e diel, mars 22, 2009

Pesëmbëdhjetëvjeçarja

Novruz Abilekaj


Para Krishtit

Thesari im pjek fruta,

rrit flatra,

... pret dhe s’pret,

Hëna është pesëmbëdhjetë vjeçe. Sot mbeti vetëm. U shtriq, doli nga guva dhe hodhi sytë mbi lëndinë. Bari bleronte. Anët e lëndinës gardhoheshin; ku e ku pemë të larta, ku e ku më të ulëta deri dhe shkurre. Syri u mbërthye tek brezi i lofatave që lëvizte lehtë nën kurorën ngjyrëtrëndafilore të luleve. I befi aroma dhe shija mjaltore e njomështive të natyrës prandaj u lëshua turravrap në skaj të lëndinës.

Ai e pa vajzën tek zgjidhte një nga një lulet. Kur zgjatej për t’i këputur, trupi i vajzës tendosej e lakohej. Vithet ngushtoheshin e zgjeroheshin me ritmin e lëvizjeve. Pastaj pa kur e gudulisi dega e lofatës në sythin e gjirit dhe se si ajo mundohej të ushqente me mjaltë lulesh atë oaz të trupit që i fali kënaqësinë përshkuese. Iu afrua me çap të lehtë. E mbërtheu me dy ganxhat e duarve në ijët dhe e ngriti lart. “Këput ato në majë”, tha. Hënën e trembën duart por e qetësuan fjalët. Ajo tundi këmbët në ajër, këputi dy-tri lule në lartësi dhe, ashtu siç ishte e kryqëzuar nga kthetrat e tij të fuqishme, ktheu kokën të shihte se kush e ndihmoi.

Djalit, midis leshrave të zeza të fytyrës, i zbardhnin dhëmbët dhe i digjnin sytë. Gjithçka brenda e jashtë saj u drithërua.

... E pa veten të rrotullohej në ajër si fugë, të shtrirë mbi bar dhe më në fund të ndrysur nga trupi mashkullor. Një çast më pas toka nën vithet e vajzës mori flakë dhe ata kafshonin njëri tjetrin me padurim. Gjithçka që ndodhte i pëlqeu, ishte tërësisht njerëzore. Kur e pa veten të lirë, u ngrit dhe hetoi lëndinën cep më cep. Sa lëndinë e bukur! Kurrë më parë lëndina nuk kishte qenë kaq e bukur.

-Hej, jam e aftë të harboj dhe të thërrmoj një burrë kaq të hijshëm dhe të fuqishëm –lëshoi tinguj zemra e Hënës

E ndriçuar nga hareja dhe gëzimi, me shpejtësinë e trupit që bie nga qielli, vrapoi drejt guvës.

Viti 1411

Hëna është pesëmbëdhjetë vjeçe. Në stan nuk ndodhet asnjë tjetër. Një djalë kaloi pranë vathës, e pa drejt në sy dhe përdrodhi mustaqet. Ajo u shpua tej për tej nga vështrim i tij. Iku rrëmbimthi nëpër shtegun që të çonte prapa. Atje mori frymë thellë, pastaj mbylli sytë.

Ashtu, me sy mbyllur, e pa edhe ajo djalin në dritë të syrit. Edhe i buzëqeshi. Pirgu i të linjtave që i fshihte deri edhe beben e syrit i iku nga trupi, u sistemua rrëzë mullarit të barit. Duart e tij e ngritën nga toka dhe e lëshuan mbi bar, pikërisht ku ngjyronte pirgu i të linjtave. U ça në mes. Vetja e saj dridhej. Në fund të dridhjeve veshi krahët e lumturisë, hapi sytë, u arratis nga ëndrra dhe fluturoi për te pusi ku mbushi grushtet me ujë dhe i përplasi në fytyrë.

Ai nuk u largua. E pa që vajza u tremb nga vështrimi i tij. E pa që shkoi te pusi. E pa që mezi po qetësohej duke i hedhur ujë fytyrës. Me fshehtësi grabitqari i vajti nga prapa, e gllabëroi midis krahëve dhe ... përleshja mori trajta të mirëfillta njerëzore.

Hëna u ngrit në këmbë. Ndjeu se gjymtyrët i përthyheshin, tani nuk e përballonin dot rëndesën e shpirtit të saj. Veshi petkat e shumta që e patën braktisur pikërisht kur duhet ta mbronin, pastaj iu ngrit përpjetë mendimi i tmerrshëm “Tërë këto petka, që i kisha veshur për të ruajtur virgjërinë, nuk më mbrojtën dot nga mëkati i mishrave.” Ngriti sytë nga qielli, andej nga më parë kishte arritur mendimi. Pafundësia e kaltër po tallej. Vajza u fyer, u brengos deri në palcë. Shpirti u bë vorbull, vështrimi iu errësua dhe gurgulloi ulërima: “Këtë mëkat nuk e pastron dot asnjë fuqi njerëzore, tokësore apo qiellore. O zot!”

Mënjanoi kapakun prej druri të pusit dhe humbi brenda tij.

Viti 2011

Hëna është pesëmbëdhjetë vjeçe. E mbyti vetmia. Veshi minifundin, bluzën-gjimbajtëse dhe doli. Rrugët janë plot. Kalojnë njerëzit përbri saj, e vështrojnë shkarazi mbi gjinjtë që krenohen, kërcënojnë dhe rrezatojnë. Të mëdhenj e të vegjël lakmojnë, lëpihen dhe largohen në drejtimet e paracaktuara.

Në tram ndjeu që i nguli sytë një djalë simpatik dhe seksi. Ai nuk ngopej duke shëtitur sytë poshtë e lart; gjinjtë e freskët, këmbët e zbuluara, prapë gjinjtë, buzët, sytë dhe prapë ... Ajo e pikasi. I lëvrinte vështrimi i djalit nëpër fijet e holla të nervave. Nuk u zëmërua, nuk u shmang. Shkrifëroi fytyrën dhe shpërndau mirëkuptim. Përgjonte. Priste. Mendjen ia pushtuan fantazma dashurie.

Ai, duke u drejtuar nga dalja, i lëmoi edhe njëherë këmbët dhe gjinjtë e vajzës me dritën verbuese të syve. Hëna u vesh me atë dritë veçse u zbeh menjëherë, sepse djali zbriti pa thënë asnjë fjalë. Dukej i velur. Dhimbja-shkëmb që iu shkaktua mbiu në brendësi të kraharorit.

Në tram gjithnjë dalin e hyjnë njerëz. Vendet bosh i mbush dikush tjetër. Para vajzës u shfaq dikushi. Nuk ishte aq i ri. Nuk ishte aq i bukur. Nuk dukej aq seksi. Veçse ai iu përgjigj apelit tinëzar të saj dhe u ul afër, pastaj më afër. I lëshoi frymë joshëse rrëzë veshit. “Sa ngrohtë!” Zbritën dora-dorës.

Çastet e mëpasme i përkisnin qiellit të grykësisë dhe lumturisë.

*

Se vajza mbushi pesëmbëdhjetë dhe ...


Nuk ka komente: