e enjte, prill 09, 2009

Dule Corrushi

Përparim Hysi
Tregim

E kam njohur Dule Corrushin aty nga mesvitet '60-të të shekullit që kaloi. Qeshë mësues në atë fshat të Mallakastrës dhe atje dhe e njoha. Qe një burrë pakësa i gjatë,me shapkë me strehë (po jo allakomandant apo Leninkë,de!), që nuk e pashë ta kish hequr ndonjëherë nga koka. Më ka rënë floku dhe dukem si balash,-më shpjegoi kur e pyeta që pse nuke hiqte.Shkollë pak kishte (dhe ato me të "vjedhur", kurthonë), por kishte një zgjuarësi natyrale dhe, kur fliste, kishe qejf ta dëgjoje. Se nuk çapriste kot. Mendohej dhe, mandej, fliste. Por sado që fliste para se të mendohej, po nga goja e gjeti belaja. Se gjuha kocka s'ka dhe kocka thyen. Dhe Dulja (epo ta gjeçë nga nuk e pandeh?!), paska thënë atje në vreshtë të kooperativës kur po krasiste hardhitë me shokët, paska thënë që atë jetën e Titos të bëja, po le t'më hajë goja një mut, në kërkoj gjë tjetër!!! Epo mirë, o mirë, kaq paska thënë Dulja, po kjo thënia e Dules na vajka e ngrohtë në vesh të partisë dhe ia mbrrijnë ata të sigurimit. Dulja as që dinte gjëkafshë. Kish ardhur i lodhur nga puna dhe,tek pinte kafene shqeto (shqeto,- më thoshte në intimitet Dulja se helmi del me helm!!!). Unë qeshja me këtë paravoli të tij se e dija se ku dilte. I zgjuar siç qe,më thoshte: -Dëgjo, këtu, këtë "bishtin" për kafenë shqeto e them me ty, se nuk e ha Dulja atë kokërr ulliri. Eh, filxhanin përpara dhe nuk di pse i qe tekur, për të lexuar. Se, sado vjedhur shkollën, por lexonte mirë. Dhe shkrimin e kish birinxhi. Them birinxhi se e krahasoja me dhjetra nxënës të mi që ta shpallnin me shkrimin e tyre të keq. Dhe me shkollë të mesme, bile. Nxorri nga një sepete e vogël, nën divan një libërth të vogël e të vjetër, që edhe alfabetin e kish pothuaj të vjetër (të para 1908!). E kish peshqesh nga Baba Selimi i teqesë së Turanit. Qe bektashi Dulja dhe, ndonëse teqetë qenë mbyllur, ruante në sepete si nj relike këtë libërth të vogël. Qe një fragment nga "Qerbelaja" e Naim Frashërit. Një pjesë të saj Dulja (dhe jo vetëm ai), e dinte përmëndësh se e këndonin si në kor atje, në teqe. Ma kish mësuar dhe mua dhe më thoshte: -Kot je mësues, kur nuk di "Qerbelanë?!". Dhe, ndërsa gjerbte me nge kafenë shqeto, dëgjon që i flasin: -Në emër të popullit je i arrestuar. Një automatik iu mbështet mbi shpinë, kurse tjetri dha ballë tek dritarja. U ngrit dhe filxhani ra nga dora. Dy duar të fuqishme ia përdrodhën duarët dhe, tek i vunë prangat, i komunikuan: -Akoma nuk ke hequr dorë nga puna anti parti. Nuk të pëlqeka jeta e bukur që bën nën "udhëheqjen e ndritur të partisë dhe sh. Enver", po i paske zili Titos. Pale,- foli ai që e arrestoi, po na qenke dhe politikan i madh: na lexoke libra. Pa të shohim se ç'yrnek na lexon? Kur shtiri sytë dhe pa titullin "Qerbelaja", i dha një dackë të sapo arrestuarit dhe shfryu: -Partia mezi e mbylli këto"hale" (ekish fjalën për objektet ekultit), dhe ti avazin. -Është i Naim Frashërit, Poetit tonë Kombëtar,- u mbrojt Dulja. -More,iu grëmush hetuesi (se hetuesi qe!), ti më tregon mua për Naim Frashërin. Pse nuk lexon "Bagëtia e Bujqësia" po këtë që dhe vet Naimi, po të qe gjallë,në saj të mësimeve të sh.Enver, do ta digjte këtë paçavure. -Jo,- kundërshtoi Dulja, -është mjaltë ajo. Sikur ta lexoje! Një grusht tjetër dhe hipën mbi një kamionçinë. Në shtëpi dhe, më tej, në fshat, thuaj se kish rënë mandata. Se nuk kish bërë vaki të arrestohej njeri deri atëhere atje. I pari qe Dulja. Kur e hipën në kamionçinën e vogël, panë se vëndi qe i ngushtë në karroceri.-Do na falësh Dule- aga, -i tha me shpoti hetuesi se je pak ngusht "zotrote", por sa të mbrrijmë në Fier,po do të japim "zgjerim"!!!
Kur mbrritën në Fier, e morën drejt e në pyetje. Hetuesi këtu dhe iu prezantua: -Dule Caushi, unë jam hetuesi Arjon Cahani, të bëj thirrje që të rrëfehesh para drejtësisë popullore dhe të tregosh tërë veprimatrinë tënde armiqësore. Dulja, pasi i hodhi një sy vëzhgues hetuesit, pa që përpara tij kish një mesoburrë, të shëndosh (si demi i patredhur, - tha me vete Dulja), me ca faqe të kuqe që po t'i bije njërës, sakaq dhe duhet t'i bije tjetrës që mos pëllciste. -Nuk kam se çfarë them,- filloi të mbrohej Dulja. -Nuk ke se çfarë thuaj,- përsëriti shpotitshëm hetuesi,por ja të ndihmoj unë si fillim dhe vazhdoje,pastaj. Ore,- ndërhyri si me marifet,- mos di gjë ti se si ka jetuar Titoja?! Dhe, ndërsa bëri këtë "ndërhyrje", ndiqte se ç'ndodhte me të arrestuarin. Dulja e kuptoi dhe mundohej, në këtë çast që, para se t'i përgjgjej "dushmanit" të gjente se cili nga ata, bashkëfshatarët, e kish paditur. E ku ta di unë se si jeton Ttitoja? Unë në fund të Mallakastrës dhe ai andej në Jugosllavi. -More,- brrofi kët radhë "dushmani",- çfarë kujton ti se të kemi thirrur për burrë të mirë këtu? Je armik dhe do tregosh fije e për pe për veprimtarinë tënde armiqësore. Është mirë që të "zbërthehesh" vet që mos fillojmë mirë avazin ... -Jo. Jo. Nuk kam se çfarë them?- Nuk ke se ç'thuaj, ë? Dhe ia dha me një pëllëmbë, aq sa i hante krahu. Pastaj një të dytë, të tretë..., ia përplasi kokën për mur dhe, kur pa që i ra të fikët, thirri një polic (kyqe i gatshëm aty,në këmbë), dhe, ky, polici, i hodhi një kovë me ujë të ftohtë për ta sjellë në vete. Pasi e torturuan për dy javë, e nxorrën në gjyq. Sado që u mundua të mbrohej, veç agjitacionit dhe propagandës, i shtuan edhe dy vjet për praktikim të riteve fetare. Gjithësej Dulja u dënua me dhjetë vjet. I bëri kokërr për kokërr në kampe andej nga Veriu: në Spaç dhe në Reps.

* * *

Unë as që i dija këto që i kishin ndodhur mikut tim.Se ikur unë qysh nga '64-tra andej, as që e kisha parë mikun tim. Por kot nuk thonë që mali me mal nuk takohet. Ish përmbysur "qeveria e ndritur e Enver Hoxhës" dhe, tek shkoja për në zyrë, ballë për ballë me Dulen. Dule Caushi,- thashë,- prapë atë shapkë ke. Apo je bërë më "balash" tani se erdhi demokracia. U përqafuam dhe u futëm në kafenë ngjitur me zyrën ku punoja. Aty, gjatë kafesë (prapë e pinte shqeto!) dhe m'i tegoi të gjitha këto. Qeshë mbushur me keqardhje dhe tek po ia shafaqja këtë në intimitet, pashë që hynë dy veta (të njohur prej meje,sigurisht!), por miku im se nga shikonte jashtë. Duket dikë priste dhe nuk i vuri re ata që sapo hynë në klub.Të njohurit e mi qenë ulur nja tri tavolina më tej dhe, ndërkaq, miku im, Dulja, hoqi vështrimin nga jashtë dhe pa andaej ku qenë ulur ata.Ua nguli vështrimin dhe m'u kthye mua: -More i njeh ti ata dy që janë ulur atje? Po,- i thashë,- janë Arjon Cahani dhe Kiço Skreta.-Medemek, Arjon Cahani...., -përsëriti Dulja, dhe bëri drejt tyre. -Mund të ulem dy minuta!- ju tha. -Posi!- foli Kiçoja. -Dëgjo, Arjon Cahani,- ngriti zërin Dulja,- jam Dule Caushi, jam ai "miku" I Titos (se ndoshta nuk më kujton), që më dënove, mirë bëre se ishin të tjerët ata që të urdhëruan, se ti nuk më njihje fare, po pse më rrave, kur ligji juaj (ai "popullori alla enver"), nuk e njeh rrahjen; pse më the bajgë, kur ligji juaj nuk e njeh fyerjen. Arjon Cahani u bë limon i verdhë dhe, ashtu nëpër gojë, foli: -Të tillë ishin ligjet atëherë! -Mos u trëmb,- foli Dulja,- se unë nuk e kam në sua dhe në moralin tim që të të fyej apo të të godasë, por të ndjektë prapa mallkimi i të tërë atyre që ke marrë në qafë! -Ja, këtë do të thosha,- tha Dulja dhe, si të kish hequr një gërç që kish kohë që e mundonte, erdhi dhe u ul tek unë. Njerëzit sikur ngrinë nga kjo atmosferë e nderë dhe pashë që Arajan Cahani dhe Kiço Sterka dolën si dy mehitë të pakallur në varr. -Të lumtë!- bërtitën për rreth. Kjo "kastë e flliqur" ende demonstron forcë dhe asnjë prej tyre,të paktën,nuk kërkoi ndjesë. Ta bënin,- tha dikush,- sa për sy e faqe. Se brenda janë zeher ata. Secili ka nga një Enver në barkut. -Do çohemi,- propozoi Dulja se tani sikur jam pak më i çliruar. Ah,sikur ta dishë,se çfarë kam hequr! Dhe varri është pak...
U zura ngusht dhe nuk gjeja dot fjalë ngushëllimi për të. E takova, me intervale, edhe nja dy herë të tjera dhe unë, aty nga viti 2000, ika nga Shqipëria dhe erdha në Amerikë. E kujtoja në ato hamendësitë e mia Dulen që, siç më thanë, kish lënë fshatin atje, në Mallakastër, dhe ishte vendosur në Fier. Një nga djemtë ishte i shkëlqyer në Universitet. M'u bë qejfi shumë. Epo, pas vuajtjeve, të dali dhe ai në dritë,- thashë për Dulen.

* * *

Ngadalë-ngadalë po bëj 9-vjet këtu. Me trup këtu, po me mëndje në Shqipëri. Vijnë shokët dhe më marrin , e frymën në kafe. Kur ç'dëgjoj? Dy pleq (pak më të mëdhenj se unë; po vete drejt 70-tave unë!), flsnin shqip. Atë përballë nuk e njihja, po ky, të cilit i shihja vetëm kurrizin, thoshte: -Nuk më zë gjumi më. Më është prishur që në Shqipëri; ma prishën që atëherë kur më quajtën mik të Titos?!!!- Ou,bërtita unë: -Ore, Dule Caushi, po dhe këtu me Titon ti!!! Tjetri, sa dëgjoi, u kthye nga unë dhe sikur të kish parë një evlat të dashur, m'u hodh në qafë. U puthëm ashtu allashqiptarçe (kur të na kenë marrë për gay?!), dhe ua prenzatoi shokëve. Bëmë pakëz muhabet dhe i them: -Po hair, ishalla! Nga u hapën këto rrugë? Mos ke ardhur për hetuesin tënd se e di që ka zënë Kanadanë. Jo. Jo,- më tha,- kam ardhur tek djali. Ai është me familje në Boston. Por këtë (dhe na i prezantoi) e kam krushkun e djalit (është nga Cfiri, më sqaroi mua), dhe erdha për vizitë. Shumë mirë,- ithashë,- nesër të pres në shtëpi. -Jo. Nuk vij dot se kam prerë biletë dhe nesër do kthehem tek djali. Sa për hetuesin, e kam marrë vesh që është në Kanada dhe veç azilit politik, na është bërë dhe avokat. Epo kaluar atëherë, kaluar dhe tani. Bile, siç më shkruan një mik andej, seç nxjerrka dhe një gazetë. Është hapur si kungulli dhe ka marë gardhin. Epo ç'them dhe unë? Sikur në Shqipëir s'u bënë avokat? Edhe gjyqtarë? Ku ishe? Asgjëkundi. Po mirë bëjnë tek e fundit kur gjejnë syleshë?!...
Shënim:emrat për etikë janë të mistifikuar. Ngjarjet krejt të vërteta.
Përparim Hysi,9 prill 2009

Nuk ka komente: