Vlashi Fili
Viti 2008 është duke e mbyllur veprimtarinë e vet. Kemi filluar të numërojmë nga fundi, si sekonda, ditët që kanë mbetur.
Ky vit do të mbahet mend për ngjaret e tij te medha si Pavaresia e Kosoves, për suksese të tjera në fusha të ndryshme social kulturore, por edhe për vështirësi apo dështime, një prej të cilave është kriza ekonomike qe thuajse ka përfshirë gjithë botën...
Sidoqoftë, këto ditë, mbarë njerëzimi urojnë njeri tjetrin ballazi, me letra apo kartolina por edhe nëpërmjet rrugës më të shpejtë të komunikimit, internetit.Urimet janë nga më të ndryshmet në pikpamjen e formës, por në thelb kanë të njëjtin qëllim. Po ashtu, edhe Shoqata "Bijtë e shqipes", në Filadelfia uron të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, në trojet shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë në mbarë botën ku janë shpërndarë, jetojnë dhe punojnë. Veçse kjo shoqatë ka gjetur një mënyrë të veçantë urimi.
Ajo, në mbyllje të vitit përkujton të gjithë emrat e krijuesve që kanë përvjetorë të plotë datë - lindjeje. A ka urim më të bukur për një komb, kur përkujton njerëzit e tij të shquar?
Tashmë në këtë shoqatë ka marrë "anëtarësinë" veprimtaria "Fjala e gjuhës së zjarrtë" që zhvillohet prej tre vjetësh në mbyllje të vitit. Edhe këtë vit, më 21 dhjetor zhvillimi i kësaj veprimtarie tregoi më së miri punën e përkushtuar që bëhet për zhvillimin e kësaj veprimtarie, si një nga veprimtaritë më madhore.
Me gjithë të ftohtit e madh të kësaj dite, në Qendrën Kulturore të Shoqatës u mblodhën anëtarë e dashamirës të saj. Nderonin me pjesmarrjen e tyre edhe miq nga Nju Jorku: Prof. Dr. Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptare në Nju Jork, shkrimtari ynë i njohur dhe Mjeshtër i madh, z. Pëllumb Kulla, poetja dhe mikja e “Bijtë e Shqipes” Iliriana Sulkuqi, aktorja e njohur e skenës dhe ekranit, "Qytetare Nderi" e qytetit të Fierit, znj. Xhuljeta Kulla...etj..
Veprimtarinë e hapi z. Llazar Vero, Kryetar i Shoqatës "Bijtë e shqipes", i cili falenderoi të pranishmit e në mënyrë të veçantë të ardhurit nga larg.
"...Për ne shqiptarët e Filadelfias, - tha midis të tjerave z. Llazar Vero, në fjalën e hapjes me titull "Apostujtë e atdhedashurisë", - merr një rëndësi të veçantë kjo veprimtari modeste, e përvitshme, në nderim të krijuesëve tanë, të atyre që lëvruan dhe lëvrojnë fjalën e bukur shqipe dhe u lënë trashëgim brezave një thesar të madh. E kemi për nder sot, të përulemi me nder dhe devocion përpara veprës së këtyre punëtorëve të palodhur të fjalës së zjarrtë shqipe, të këtyre apostujve të atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare...".
Më pas, z.Sadik Elshani, në materialin me titull "Fjala e gjuhës së zjarrtë", prej nga merr emrin edhe veprimtaria, bëri një pasqyrë në rrjedhën e kohës, të emrave të shquar që kanë përvjetorë të plotë datëlindjeje. Në mënyrë të përmbledhur, pjesëmarrësit u njohën me jetë dhe veprimtarinë e: Marin Becikemi, Theodhor Kavalioti, Zef Jubani, Elena Gjika, Gjerasim Qirjazi, Jani P. Vruho, Gjergj Qiriazi, Kristo Floqi, Kristo Dako, Odhise Paskali, Ernest Koliqi, Vedat Kokona, Petro Marko, Jakov Xoxa, Ali Abdihoxha, Ali Hadri, Murat Isaku, Avni Mula, Enver Gjerqeku, Anastas Dodi, Sali Shijaku, Nexhmije Pagarusha, Azem Shkreli, Uran Kosteci, Jorgo Bllaci, Elena Kadare, Kiço Blushi, Nexhat Tozaj, Jusuf Gërvalla,Teki Dervishi, Rikard Larja, Natasha Lako, Bardhyl Londo, Eqerem Basha, Agim Deva...
Fjala e tij u ndërpredisa herë, kur ai përmendi Petro Marko,Jakov Xoxa,Anastas Dodi, Azem Shkreli, Jorgo Bllaci, Nexhmije Pagarusha, Natasha Lako... Në shoqërim të referuesit, znj. Suzana Vangjeli recitoi "Në një rreth miqsh më tepër për ty" të Jorgo Bllacit dhe "Natyrë e qetë" të Natasha Lakos.
Më pas u fol më gjerësisht për Petro Markon (1913 - 1991), Azem Shkreli (1938 - 1997) dhe Jakov Xoxan (1923 - 1979)
Z. Petrit Zanaj, në materialin me titull "Petro Marko - Jeta dhe vepra", pasi bëri një analizë të hollësishme të jetës dhe veprës së shkrimtarit, midis të tjerave tha:
"...Petro Marko, jetoi si një pesonalitet që e deshi lirinë duke provuar edhe burgun, që luftoi në brigadat internacionale për lirinë dhe barazinë e popujve të botës, por që nuk gëzoi lirinë dhe barazinë në vendin ku lindi e u rit, që luftoi për një ideal të madh të kohës por që pësoi zhgënjimin, një nga penat më të fuqishme të letërsisë sonë, që diktatura u mundua t’a thyente sa herë që ajo cënohej. Ai është një shëmbull unik në historinë e letërsisë shqiptare. Vepra e tij rrezaton dashurinë dhe humanizmin njerëzor. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare është pesonalitet i përmasave të mëdha, me shpirt të pastër e mendje të kthjellët, pa u luhatur para asnjë stuhie. Jeta e tij është historia më përfaqësuese e shoqërisë shqiptare e shekullit të kaluar......"
Z. Ivzi Çipuri në materialin "Azem Shkreli - Poeti dhe shkrimtari që jetoi dhe vdiq me Kosovën në mendje", paraqiti një studim të hollësishëm të jetës dhe veprës së Azem Shkrelit. Midis të tjerave, ai e karakterizoi kështu poetin:
"... Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare, poet intensivisht i shqetësuar gjer në dhimbje për Kosovën. Veprimtaria e tij në poezi dhe prozë në fund të viteve ’50 dhe fillimin e viteve ’60 shënon kthesë cilësore në praktikat krijuese letrare. Në poezinë e Shkrelit është karakteristike dëndësia e mendimit, ngarkesa dhe tendosja emocionale që nuk janë shpikje mekanike, as dhe rezultat i reduktimeve dhe shkurtimeve sasiore të mjeteve shprehëse, por në natyrën krijuese të poetit. Po ashtu karakteristikë e tij është gjendja mjeshtërore e vargut dhe e frazës poetike, duke qëndruar jashtë konvencioneve metrike dhe retorike......"
Z. Llazar Vero, në materialin "Jakov Xoxa - Romancieri i madh i letërsisë shqipe", me pasionin jo vetëm të një lexuesi, apo gazetari profesionist, por edhe të një bashkëqytetari me shkrimtarin e tij të zemrës , gërshetoi jetën, veprën e shkrimtarit të madh edhe me ndonjë mbresë interesante në lidhje me ‘Të.
"...Karakteristikë e veprës së Jakov Xoxes, është gjuha e tij letrare. Ajo është shkruar në një gjuhë standarte, por e lidhur ngushtë me të folurën e popullit. Kjo lidhje i ka dhënë veprës së tij më shumë frymëmarrje dhe ngjyrim, më shumë pasuri dhe bukuri. Sipas studjuesit Xhevat Lloshi, numëri i fjalëve në romanet më të mira të letërsisë shqipe vërtitet nga 5.000 në 7.000 fjalë, kurse vetëm në romanin "Lumi i vdekur" gjendet një pasuri prej 12.000 fjalësh ose sa dyfishi i të tjerëve..Shumica e këtyre fjalëve kanë hyrë në fjalorin themelor të gjuhës shqipe (1980). ..... Disa nga vlerat e tij janë: thellësia e mendimit, fuqia e stilit dhe e shprehjes..."
Në këtë veprimtari e morën fjalën edhe Prof. Dr. Skënder Kodra, i cili veç falenderimit solli edhe mirënjohjen për kujtesën që i bëhet Koliqit, të cilin e ka njohur personalisht.
Iliriana Sulkuqi u ndal tek shkrimtarët edhe për fëmijë: Odise Grillo, Bekim Harxhi, Rifat Kukaj, Ramadan Pasmaçiu, Selman Vaqarri Astrit Bishqemi, Gaqo Bushaka, Musa Vyshka, Bardhul Xhama, Moisi Zaloshnja, Sokol Jakova, etj., ku theksoi se, kujtesa e shkrimtarëve për fëmijë është pasuri dhe trashëgimi e brezit që lind dhe rritet. Urimi i saj, në pragun e këtij fundviti ishte në formën e vargjeve, ku poetja, bashkon krijuesit, pavarësisht ku ndodhen, brenda apo jashtë kufijve, në qytetin e lindjes, apo në kontinentin ku ndodhet.
Prania dhe fjala e shkrimtarit të njohur, Mjeshtrit të Madh të Penës, jo vetëm ishte nder për “Bijtë e Shqipes”, por nga pjesëmarrsit e veprimtarisë, u përshendet nxehtësisht dhe u shoqërua me duartroktitje të herë pas hershme. Shkrimtari, midis falenderimeve dhe mbresave të tij për njerëzit e letrave shqipe dha disa mendime konkrete për një përmirësim të mëtejshëm të kësaj veprimtarie kuptimplote. Shkrimtari u rrethua nga të gjithë pjesëmarrësit, për të marrë prej tij një autograf, në faqen e parë të librave të shumta të tij, që ishin pjesë e panairit të librit shqip që pasuroi veprimtarinë.
Pastaj, një foto, dy, tre…, si Kujtesë në këtë fund vit të 2008-ës, për të gjithë brezat që do të shfletojnë Historikun “ Bijtë e Shqipes”…
Kokteili tradicional i shoqatës dhe gatimet e shijshme të amvisave shqiptare u shoqëruan me biseda miqësore, me humor e trokitje gotash: Gëzuar!
Vlashi Fili, Filadelfia, dhjetor 2008
Nuk ka komente:
Posto një koment