e shtunë, janar 16, 2016

NGA SYRI TE SEKSI

Iliriana Sulkuqi, janar 2007

NGA  SYRI  TE SEKSI

(Këtë shkrim e ribotoj sot, me rastin e 80-Vjetorit të ditëlindjes të Prof. Dok.  Adem Harxhi)


Thonë se dashuria mund të lindë edhe me shikimin e parë. Nuk kam asnjë dyshim. Unë, nëna, gjyshja, deri shtatë breza,nga fisi im, kështu e ”pësuam” dhe u trashëguam…
Po, kur sytë janë pathologjikisht të sëmurë,si mund të lindë dashuria nga  shikimi?
Shkenca na thotë se kur mungon një shqisë, kompesohet nga një tjetër, kur mungon një pjesë e dukshme e trupit, sërish, funksionin edhe për atë, e luan një tjetër pjesëzë…   Përderisa gjithçka është brenda së Tërës, doemos do ta bëjnë të Tërën- që nga shikimi deri te perceptimi,prekja…, emri i përveçëm dhe i bukur i së cilës është Ndjenja.As nuk shihet , as nuk preket. Vetëm bymehet ose tkurret sipas stinëve shpirtërore…
Gjithsesi, me apo pa sy, një flurudhë (udhëza-kurbë, nga nisja në mbërritje),brenda një kohe relativisht të shkurtër apo të gjatë, të çon drejt Pushtetit të Seksit…
 Unë nuk mund të marr përsipër të them më shumë se kaq… Nëse keni dëshirë,nevojë apo kureshtje, Okulisto-seksologu ADEM HARXHI, mund t’ua plotësojë, mësëmiri, gjithçka që ju keni enigmë në lidhje me Shikimin dhe me Seksin…
Adem Harxhi- okulisto-seksologu, i vetmi deri më sot në gjenezën shqiptare.

Eshtë lindur në Gjirokastër, më  16 Janar 1936.Në vitin 1959 mbaron Fakultetin e Mjekësisë dhe fillon specializimin për okulist.
Në vitin 1963 emërohet okulist në Spitalin e Gjirokastrës, ku hap për herë të parë shërbimin e okulistikës për 4 rrethe: Gjirokastër, Sarandë, Përmet , Tepelenë.
Në 1968 emërohet Drejtor i Spitalit të Gjirokastrës.
Në vitin 1979 emërohet shef i katedrës së Anatomisë dhe Fiziologjisë në Degën Biologji-Kimi në Universitetin Eqrem Çabej –Gjirokastër.
Në vitin 1980- duke qënë drejtor në spitalin e Gjirokastrës,  caktohet edhe anëtar i Komitetit të Shkencave pranë Këshillit të Ministrave të RPSH-së,  për problemet mjeksore.
Në vitin 1985 emërohet mjek pranë Ambasadës së Shqipërisë në Budapest-Hungari.
Kthehet në Atdhe në vitin 1990 dhe fillon sërish punën si mjek okulist në spitalin e Sarandës.
Në vitin 1993 emigron familjarisht në N.Y –Sh.B.A.
            Në vitin 1995 është një nga nismëtarët për themelimin e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve dhe që nga  ajo ditë kryen me dinjitet detyrën e Nënkryetarit të Akademisë.
            Eshtë  antar i Shoqatës së “Sociologëve Shqiptarë”.
Në vitin 2000 Boton librin “Janë sytë e tu”- shtëpija botuese Albin
Në vitin 2002 boton Traktatin mjekësor me 500 faqe : “ Seksualiteti dhe Seksi” një libër për të gjithë.
Në vitin 2004 boton librin:”Fëmijët duan të dinë për seksin.”
Ka botuar shumë artikuj shkencorë dhe për organizimin e shëndetësisë në revistat
e gazetat e vendit  dhe të huaja gjatë kohës së Diktaturës.
Edhe pas çlirimit nga ky sistem,herë pas here, ka botuar artikuj dhe ka dhënë intervista për probleme të ndryshme  që lidhen me sytë dhe me seksin.
Disa libra, tashmë janë hapësirë studimi në fakultetin e mjeksisë. Shumë të
tjerë, ku, si një arkiv i gjallë shpaloset eksperienca e një mjeku pa kohë dhe hapësirë – janë ende nëpër duart e tij, të miqve –specialistë dhe të familjes…


Kur dhe si e njoha doktor Adem Harxhin?
Kur u rinjoha me ‘të?


1989,  Budapest, Klinika  Lasloz Korhaz( Klinikë kirugjie, e vitit 1600, nga më të parat në Europë).
          Për fatin tim të keq dhe të mirë u ndodha, pas një udhëtimi pa vetëdije, në këtë klinikë të huaj, si nga unë edhe nga nëna ime, fëmijët e mitur dhe  bashkëshorti…Shtatë mjekë me emër, nga shtatë vende të Botës dhe pas shtatë ditëve(çuditërisht kjo është e saktë, sipas shënimeve që kam mbajtur atje), ma thanë në sy se nuk mund të bënin asgjë për të më mbajtur mbi këtë tokë…
Kërkova mjekun e Ambasadës së vendit tim…
I putha duar e këmbë, vetëm të pranonte dëshirën time për t’u bërë eksperiment për mjeksinë, që të mos vinin, pas meje, të tjerë shqiptarë të vdisnin në dhè të huaj…
          Kështu u bë. Ai, Njeriu i caktuar nga Qeveria dhe i ndodhur përballë meje, bëri detyrën si një Zot, për të përmbushur dëshirën dhe kërkesën time.
          Pas eksperimenteve, zor se më hapeshin sytë. Por kur ndjeja se çifti Harxhi ndodhej pranë meje –sytë  hapeshin vetiu.  Nuk kam provuar në jetën time lot kaq të gëzueshëm…
            Edhe pse emrin e tij e dija që në Shqipëri, nuk e kujtoja dot. U desh të isha gjallë midis të gjallëve, për të mos ia harruar emrin atij dhe  pjesëtarëve të familjes së tij që , jo vetëm për mua, por për çdo të sëmurë të vendit të tyre, ishin bërë ilaç shpirtëror. (Një familje ka ndjerë dhimbje vetëm për një pjestar të tyre- ato, për të gjitha familjet…) Budapesti ishte një nga emrat më të dëgjuar për shqiptarët. Në klinikat e tij vinin për t’u kuruar të sëmurët rëndë nga Shqipëria, kur mjekët dhe teknika e pakët mjeksore, nuk mund të bënin më tepër… Disa edhe mund të ktheheshin gjallë, por shumë prej tyre, prisnin në morgun e përgjithshëm,  të plotësohej një maune që do t’i “tranportonte”(si pulat hungareze), deri në kufi me vendin e tyre…I gjori doktor ç’ka parë me sy e çfarë ka hequr shpirtërisht. Njëherësh do të bënte detyrën e mjekut të Ambasadës dhe (sëbashku me gruan e tij të jashtëzakonshme, Lelën), pjestarin e familjes së çdo të sëmuri apo kufome…
Kur mbërrinte “Malievi” (2 herë në javë) nga Tirana, doemos Adem Harxhi do të dilte në aeroport të priste ose të sëmurë, ose porosi për ato që ishin shpërndarë nëpër klinikat e ndryshme në të katër anët e Budapestit. Tufa zarfesh, me letra nga miq, të njohur e të panjohur, që i luteshin të bënte kujdes për iks apo ypsilon të sëmurë, mbushnin duart dhe xhepat e tij… Le pastaj, kur pacientët ishin fëmijë(askush nuk shoqërohej nga prindërit…?!) , i vetmi prind që do të mund të fliste me gjuhën e tyre, ishte Adem Harxhi, mjeku më human se të gjithë ata që i kuronin nëpër klinika. Emri i tij gati u kthye në legjendë, sa kohë që punoi si mjek pranë Ambasadës në Budapest, ashtu siç edhe kur ishte në Shqipëri si okulist.

Më pas…(Rinjohja)
Si pikat e lotit, shkuan vitet, deri diku sëbashku, si një familje…
Por, kur mendon që edhe  fryma shpërndahet si një tis velloje nëpër gjithësi, qetësohesh duke  pranuar realitetin,  largime e ndarje të befta, edhe nga miqtë e tu më të afërt…
……………….
Ishte nëntor, një ditë e bukur, nga më të ngjyerat me penelin vjeshtës shqiptare.Ulur në “Bar-kafe”-në e aeroportit “Nënë Tereza”, mundohesha të isha e vemendshme ndaj thirrjes “Udhëtarët e linjës Tiranë - Nju York…Si nga thellësia apo lartësia, dëgjoj emrin tim të shqiptuar aq ngrohtë dhe ëmbël…Nuk po i besoja syve edhe pse zëri sa vinte e afrohej dhe tashmë fytyrat e personazheve të mi, shpëtimtarë të jetës sime, ishin thuajse ngjitur me fytyrën time… Nuk kishte përqafim e puthje të ngopte këtë mall  pesëmbëdhjetë vjeçar. U bëmë si në ciklin e kreshnikëve ne, shqiptarët, me njohje e rinjohje të dhimbshme. Mbështjellë me aureolën e këtij takimi të papritur, morëm udhëtimin drejt Kontinentit, përtej Atlantikut…
. Sot është ditë  Feste-thotë Lela, njerëzit në Tokë festojnë Ditën e Shenjtë të  Kurban Bajramit, ndërsa ne fluturojmë…
Aq më mirë i them, ne jemi më afër Zotit dhe falenderimet e lutjet tona Ai do t’i dëgjojë më mirë…
Ishte Nëntor, një ditë nga më të bukurat e asaj vjeshte, vërtetë e bekuar dyfish…
Pyetje- përgjigje, janar 2007

-Si dhe pse ju lindi ideja  për të shkruar librin tashmë të njohur e të kërkuar : “SEKSUALITETI DHE SEKSI” (-Një libër për të gjithë-) ?

-Në parathënien e librit të tij “ Arti i dashurisë “ Erich Fromm-i shkruante dhe mua më pëlqen ta përsëris:
                     “Leximi i ketij libri do të jetë një eksperiencë zhënjyese
          për cilindo qe pret instruksione të lehta për artin e dashurisë”
Krijimi i këtij libri, nga konceptimi deri në publikim, kaloi nëpër një udhëtim të gjatë e të pabesueshëm për mua.
Punën e fillova si një koleksioner, i një soi të veçantë. Shumë copa letrash, skeda dhe blloqe, të gjitha te zverdhura dhe të zbërdhylura nga koha. Ato kërkonin të seleksionoheshin, të grupoheshin dhe riorganizoheshin.
            Në gjithë këtë koleksion shënimesh, të mbajtura pa asnjë kriter selektiv, kishte  probleme nga më të ndryshmet. Disa blloqe ishin nga shënimet e mbledhjeve të mëngjesit në spital. Shënime nga jeta, puna dhe marrëdhëniet me të sëmurët. Kish mjaft shënime nga jeta me shokët dhe kolegët. Duke kërkuar nëpër to, shumë kujtime u ngjallën nga ato vite pune. Disa te mira, disa te tharta, por sido që të jetë ishim kujtime, emocione. E parë në këtë kuptim, puna për këtë libër ma shperbleu mundin dhe pasionin disa  vjeçar, ajo më çoi në vitet më të mira dhe më të vrullshme të jetës sime.
Të shkruarit ishte nje proces me vete, ashtu siç ishte edhe kërkimi “akademik”që u përqendrua në lexim librash, revistash dhe kërkime në internet. Disa mijra faqe të konspektuara. Konsultimi dhe bisedat me njerezit, ishin një ndihmë e madhe në konceptimin  e ketij materiali për një subjekt, ku idetë janë shumë diverse. Mundet që më e vlefshmja nga të gjitha, të ishte kërkimi thellë në veten time. Duke punuar, ndjeja, se ndryshoja. Mundohesha ti shprehja sa më mirë mendimet, që dukeshin me të përshtatshme. Ajo që sot dukej mirë, nesër duhej ndryshuar. Ky ishte një proces në vazhdim.
            Më në fund, libri ishte gati.
Them kështu, sepse vendimin për ta shkruar, m’u desh të diskutoja gjatë me veten. Askush në familje dhe nga miqtë e mi, nuk dinte se unë shkruaja këtë libër. Nuk e kisha të lehtë. Vazhdimisht mendoja: ç’do të thonë fëmijët, të afërmit, shokt, miqtë kur ta lexojnë?. Po gruaja, ç’do të thotë ajo? Ajo është bashkëautore, në kuptimin, që shumë gjëra i mësuam sëbashku.
Shkaku i gjithë kesaj ndrojtjeje, vinte ngaqë seksi në kulturën tonë ka qenë tabu. Ai është konsideruar si gjë e ndyrë. Sharjet më arrogante dhe më të ulta në kulturën e shumë popujve, si dhe në tonën, përdorin termat seksuale popullore të vendit. Termat e seksit konsiderohen të turpshme dhe nuk ndjehesh mirë kur i përdor.
I indoktrinuar, siç i thonë, deri në palcë me disa teori sociale, që koha nuk i vertetoi, m’u desh kohë te endem nëpër literaturën pletorike për këto probleme, që të mund të kuptoja realitetin.
            Pse e shkrova këtë liber?
E shkruajta sepse e ndjej që duhet. Kurdoherë që kam menduar se diçka duhet, e kam bërë edhe pse, jo rrallë, e kam paguar për këtë.
E shkrova për ata qindra mijra te rinj, që gjer tani kanë mësuar për seksin me mënyrën më të lehtë, me eksperiencën e tyre. Dua tu them atyre, se vërtet kjo është mënyra më e lehtë, por shumë e shtrenjtë. Shumë të rinj e kanë paguar seksin me shumë vuajtje, me shumë ankth, me shumë frikë, me shumë sëmundje dhe jo rrallë me jetën e tyre.
 E shkruajta për ju prindër dhe edukatorë, që t’ju kujtoj se fëmijet tanë në çdo moshë qofshin, kanë interesa seksuale që duhet t’i kemi parasysh. Ne i çojme fëmijët 15 ose 20 vjet nëpër shkolla, që të mësojnë ato që u duhen për jetën, për të mësuar një zanat. Ndërsa për atë që është pjesa më e rëndësishme e gjithë jetës së tyre, asnjë fjalë, injorim total. A nuk u duket se ky është një “budallallëk i joni kolektiv”?. Që të lehtesoj detyrën tuaj në këtë drejtim, unë e shkruajta këtë libër.
Ky libër, tenton të tregojë për shumë gjëra, të cilat kanë mbetur të pathëna. Nuk di, sa e kam arritur qëllimin. Nuk pretendoj  të kem thënë gjithçka dhe t’i përgjigjem çdo pyetjeje që ju keni për seksin, seksualitetin dhe seksologjinë. Nuk ka fushë tjetër të aktivitetit njerëzor, që të jetë më e vjetër se seksi dhe që akoma të  ketë mbetur e re. Nuk ka aktivitet tjetër, për të cilin njerëzit të kenë qenë më të interesuar, se për seksin.  Nuk ka degë të dijes ku literatura për të, të jetë kaq e pa zotërueshme siç është ajo për seksin. Seksi është mëkati i parë, njerëzit pranuan seksin dhe humbën pavdekësinë….
            Ky liber, nuk pretendon te jetë metodikisht i persosur. Ketu permblidhen shenimet e mia shume vjeçare. Kujdesi im kryesor ka qenë, ti freskoj ato me njohuritë e reja dhe të shmang gabimet në konceptimin e materialit..
Jo pak njerëz, shtangen nga shkrimet e Freud-it dhe shumë të tjerë nuk i njohin ato akoma. Freud-i, edhe pse punoi shumë vite si titan, tetëmbedhjetë orë pune çdo ditë, komitetet nuk ia dhanë çmimin “Nobel”, sepse mësimet e tij e tejkaluan mentalitetin e kohës. Sigmund Freud, babai i psykanalizës, futi seksin në qendër të psikologjisë. Ai mendonte se ka shume gjëra të tjera veç seksit në psikologji, por ai konkludoi se shëndeti mendor është aftësia të dashurosh dhe të punosh.
Gazeta “The Neë Yorks Time” ne vitin 1948, nuk pranoi ti bëjë publicitet konkluzioneve tronditëse për publikun amerikan, të A. Kinsey.
Mediat, si kudo në botë, ashtu edhe tek ne, janë të mbushura me imazhe seksuale, që shpesh janë konfuzionuese. Seksi në jetën e përditshme nuk është ai që na ofron media vizive çdo ditë… Ky është seksi në filma. Në jetë, seksi ka shumë vuajtje, dhembje, lotë dhe pse jo edhe gjak…
Nuk ka akt tjetër human, qe të jetë kaq i ngarkuar emocionalisht. Nuk ka kënaqësi tjetër, më të lakmuar se seksi. Seksi është një nga kënaqësite më të mëdha në jetë. Deri sa është një kënaqësi  kaq e madhe, ai ka dhe influencën e tij po kaq të madhe në gjithë jetën njerëzore.
Sokrati dhe Platoni shekuj përpara, arritën kompromisin e madh per pyetjen: kush është kryesore në rregullimin e gjithëçkaje në këte botë, inteligjenca apo kënaqësia? Ata të dy ranë dakort se e para është inteligjenca dhe fill pas saj vjen kënaqësia.
Shumë shekuj pas këtij kompromisi, Charles Darëin, na tregoi  për evolucionin në botën e gjallë. Sot në botë ka shume evolucionistë. Të gjithë ata kanë te drejtën te shtrojnë pyetjet: Ne hamë se mendojmë të hamë, apo pse kemi kënaqësinë të hamë? Ne bëjmë seks sepse mendojmë të shtohemi, apo është kënaqësia që na shtyn ta kërkojmë seksin dhe të vrapojmë drejt tij në mënyrë të papërmbajtur?
Për evolucionistët, kënaqësia është një instikt shumë i fuqishëm, që është në gjendje të flakë tej çdo efekt të mendimit mbi zhvillimin dhe ekzistencën e specieve.
Shpresoj që ky libër, do te ndihmojë të ulet çmimi që duhet të paguajmë për injorancën tonë për seksin…
Ja, këto kanë qenë disa nga arsyet që më shtynë ta shkruaj këtë libër.
Por, ka dhe një arsye tjetër. Ajo është sinteza e të gjithave. Unë doktori, që me siguri dija më shumë se miqtë e mi jo mjekë për këto probleme, kur mësova më shumë për seksin dhe seksualitetin, i dëshpëruar bëra pyetjen :“Pse nuk i mësova më parë këto gjëra?”. Që ti lexuesi im i dashur, të mos thuash i penduar: ”pse nuk i mesova më parë?”, unë  e shkruajta  këtë libër.
-Pse pikërisht e shkruat ju, këtë libër?
- Këtë pyetje edhe unë ia kam bërë vetes dhe përgjigjen e kam shkruar edhe në parathënien e librit. Janë të shumta arësyet që më nxitën mua, “Doktorin e syve”, ashtu siç më njohin të sëmurët dhe miqte e mi, që në muzgun e jetës të merrem me këtë subjekt kaq pak të njohur dhe në të njejtën kohë, kaq shumë të keqinterpretuar në shoqërinë tonë.
Kush më mirë se një mjek, mund ta shkruante këtë libër. Një mjek, që i ka plotësuar kerkesat e profesionit të tij për dyzet vjet, është e arsyeshme që ta ketë fituar te drejtën të kapercejë  kufijtë e një zakoni shtypes. Unë e ndjej veten të lirë, të them atë që besoj se është e drejtë dhe e domosdoshme. E konsideroj detyrën time, të flas hapur para njerëzve. Ndjej se duhet të shkruaj, për atë që kam mësuar se është e vërtetë. Këto dije janë shumë të nevojshme për të gjithë. Ka shumë vuajtje që durohen, të cilat fare mirë mund të evitoheshin me pak njohuri. Ka shumë gëzime të paprovuara, të cilat e ulin shumë vlerën e jetës së gjithkujt.
Për shumë vite kam lexuar leksionet e fiziologjisë dhe anatomisë. Asnjë fjalë nuk u thashë studentëve të mi të Universitetit E. Çabej, për fiziologjinë e aktit seksual dhe për mësimet në këtë fushë. Ky libër është një kthim borxhi i vonuar, për ata mijra studentë.
Tani, mendoj se kam arritur një moshë dhe experiencë të përshtateshme, për këtë detyrë. Kam punuar dhe studiuar në teorinë dhe praktiën e mjeksisë, për shumë vite në shërbim të njerëzve. Gjatë këtyre viteve, në forma të ndryshme, kam shprehur hapur shumë mendime për shërbimin shëndetësor. Me experiencen që fitova dhe ndihmën që ofrova, u bëra i besuari i shumë të rinjve, burrave dhe grave. Besimi i tyre me frymëzoi në këtë punë.
Jam bashkeshorti, që ka provuar kënaqësitë e jetës martesore. Jam një burrë që kam kaluar të shtatëdhjetat, që e kam soditur jetën ashtu siç ajo ka qenë dhe ashtu siç është sot. Një burrë, që i ka lënë me kohë prapa “marrezitë e rinisë”, por që akoma nuk i kam humbur të gjitha dëshirat.
I mblodha të gjitha këto entitete, për të kontribuar në këtë punë. Po të mos e bëja këtë, nuk do të hyja me ndërgjegje të qetë, në muzgun e jetes sime.
Unë mund t’u kisha shpëtuar te gjitha “telasheve” që permenda me lart, po qe se do të përdorja një pseudonim, për të cilin mendova shumë herë. Kuptova, se nuk më duhej kjo mbrojtje. Si mjek, si mësues, si njeri, e kam ndjerë detyren time, të nënshkruaj gjithmonë me emrin tim. Jam i bindur se keshillat dhe sugjerimet, që i mblodha në literaturën pletorike si bleta nektarin, jepen në këtë libër me ndjenjën e pergjegjesisë etike dhe shpirtërore. Ato do të humbisnin shumë nga qëllimi i tyre moral, po qe se do t’i servireshin lexuesit anonimë.
Do ta pranoj hapur përgjegjësinë, për bezdinë që mund të shkaktojë ky libër, në mendjet e “prejtura” të shumë bashkëatdhetarëve të mi.
Shpresoj dhe uroj, qe shume burra dhe gra edhe po qe se nuk do të guxojnë t’i hprehin me zë të lartë falnderimet për këtë libër, ata do ta bëjnë këtë me frymëmarrjen e tyre, në intimitetin e shtratit martesor.
Ky libër do ta ketë arritur qëllim, poqese do të ndihmojë sado pak, që për seksin dhe problemet e tij, të mos pëshperitet, por të flitet hapur.

-Pse “egërsohet” femra (pa dallim moshe)?

          -Unë nuk do të përdorja fjalën “egërsim”. Kjo fjalë do të zëvëndësohej me fjalën klimaks ose orgasmë. Klimaksi ose orgasma është pjesa kulmore e ciklit të përgjigjes seksuale tek gruaja dhe tek burri. Orgasma është akti fiziologjik më kompleks i organizmit. Gjatë orgasmës pulsi arrin 160 të rrahura në minutë, frymëmarrja shpeshtësohet deri 50-60 në minutë, harxhohen rreth 200 kalori që janë baraz me 15 minuta në tredmill. Mjerisht orgasmën në cdo marrëdhënie seksuale e arrijnë vetem 28 % e grave. Pjesa tjetër e arrijnë jo në çdo marrëdhënie seksuale dhe akoma më keq janë rreth 30 % e grave që kurrë nuk kanë provuar një orgasmë, ndonse janë të martuara dhe me fëmijë. Siç e shikoni kjo fatkeqësi që bën të ulet shumë kualiteti ijetës së gruas, në shumicën e rasteve vjen nga mosnjohja, mosdija. Shumë gra që kanë kërkuar ndihmë mjekësore e kanë kapërcyer këte situatë. Që këtej rrjedh dhe domosdoshmëria e edukimit seksual të njerzve.

-Kur femra është më imperatore dhe kur më engjëllore?

-Unë e kam të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Ju duhet të dini se plaku i mënçur austriak Sigmund Freud, pas tridhjet e pesë vjetëve punë titanike  në psikiatri, psikanalizë dhe psikoterapi deklaroi haptazi “Unë nuk di akoma ç’kërkojnë gratë”? Madje as gratë vetë nuk dinë çfarë kërkojnë. Unë do të thoshja se lidhur me marrëdhënien seksuale gratë përgjithësisht janë engjëllore, në rastet kur ato nuk janë të tilla,me siguri faji është i burrave, që nuk dinë të sillen me to dhe që kanë nevojë për kulturë seksual.

Të gjithë duhet të dinë se burrat janë si llampa e elektrikut që hap celsin dhe ajo nxehet , fik çelsin ajo ftohet dhe kaq është e gjitha. Ndërsa gratë janë si hekuri i rrobave. E ve në prizë dhe do të presësh …do të presësh…do të presësh …sa të nxehet, pastaj do ta heqësh nga priza dhe do të presësh …do të presësh …do të presësh që të ftohet. Po qe se burrat nuk e dinë këtë veçori fiziologjike marrëdhënia seksuale nuk ka sukses.

-Ato që kanë bërë “divors” me seksin a e reflektojnë në jetën e përditshme?

Heqia dorë nga jeta seksuale është një gabim shumë i madh kur bëhet me dashje. Ndërsa kur ndodh pa dëshirën e gruas kjo gjëndje kërkon konsultim me mjekun ose seksologun. Largimi nga jeta seksuale shoqërohet me shqetësim të përgjithshëm, frustrim, Ankth, iritabilitet nervor dhe prishje e të gjithë marrëdhënies bashkëshortore. Marrëdhënia seksuale zë 12 % të gjithë marrëdhënieve martesore, por këto janë 12% esencialet që ndikojnë në të gjithë marrëdhënien.
Gratë, vecanërisht ato të moshës së mesme, duhet të kenë parasysh mirë atë që unë kam qejf ta përsëris shpesh :” Përdore, ndryshe e humbe.”

            -Ju, doktor jeni klasik apo modern, ose më saktë, në këtë fushë që po flasim, nga cila anë peshon natyra juaj?
.           -Personalisht jam sa klasik dhe modern, megjithëse disa mendojnë se, meqë them ca gjëra që dikur ishin tabu, jam antiklasik. Në të vërtetë, ky lloj guximi qytetar ose kjo shfaqje moderne të menduari, nuk më largon nga shtylla klasike ku jam mbështetur. Unë vërtetë flas për seksin, por nuk them se kënaqësia duhet arritur jashtë martese. Për mua, klasikja është themeli i vlerave njerëzore, është vetë morali. Do të bëja një përqasje: Tre janë modelet e gruas: 1- Gruaja-Madonë si nënë e Krishtit, e përkushtuar, grua shembullore që rrit qytetarë të denjë për shoqërinë 2-Gruaja- amazonë që i ngjan shumë burrit, grua luftëtare që ka dalë në fushë të betejës dhe ka hedhur tej feminilitetin e saj si një pengesë dhe 3- gruaja-kurtizane. Kjo e fundit përdoret si plaçkë lufte dhe funksioni i vetëm i saj është të shuajë epshet e sa më shumë meshkujve. Vetëm gruaja e parë është gruaja klasike, ajo që do të donte çdo burrë. Ndërsa çdo gjë tjetër që të bëjë gruaja, i ngjan një zyre plot me kapse e dosje, por vetëm grua nuk është. Ja pse njerëzimi ka adhurim për klasiken. Ai nuk e pëlqen gruan moderne…
- A është e nevojshme që të jepni për diasporën tonë në Amerikë, leksione për seksin, në auditor apo në një rubrikë të posaçme në media?

-Unë kam tani pesë vjet që bëj emisionin “Linja e Kuqe”, 3 herë në Javë në TV “Neës 24”. Emisioni është shumë i ndjekur, me pyetje përgjigje të drejtëpërdrejta, nga vëndi dhe nga shqiptarët jashtë në emigrim. Kam bërë biseda edhe në 3-4 stacione të tjera televizive si: Gjeli Vizion, Klani, Top Channal, Vizion Plus etj. Kam organizuar biseda për problemet seksuale në shkollat e Tiranës me nxënës, mësues dhe prindër.
Këto aktivitete opinioni i ka pritur ngrohtë dhe me interes. Pothuaj të gjitha revistat dhe gazetat e vëndit kanë shkruar për suksesin e këtij aktiviteti në fushën  e seksit. Vlen të theksoj se artikuj të gjatë për eksperiencën tonë në këtë drejtim ka shkruar Gazeta” Times” e Londrës,Gazeta “Verayety” dhe Revista “ The Ëar and Peace Report”
Duke u nisur nga suksesi i emisionit në Tiranë, unë mendoj se do të ishte i vlefshëm organizimi i një farë aktiviteti të tillë edhe këtu në N.Y. Unë jam gati ta zhvilloj në çdo formë të përshtatshme, varet nga ata që do ta organizojnë mundësitë dhe kërkesat e tyre.


Pyetje – përgjigje, më 1 shkurt 2006
-A keni qenë njeri me fat në dashuri?
-Me fat, por, i pangopur.
2-Fëmijëria – si e mbani mend atë: të trishtuar, të përkëdhelur, të mohuar?
-Nga fëminia ruaj vetëm kujtime të mira.
3-Adoleshenca – ka qenë për ju liri, skllavëri, kapërcim etape, nostalgji apo mohim?
-Adoleshenca, ndonëse në vite të vështira, ka qënë e mbushur me ngjarje që nuk harrohen.
4-Amerika – ëndërr, aventurë, e detyruar?
-Tërësisht e detyruar.
5-Shqipëria – larg apo afër, e kaluar, e sotme apo e ardhme?
      -Me Shqipërinë lidhet çdo gjë në jetën time.
6-Në shkencë, kulturë, art – cilët janë idhujt tuaj vetjakë që keni patur shembull?
-Frojdi - që e kish ditën e punës 18 orë
Çehovi - për tregimet e tij të shkurtra dhe për thënien lapidare: “Të jesh mjek nuk është zanat. Jo çdokush është i aftë të jetë mjek.”
Verdi -“Traviatën” e kam parë 23 herë kur isha student.
7-Tradhëtia – çfarë koncepti keni për të në kohën e sotme?
Nuk kuptoj për cilën tradhëti bëhet fjalë. Po është fjala për tradhëtinë bashkëshortore sot, le të kujtojmë: Edhe në çerdhen e ngrohtë të zogjve(me të cilën poetët kanë dashur të tregojnë dashurinë e sinqertë midis bashkëshortëve dhe fëmijve) 50 përqind e pasardhësve janë me “baba”tjetër.
8-E kaluara juaj a bashkëjeton me të tashmen?
E kaluara, eksperienca që fitova prej saj, përcaktuan atë që jam sot. E thënë ndryshe, sot, unë jam produkt i të kaluarës sime.
9-Puthja e parë, puthja më e fundit?
Puthjen e parë e mbaj mënd edhe sot pas shumë vitesh, puthja e fundit nuk e di kur do të jetë.
10-A besoni tek Zoti?
-Jam evolucionist, por respektoj besimin e gjithkujt.
11-A keni hedhur fall donjëherë? (me letra, në dorë, fillxhan etj.. ) Nëse po, çfarë ju ka dalë?
-Kurrë.

12-Martesa juaj – e zgjedhur, e detyruar? Çmendim keni sot për martesën?
-Martesën e kam zgjedhur dhe jam i kënaqur me zgjedhjen time. Martesa, si ajo  bisha e urritur, nuk ngopet kurrë me dashuri. Janë të lumtur ata që japin shumë dhe marrin shumë prej saj.
13-Çfarë nuk keni realizuar nga ato që keni menduar dhe ëndërruar?
-Ka shumë gjëra që kanë mbetur pa realizuar. Tani jetoj nën presionin se nuk kam kohë të përfundoj më të domosdoshmet.
14-Si e keni ndarë 24-orëshin?
-Jam akoma duke mësuar.
15-Kush, veç vetes suaj, qëndron më pranë me ju?
-Gruaja ime.
16-A e keni ndjerë veten në ndonjë rast të tepërt dhe a mendoni se i mungoni dikujt?  
-Jam përpjekur të jem atje ku mendoja se isha i dobishëm.
17-Në lidhje me ngjyrat, cilat nga ato ju krijojnë ndjesi të veçanta dhe në çfarë çastesh  jeni ndjerë nën pushtetin e tyre?
Perëndimi i diellit në bregdet. Perëndimet në Kaliforninë e Jugut, gjithmonë më kanë kujtuar perëndimet në Sarandë. Bota, kudo, është një soj e bukur.
18-E vërteta ju dhemb, ju tremb, apo jeni indiferentë ndaj saj? Cila ka qenë e verteta më e hidhur në jetën tuaj?
Të vërtetën e pres ashtu siç është, pa u trembur prej saj. E vërteta më e hidhur ka qënë lajmi i vdekjes së Rahmiut( vëllait më të ri), kur isha me punë në Budapest.
19-Viti i Ri, për ju sot, trishtim apo gëzim? Cila do të ishte dhurata më e bukur që do të kishit dëshirë t’ua bënte dikush?
Vitin e ri e kam pritur gjithmonë me gëzim. Dhurata më e çmuar, të cilën  gjithmonë e kam pritur me padurim, ka qënë dashuria e fëmijëve.
20-Cila stinë ju pëlqen më shumë dhe në ç’muaj keni lindur. A ju pëlqen shenja juaj e horoskopit?
-Kam lindur në Janar. Stina e preferuar është Pranvera. Për “Bricjapin” nuk kam pyetur kurrë.
21. Çfarë do të donit të ndryshonit te vetja, sikur të ishte në dorën tuaj?
-Do të dëshëroja pak më shumë shëndet.
22. Ç’mendim keni për veshjen? Paraqitja – e domosdoshme, kënaqësi, hipokrizi? Cili stil veshjeje është më i preferuar për ju?
-Më pëlqen thjeshtësia dhe konforti në veshje.
23. Cila është muzika juaj e preferuar? A dini t’i bini ndonjë vegle muzikore?
-Preferoj muzikën klasike. Nuk di të luaj në ndonjë vegël muzikore.
24.A besoni te triologjia e Dante Aligerit – “Parajsa” “Ferri”,“Purgatori”?         Në fund të fundit a keni frikë nga vdekja?
-Nuk besoj në këto fantazi, edhe pse janë shkruar mjeshtërisht. Vdekjen e pres i qetë, kurdo që të vijë. Është pjesë e rrugës sime në jetë. Uroj të vdes, ashtu si               ç jetova, dinjitoz. Mëshirën e urrej.
25. Sa vjeç është sot Dr. Ademi?

-Bajroni shkruante:” vitet vjedhin zjarrin nga mendimi dhe forcën nga anësitë” Ai kish të drejtë vetëm në kuptimin që është e zakonshme që energjia të shterojë, memoria të dorëzohet dhe muskujt të dobësohen me kalimin e viteve. Por këto humbje kurrë nuk janë të paradestinuara. Masa muskulare pakësohet sepse ti nuk i përdore më muskujt dhe po qe se u zhduk forca e mendimit, kjo nga që ti rri e pret  pleqërinë.
Kur i zhvillon dhe i përdor aktivisht shqisat, ndjenjat shërbejnë si dyer dhe dritare për botën. Ato i japin jetës pasuri dhe koherencë. Sa më e pasur eksperienca sensore, më ngadalë bëhet moshimi. Jeta pa të qeshura nuk ia vlen të jetohet. Humori, optimizmi dhe puna sistematike e alternuar me pushimin, janë antidotët e plakjes.
Mosha ime është ajo që dihet, por qëllimi im në jetë ka qënë të vdes i ri, sa më vonë të jetë e mundur.

- Ju roj që t’i dhuroni lexuesit të moshës suaj sa më shumë Rini si e juaja!

Disa nga artikujt e botuar në shtypin e përditshëm dhe revistat në Shqipëri

- “Derdhet më shumë gjak në dhomat e gjumit se në autostrada”, botuar në revistën Femra Moderne;
-.“Seksualiteti dhe Media Publike”- gazeta “Shekulli”;
-“Ku po Shkojmë? “- gazeta “Albania”;
“Pse e helmuan Sokratin”-  “Albania”;
            -“Këngëtaria e vërtetë e Zotit” – “Albania” dhe revista “Dituria” botim i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve;
 “Pse vrasin veten të rinjtë”-  “Shekulli”;
            -“Adoleshentët janë fëmijët tanë”-  “Shekulli”;
            -“Më shumë respekt për Mjekët”- gazeta “Dita”;
            -“Gratë moderne-viktima të Lëvizjes Feministe”- gazeta“ Tirana Observer;
-“Kujt i besojnë njerëzit” - “Shekulli…”;
dhe shumë e shumë artikuj  të tjerë,  të cilët, po t’i rradhisnim si tituj , do të kishte rrezik të harronim fillimin e kësaj bisede mediatike dhe shpirtërore  sëbashku…
            "DOKTOR SEKSI" TRAZON SHPIRTERAT E SHQIPTAREVE- kështu do të titullohej shkrimi për Adem Harxhin në gazetën Albania, në vitin 2003, ku gazetaja do t’i intrigonte lexuesit shqiptarë… : ”… Një  emission televiziv i peërjavshëm me këshilla për seksin i drejtuar nga një doktor i vjetër, gozhdon shqiptarët para ekraneve të televizionit.
Ata të cilët kontrollojnë kanalet televizive në Shqipëri të enjteve në mbrëmje vonë shohin një gjysh me pamje miqësore, i cili flet pa doreza rreth seksit.  …Adem Harxhi, një doktor 65 vjecar, i cili jeton për disa vjet ne SHBA, drejton nje emision çdo jave ne stacionin televiziv, Gjeli Vizion. "Seksi dhe Seksualiteti", siç kuptohet lehtesisht nga titulli, i kushtohet diskutimeve rreth temes delikate te seksit ne nje klime konservative.
Adem Harxhi, si shumë mjekë humanë dhe me përgjegjësi ndaj  tragjidramave që vijnë nga ndryshime sistemesh (ashtu si ndryshimi i  temperaturave brenda një stine), herë pas here, do të shkruante artikuj dhe do të jepte mendime drejtpërdrejë nëpër TV-të shqiptare, se si mund të priteshin dhe të kaloheshin,  pa trauma psiqike, këto kalime shekujsh apo sistemesh; sesi probleme serioze që kishin lidhje serioze në marrëdhëniet dypalëshe: femër – mashkull, do të merrnin , sëpaku , një përgjigje tolelerante…   Para dhe pas kuitave të tij , qëndron  i Moralshmi dhe më i “Pacipi”-Doktor Adem Harxhi