie … dhe e re si dikur…”. Në këtë harmoni detajesh një frymëzim i mirë gjen një strehë të rehatshme. Një hap-pas-hapi vargëzim ngjizet në simbiozën e bukurisë dhe capkënllëkut të vajzës, dhe me sytë e nënës ajo tejkalon ngarkesën emocionale, ajo pra Athina e Gushtit të autorit. Kjo fole gjysëm e braktisur që arsyeton shtegtimin si pasojë në gjuhën e autorit kuintazi frenon një paramendim ndryshe dhe lirizon hapësirën e vazhdimësisë. Lidhja prindërore, detaji vajzë-prindër, nëna dhe vajza në mes, janë prodhim i një delikatese jetike nën një mjeshtëri që sillet rradhë në vargjet shqipe. Të jetosh botën e poezisë në këtë botërrëfim lidhëzor të jetikes së grumbulluar shuk nga motivi popullor i jetës do të thotë të parandjesh një rrugë të re, të krijosh një atmosferë ndryshe në leximin e kesaj bote, në kuptimin e një bote poetike.
“ATHINA NË GUSHT....

....Ngjan si lehonë,
që s’beson vetveten...
mendon ngarkesën
me sytë e nënës....
...Si vajzë çapkëne ,
që beson një të dashur
pa e mësuar prindërit....
...Si fole gjysëm e braktisur
ku një pjesë shtegëtojnë
dhe pjesa tjetër sjell pranverën....
Athina në gusht,
ngjan me mua :
pa thinja ,pa syze miopie....
dhe i ri si dikur...”

NGJYRIMI-STREHË SHPIRTËRORE NGJYRASH

Ngjyrimi për Xhulin nuk është një lajtmotiv i vetëm artistik, por ai është një strehë shpirtërore ngjyrash, një anë tjetër midis modernes dhe autodidaktes që prodhon poststruktualja në poezi. Poezia “JESHILEN SE MORA HUA…” është një arnim mjeshtëror i kësaj nuance të re që shihet sot në ndërtimin e poezisë:
“...Ma dhuruan shpresat..,
shokët,
miqtë,
familja,
të dashurit,
si dhe ju , që s’u pashë asnjëherë...”
Në tërësinë e saj poezia e Xhulit ka një trup delikat. Një trup që ndryshon ‘dietën’ nga fjala në fjalë. Një dietë që shihet në ngjyrimin artistik. Një ngjyrim artistik ky domethënës dhe i sinqertë, pasi është dhe mbetet një strehë shpirtërore ngjyrash. Në këtë strehë shpirtërore prioriteti ngjyrues vjen melodik, timbërues, i qetë dhe prodhon një ëmbëlsi, që sfidon elementaren dhe karakterizon strukturën:
“Me një adresë,
një emër,
dhe një mision në jetë..”
Retorika e autorit nuk është mëdyshje, por një plotësuese e ngjyrimit. Retorika formëzon trupin e poezisë, duke i thurur delikatesën e tij të nevojshme:
“Të jem unë?- thashë
të jetë e vërtetë?
Qysh atëherë
s’di ku e vura..
se kërkoj..”
Aty ku autori ndërhyn, poezia disi krijon devijancë strukturore, por që më pas shumë shpejt këtë huazim të poetit e rikthen në detaj domethënës dhe vjen si një përgjigje e duhur:
“.. Di,
që e kam brënda vehtes
dhe se morra hua...
prej askujt !”

PROTAGONSTI I DETAJIT

Në poezinë “Kthim nga Atdheu” poeti Xhuli shihet si një protagonist i ngjarjes poetike. Vargu ushyer nga fjala e rudimenton këtë pasadë dhe artistikisht e kthen atë në një protagonist të detajit. Detaji tek kjo poezi shtriqet në hapësirë dhe në kohë, dhe ashtu natyrshëm krijon preambulën poetike të argumentit. Struktura tejkalon stadin dhe elementët postsruktualist hyjnë ndjeshëm. Kjo pretencë poetike realizohet lirshëm nga autori, dhe në morinë e tij të vargëzimit ai lincon një vazhdimësi:




“...i shkarkuar
si dhëndër ditën e dyte të dasmës..
I menduar si nxënes,
me dyshim për provimin e dhenë...”
Më tutje elementët poststruktuale të poezisë ndërvaren nga tërësia rrethuese dhe lidhja e saj me figuracionin, që në rastin e frikës së kërminjve, pason në tematikë, të cilën autori e fsheh pas mungesës së detajit. Këtu ndoshta dicka mungon, ndaj dhe ajo duket paksa e shkëputur. Vërtet i duhet lexuesit një botë e bredshme e autorit në këtë lloj strukture? Ajo që shfaqet mbetet paksa problem:
“I lodhur si premierë,
çfaqur ne nje sallë bosh...
I ngarkuar
me frikë kerminjsh,
dhe jargë idesh....,
Diçka më tërheq,
më dhëmb,
më thërret
e s’më lë vetëm....
Dëgjoj një zë nëne
me tinguj jetimë...
Tokë magjike,
me fytyrë biri....”
Në këtë linjë janë edhe mjaft poezi të tjera të Xhulit, dhe mjaft tregime të tij. Linja poststrukturale e bën Xhulin një tipar letrar më interesant për t’u analizuar, sidomos tek poezia “Vajzës që dashurova dikur”:


“Shegë e këputur
pa u pjekur,
thërmuar
mbi vetmine time...
Ditëlindje e hidhur,
rrudhë,
mplakje,
plagë,
dhimbje kockash pa fosfor...
Hi prej ylli,
ku henëza e shpirtit
ngjyros vetveten...
Trazira ime e parë,
pagjumësia,
meraku
i trembur prej virgjerisë..
Su mbyllën qerpikët
prej kërkimit...
shege e thërmuar
nga vesa....
...kaq kohë....”

Poezitë e Xhulit janë të krijuara kohët e fundit dhe publikohen për herë të parë dhe tregimi që është shkruar edhe në greqisht, del këto ditë në një libër me tregime në Tiranë...së bashku me vëllimin e ri poetik"Ditën ëndërroj, natën e lë zgjuar.."

THËLLËZA E BABAIT
Tregim
Nga Luan Xhuli
Athine


Ajo ishte si të thuash dashuria ime e parë, ose më mirë të them ajo ishte gjëja e parë që më mësoi të dashuroja...Duhet të kisha mbushur katër ose pesë vjetët, sepse ne atë moshë fillojnë dhe mbijnë si të thuash bimët e para të rritjes.
U dashurova me atë zog një mëngjes prilli...Në dardhën përballë shtëpisë, që zbardhëronte nga lulet dëgjova këngën e saj me mahninë e fëmijës që i pëlqen muzika....
U ngrita dhe ju afrova dritares.I veçantë mu duk sqepi i saj i verdhë në të kuqëremtë ,koka e vogël e mbushur me pupula të dendura në ngjyrë të purpurt si dhe bishti i saj i gjatë e i ndritëshëm si ta kishe lyer me varak shumë ngjyrësh...Pastaj kënga. Ç’këngë
thuaj..Si të luante violina...Sa nota të reja prekte , aq forma të ndryshme merte bishti i saj i gjatë...Kokën e tundte vazhdimisht sikur mbante ritmin e këngës...
-Është thëllëzë –më tha mamaja që ndiqte lëvizjet e mia nëper dhomë .Ishte e shqetësuar me sjelljen time të asaj dite..Gjërat e shtëpisë s’kishin lëvizur nga vëndi , gjë e rrallë për mua ....
-Do ti them tyt eti të të sjellë nga mali-foli përseri pa i hequr sytë nga puna e dorës, nje bizë të bukur me kajrafila të çelur në një vazo që nuk i dukej forma .....Unë s’fola, vrapova deri tek porta e jashtme, afër dardhës të mbushur me lule të sapo çelura , por zogun që quhej thëllëzë nuk e pashë.Ishte larguar duke marre me vehte edhe këngën....Ja kisha plasur të qarit....
-Dua thëllëzë, dua- çirresha duke përplasur këmbët.
-Të thashë nesër , do ti them tyt eti të të sjellë..
-Dua ,dua, dua, ..
-Një dackë do ! – mu hakërua mamaja ,duke më tundur shuplakën e dorës përpara syve .
Lotët më rridhnin çurg e me sytë gjysëm të mbyllur sillja nëpër mënd zogun çudi bërës,që lëviste kokë e këmbë sipas ritmit të këngës...
-Ç’ka djali ,trimi i babait – ishte dëgjuar nga jashtë zëri i tij bass.
Une kisha shtuar volumin e të qarit , për ti dhënë të kuptonte se tjetër padrejtësi më ishte bërë atë ditë....
-Pse kështu bëjnë burrat ?- kishte pyetur duke u drejtuar nga mamaja.
--Thëllëzë do djali ,trimi yt kërkon dardha në kollozhek – ishte shprehur mamaja me tonin e saj jo të zakonshëm , kur ishte fjala për plotësimin e tekave të mia...
-Kush e dëgjoi dhe se deshi për vehte atë zog moj grua...-kishte folur babai duke i u afruar dhe pa u drojtur prej meje i pëshpëriti tek veshi :
-Edhe ty thëllëzë të kam- dhe e e puthi në cepin e djathtë të veshit...
Mamaja bëri sikur u tërhoq duke i kafshuar buzën , për ti thënë se në sy të djalit duhet të mbante dinstancë...Sa e sa herë i kisha parë kur me sytë gjysëm të mbyllur sikur flija i kisha parë si bënin dashuri...Babai i thoshte ngaherë : “fëllëza e Zinkës ,fëllëzë “ .shumë të dua , shumë.....”
- Edhe unë doja fëllëzë ,ta puthja e ta shtrëngoja siç bënte babai....Pastaj ti tregoja të fshehtat e mia dhe ajo të më ngopte me këngë.....
Duke fshirë sytë e përlotur , dëgjova përsëri zërin e babait të thoshte: -nesër trimi i babait , nesër.... dhe përkëdhelte vazhdimisht flokët e mamasë , që kishin dalë jashtë shamisë me oja jeshile e të kuqe , që unë i krahësoja me kokrat e murizit të egër...
...Deri të nesërmen nuk qava asnjëcikë, as prapësira nuk bëra. E dëgjoja tim’ë dhe mundohesha të isha sa më i rregullt ndaj porosive të saj.Ajo më shikonte me dashuri dhe keqëardhje dhe pëshpëriste me qesëndi : “Sa të mbarë e kam këtë djalë ,i pari i fshatit bëhet kur do që të plotësojë tekat....
Unë e shikoja duke mos ja ndarë sytë me ngulm , sikur doja të saktësoja vendin ku e kishte puthur babai një ditë më parë.....
Kur u zgjova të nesërmen, ai kishte ikur,rrotullova sytë nëpër dhomë dhe me hap të lehtë duke përgjuar u afrova dhomës së prindërvet, me besim se do ta gjeja babanë duke u përqafuar...Hiç...Mamaja gatuate ,që kur të vinte ai , byreku të ishte gati ...Ju hodha në qafë duke e trëmbur siç bëja kur doja të luaja me të .
-Me tromakse çetin ,- më tha duke më puthur në faqe. Duart që i kishte me miell lanë figurat e gishtave së bashku me puthjen mbi mollëzat e fytyrës.
Duke mos ditur çtë thoja i pëshpërita: “- Kë do më shumë ,mua apo babanë”dhe e shtrëngova akoma më fort.
-Ato janë fjalë turpi, kush ti mësoi xhanëm..dhe më puthi në buzë duke mos më lenë të vazhdoj...Më mori për dore pastaj dhe dolëm në oborr ku petalet e luleve të dardhës fluturonin si të ishin flokë dëbore..U harova mbas tyre duke u munduar ti kapja.....
Babaj, erdhi mbasdite vonë.Mamaja ishte bërë merak dhe byrekun që të ishte i nxehtë tre herë e kishte vënë nën saç.
-I pëlqen i nxehtë e me gjellë shumë –thoshte mamaja duke dialoguar më shumë me vehten se sa me mua.Pastaj , kur e shihte që unë se ndiqja ,fillonte e këndonte lehtë një këngë, që deri pak vite më parë e dija dhe e këndoja kur pija ndonjë gotë....
“..Të dua, të jem dhe i vdekur
të më djegësh buzët
gështenjkë e pa pjekur”
Bizën se linte nga dora. Po skishte punë dore me vehte duart i kishte të huaja…Ashtu e mbaj mend akoma , të mirën mama Teti….Nejse…Fjalën e kisha tek fëllëza , dashuria ime e parë.. Babaj thoshte se thëllëza në kafaz i këndon dertit. Kur është e lire, nuk këndon , të tjerët këndojnë për të..Gjithë atë ditë jepja e meria , duke ëndëruar zogun tim të dashur ,pa ditur akoma shumë gjëra , që më vonë per mua do të bëheshin të veçanta ne jetën time.
Në të thyer të ditës erdhi babaj.Ja lexoje lehtë lodhjen, gjë që se dëgjoje asnjëherë nga goja e tij.Na buzëqeshi lehtë pa folur, duke tërhequr mbas dere një diçka që unë e shihja për herë të pare.Mamaja as ta përshëndeste nuk arriti.Në dorë mbante një kafaz të thurrur me thupra lajthie,që mbante brënda një zog që spushonte së trokitur i shqetësuar në të katër faqet e tij .U ul në mindern pranë tavolines së bukës dhe duke mos harruar ta puthte lehtë mamanë , tha: “Çkanë thëllëzat që janë mërzitur e s’flasin?
ç’kanë?Isha afruar pranë dritares ku kishte lënë kafazin babaj dhe me kureshtje ndiqja lëvizjet e zogut të shqetësuar..
-Mos kij frikë , është e urtë ,… e di që do të bëheni miq…- kishte folur babai duke u afruar dhe ai pranë kafazit. Pastaj filloi të më shpiegonte si e kishte kapur duke e joshur me imitimet e cicërimave me kafazin që kundërmonte aromë lajthie…
-Dushkë – më thëriti me përkëdhelje babaj ,nga sot në shtëpi do të kemi dy thëllëza.
Për atë ,duke më treguar zogun , do të kujdesesh ti , kurse për tjetrën do të kujdesem unë. Kishte shikuar nga mamaja duke i mbyllur lehtë syrin siç bënte zakonisht.
Unë isha bërë i pa gojë, memec fare .Shikoja me kureshtje kafazin me thupra lajthie dhe s’dija ç’ti thoja thëllëzës që ta qetësoja e ta përkëdhelja..Edhe këngë i thashë , vetëm e vetëm që ajo të qetësohej e të zbutej… Babai dhe mamaja diçka thonin , që ngjasonte më shumë me shaka dashurie…
U mundova të paralelizoja të dyja thëllëzat që thoshte babaj, mamanë dhe zogun ,por asgjë të përbashkët nuk shikoja.Më vonë kuptova se një diçka të madhe e kishin të njëjtë ato : dashurinë !
Thosha me vehte: “Zogu vetëm këndon dhe bredh gjithë ditën mureve të kafazit , kurse mamaja po , bën punët e shtëpisë , gatuan , lan ,hekuros…ndihmon babanë , plus bizën që se lëshon nga dora….Ku mamaja e ku thëllëza…”
E vërteta është se zogu me sqep të verdhë dhe pendë të lyera me varak u bë banor i shtëpisë.Zgjohesha me këngën e tij dhe luaja gjithë ditën , si të ishte shoku im më i mirë. Bile mamaja ,duke pare me sa passion kujdesesha ndaj saj ,i kishte thënë babait “Thamë të qetesojmë djalin , po ai avash- avash po haron lodrat e tjera dhe sikur më mungojnë trazirat dhe çapkënllëqet që bënte...” Kisha filluar të fërshëlleja me gishta duke imituar fëllëzën , që unë e quaja “ këngëtaren më të madhe të botës “
Motrat e medhaja s’mereshin me zogun . Unë e quaja pronesine time , bile krenohesha perpara tyre se fëllëzë të tillë s’kish askush në botë .
Repertori i koncerteve të saja ndryshonte sipas orëve. Në mëngjez i ngjasonte puhizës , fluturimit të zogjëvet dhe zhuzhitjes së bletëve në zgjua...
Në mesditë merrte tjetër ritëm ,ngjasonte më shumë me fëshfëritjen e gjetheve të pyllit dhe me shushurimën e krojeve....Dukej sikur edhe ajri vallzonte me këngën e saja.Në mesditë ,puplat e thëllëzës shkëlqenin, sikur të kishin diellin brënda.Më vonë kur u rrita e pagëzova “ koncerti i dashurisë” ,sepse më sillte ndermënd skenën kur babai donte ti thoshte në vesh dicka mamasë e që të mos e dëgjoja unë......
Në mbrëmje tonet merrnin tjetër formë .Një ninulle e vërtetë aq sa edhe mamaja tha një dite: “ ta heq lodhjen si të jetë doktor...”e te vë në gjumë duke ëndëruar..”
Motrat, edhe pse skishin kohe të mereshin me të ,u pëlqente dhe mahniteshin duke dëgjuar magjitë e banorit të ri të shtëpisë.
Ç’tu them ,në shtëpi kishim një orkester të vërtetë...Ndoshta fillimet e vjershave të mia e kanë zanafillën tek ai kafaz ,tek ai zog , tek ato këngë, tek ato vite...U rrita me cicërimat e një zogu , njëlloj si me përkëdheljen e prindërvet.
...Pothuajse një pjesë të mirë të koncertevet të saja i kisha mësuar ti fërshëlleja dhe shpesh e shoqëroja sikur doja të bëja zërin e dytë , për të mos ta lënë vetëm...
Një ditë në mëngjez, kur sapo isha zgjuar dhe prisnja të dëgjoja «simfoninë e zgjimιt»
kureshtar dhe i shqetësuar për vonesën e koncertit, i thërrita duke imituar këngën e saj të parë.Nuk mu përgjigj.Përsëri i fola me tjetër melodi. Hiç.Shkova zgjova babanë.
Lotët më rëshkisnin si shi dhe fjalet më kishin ngecur diku brënda gjoksit...
I trëmbur nga sjellia ime, më ndoqi nga mbrapa deri tek kafazi pranë parvazit dhe pa më thënë asgjë hapi deriçkën prej teli të tij duke marrë në pëllëmbë zogun që rrinte si i ngrirë. Puplat i kishte mbledhur rreth vehtes dhe s’kishin asgjë nga ai shkëlqimi i parë,që elektrizonte gjithë ajrin për rreth....
Babaj i luteshe të delte jashtë kafazit njëlloj si mua kur isha me temperarurë e duhej të pija aspirinë...Unë mezi merrja frymë përmes dënesave dhe përsërisja fjalët e tim eti.
- Eja shpirti im ... dil të freskohesh... . dil.....
...Disi u gjallërua .Hipi mbi pëllëmbën e dorës që e kisha futur brënda në kafaz, shkundi puplat e rrënduara dhe u mundua te nxirte një tingull, sikur donte të na thoshte diçka që e mundonte...S’mundi..E nxora jashtë duke e përkëdhelur dhe puthur sikur të ishte një zog-kukull.Me mundim kërceu në supin tim , ku u ul të çlodhet...
- Edhe kënga të lodh bir-pëshpëriti babaj sikur donte mos ta dëgjonte fëllëza ...është kaq e lodhur sa...
Nuk arriti të përfundonte frazën, sepse ajo morri hov dhe kërceu në supin e babajt pranë. Përsëri u mundua të nxirte tingullin që mu duk i çuditëshem. Diçka kërkonte , ndoshta donte të thoshte diçka .. me fjalë apo me këngë.Vazhdoja të qaja duke u lutur dhe në anën tjeter me luteshe mamaja që të pushoja unë...
E morra në mes të pëllëmbave dhe fillova ta fryja duke e ngrohur.Zemra i rekëtinte ngadalë si një orë në mbarim të baterisë.Trupi, sa vinte dhe zvogëlohej dhe pendët e lyera me vaj humbisnin shkëlqimin , duke ngjasuar me ndryshkun e telit të deriçkës..
Hapte e mbyllte sytë duke u dridhur si të keshte ftohtë. Sqepin e kishte hapur per të marrë frymë më lehtë, edhe pse unë spushoja duke e ngrohur me frymë....
Për një çast pushoi së dridhuri dhe zemra ngadalësoi hapat si dielli që perëndon duke u futur në det...
Në gjoksin tim numëroi rrahjet e fundit të jetës . Edhe këngën e saj aty e la...Shumë gjëra nuk arriti të mi thotë ,shumë....
Qava me dënesë ,si kurrë në jetën time.Dhimbja kishte të tjera nuanca , që rallë i kuptojmë nga vijnë.Ishte afruar mamaja, që përpiqej të ngushëllonte dy burra të përlotur.
E kuptova se e doja veçanëtisht.Shtrëngoja në gjoks fëllëzën e pa shpirt, ndoshta më të çmuarën gjë deri në atë kohë, pa shpjeguar dot ç’kisha humbur...Kafazi bosh i ngjante një syri të qërruar, që vazhdon të dhembë.Edhe ai lotonte...E varrosëm me këngë.Fërshëllente babaj dhe ja prisnja unë. Pastaj të kundërtën.Një koncert të tërë kushtuar asaj , që për vite me rradhë kishte dhënë sa e sa premiera për ne.
Për një çast mu duk se këndonte ajo, por kafazi bosh këndonte me heshtjen..
Të gjithë pjestarët e shtëpisë mbajtëm zinë e mos harimit, veç për mua kishte ikur ajo që më mësoi si të dashuroja ato që ëndëron , ato që të rrëmbejnë vehten dhe zemrën duke u bërë zogj të pa vdekshëm...
Më vonë , në bizën që bëri mamaja qëndisi një thëllëzë që s’pushoi së kënduari...M’a vuri në jastëkun që flija si këllëf, kështu që çdo mbrëmje këmbenim notat e ditës përmes heshtjes.Fjeta me thëllëzën , akoma fle .... Këndojmë për njëri tjetrin.
Kafazi bosh akoma pret..kaq e kaq vite. Deriçka prej teli ,tashmë e ndryshkur nuk don të mbyllet.E mbajnë të hapur edhe kujtimet e prindërvet të vdekur.
Asnjëherë s’dashurova si atëhere.....Sa më shumë vite kalojnë ,aq më shumë e besoj atë gjë , që më mallëngjen e më mbush me ajër.....




Nuk ka komente: