e shtunë, mars 21, 2009

Si katër stinët e vitit, Raimonda Moisiu promovoi katër vepra këtë pranverë.


Nga Kozeta Zavalani


Po ulem të shkruaj këtë të shtunë, sepse e shtunë ka qenë edhe dita e promovimit te katër librave të poeteshës korcare që tashme jeton në Hartford , CT , USA , Raimonda Moisiut. Ajo ditë e kishte sjellë më shpejt pranverën midis nesh. Salla e madhe e bibliotekës “Thimi Mitko” të Korcës ishte mbushur si asnjëherë tjetër me shkrimtarë e artistë, dashamirës të letërsisë, historianë, studiues e kritikë, familjarë e miq të poetes-shkrimtare. Nderonte me pjesëmarrjen e saj aktive prefektja e Korcës Prof.Dr.Elfrida Zefi, Ylber Merdani, kryetar i Klubit të shkrimtareve korcare"Bota e Re”, personalitete të politikes, fese si Myftiu i Korcës,përfaqësuesi i Metropolitit, mësueset e arësimit të hershëm të poetes, dhe jetes social kulturore të Korcës, si dhe gazetarë nga mediat publike e private, shkrimtarë e artistë, arsimtarë, kolegë të autores, intelektualë e gazetarë nga Tirana, Pogradeci e Korça, drejtuesit e ARZH-së, Zotërinjtë; Vladimir Cepa dhe Aurel Grabocka, si dhe grupi karakteristik e historik i serenatistëve korçarë "Lira". Një veprimtari madhështore e mirëorganizuar nga komisioni i përbërë prej Prof.Dr.Sotir Temo(psikolog), Nonda Kajno (kompozitor), Ylber Merdani (poet), Kozeta Zavalani (publiciste), Jonela Spaho (pedagoge) dhe Erget Cenolli (publicist), Vepror Hasani (Publicist).

Të gjithë urojmë Mondën për ngjarjen e gëzuar të promovimit të katër librave të reja: "Pafajsia e Eves"(roman), "Gërhitja" e gjeneraleve. ..(Publicistikë), "Duke kërkuar Ardianën.(Tregime dhe Esse) dhe "Sikur s'më ke puthur kurrë......" (Poezi-Lirika dashurie ).

Veprimtarinë e çeli Prof.Dr.Sotir Temo i cili në fjalën e tij theksoi:”Ndoshta fjalët e një poezie ngjajnë me tingujt e një kitare të largët, së cilës sa më shumë t'i afrohesh, ajo largohet. Poezia, kjo magjistare që të josh me gjithcka, që nga sytë, buzët e vecanta dhe hiret vajzërore,- ja këtë mision ka -të të magjepsë me dashuri. Korçarja me banim në SHBA Raimonda Moisiu, që jeton mes gratacielave dhe ëndërron kalldrëmet e "Lagjes së Mirahorit të Madh", të cilët ia kanë dëgjuar klithmën e parë të jetës, e ka një plan. Me vëllimin “Sikur s’më ke puthur kurrë”, të dytin pas, "Dashuria nuk ka emër", ajo do të kapë plot mirësi e elegancë nga dora dhe ti, si i joshur nga hiret e një dege me manjola të celura, do të shkosh thuajse verbërisht pas saj; në kopështin e saj poetik, që e ka krijuar një shpirt i rrethuar si nga një aureolë, plot tinguj të serenatave korcare. Secila poezi e Raimondës, ka të veshur një fustan të ndryshëm nga tjetra;fustanet e vecanta të endura nga secila natë pa gjumë.Poetesha hyn ndër kujtimet e veta, si mbetet e vetme, kur kanë fjetur të gjithë, atë e kundron që nga dritarja vetëm hëna, që vështron ato caste edhe atdheun e saj. Kujtimet e saj janë të ndryra me shtatë celësa, rrijnë atje të freskët e të paprekur, por asaj i hapen, si të ishte një perëndeshë. Dhe ajo ua dhuron të gjithëve, si duke hapur një valixhe me xhevahire. Poezitë e Raimondës, janë plot ëmbëlsi dhe mëncuri: ato të elektrizojnë, të emocionojnë. Ato dallohen nga një mjeshtëri poetike e mendimi filozofik në momentin e ndarjes e takimit me natyrën, njerëzit e gjithcka që e rrethon.Ato kapin anë të natyrshme nga jeta, e shqetësimet e saj. Ato përmbajnë ëndërra, dëshira me rreze hënore e të mistershme si di vetë dashuria. Poetesha në mënyrë modeste, me këto vargje, jep kontributet e saja të vecanta në ndeshjen vigane mes egërsisë së jetës dhe ëmbëlsisë së saj. Rreth 10 poezi të këtij vëllimi deri tani janë kompozuar, orkestruar dhe kënduar nga mjeshtrat e serenatave korcare, kantautorët e kompozitorët, Nonda Kajno dhe Mihallaq Andrea.”

Ndaj dhe për cilësitë e krijimtarisë së saj Raimonda Moisiu u nderua me Diplomë nga Klubi “Bota e Re”. Nga fjala përshëndetëse e Kryetarit të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve korcarë,"Bota e RE", Z.Ylber Merdani, po përmend:”Në një adithe thuhet:"Boja e shkrimtarit është e barabartë me gjakun e dëshmorit "-me këtë dua të shpalos shënjtërinë e krijuesve letrarë. Poetja, shkrimtarja dhe publicistja, Raimonda Moisiu më kujton Rilindasit tanë të ndritur që në Stamboll, Bukuresht, Misir, Amerikë, e gjetkë, muarrën me vete brengat, hallet, dertet, mallin, dashurinë për mëmëdheun e tyre. Edhe Monda jonë, kjo bijë e dhëmshuruar e Korcës tonë, aty në Amerikë, ka marrë me vete një copëz Shqipëri, një copëzë Korcë. Mallin apo brengat, dertet apo dashurinë, ndjenjat e saj hyjnore, shqetësimet e saj i ka kthyer në frymëzim, të cilin e ka shëndrruar në vargje poetike, në prozë apo në publicistikën e saj, të përmbledhura në katër libra që sot prezanton para jush. Raimonda Moisiu, anëtare e Klubit të Shkrimtarëve " Bota e re, kanditate për Kryetare e Degës së këtij klubi në Amerikë, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, na solli mallin e gjithë krijuesve korcarë, kolegëve tanë në Diasporë, si: Kostaq Duka, Agim Bacelli, Merita Bajraktari McCormack, Pëllumb Kulla, Iliriana Sulkuqi, Rozi Theohari, Thani Naqo, Vangjush Ziko, Kristaq Turtulli, Fation Pajo e të tjerë, që i përshëndesim dhe i sigurojmë se i ndjejmë të pranishëm mes nesh, jo vetëm sot, por gjithmonë nëpër takimet tona. I falenderojmë për mesazhet e ngrohta që na dërgojnë me internet dhe u urojmë shëndet e mirësi, suksese në krijimtarinë e tyre letrare. Raimonda Moisiu ka spikatur e spikat me publicistikën e saj, në shtypin shqiptar si gazetat: "Tirana Observer,Ndryshe,Panorama, Gazeta Kritika on line, gazeta lokale "Korca", apo në Fjala e Lirë, Londër, "Illyria", SHBA, etj, sikundër kanë spikatur e spikatin poezia dhe proza e saj. Ajo është bashkëautore në antollogjitë "Itaka e Fjalës", "Zemra prindërore", "Tempulli i Fjalës",në rumanisht, "Nëna", dhe mbas dy librave të sukseshëm "Jeta mes dy dashurive", "Dashuria nuk ka emër", Raimonda Moisiu na befason me "bumin" e botimeve të katër vëllimeve të reja.Në emër të krijuesve letrarë, anëtarë të Klubit të shkrimtarëve "Bota e Re", i urojmë shëndet e mbarësi, mirësi e suksese! Në shënjë respekti e mirënjohje, Klubi ynë letrar, i jep këtë Diplomë.

Ai i lutet zonjës Xhuli Jaho që kishte ardhur me mua e Riza Lahin nga Tirana, t'i dhurojë Diplomën e Mirënjohjes, zonjës Raimonda Moisiu. Ajo çohet dhe para se t’ia dorëzojë Mondës, lexon:

DIPLOMË

Zonjës RAIMONDA MOISIU

Poete-shkrimtare-publiciste

Në shënjë konsiderate, për botimet e saj dinjitoze që përcjellin mesazhe mirësie dhe njerëzore.Për përkushtimin e saj në Diasporën amerikane, për letërsinë bashkëkohore të kolegëve të saj korcarë.Emri i saj do të jetë përbri emrave të intelektualëve e krijuesve aktivë të vëndit tonë e të Korcës sonë.

Kryetari (Ylber Merdani)

Pastaj e mori fjalën Prof. Dr. Petrit Koci i cili midis të tjerash tha se, poezia e Raimondës dallohet për motivin "diskret", të nudos, të lakuriqësisë, të kurajos e guximit të një shpirti të ndjerë rebel femëror që ajo ka. Nuk duhet harruar elementi tjerër, qyteti i saj, Korça,që nga themeluesi, Mirahori i madh e deri te kalldrëmet dhe telat e kitarës, që këndojnë serenatën, një kulturë jashtëzakonisht të dashur të vendlindjes. Elementi Korçë në poezinë e Raimondës ja rrit vlerat si poete, pasi është e vetmja poete korçare që sfidon duke i kënduar vendlindjes.

Poeti i talentuar Skënder Rusi, e ka quajtur Raimonda Moisiun, një emër lëviz mes dy kontinenteve,që është edhe ardhje edhe ikje ,që është zë është erë është frymë, që troket me takat e poezisë gjithë finesë si një aristokrate e çliruar nga çdo lloj prange, që e gjen gjithnjë mes mëkatit të bukur poetik dhe bukurisë së marrzisë poetike, përherë e sinqertë në krijimtari deri në kufijtë e naivitetit, përherë në fluturim, paçka se është një pulbardhë e plagosur, nga krahët e së cilës, çuditërisht nuk pikon gjak, por puthje. Atë do të shohish gjithmon të ngarkuar një herë me Korçën që e shpie në Amerikë, e një herë me Amerikën që e sjell në Korçë, të cilat janë dy dashuri në një, dy gjysma globe që kur i bashkon krijojnë botën e tërë, të cilën ajo e rrotullon kaq bukur nëpër duar, sikur t`a kishte lodër që e argëton fëmijërinë e saj, të cilën e mban me aq përkushtim dhe dashuri.
Raimonda është një poete që hyri pak vonë në shtëpinë prej xhami të poezisë, por kjo shtëpi është ngritur shumë herët në shpirtin e saj, që ka kurajon të shikojë shumë larg nëpër horizonte. Dhe kur s`i arrin dot ato që ka në mëndje, ajo ëndërron që t`i kapi përsëri, si ai fëmija që ëndërron që të kapi hënën …Ja një strofë poetike që i shkon për shtat poetes:
“Jeto, përderisa beson në vetëvete,
Dhe e vetme jetën që të jepet jeto!
Fluturo nëse ke krahë, ndërsa pakrahë
Veç fluturim ëndërro …!
E veçanta e vëllimit poetik “ Sikur s`më ke puthur kurrë “është se ajo ëndërron dhe krijon, vuan dhe qesh, bëhet edhe mbrëmje edhe mëngjes …”

Por Raimonda përveç lëvrimit të poezisë, na sjell në këtë kolazh botimesh edhe një roman, për të cilin diskutoi pedagogia Jonela Spaho, e cila theksoi:”Kam marrë në dorë romanin ”Pafajësia e Evës“ e leximi i tij më shëmbëllen me një rrugë gjithë të papritura, që të krijon një ndjesi të këndëshme. Romani ngjan me një pëlhurë të endur me fill historik, që sillet dhe përsillet në segmente të ndryshme kohore nga diktatura në tranzicionin e më gjatë. Ky truk i shkrimtares Raimonda Moisiu ka një logjikë historike, që kapërthen ngjarje nga më dramatiket që ka kaluar Shqipëria. Autoria shumë nga këto ngjarje kulmore i ka marrë përsipër që t`i përshkojë nëpërmjet fatit të personazheve të saj.Romani gati autobiografik ka një arkitekturë të shumë trajtëshme, ka një sërë karakteresh që gëlojnë nëpër faqet e tij dhe romanit i japin frymëmarrje. Gati duket që tërë ato skena dramatike që Monda ka shkruar në roman, ka vendosur që tja hedhi lexuesit. Romani vërtitet rreth një boshti kryesor dhe strumbullar i ngjarjeve është Eva, që me pafajësinë e saj është pjesmarrse në tërë dramacitetin e romanit. Dashuria paralele e Evës me Lulin dhe me Remin dhe fatet tragjike të tyre janë një gjetje moderne. Ky paralelizëm e mban lexuesin në tension dhe ngjarjet përputhen me dramat që ka kaluar Shqipëria. Shumë interesante në roman është dhënë edhe një nga sfidat që i është bërë diktaturës komuniste; arratisja e 16 antarve të familjes Fezollari nëpërmjet liqenit.
Ndonëse është prova e parë e autores në gjininë e romanit, gjithësesi ai përbën një provë të suksesëshme, që mbi të gjitha reflekton një imagjinatë të zhvilluar të autores dhe prirjen për një prozë të mbushur me ide, që padyshim do të jetë një prurje shumë e rëndësishme në letërsinë shqipe.

Rreth librit me publicistike "Gerhitja e Gjeneraleve.....", foli publicisti Erget Cenolli, i cili midis tjerash tha: « Sot në këtë ndërtesë; e cila në themele mban frymën e shenjtë të Shën Gjergjit, në mure dorën atërore të bamirësit Anastas Lakçe e nëpër rrafte mban kulturën kombëtare, të shkrirë natyrshëm me atë botërore; jemi mbledhur për miken tonë Raimonda e cila na shfaqet me tri pamje: si poete, si prozatore dhe si publiciste. Formimi kulturor-publicistik, i Raimonda Moisiut ndodhi në dy pole: në truallin ballkanik dhe në frymën amerikane. Duke u rrekur të zhbiroj këto dimensione, fokusi im qëndron tek publicistika, ku si të thuash; mua dhe Mondës na “puqen karakteret”. Në këndvështrimin tim; publicistika si çfaqje elitare e gazetarisë, nuk është një hoby, por një mision. Këtë mision zonja Moisiu e zhvillon me përgjegjësi të plotë, në rrafshin kombëtar dhe… në rrafshin globalist. Nëpër shtresëzimet e rrafshit të parë, hap pas hapi (apo step by step), ne zbulojmë portrete nga më të spikatura të historisë sonë lokale, por me rrezatim të fortë mbarëkombtar, që nga figura fondamentale e Iljas Bej Mirahorit, tek personaliteti shumëdimensional i Fan Nolit; nga fshati intelektual, me mbi 40 mësues i Boboshticës, në Bukuresht tek miku i Cvajkut, V. Eftimiu. Duke kaluar me mjeshtëri nga shtresa në shtresë, pena e Mondës zbulon nëpërmjet rrëfimit publicistik, figura që nuk mund t’i rradhitim pasi do të na duhej shumë kohë, por ajo që nuk mund të lihet pa përmendur është se, në çdo rresht e në çdo faqe që lexon; të përvëlon prushi i pashuar i serenatës korçare, i asaj serenate që fytyrës së qytetit tonë i jep pamjen perëndimore, çfaqjen e delikatesës njerëzore dhe pavdeksinë artistike. Në rrafshin globalist, pena e Raimondës, na shpalos një mozaik të pashoq, ndërtuar me portrete nga më të spikatura të politikëbërjes globale; nga Teddy Ruzvelt, i cili ktheu Amerikën nga fuqi në superfuqi, tek pragmatizmi i Ajatollah Khameinit. Nga shkëlqimi i mbretëreshës Elisabetë, tek ngathtësia e Boris Jelcinit, për ta mbyllur me dashurinë platonike të Condolesa Rais për XH. Bushin e kryeneçësinë lakuriqe të Sharon Stounit. Nën rrjedhshmërinë e stilit, në ledhatimin e frazës dhe në përzgjedhjen e fjalëve; pena e zonjës Raimonda Moisiu, me profesionalizëm skalit figurat më të rëndësishme globale.E gjej me vend të përmend këtu edhe rolin pozitiv që ka luajtur dora e redaktorit, gazetarit të mirënjohur Roland Qafoku, në botimin e të dy librave publicistikë.”

Prefektja e Korçës, Prof.Dr.Elfrida Zefi, me shkathtësinë dhe energjinë e saj, pasi uroi bijën e Korçës për krijmtarinë e saj të frutshme, midis të tjerave tha:Në ballafaqimet me botën perëndimore, nuk duhet të lodhemi së transmetuari vlerat tona."Ne duhet të jemi vetvetja, me qëllim që të tjerët të na njohin ashtu sic jemi" Jemi këtu sot në promovimin e librave të Raimondës, ku unë po dëgjoj të flitet shumë për këtë zonjë të admiruar, për punën e saj krijuese në shërbim të vlerave qytetare korcare , por edhe të letrave shqipe, të kësaj intelektualeje, që sot po na bën të ndjehemi, edhe lokalistë në kuptimin më të mirë të fjalës :Sa mirë të jesh korcar!Mos të shteroftë kurrë pena Raimonda, e muza për Korcën e kombin.Më pas prefektja ia tha fjalën sekretares Donika Ristani, e cila lexoi përshëndetjen nga Instituti i Diasporës, pranë Ministrisë së Jashtme, drejtuar nga Z.Flamur Gashi, me inspektorët Sherif Merdani, Ylli Polovina e Thimi Nika, të cilët rezervuan një pritje të ngrohtë mirëseardhjeje. Në tekstin e saj midis të tjerash thuhej:”Raimonda Moisiu është një veprimtare aktive në diasporën shqiptare në Amerikë. Me talentin e saj, me penën e saj triplanesh, si poete, prozatore e publiciste ajo është shembull tipik i lidhjes së fortë me atdheun, për ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombetar.Vitin që kaloi unë kam pasur fatin të jem me Raimondën në disa veprimtari të organizuara nga komuniteti shqiptar në Waterburry dhe Filadelfia, ku ajo gëzonte një respekt e nderim të veçantë…”I urojmë Raimondës Suksese!

Unë përveçse doja të përshëndesja Raimondën dhe bashkëqytetarët e mi korçarë për këtë veprimtari të bukur që kishin organizuar, kisha edhe misionin të sillja përshëndetjen nga forumi Bota e Gruas Shqiptare, ku Monda së bashku me Merita Bajraktari McCormack, janë themeluese e moderatore për një kohë të gjatë.Ndaj përcolla edhe fjalën e Eleonora Gjokës nga Nju Jork Center for Albanian Studies & Research.

”Natyrisht, vajtja në atdhe, me një mision të tillë, është një motivacion i bukur që e mban shpirtin e saj krijues, atje pranë Korçës së dashur dhe njerzve që ajo ju dedikohet, si publiciste dhe krijuese e papërtuar, e gatshme për të evidentuar me sensibilitet çdo arritje të shoqërisë. I urojmë Raimondës, suksese të vazhdueshme në krijimtari dhe pjesëmarrjen e saj në të gjitha aktivitetet, si në Hartford ku jeton dhe pranë qytetit të lindjes, Korçës. Parisi shqiptar, sic e quanin bashkëstudentët tanë dikur, djepin e shumë intelektualëve me zë, të serenatave me të bukura, le t'i mbajë dyert hapur për të pritur mërgimtaret krijuese, që shërojnë dhimbjet dhe shpalosin krijimtarinë e tyre, për ta lënë trashëgim në brezat që vijnë. Raimonda është njera midis shumë grave kurajoze, që nuk e mposhtin vështirësitë, gra të tilla jemi shumë te "Bota e gruas shqiptare”, "Teutat shqiptare”, "Motrat Qiriazi”, “Vatra”, e në shumë organizata shoqërore në Amerikë, Kosovë, Shqipëri, etj. Jemi një numur jashtëzakonisht i madh intelektualesh në çdo vend të botës, që po të evidentohemi, jemi forcë lëvizëse për ta bërë emrin e femrës shqiptare, pishtar drite dhe misionare të shkencës dhe krijimit, prodhuese dhe rigjeneruese të jetës. Respekt e mirënjohje për punën e gruas shqiptare dhe rolin e saj. Madje –shtova unë - respekt e mirënjohje edhe për nënë Lirien, që e kam si nënë time dhe për mësueset e vjetra, që kanë rritur e edukuar Mondën, me ndjenja atdhetare e artistike, me të cilën duhet të krenohen, pasi si katër stinët e vitit, Raimonda Moisiu promovon katër vepra këtë pranverë.

Kompozitori Nonda Kajno, vazhdoi me fjalen e tij:”Kam kohë që jam njohur me krijimtarinë e shkrimtares dhe publicistes, mikes dhe ish- koleges sime, Raimonda Moisiu e jam i ngacmuar emocionalisht.Edhe pse mosha e vitet bëjnë të tyren, fisnikëria, thjeshtësia,dashuria për njerëzit, për Korcën, kultura e lartë, vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e shoqëruese e saj. Duke lexuar poezitë e Raimondës, shikoj një rritje e krijoj bindjen e një poeteje me individualitet krejt të vecantë e të spikatur, të një poeteje të afirmuar.Tani unë kam shtatë kompozimet e mia nga poezitë e mrekullueshme të Raimondës, të cilat janë nga më të suksesshmet e repertorit tim, e nga më të kërkuarat nga këngëtarët më në zë të Shqipërisë e të diasporës. Bile njëra nga këngët tona, "Në zjarrin e puthjeve të tua", konkuroi me shumë sukses në Festivalin e përvitshëm Europian të Rinisë në Torino të Italisë-kënduar nga këngëtarja Elsa Dega.”

Raimonda Moisiu, është një personalitet aktiv i kohës tonë. Ajo bashkëpunon jo rastësisht me gazetat dhe revistat përparimtare të kohës. Madje shkruan me një intensitet të tillë, që të habit me forcën dhe dashurinë e saj për njerëzit.

Publicisti dhe shkrimtari Riza Lahi, në fjalën recensuese të tij, rreth librit me tregime dhe esse"Duke kërkuar Ardianën.." midis të tjerave tha: Raimonda Moisiu është një nga këto zemra që ka shkruar këtë vëllim shumë të ndjerë, të ëmbël pa masë dhe të kuptueshëm , sic janë përrallat. Ndoshta nuk do ta kishim patur këtë bollëk në prozë të saj,në rast se ajo nuk do të vuante në emigracion mungesën e atdheut, Kjo mungesë e përnatëshme, e përvitëshme, sidomos torturonjëse ditëve të uikendeve, u ka zhbiriluar lëndinat poetike, krijuese e prozaike që mbanin në shpirt jo pak emigrantëve, si një demon që ka vendosur të jetë atë ditë zemërbardhë, Një sarahosh e heq vetminë duke pirë e duke derdhur lotë në mejhane, dikush tjetër…Ja, edhe kushedi se sa të tjerë si Monda, u sulen fletëve krijuese dhe derdhin dashuri. Dashuri, kur disa të tjerë marrin majën e shigjetës për të gjuajtur ligësira shpirtërash. Dashuri, kur të tjerët në emër të parave, të karrierës apo narcizmit, plagosin e sakatojnë kushedi se sa herë në dit shpirteëa njerëzish.
Raimonda Moisiu u bën thirrje që të duam njerëzit, të duam botën, të duam krijesën njerëzore, të falim dashuri; më mirë një fjalë e ëmbël nga goja sesa një fjalë e rëndë.
Ndershmëria e sinqeriteti e intimiteteve në prozë, si një ndjenjë e pastër e Mondës ngjan mjaft me atë të Stendalit, të poeteshës iraniane Forughazd, të cilën e dashurojnë cmëndurisht femrat e atdheut të saj, kurse mjaft meshkuj e shikojnë me dyshim.
Në kohën kur ngado gurgullojnë krime, kur vrasin, mashtrojnë, ulërijnë, bëjnë lajka; në kohën kur lulëzon “pranvera” e ligësirave të shpirtit njerëzor, ky libër me tregime e esse plot art dhe ndjenja, mbase mund të arrijë ndonjë mrekulli.
Për shëmbëll, mbase mundet të përlotë edhe shpirtin e një krimineli.

Në fjalën e tij përshëndetëse dërguar për Klubin "Bota e RE", Korcë, Presidenti i Nderit të Shoqatës së Shkrimtarëve -Amerikanë , poeti nga Lugina e Preshevës, Kosovë, shqiptaro-amerikani Adnan Mehmeti, midis të tjerash shprehej:

Dëshira ime e madhe është të jem mes jush, në këtë aktivitet kulturor, ku bëhen promovimi i veprave të fundit e Raimonda Moisiut. Por, jeta është e pamëshirshme, sepse shumë herë, dëshirat e krijuesve nuk realizohen. Andaj, dua t’ju përshëndes me këtë telegram. Unë kam fat të madh që jetoj në të njejtin shtet në Amerikë dhe njihem personalisht me Raimonda Moisiun. Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Është romanciere, poete, publiciste, gazetare, përkthyese, aktiviste. Mbi të gjitha është njeri i mirë. Nënë e mirë. Atdhetare e madhe. Jep një kontribut të veçantë për komunitetin shqiptar këtu në Amerikë. Ajo është optimiste. Gjithmonë e qeshur. Dëshmoj para jush, të dashur korçarë, se ajo ka një nostalgji dhe mall për Korçën. Në çdo takim që kemi, ajo flet për vlerat e mira që i posedon Korça. Dhe, gjeni një shqiptar, që do të mohoj këtë? Edhe unë që vij nga Lugina e Preshevës, kam një mall të pashuar për Korçën e dashur. Nga viti 1991 e tutje nuk e kam parë më. Libri publiçistik i Raimondës “Jeta mes dy dashurive” më shuan mallin. Raimonda Moisiut nga zemra urime në këtë ditë të promovimit të krijimtarisë letrare. Si Shoqatë ne do të bëjmë të njëjtin veprim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të promovuar krijimtarinë letrare para lexuesve shqiptarë që jetojnë në Amerikë. Nga vizita e parë Shqipërisë, e kam poezinë time nga Korça.

Në kufi

Më pyeti doganieri për nënshtetësi

Vëlla u thash!

Po ç’ke për doganë?

-Dashurinë!

Pasaportën e huaj do ta grisi.

Nuk më duhet identifikim.

Në Kapshticë bëra fotografi.

Mirë se të gjej, Nënë Shqipëri!

Përshëndetje vëllazërore,

U lexua edhe përshëndetja që poeti kosovar, një aktivist i shquar i cështjes kombëtare në diasporë, z.Mëhill Velaj, nënkryetar i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro- amerikanë, dërgon nga Stamford , USA ;

”Të nderuar bashkëvëllezër, adhurues të fjalës së shkruar artistike, që jeni tubuar sot në atë ambient të ngrohtë letrar, ku, kryefjala e takimit është, fjala e mirë e shprehur artistikisht. Bashkëanëtarja e SHSHSHA, Raimonda Moisiu, po promovon thesarin e shpirtit të saj fisnik, të mbledhur me kujdes si bleta mjaltin në hoje.
Të jesh nga Korca e serenatave, nga djepi i kulturës shqiptare, është krenari dhe privilegj. Kjo bijë korcare, që pjalmin për mjaltin krijues nuk e merr askund, vetëm në Korcën e saj që e do aq shumë.Duke e njohur mirë krijimtarinë letraro-artistike të saj, them:Rri krenare Korcë, për bijën tënde, e cila ditë e natë mendon për vendlindjen e saj. Vargun ta kushton ty Korçë dhe njerzve të mirë të Shqiperisë tonë.
Në pamundësi që të jam fizikisht me ju sot, me lejoni, t’ iu përshendës nga zemra, në emrin e familjes Velaj, të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro -Amerikanë, më seli në Stamfordin e bukur të Connecticut, SHBA-ve.

Dhe fjala e fundit i takon “princesësh korçare” sic e juajnë miqtë e saj, Raimonda Moisiut. Ajo e emocionuar falenderoi të pranishmit për nderin dhe respektin e treguar ndaj krijimtarisë së saj, duke u ndalur në ndihmën e pakursyer që kanë treguar kryeredaktorët shqiptarë si Roland Qafoku i gazetës “Tirana Observer”, Bashkim Nikolla i gazetës "Ndryshe", Robert Rakipllari i gazetës "Panorama",etj. Vecanërisht botuesin e kryeredaktorin e “Fjalës së Lirë”z. Fatmir Terziu, Londër- Britani, një studiues, pamfletist, kritik, poet, esseist, prozator, publicist, që ka mbledhur rreth sofrës së tij, inteligjencën e mërguar për të shpalosur vlerat më të mira, mendimin e lirë, shënjtërinë e fjalës së lirë, në interes të integrimit dhe përsosjes së vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar. -Ju lumshin këmbët që keni ardhur në këtë festë të vecantë të jetës sime, nga më të shënjtat, plot kuptim, dritë e jetë, për mua e familjen time, aty në Amerikën e largët që shpirtërisht këtë cast ndodhen këtu në sallë, në Korcën tonë të magjishme nga bliret e serenatat-kështu do e niste fjalën e saj Raimonda.
Në emrin tim, të nënës sime, të nuses së djalit tim, të nipces tim të bukur amerikano-shqiptarit Joshua, vëllait tim të madh,Vilsonit, që ndodhen këtu në sallë, i përcjell mirenjohjen, nderimin, respektin e dashurinë Prof.Dr.Elfrida Zefi, që me aftësitë, inteligjencën, dijet e kontributin e saj intelektual, profesional dhe me nje krenari kombetare qe e karakterizon, i ka vënë në shërbim të zhvillimit dhe progresit ekonomik, shoqëror dhe shpirtit intelektual korcar.Unë ndjehem shumë krenare dhe e nderuar jo vetëm për pritjen njerëzore e të frytëshme që më përkushtoi, por pjesëmarrja dhe fjala e saj sot shpalosi integrimin e vlerave, të gruas shqiptare, shpalosi shpirtin human e plot kuptim, në mbeshtetje të grave krijuese, intelektuale-emigrante ekonomike -në mërgim-por edhe si dy bija të Korcës sonë, për tributet e më të mirës e më të bukurës, për Korcën tonë.
Falenderoj dhe nderimet e mia për Prof.Dr. Sotiraq Temo, që me fjalën e penën e tij, mbështet letrat shqipe, Hirësinë e Tij-Imzot Joanin, Myftiun e Korcës, Z.Qazim Muci, këta liderë shpirtërorë të tolerancës ndërfetare në Korcën tonë, poetin e shquar të Korcës sonë, Kryetarin e Klubit Shqiptar "Bota e Re”, Z.Ylber Merdani, që me klubin që ai drejton integron vlerat më të mira të letërsisë shqipe, kompozitorin dhe intelektualin Nonda Kajno, pedagogen, vajzen inteligjente Jonela Spaho, për mikun tim eternal,Vangjel Themeli, e të gjithë ju të tjerët që jeni sot në këtë eveniment shumë të rëndësishëm të jetës sime, për mësueset e mija të shtrenjta, që janë një pjesë më e bukur e formimit tim letrar- artistik, në bazë të principeve të dijes, që ato transmetuan te unë.
E dini se cfarë kam bërë në shtëpi para se të vija këtu mes jush? Që të jem sa më e qeshur, sa më gazmore dhe të më shihni sic më keni njohur para vitit 1999 kur u largova prej këndej, prej kalldrëmeve, blirëve dhe akcentit të mrekullueshëm korcar, ku kam lënë përjetë zemrën time.Që të më mbani mënd kur të largohem - sigurisht për t’u kthyer sërish – kështu, sic u takuam, alegro, me shaka në buzë, duke u përqafuar me humor dhe me të qeshura, duke kënduar serenatën.
Po ua tregoj sekretin, se nuk mund t’ua lë pa treguar.

Jam ulur në një cep të shtëpisë, që të mos më shihte nëna ime, Liria dhe kam qarë e kam qarë papushim. Sa shfreva… E kush në tërë rruzullin të do më shumë se atdheu yt, se populli yt, sesa qyteti yt, që është Korca imja dhe e juaja, e të gjithëve? Unë, ja, kam botuar këtë radhë katër libra; edhe dy të tjerë më parë. Të tjerë kam ndër duar dhe do të shkruaj.Në të vërtetë, unë jam marrë nga pak me gazetari dhe me poezi edhe përpara se të largohesha me « green card » nga atdheu. Mirëpo, ja, nga na erdhi tani Monda, kaq e dëgjuar në publicistikë, në poezi, në prozë? Është një pyetje që mund të bëjë në mënyrë naive kushdo.

Në të vërtetë, jo vetëm unë, por shumica e emigrantëve ekonomikë, zakonisht ata që kanë ushtruar veprimtari intelektuale para se të largoheshin, merren me letërsi. Shkruajnë sidomos në orët e vetmisë së tyre që janë normalisht netëve të uikendeve. Klima mes jetës së emigrantit gjatë ditës dhe jetës sovrane të orëve të vetmisë së natës, është pikërisht klima që i ka shtyrë bijtë e bijat e atdheut tonë dhe të Korcës që të shkruajnë. Të shkruajnë sa më bukur dhe, kjo bukuri varet nga doza e sinqeritetit të penës së atij që shkruan. Dhe mua më dijnë të gjithë që më njohin se sa e respektoj unë sinqeritetin dhe se cfarë pjese zë ai në karakterin tim. Në librat e mi, në poezitë e mia, në cdo rrjesht artistik që unë shkruaj, është prezent Korca. Unë atje kam trajtuar papushim dhe me pasion të vecantë temën e dashurisë. Vështirë të gjëndet vënd në botë ku njerëzit të dashurojnë me kaq furi shpirtërore, me kaq prurje si të erdhura nga parajsa përtej kupës qiellore, nga eterniteti, si në Korcë . Si në Korcë apo në ndonjë tjetër qytet të Shqipërisë të njohur, sikurse Korca, për dashnorët e dashnoret e zjarrta, që hidhen në zjarr pa u bërë syri tërr në emër të dashurisë, apo largohen duke tundur kokën për të mos të të puthur më kurrë! Kur nuk të duan më, edhe sikur ta mbulosh me tërë floririn e botës nga koka në këmbë. Po , si spiegohet kjo ?

Kur më pyesin njerëzit në Amerikën kontinentale, tanimë atdheun tim të dytë, se ku bie kjo Korca, unë u përgjgjem në një mënyrë që ata të mos e harrojnë tërë jetës. Është një qytet, që ka në gjakun e tij këngë dashurie .. Ato quhen serenata. Dhe njerëzit që këndojnë serenata e kanë shpirtin e bardhë dhe të sinqertë sic janë tingujt e serenatave; e kanë shpirtin të mbushur plot dashuri për botën dhe për njerëzit. Kushdo që do t’i bëjë lavazh shpirtit të vet nga ligësirat dhe pisllëqet e shpirtit njerëzor – u them amerikanëve që më pyesin për Korcën – le të urdhërojnë për vizita miqësore në atë vënd ku këndohen serenata nën blirë dhe do të kuptojë se sa i bukur është nga natyra e vet shpirti njerëzor.

Ta dini, vëllezër dhe motra, që cdo cast zemra e emigrantëve korcarë, zemra e shoqeve dhe shokëve të mi korcarë si Kostaq Duka, Pëllumb Kulla, Merita Bajraktari McCormack, Agim Bacelli, Ilir Borova, Fation Pajo, Rozi Theohari, Iliriana Sulkuqi, Diana Seitaj,Thani Naqo,Vangjush Ziko, Kristaq Turtulli, Nilda Dervishaj, etj.,etj, si edhe zemra e Mondës suaj, rreh papushim për Korcën tonë të bukur, të mrekullueshme, pambarimisht të mrekullueshme. Adresa ime i e-mail-it është MondaH. E dini cfarë është kjo « H » ? Do të thotë « Hugs ». Përqafime. Kushdo që më shkruan mua atje, që nga Harfordi, unë, krahas përgjigjes sime, gjithmonë i dhuroj nga larg një « Hug ». Si një pëllumb i largët që ka kaluar oqeanin e madh që nga Korca, por që i ka sytë dhe sqepin vetëm nga ky vënd i vogël që quhet Shqipëri.Ky takim i bukur u mbyll me trokitje gotash, mes këngëve karakteristike e serenatave korcare, nën zërat e qeshur gazmorë dhe autografëve nga autorja në librat e saj, me urimin: U takofshim në promovime të tjera!

Kozeta Zavalani

Nuk ka komente: