e premte, mars 14, 2008

Faik Konica, përfaqësuesi i shquar i lëvizjes politike dhe kulturore

Faik Konica, në 133-vjetorin e lindjes së tij (15 Mars 1875) përkujtohet si një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike dhe kulturore shqiptare. Publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik, ai gjatë të gjithë veprimtarisë së tij, la gjurmë të gjithanshme e të thella në lëvizjen kombëtare, politike, ideore dhe kulturore shqiptare.

Sipas As. Prof. Fatmira Rama, njohja e veprës shumëplanëshe të Konicës, i ngjan një ajzbergu, të cilit mund t'i shohim vetem majën, pa ditur se çfarë fshihet nën ujë. Gjatë viteve 1925-1939, Konica shpalosi një publicistikë pjellore dhe ekspresive, duke iu kushtuar kryesisht kritikës politike dhe shoqërore. Me veprimtarinë e tij, Ai iu përkushtua sa lëvizjes kombëtare po aq dhe lëvizjes demokratike për një qytetërim perëndimor të Shqipërisë. Si i tillë, Konica mund të kuptohej dhe interpretohej drejt vetëm në klimën e një shoqërie pluraliste. Eshtë edhe kjo një nga arsyet e interesimit të thellë që ka ngjallur vepra e Konicës në ditët e sotme.

Idetë dhe veprimtaria e Konicës

Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, ku Faik Konica dha kontributin e tij, ai do të paraqiste një alternativë të caktuar të zhvillimeve të ardhshme demokratike në vend. Kështu, Konica rrugën e zhvillimit demokratik e pa në alternativën e shndërrimeve, të reformave të njëpasnjëshme, në kuadrin e rritjes së pjekurisë politike të popullit shqiptar dhe të klasës drejtuese të tij. Ai ishte i bindur se, reformat duhej të ishin në kufirin e liberalizmës, se i vetmi shpëtim i kombit tonë ishte zhvillimi i tij, "për më tepër kuptim politik, më tepër dashuri për punë e rregull, më tepër butësi e bashkim".

Duke shpalosur domosdoshmërinë e shkëmbimeve të mendimeve midis palëve kundërshtare, Konica lëshoi thirrjen: "Janë ca raste historike kur zëri i partive dhe i kundërshtimeve duhet të pushojë përpara një interesi më të lartë".

Konica si ministër i shtetit shqiptar në SHBA ruajti autoritetin e këtij shteti, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga shikimi kritik i realitetit të vendit të viteve 1925-1939. Ai goditi metodat për vendosjen e kontrollit të regjimit zogist në vend, burokracinë aq të dukshme, spekullimet e nëpunësve, gazetarët dhe redaktorët që i shërbenin parasës dhe jo idealeve demokratike. Një kritikë e tillë gjen vend në shkrimin "Shqipëria si m'u duk", botuar tek "Dielli" 1929.

Veprimtaria e Konicës

Roli i Konicës duhet parë edhe si pasurues i kulturës kombëtare, si pubicist, si gjuhëtar e letrar, si historian, etnograf etj. Si historian, ai do të sillte ndihmesa të reja në pasurimin e tezave të autoktonisë së shqiptarëve, të trashëgimisë ilire të popullit tonë, të traditës së tij shtetformuese, të rolit të epopesë skënderbejane etj. Si "princi i gjuhës shqipe", ai do të jepte ndihmesë të madhe edhe në formimin e gjuhës letrare shqipe. Por është pikërisht problemi kombëtar që ndikoi në parashtrimin prej tij të alternativave të veçanta për ecurinë dhe rrugët e zhvillimeve demokratike në Shqipëri në këto vite. Duke qenë shtet i gjymtuar përsa i përket tërësisë territoriale, Konica besonte se, shqiptarët nuk e kishin atë liri që të provonin, që të bënin ndryshime për shkak të rrezikut të madh të jashtëm.

Në vitet 1925-1939, ai do t'i kushtonte përsëri vëmendje çështjes së feve dhe klerit në Shqipëri, raporteve të tyre me shtetin dhe rolin e tyre si fe dhe jo si "axhensi politike". Me vlerë të posaçme është vlerësimi që i bën ai rolit të shqiptarëve katolikë në lëvizjen kombëtare shqiptare. Bashkëkohësit e Konicës, miq dhe kundërshtarë, do ta vlerësonin lart personalitetin për potencialin dhe rrezatimin e tij në kulturën shqiptare.

Në lëmin e krijmtarisë së mirëfilltë letrare, penës së Faik Konicës i përkasin disa proza poetike, të cilat karakterizohen nga kulti i formës së kulluar artistike. Por vepra letrare artistike më e rëndësishme është novela ,"Doktor Gjilpëra që zbulon rrënjet e dramës së Mamurrasit", botuar si nënfletë në gazetën "Dielli". Në të kritikoi prapambetjen e jetës shoqërore dhe shpirtërore të vendit. Faik Konica ishte gjithashtu një nga nismëtarët e kritikës letrare. Ai vuri në dukje përparimin e poezisë shqiptare në veprën e Naimit dhe të De Radës, çmoi Asdrenin, Çajupin etj. Faik Konica, la edhe përkthime mes të cilave disa përralla nga "Njëmijë e një netë", që u botuan në librin "Nën hijen e hurmave".

Nuk ka komente: