Prof.dr. Eshref Ymeri
Në
Panairin e 17 të Librit që u hap në Tiranë më 12 nëntor dhe vazhdoi deri më 17
nëntor 2014, doli në qarkullim edhe një roman i ri i zonjës Mira Meksi, i katërti
në serinë e romaneve të saj, me titull “Mallkimi
i priftëreshave të Ilirisë”.
Para
se të ndalem në këtë roman të fundit të zonjës Meksi, dëshiroj të jap një
pasqyrë të krijimtarisë së saj, si përkthyese dhe si autore e shquar në kulturën
shqiptare, si edhe në vlerësimet që asaj i janë bërë brenda dhe jashtë vendit.
Ajo
ka lindur më 27 shtator 1960.
Biografi letrare:
Ёshtë romanciere,
tregimtare, eseiste, përkthyese letrare nga spanjishtja dhe frëngjishtja në
shqipe dhe anasjelltas.
Aktiviteti
letrar:
Në vitin 1995 ka themeluar
revistën letrare “Mehr Licht”, anëtare
e rrjetit evropian të revistave letrare Eurozine, të cilën e ka drejtuar gjer
në vitin 2012.
Përkthime letrare:
Ka përkthyer nga gjuha e huaj në
shqip autorë si: Dumas, M.
Yourcenar, M. Duras, Baudelaire, Lamartine, Rimbaud etj dhe Marquez, Borges, Neruda, Paz, Sabato,
Allende, Javier Marias, Vargas Llosa, Saramago, Fuentes, Cela, Lorca, Bernardo
Atxaga etj.
Ka përkthyer nga shqipja në
frëngjishte dhe në spanjishte:
“30 vjet Poezi 1958-1988” të I. Kadare (Fayard, 1989); Antologjia e Poezisë së sotme shqipe në
spanjishte (Coleccion Veruela 1992).
Vepra originale. Romane:
“Frosina e Janinës” (Onufri 2001,
2002, 2005,2012), “Porfida - Ballo në Versailles”
(Ideart 2006, Onufri 2011, 2012), “E kuqja e demave” (Ideart 2009, 2010, 2011
dhe Onufri 2011, 2012), “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë (Toena 2014).
“
Planeti i ngrirë” (Onufri 1995), “Fantazma me sy Njeriu” (romane për adoleshentë).
Novelë: “
Ballo në Versailles” ( Onufri 2003).
Përmbledhje
me tregime: “Mali i shpirtrave” (Dituria 1994), “Buzë të panjohura gruaje”
(Onufri 1997), “Profili i Fluturës” (në proces).
Publicistikë:
“Leximet e ndaluara dhe shkrimet e fshehura” (Ese, Onufri 2011, 2013).
Antologjia e
Poezisë së sotme Aragonase (Coleccion Veruela 1992).
Letërsi për fëmijë: Katër
përmbledhje me përralla (Naim
Frashëri dhe Dituria), një novelë
e ilustruar: “Magjistrica e 12 pasqyrave” ( Çabej 1996).
Çmime:1995:
Çmimi i tregimit të pabotuar të RFI, Paris 1996; Çmimi i Festivalit të Sain
Quentin, Francë 2008; Çmimi “Pena e Argjend” i Përkthimit Letrar i Ministrisë së
Kulturës së Shqipërisë 2009; Titulli i Nderit: “Personalitet Frankofon i Multilinguizmit 2009”, dhënë nga
Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë 2011; Titulli: “Comendadora” i Urdhërit
të Meritës Civile, Akorduar nga Mbreti i Spanjës Juan Carlos I 2011; Çmimi
letrar “Gjergj Fishta” për librin me ese, dhënë nga Ministria e Kulturës së
Shqipërisë 2011.
Botime në
gjuhë të huaja:
“Porfida”
(në frëngjishte, Editions Baudelaire 2009); “Frosina e Janinës” dhe “E kuqja e
demave” (në frëngjishte, Editions Persee 2013); “Frosina e Janinës” (në
maqedonishte, Skopie 2006).
Antologji:
“Le les travaux d’Ariane” (në frëngjishte,
Editions Sepia 1995); “13 Ecrivains d’Albanie” (Paris 1998); “Turia”(
Spanjë1991); “In our own words” (Marlow Peerse Weaver, USA 2002); “Amaltea” (Itali 2008): “The Third Share”
(Northwestern University Press 2006); “Tregime shqiptare” (në bullgarishte
1997).
Në figurën e
Mira Meksit, që në moshën e pararinisë (adoleshencës), ka pas rënë në sy
talenti për gjuhë të huaja, për letërsinë, fillimisht për përkthimin dhe mandej
për krijimtari të mirëfilltë. Që në gjimnaz, në moshën 16-vjeçare, ajo pati përkthyer
nga frëngjishtja veprën “Princi i vogël” (Le petit
prince) të shkrimtarit
dhe të poetit francez Ekzyperi (Antoine Marie Jean-Baptiste Roger de
Saint-Exupéry -
1900-1944). Gjatë viteve të studimit në degën e frëngjishtes të Fakultetit
të Historisë dhe të Filologjisë, ajo, me një pasion të veçantë, pati përkthyer
në frëngjishte poezi të profesorit të saj Vedat Kokona, të cilat ky i pati vlerësuar
lart për nivelin artistik. Paralelisht me frëngjishten, ajo pati studiuar edhe
spanjishten dhe italishten dhe pas përfundimit të universitetit, u punësua si përkthyese
e spanjishtes në Redaksinë e Botimeve në Gjuhë të Huaja të Shtëpisë Botuese “8
nëntori”. Më vonë ajo kaloi në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.
Vepra e saj e fundit, “Mallkimi
i priftëreshave të Ilirisë”, më ka lënë mbresa të thella, të cilat do t’i
rendis më poshtë.
Një portë
e hapur me guxim
Kjo vepër, e gjinisë së
romanit, është e para në letërsinë shqipe, me të cilën autorja ka hapur me
guxim një portë në botën e mistershme të lashtësisë ilire. Deri tani, askush
nga penat shqiptare, të të gjitha niveleve, nuk ka pas guxuar, të paktën, të trokasë në një portë të lashtë
ilire, e le më pastaj të ketë kuturisur ta hapë ndonjërën prej tyre. Nuk e
besoj se nuk kanë dashur, por ka qenë shumë e vështirë për të hulumtuar rreth
asaj bote ku janë endur pararendësit tanë, të mbështjellë me një hije misteri.
Kjo për faktin se nuk ka dokumente të shkruara. Por a mund të mbeteshin
dokumente të tilla, po të sjellim ndër mend për një çast
rrënimin e kulturës mijëravjeçare iliro-epirote nga ana e gjeneralit romak Paul
Emile, i cili, në vitin 168 p.e.r. rrafshoi 70 qytete, gjithçkaje i vuri
zjarrin dhe shiti si skllevër 150 mijë banorë vendës? Ky ishte rezultati i
përplasjes së parë të përgjakshme të Romës me Ilirinë që pati vazhduar pa
ndërprerje gjatë një periudhe 60-vjeçare (228-168 p.e.r.). Veç kësaj, të gjitha
arkivave të primatisë ilire dhe shumë dokumenteve me vlera të jashtëzakonshme që
gjendeshin në Manastirin e Shën Naumit, të ndërtuar që në shek. XII, u qe vënë
flaka me urdhër të patrikut grek në mesin e shek. XIX.
Është e pamundur të mos ketë pasur dokumente të shkruara, përderisa Gaius Plinius Secundus, i njohur si
Plini Plaku (23-79 e.r.), një
natyralist i famshëm romak ky, që botoi në vitin 77 serinë madhështore prej 37
vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar “Naturalis Historiae” (Historia
e Natyrës) , në vëllimin VII, shkruan: “Ilirët
(arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga
ilirët”.
Një tjetër
shkencëtar i njohur, profesori hungarez Imre Toth, specialist i sllavistikës, në
një libër të vetin që ua ka kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të
alfabetit të sllavishtes së vjetër, të botuar në Sofje, në gjuhën bullgare, në
vitin 1981, thekson se, gjatë punës për krijimin e atij alfabeti, ata u
mbështetën në shtatë burime. Mes këtyre burimeve, burimi i tretë (f. 60 e
librit në fjalë) ishte staro allbansko
pismo (shkrimi i vjetër shqip).
Fillimisht
duhet theksuar se temës së Ilirisë i është kushtuar romani i Skifter Këlliçit
me titull “Dashuri e gdhendur në shkemb”.
Por, në dallim nga përmbajtja e romanit të Mira Meksit, ngjarjet në romanin
e Skifter Këlliçit zhvillohen në periudhën e Ilirisë paskristiane. Si
zanafillë e idesë për krijimin e këtij romani, autorit i ka shërbyer një
emision në Radio Tirana, në rubrikën e kahershme “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, ku ai, në vitin 1966, pati transmetuar një radiodramë të vetën me
temë nga kryengritja e madhe ilire e viteve 6-9 kundër perandorisë romake. Por
kjo ide zanafillëse e tij erdhi e u bë më e përvijueshme pas leximit të novelës
së Bilal Xhaferrit me titull “Përtej kaltërsive”, të botuar në vitin 1967.
Siç e shpjegon edhe në parathënie dhe në një
intervistë që i pati dhënë gazetares Anisa Ymeri në televizionin News 24, Mira
Meksi ka harxhuar shumë mund dhe ka derdhur shumë djersë gjatë hulumtimeve të
gjata që ka bërë për të arritur deri te heroina kryesore e romanit të saj,
mbretëresha famëmadhe, Teuta e Ilirisë. Guximi, sedra dhe vendosmëria e një
krijueseje të talentuar, me fantazi të ndezur dhe me vetëdije të lartë kombëtare,
kanë shërbyer si ylli i karvanit që e ka orientuar Mira Meksin të arrijë deri në
të fshehtat e jetës së një mbretëreshe të stuhishme, e cila, megjithëse nuk
qendroi gjatë në fron, la pas një emër të madh që deri në ditët tona vazhdon të
lëshojë dritë verbuese në faqet e historisë sonë kombëtare.
Një kult
i bukurisë femërore
Në këtë roman ka gjetur pasqyrimin e vet
adhurimi befasues për bukurinë femërore. Mendoj se ky lloj adhurimi me ngjyrime
hyjnore, i është përcjellë lexuesit me një leksik të përzgjedhur me një sqimë të
hollë. Pikërisht një adhurim i tillë, për mendimin tim, përbën risi në letërsinë
shqipe. Kishim një gjysmë shekulli të periudhws komuniste që ishim mësuar ta
shikonim femrën shqiptare ndryshe: të veshur me uniformë ngjyrëjeshile nëpër stërvitje
ushtarake, me kominoshe nëpër reparte fabrikash, tek rendte nëpër stacione autobusash
për të arritur në orar te dyert e fabrikave dhe të uzinave, me shatë në dorë për
të prashitur misrin apo me drapër në brez për t’u nisur drejt të korrave nëpër fusha.
Prandaj lexuesi ishte çmësuar të shikonte në figurën e femrës një krijesë
delikate, përtej veshjes prozaike të së cilës fshiheshin hire të magjishme.
Bukuria është burim i pashtershëm frymëzimi.
Duke e pasur mbretëreshën Teuta objekt të frymëzimit të vet, Mira Meksi ka
arritur ta skalitë atë me daltën e një skulptori me talent të rrallë. Figura e
Teutës është vendtakimi i saj me të bukurën , e cila e emocionon, i ndez
gulshet e shpirtit, i hap flatrat e fantazisë. Ajo është parajsa që shpërhapet para
syve të saj. Prandaj, në përshkrimin e pamjes së saj, Mira Meksi ka shkrirë
mjeshtërisht fantazinë me mitologjinë. Fantazia në penën e saj është një aliazh
i magjishëm i mrekullisë, i misterit dhe i vërtetësisë, është prizëm, është
pasqyrë, është dritëfiltër që e ndihmon për të zbuluar në qenien e mbretëreshës
iliriane të pazakontën, të renë, të veçantën, në të cilën janë plazmuar tiparet
e bukurisë hyjnore.
Bukuria e femrës në shekuj ka shërbyer si
mjet që është përdorur për ta fisnikëruar atë. Interesimi i mashkullit për
bukurinë femërore, nuk ka pasur në themel ndonjë pasion primitiv. Kjo duhe të
jetë edhe arsyeja që ndjenja e së bukurës ka ndezur fantazinë e mashkullit për
format e trupit të seksit delikat.
Natyra nuk e ka munduar shumë veten kur e
solli femrën mbi tokë, sepse e ka ditur misionin që asaj i takonte të kryente për
vazhdimin e jetës. Prandaj formës së trupit të saj ajo i dha një përsosje
funksionale: për të qenë sa objekt adhurimi, aq edhe objekt frymëzimi, si dhe
misionare e jetëvazhdimësisë.
Me këtë roman, Mira Meksi ka nxjerrë në
spikamë një të vërtetë që vjen nga thellësitë
e shekujve për adhurimin e hireve të magjishme të femrës. Sepse që në lashtësi,
njerëzit kanë pas qenë të verbuar pas bukurisë femërore.
Letërsia dhe arti i periudhës së antikitetit
e kanë pas ngritur në kult bukurinë e femrës. Sias Athineit (shek. II-III e.r.),
historia e famshme e Frinës (390-330
p.e.r.), një femër kjo që u falte dashuri njerëzve të sferave të larta, [ish-pozuese
e skulptorit Praksitel (shek. IV p.e.r.) dhe e piktorit Apeles (370-306 p.e.r.)] dhe e mbrojtësit të saj, oratorit të famshëm atikas Hiperidi
(390-322 p.e.r.), e dëshmon më së miri entuziazmin e grekëve të lashtë
para bukurisë femërore. Frina
akuzohej se kishte kryer një krim të rëndë. Trupi gjykues ishte i mendimit se
bukuroshja kriminele duhej dënuar. Në këto e sipër, Hiperidi i zbërtheu
fustanin dhe, kur ia flaku tutje, para syve të gjykatësve shkëlqeu bukuria
verbuese e trupit të saj. Atëherë ndjenja e së bukurës i bëri gjykatësit të
hiqnin dorë nga mendimi për dënimin e mbartëses së atyre hireve të mahnitshme.
Tërheqja e gjyqtarëve ishte dëshmia më mbresëlënëse e adhurimit të bukurisë femërore.
Këtu vlen të përmendet edhe historia e heroit legjendar homerian
Menellau, i cili, kur pa gjoksin e zbuluar të Elenës, e hodhi pas krahëve
tradhtinë e saj me Parisin. Edhe trupi gjykues që mendonte ta dënonte Frinën,
edhe Menellau, nuk kishin faj. Bukuria e femrës i pati magjepsur.
Poeti i
shquar francez Pjer Ronsar (Pierre de
Ronsard 1524-1585) ka
thënë :
Para bukurisë femërore ne mbetemi fuqiprerë vërtetë. Ajo është më e
fuqishme se hyjnitë, se njerëzit, se zjarri dhe se çeliku vetë.
Ajo çka kërkon një mashkull nga bukuria e
femrës nuk është thjesht përmbushja e kënaqësisë seksuale. Duke e pasur të qartë
në nënvetëdijen e vet një gjë të tillë, femrat përherë janë munduar t’i japin
mashkullit siguri, t’ia qetësojnë tallazet e shpirtit, duke e shtrënguar në
gjoksin e vet. Ka qenë një kohë, kur femrat, në një zinxhir që u varej nga qafa
drejt gjoksit, mbanin një rrënjë valeriane, me qëllim që mashkulli i dashur të
gjente prehje dhe qetësi në gjoksin e tyre.
Rrënjët e adhurimit të bukurisë femërore
shkojnë thellë, e kanë zanafillën në të fshehtat e shekujve. “Venerat” e famshme të periudhës
neolitike, figurat e femrave, që meshkujt i kanë pas gdhendur në gurë, dallohen
për format e derdhura me nje fantazi të pabesueshme. Në vizatimet e veta nëpër
faqe shkëmbenjsh dhe shpella, njeriu i komunitetit primitiv e ka paraqitur femrën
me një adhurim të veçantë. Që nga ato kohë të lashta ky adhurim erdhi e përftoi
forma nga më të larmishmet, por gjithmonë pati ruajtur pamjen e kahershme të
nderimit të femrës, si objekt i kënaqësisë estetike dhe i jetëvazhdimësisë.
Përshkrimi që Mira Meksi i bën bukurisë së
mbretëreshës Teuta që gëzon mbrojtjen e Gjarprit shpëtimtar, të këtij hyu të
Ilirisë, lexuesit i sjell ndër mend një periudhë nga lashtësia e kryehershme,
para se të dilte në skenë qytetërimi i lashtë grek. Në pellgun e Detit Mesdhe
ka pas ekzistuar kultura kretomikene, qendra e së cilës ka pas qenë Kreta.
Kretanët patën arritur një nivel të lartë zhvillimi: patën ndërtuar pallate
madhështore dhe patën bërë shumë udhëtime. Por ajo kulturë u shua përfundimisht
gjatë një tërmeti të gjëmshëm, të shoqëruar edhe me shpërthimin e vullkanit
Santorin në periudhën mes viteve 1645-1600 p.e.r. Ka hamendësime se zhdukja e
atij qytetërimi pati nxjerrë në skenë legjendën për Atlantidën. Ajo kulturë, e
mistershme në shumë drejtime, ka lënë pas gjurmë të shumta materiale, nga të
cilat interesim të veçantë të ngjall një statujë femre me gjarpërinj në duar që
simbolizon shëndetin. Femra ka veshur një rrobë të gjatë që ia mbulon trupin
krejtësisht, me përjashtim të gjoksit.
Në periudhën e antikitetit grekoromak,
qytetet qenë mbushur me statuja hyjnish të zhveshura ose gjysmë të zhveshura. Më
e famshmja mes tyre, ajo që shërbeu si burim frymëzimi për breza pasardhës skulptorësh,
ishte statuja e perëndeshës së dashurisë, Afërditës.
Në epokën e Rilindjes, bukuria e femrës paraqitet me gjoksin të zbuluar. Njëri
nga artistët e parë që filloi ta pikturonte femrën të zhveshur, ishte piktori
gjenial gjerman Albreht Dyrer (Albrecht Dürer - 1471-1528). Piktura e tij “Adami dhe
Eva” vlerësohet si njëra nga veprat e tij më të
shquara. Eva - paranëna e racës njerëzore - paraqitet si një femër
e zakonshme, por me një bukuri marramendëse. Piktori nuk e ka fshehur gjoksin e
Evës, i cili nuk mund të vlerësohet as i tepruar dhe aq më pak vulgar. Përkundrazi,
ai është një gjoks normal. Me gjoksin e Evës piktori ka dashur të përcjellë një
hollësi të domosdoshme: bukurinë e femrës si objekt adhurimi.
Edhe në periudhën e klasicizmit, adhurimi për
bukurinë e femrës njohu lartësi të reja. Mes autorëve që përcollën një bukuri të
tillë, përmendet skulptori italian Antonio Kanova (Canova -
1757-1822). Është fjala për grupin skulpturor me titull “Amuri dhe
Psikeja”, në të cilin paraqitet një skenë e vogël intime mes bijës së
mbretit dhe perëndisë së dashurisë.
Tiparet e bukurisë hyjnore, me të cilat Mira
Meksi e ka plazmuar figurën e mbretëreshës Teuta, janë burim frymëzimi për mbarë
Ilirinë. Ilirët shikojnë te mbretëresha e tyre engjllin mbrojtës dhe për të janë
gati të kryejnë bëma heroike. Ajo i shoqëron ata në ëndrrat e tyre për të pasur
një Iliri të fuqishme, kryezonjë të hapësirave siujdhesore. Teutën, në fantazinë
tyre, ata e kanë ngritur në nivelin e hyjnisë.
Skenat nga jeta e mbretëreshës Teuta, që Mira
Meksi i përshkruan me një art të rrallë në morinë e ngjarjeve të zulmëta që shpërthejnë
kohë pas kohe në Iliri, e bëjnë lexuesin të shtegtojë drejt fillimit të shek.
XIX, kur zë fill periudha e romantizmit: njerëzit kanë humbur toruan, atyre u
duhet një shoqërues me tipare hyjnore që të dalë në krye dhe t’i ndihmojë të
çajnë përpara. Në përfytyrimin e tyre, rolin e këtij shoqëruesi duhet ta marrë
përsipër një perëndeshë-mbrojtëse, për të arritur një qëllim të shenjtëruar. Piktori
i shquar francez Delakrua (Ferdinand Victor
Eugène Delacroix 1798-1863) e kapi thelbin e ëndrrës që pati shqetësuar kombin
francez. Ai
krijoi pikturën e famshme me titull “Liria në barrikada”. Ajo ëndërr
erdhi e u mishërua në bukurinë e perëndeshës-mbrojtëse, një femër e re me
gjoksin të zbuluar. Ajo personifikon njëherazi bukurinë femërore, dashurinë,
mbrojtjen dhe përjetësinë.
Njeriu, duke qenë nga natyra
një biomekanizëm shumë i komplikuar, paraqet mjaft interes për penën, për
penelin dhe për daltën e krijuesit. Jo madhësia, por përsosmëria e përmasave
të të gjitha formave, provon epërsinë estetike të trupit të njeriut mbi
krijimet e tjera të natyrës. Në trupin e mbretëreshës Teuta, në gjithçka që ka
të bëjë me pamjen e saj të jashtme, Mira Meksi ka skalitur mjeshtërisht një
bukuri me përsosje absolute. Adhurimi që shpërfaq Mira Meksi për bukurinë
trupore të mbretëreshës Teuta, i krijon mundësinë lexuesit të emancipohet, të
ngrihet, të zhvillohet emocionalisht, me qëllim që të arrijë deri në lartësitë
e artit suprem në natyrë, pra, deri te dashuria.
Një himn
i thurur për dashurinë
Periudha
e krijimit të një vepre artistike lidhet në vetvete me ca procese të
mistershme, të pashpjegueshme në vetëdijen e njeriut. Sido që të jetë puna, një
gjë është absolutisht e sigurt që vetë procesi i krijimit të saj kalon nëpër dy
etapa konkrete që janë: strukturimi tërësor i veprës në trurin e autorit dhe
mandej hedhja e saj në letër.
Që
gjatë procesit të hulumtimit, për të arritur deri në misteret e lashtësisë
ilire, Mira Meksi duket sikur ka pasur një ngasje hyjnore: fantazinë e saj
krijuese ajo e ka stërpikur me lot dashurie. Prandaj edhe romani i saj ka në
qendër dashurinë. Ashtu si tema e adhurimit të bukurisë femërore, edhe tema e dashurisë,
gjatë së djeshmes komuniste, ishte e huaj për lexuesin shqiptar. Ky roman është
një himn që autorja i ka thurur dashurisë.
Teuta,
ende në moshën e pararinisë, bie në dashuri kur po shikonte një ëndërr. Në një
festë pranverore, mes ca vajzave që futat i kishin mbushur me mollë, me të
cilat qëllonin çunat për t’i ngacmuar, asaj i patën shkuar sytë te një djalë i
bëshëm me flokë të përshkënditur. Edhe ajo e qëlloi atë djalosh me mollën e
saj, të cilin ai e pati kapur me një kërcim sorkadhi dhe s’pati pritur gjatë për
ta kafshuar urishëm. Teuta, aty për aty, paskej rënë në dashuri me të. Ja, kjo është
magjia e dashurisë, e cila troket në zemër kur njeriu nuk e pandeh. Po si
shpjegohet magjia e saj?
Në këtë
roman Mira Meksi ka zbuluar filozofinë e vet për dashurinë, e cila “është dëshira
e çmendur për të luajtur me zjarrin dhe për t’u djegur e bërë hi, është pasioni
i marrë për t’u vithisur greminave, është tërbimi i gjakut për të hyrë në gojë
të ujkut dhe për të fjetur me gjarprin në gji, është nektari, më të cilin
ushqehen perënditë, por kur e pi njeriu, pi pathosin, dhe ai atëherë kthehet, për
vete dhe për qenien e dashur, në një gjysmë perëndi; pasojat janë shkatërruese:
mendja e tij dehet, gjykimi errësohet, njëlloj si nga vera, nuk ka dritë në të,
është zemra që mendon, e pas saj vrapon tërë qenia e tij… dhe kur dehja mbaron,
ka vetëm vuajtje, hidhërim dhe lëndim…”.
Sipas
përfytyrimeve të botës së lashtë dhe, konkretisht, sipas grekëve, dashuria është
si punë sëmundjeje që afron pak a shumë me një gjendje të theksuar “çmendurie”.
Duke folur për dashurinë, si për një “sëmundje”, grekët, në radhë të parë,
kishin parasysh faktin që ajo lind si rezultat i prishjes së drejtpeshimit shëndetësor
të trupit dhe të arsyes. Kjo sjell si pasojë që njeriu e humbet pushtetin mbi
organizmin e vet. Fjala “çmenduri” duhet
marrë në kuptimin që njeriu përjeton njëfarë errësimi të gjykimit.
Është
interesant fakti që dashuriologët, për shpjegimin e dashurisë kanë pas shtruar
hipotezën për ekzistencën e një substance te mashkulli dhe te femra apo të disa
lëndëve kimike që përpunon trupi dhe që ushtrojnë një ndikim toksik, çka sjell
si pasojë dobësimin e aftësive mendore.
Filozofi i shquar gjerman Hartman (Eduard von Hartmann 1842-1906), në veprën “Filozofia e së pavetëdijshmes” (Philosophic des Unbevtussten), të botuar në
Berlin në vitin 1869, ashtu si edhe Shopenhaueri (Arthur Schopenhauer - 1788-1860) para
tij, në veprën “Bota si vullnet dhe si përfytyrim” (Die Welt als Wille und
Vorstellung ) , botim i vitit 1859, ndan të njëjtën pikëpamje
dhe nxjerr një përfundim, në shikim të parë, logjik:
“Dashuria
sjell më shumë dhimbje sesa kënaqësi. Dashuria është thjeshtë një kotashpresë”.
Grekët
e lashtë mendonin se kishte një ilaç për të shpëtuar nga dashuria. Me këtë ilaç
ata nënkuptonin tërheqjen e vetëdijshme të vëmendjes nëpërmjet një pune me
tension, qoftë kjo punë e rëndë fizike ose punë mendore që kërkon përqendrim të
madh.
Si
shërimtarë të urtë të shpirtit, grekët e lashtësisë kishin dijeni jo vetëm për
ilaçin që të mbron nga dashuria, por edhe për rrugët, përmes së cilave ky helm
shpirtëror futet në trupin e njeriut dhe zë vend mirë aty.
Më
lart u theksua se Teuta ra në dashuri në ëndërr e sipër, sapo pa atë djaloshin
me një pamje shpirtdrithëruese. Sipas grekëve të lashtë, porta, nëpër të cilën
hyn “bacili i dashurisë” (bacillus eroticus), ishin sytë. Në veprën “Antigona”,
Sofokliu (495-406 p.e.r.) thotë:
“Janë
të papërballueshëm hiret e magjishme të syve të vashës së re, sespe brenda tyre
perëndesha Afërdita zhvillon lojërat e veta që nuk e njohin disfatën”.
Në
veprën “Ipoliti” të Euripidit (480-406), thuhet :
“Erosi
rrezaton pasion nga sytë, duke zgjuar një kënaqësi ëmbëlore tek ata që ka dëshirë
t’i robërojë”.
Eskili (525-456 p.e.r.) flet për “shigjetën
ëmbëlore të dashurisë që lëshon dritë nga sytë” dhe për “shigjetën magjike të syve vashërore”.
Dashuria e Teutës lind në çastet
e një hutie vashërore. Mandej ajo vjen e ia pushton çdo qelizë të trupit me një
nguti të papërfytyruar. Fjalët më të ëmbla të të dy të dashuruarve pëshpëriten
në vetminë e tyre të mbuluar nga tisi i magjisë. Përqafimet dhe puthjet e tyre të
para , në penën e Mira Meksit vijnë e
shndërrohen në një oqean të stuhishëm pasioni gjëmimtar që ata e përballojnë
në një heshtje hyjnore. Autorja e përshkruan pasionin e të dashuruarve me tone
të ndezura, me një ndërkëmbim ngjyrash ëmbëlake, të shoqëruar me vellon e një
drite poetike.
Në
figurën e Teutës Mira Meksi ka mishëruar një dashuri përvëluese, të pastër dhe
plotë hijeshi fisnikërore. Të krijohet përshtypja sikur Teutën ajo e ka thurur
prej rrezesh diellore. Lexuesit i lë mbresa fakti që, në përshkrimin e çasteve
të magjishme të ndjenjave që kanë pushtuar të dy herojtë kryesorë të romanit të
saj, me shijen e një krijuese të talentuar, Mira Meksi respekton ma art kodin e
dashurisë. Ajo nuk i lejon vetes ta kalojë pragun erosian kur është duke
soditur skenat e dashurisë së dy herojve të saj. Ky qëndrim ka në themel
filozofinë e saj për dashurinë, e cila për të është një art hyjnor. Ky këndvështrim
i Mira Meksit për dashurinë, më kujton njërin nga shkrimtarët më të shquar
francezë të shek. XX, Paskal Lene (Pascal Lainé -
1942), i njohur në mbarë botën për romanet e tij me temë dashurore. Ai thotë:
“Erotika
është diçka e dykuptimshme dhe ajo pa diskutim që ushqehet nga një frenim i
jashtëm. Pasioni i ndërsjellë është aq i fuqishëm dhe madje aq i çiltër, sa më
e ashpër të jetë censura. Ky është një tension, një tension ëmbëlosh, i cili
vjen e shtohet ca nga ca, pa arritur deri në shkarkim, madje pa pasur si synim
ta gjejë shkarkimin”.
Teuta bie në dashuri me dikë që i
përket një tjetër etnie, përfaqësuesit e së cilës, sipas fjalëve të saj, pabesinë dhe të tradhtinë e kanë
në kodin e vet gjenetik.
Është
e shpjegueshme. Dashuria i flak tutje gjerdhet që i dalin përpara. Stendali
thotë:
“Dashuria
është si puna e etheve, ajo lind dhe shuhet pa as pjesëmarrjen më të vogël të
vullnetit”.
Dhe Teuta mbretëreshë dashuron me
pastërtinë e shpirtit, ma natyrën ëndërrimtare, me fantazinë flatëruese. Por në
penën e shkrimtarit dashuria pothuajse gjithmonë shkon drejt një fundi të
dhimbshëm dhe shumë shpesh tragjik. Historiani italian i artit, Alessandro
Mirandotti (1909-1979), thotë:
“Dashuria
është dhuratë hyjnore, por edhe ndëshkim hyjnor”.
Teutën mbretëreshë, të cilën Mira
Meksi e ka ngritur në lartësitë e gjysmëhyjnisë, në çastin e vdekjes vjen dhe e
merr Gjarpri mbrojtës, hyu i Ilirisë, të cilën e mbart drejt thellinave ujore të
detit hijerëndë.
Ky roman i llojit të veçantë në
letërsinë shqipe, ta arratis mendjen, të degdis drejt hapësirave të pamata të
krijimtarisë letrare të mjaft autorëve të talentuar të letërsisë botërore dhe të
kujton disa nga veprat e tyre të shquara. Mes këtyre veprave, pranë të cilave
romani i Mira Meksit mund të radhitet me autoritet artistik, mund të përmenden:
“Engjlli i dritares së majtë” (Der Engel vom westlichen Fenster), botim i vitit 1927, me autor shkrimtarin
ekspresionist, dramaturgun dhe përkthyesin austriak Gustav Majrink (Gustav Meyrink - 1868-1932). Në këtë vepër ai ka krijuar një univers, një botë
kjo kaotike magjepsëse kotashpresash dhe ëndrrash fantastike. Ky është një
roman për vdekjen e njeriut dhe për pavdekësinë e shpirtit njerëzor.
“Kentauri” (The Centaur), botim
i vitit 1963. Autor i këtij romani është shkrimtari i mirënjohur amerikan Xhon
Apdajk (John Hoyer Updike -
1932-2009), të cilin jo rrallë e quajnë si më të talentuarin e brezit të
vet. Ky roman është vlerësuar si vepra më e mirë dhe më e njohur e tij. Në të
janë pleksur në një të vetme realiteti dhe mitet e lashta greke.
“Ditë dhe netë” (Des jours et des nuits), botim i vitit 2001, me autor shkrimtarin francez Zhilber Sinue (Gilbert Sinoué - 1947). Në
këtë vepër autori bën fjalë për Kretën e kulturës minosiane. Në atë ishull
dikur qe krijuar legjenda për Minotaurin. Aty, një herë e një kohë, një burrë
dhe një grua patën rënë në dashuri me njëri-tjetrin dhe patën vdekur.
Izabel (Ysabel), botim i vitit 2007, me autor shkrimtarin kanadez Gaj Gavriel (Guy Gavriel Kay - 1954). Në këtë vepër përshkruhet një natë e tmerrshme, ku e tanishmja ndërthuret
me kujtesën dhe me fantazinë, kurse fantazmat kthehen në njerëz dhe marrin në
dorë pushtetin. Këto gjëra i besonin keltët e lashtë që dikur patën populluar
Provansën.
“Libri i Evës” [The Book
of Eve (Evas bok)], i botuar në vitin 1980, me autore
shkrimtaren suedeze Marian Fredrikson (Marianne
Fredriksson 1927-2007). Kjo vepër është
e para nga trilogjia “Fëmijët e parajsës”
[Children of Paradise
(Paradisets
barn)], botim i vitit1985. Ngjarjet shpalosen në një botë, ku
arkaikja ndërthuret me magjiken, mitologjikja me logjiken.
“Tereza Batista është lodhur nga lufta” (Teresa Batista, cansada de Guerra), botim
i vitit 1972, me autor shkrimtarin e shquar
brazilian Zhorzh Amadu (Jorge Leal Amado de Fariа - 1912-2001). Ngjarjet që shtjellohen në këtë roman përftojnë
herë tipare folklorike, herë tipare mitologjike.
Një
vepër
me
“prodhimtari” të lartë gjuhësore
Rezultati i punës së
çdo shkrimtari del domosdo në pah në përbërjen e mjeteve leksikore që ai përdor
në procesin e krijimit të veprës artistike. Përbërja e këtyre mjeteve
kushtëzohet jo vetëm nga pasuria e gjuhës së tij amtare, por edhe nga pasuria e
fondit leksikor që ai zotëron. Nga fakti se sa shprehëse dhe elastike është
gjuha e shkrimtarit, varet suksesi i veprës së tij.
Ky roman më ka lënë mbresa të
fuqishme për pasurinë e bollshme leksikore. Gjuha shqipe dallohet për pasurinë
e jashtëzakonshme të fondit leksikor. Por detyra e njerëzve të penës është që
t’i kërkojnë me ngulm pasuritë e leksikut që fshihen nëpër “xeherorët” e saj.
Gjuha shqipe është në zhvillim të përhershëm, kurse njerëzit e penës,
veçanërisht shkrimtarët dhe poetët janë ata që mbledhin frytet e saj.
Shkrimtari, - thotë Marsel Prusti (Valentin
Louis Georges Eugène Marcel Proust - 1871-1922), - shpik në
gjuhë, si të thuash, një gjuhë të re, ai zbulon në të dukuri gramatikore ose
sintaksore. Prandaj shkrimtarët e talentuar e pasurojnë gjuhën, i japin asaj
njëfarë drejtimi, lënë në të vulën e pashlyeshme të gjenisë së vet.
Me këtë vepër Mira Meksi jo vetëm e ka pasuruar,
por edhe e ka zbukuruar gjuhën shqipe, si
objekt arti. Në këtë mënyrë, ajo e ka bërë atë edhe më elastike, edhe më
elegante për të përcjellë të gjitha nuancat e mendimit. Ajo e ka zgjeruar
leksikun e gjuhës shqipe, duke shfrytëzuar të gjitha shtresat e tij. Shumë
fjalë që prehen diku në thesaret e fshehta të gjuhës, ajo i ka çliruar nga
prangat e harresës, i ka nxjerrë në dritë, u ka dhënë jetë. Dhe ato tingëllojnë
plotësisht të kuptueshme në kontekstin e përdorimit. Fjalë të përdorimit
arkaik, të cilat Mira Meksi i ka vendosur në një raport të caktuar me fjalë të
fondit aktiv, i japin frazës një ngjyrim të theksuar figurativ. Është kulmi i
guximit artistik, kur shkrimtari ia rrëmben lashtësisë fjalët e kahmotshme dhe
atyre u hap vend në gjuhën e ditëve tona.
Leksikografi që punon me pasion, do të gjejë në
këtë roman një mori fjalësh të zhvarrosura me merakun e një “arkeologu
gjuhësor”, do të gjejë një “det” të vërtetë fjalësh të reja, të krijuara me
brumin e shqipes sonë hyjnore, do të gjejë kompozita fantastike që të mahnisin
me guximin krijues të një shkrimtareje të kuturisur, siç është Mira Meksi.
Krahas pasurisë leksikore, në veprën e shkrimtarit
merr një rëndësi të dorës së parë organizimi sintaksor, si dëshmi e artit të
fjalës, ndërtimi i intonacionit të frazës që mbart në vetvete funksione
shprehëse, strukturimi i saj në atë mënyrë që të përmblidhet brenda caqeve të
mendimit artistik.
Gjatë leximit të kujdesshëm të tekstit të këtij
romani, kuptohet lehtë që Mira Meksi qëndismën artistike të frazës e ka hedhur
në letër me shumë kujdes. Në faqen 89 të romanit, në rreshtin e dytë, fillon
një frazë e gjatë që vazhdon në 66 rreshta dhe që mbaron në fund të rreshtit 9
të faqes 91. Tërë kjo frazë e gjatë dallohet për natyrshmërinë e strukturës
sintaksore. Ajo krijon një mikrosistem gjuhësor, në të cilin fjalët,
togfjalëshat, fjalitë, si njësi të gjuhës, e ndiejnë veten si në “vatrën
amtare”.
Përmbyllja e romanit me vdekjen e mbretëreshës
Teuta, lexuesit ia mbush zemrën me trishtim. Lexuesi pikëllohet, sikur të ketë
përjetuar një tronditje të rëndë pas një dashurie të prerë në mes, tronditje që
shoqërohet me një parandjenjë të ankthshme për fatin e ardhshëm të Ilirisë.
Përmbajtja e këtij romani do të mbetet e skalitur
në kujtesën e lexuesit për faktin që shkrimtarja e shquar Mira Meksi i ka
përcjellë atij modelin e adhurimit të bukurisë femërore dhe i ka thurur një
himn dashurisë, kësaj stuhie çmendurake të shpirtit njerëzor. Në penën e dy
shkrimtareve të shquara të kombit shqiptar, Vilhelme Haxhiraj (Vranari) dhe
Mira Meksi, lexuesi vëren se ç’është adhurimi për bukurinë femërore dhe ç’është
himni për dashurinë.
Santa Barbara, Kaliforni
26 Janar 2015
-------------------------
Reagime
Date: 2015-01-27 10:54 GMT-08:00
Subject: Re: Një këshillë dashamirës për korrektoren
To: Eshref Ymeri ymerieshref@gmail.com
Subject: Re: Një këshillë dashamirës për korrektoren
To: Eshref Ymeri ymerieshref@gmail.com
Eshref i dashur,
Ti, me shume modesti, e ke quajtur
“impresione” analizen e thelle brilante dhe shume erudite qe i ke bere romanit
tim. E lexova me kenaqesine e madhe qe te jep nje analize e mirefillte letrare
dhe gjuhesore, niveli i se ciles, per nga menyra e trajtimit, prerjet e holla
per te nxjerr ne pah jo vetem thelbin, rrenjet, por edhe parfumin e lehte e te
shumendryshueshem te mishit te shkrimesise, leksiku i perdorur dhe prurjet
erudite, mund te barabitet me kritiken me te vyer letrare boterore dhe qe, per
fat te keq, nuk mbin asfare ne kete token tone arberore. Jam e nderuar qe me
darovite me kete dhurate. Tere falenderimet e mia shkojne per ty, por edhe per
Havane qe ishte e para qe e lexoi Teuten nga ju te dy dhe qe pati miresine te
me uronte me shpirt. Sa shume me pelqeu analiza e vertete qe i ke bere gjuhes
se perdorur ne roman. Me ka munduar shume, Eshref, perdorimi i nje shqipeje
pothuaj te pastruar krejt nga turqizmat qe aq shume i japin shije shqipes sone,
por qe jane te perjashtuara nga koha e romanit. Nga ajo çka ke shkruar, mora sigurine se gjuha qe kam perdorur
ia ka dale te jape klimen kohore te romanit. Nje Zot e di si eshte shkruar ky
roman. Nuk bej poza shkrimtaresh, me beso, por e verteta eshte se realisht nuk
di se si u be i mundur. Do të qe nje mrekulli te realizohej nje film
hollivudian per Teuten e harruar, se figura shumë me pak heroike se ajo e kane
pasur nje fat te tille. Por eshte shumë e veshtire qe romani te perkthehet ne
anglishte. Ne, per fat te keq, nuk kemi ndonje perkthyes te permendur ne kete
gjuhe. Ne frengjishte po, besoj qe 6-mujorin e pare te ketij viti do të
arrihet.
Nuk me mjaftojne fjalet te të falenderoj, miku im. Perqafime per
ty dhe për Havanë.
Mira
Tiranë, 27 janar 2015