e diel, dhjetor 28, 2008

Këze (Kozeta) Zylo: Nxënësit e shkollës shqipe "Gjergj Kastrioti Skanderbeg" festuan Krishtlindjet dhe Vitin e Ri




Nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” në New York, i pritën të gëzuar festat e fundvitit

Këze (Kozeta) Zylo

Instituti “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” e mbylli me sukses semestrin e dytë të vitit shkollor 2008-2009. Nxënësit e shkollës shqipe mezi e prisnin ditën e shtunë të kësaj jave, sepse krahas mësimit të hapur që do të zhvillohej në klasë, do të festoheshin Krishtlindjet dhe pritja e Vitit te Ri. Ata erdhën grupe-grupe me prindërit prej dore, gjyshërit, mësuesit dhe ashtu të gëzuar uleshin në klasë pranë bankave të tyre. Ndërsa jashtë flokët e dëborës kishin veshur pemët si nuse me vello të tylta dhe tokën me një tapet të bardhë, brenda ndërtesës kështjellë, zbukuruar gjithë hijeshi si për festë, çuçurrisnin zërat e përhershëm pranverorë të fëmijëve, që po bëheshin gati për fillimin e mësimit të gjuhës së ëmbël shqipe.
Prindërit, mësuesit, gjyshërit, përfaqësues shoqatash, takoheshin përzemërsisht në hollin e bukur dhe i uronin njëri-tjetrit: Gëzuar festat!
Për këtë ditë festive kishte kohe që kishin filluar përgatitjet nga të zotët e shtëpisë, familja Ruci dhe mësuesit, që me punën e tyre fisnike po bëjnë që nxënësit e kësaj shkolle të flasin shqip!
Ky mjedis shlodhës dhe tepër komod po i afron dhe më shumë shqiptarët me njeri-tjetrin, po i bën që shqipja të përhapet si jehonë kudo ku frymojn raca jone.
Z.Zylo, drejtor ekzekutiv i shkollës shqipe, pasi ju uron bashkatdhetarëve mirëseardhjen dhe Gëzuar Festat, ju tregon se siç e shikoni dhe vetë nga muaji i kaluar, sot në klase kemi pesë nxënës të rinj, të cilët kanë shprehur dëshirën për t’u regjistruar në semestrin tjetër për vitin 2009. Ky është një sukses i kësaj shkolle, pasi puna e palodhshme e Bordit të Institutit dhe stafit, ka bërë që të afrohen dhe më shumë nxënës të rinj. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë mësuesit dhe z.Ruci që ka lejuar mjediset e shtëpisë për të zhvilluar orët e mësimit në shqip, një shërbim i mire për komunitetin shqiptar në Diasporë. Gjithashtu prezantoi para nxënësve dhe bashkatdhetarëve shkrimtarin e mirënjohur z.Naum Prifti. Sot ne atë e kemi të ftuarin e veçantë, pasi kontributi i tij në librat për fëmijë është i madh, përrallat dhe tregimet shkruar mjeshtërisht nga dora e tij, kanë tërhequr mjaft nxënësit e moshave të ndryshme. Lënda e re që do të zhvillohet do të jetë direkt nga shkrimtari që e kemi sot midis jush! Ai ka ardhur sot së bashku me bashkëshorten e tij fisnike, znj. Rina, të cilët e pritën me kënaqësi ftesën edhe pse New Yorku është përfshirë nga rryma të ftohta dhe mbuluar me shtresë të bardhë bore.
Po ashtu ai prezantoi para auditorit dhe z. Jim Inffin, ish përfaqësues i Pentagonit në Rambuje dhe vlerësoi kontributin e tij për çeshtjen e Kosovës.
Në fund falënderoi mësuesit veteranë që na nderonin me pjesëmarrjen e tyre, si: Daci, Pjeca, Gjystina, Pira, Likollari, Agron, Amedan, si dhe intelektualët Gashi, Fida, Pira, Likollari, Ilir dhe S.Reci, Ndokaj, Duka, Sefedini, Nurcellari, F.Daci, Hoxha etj…, pasi e kemi të pamundur per t’i shkruajtur të gjithë.

Ora e hapur e mësimit shqip

Mësuese B. Bejleri do të shfaqte në ekran përrallën “Ketri ndihmon shokun” marr nga libri: “Përrallat në një muaj”, shkruar nga shkrimtari Naum Prifti. Pasi ajo e lexoi rrjedhshëm dhe me intonacionin e duhur, ku të gjitha pjesët ishin të ilustruara me figura, nxënësit dukeshin se ishin futur të gjithë në magjinë e përrallës. Pas leximit shumë nxënës si Ademi, Dea, Adnani, Rian, Saimiri, Rroni, Bujari, Ejona dhe Eljesa Gashi, u përgjigjën korrekt pyetjeve të drejtuara nga mësuesja dhe veçanërisht kishin shumë kënaqësi nëse ndihmonin njeri-tjetrin, mesazh i sapomarrë nga përralla që u lexua.
Më vonë mësuese A. Lacaj do t’u spjegonte nxënësve karakteristikat e racave njerëzore në botë dhe se si këto raca në Amerikë jetojnë në harmoni dhe respektojnë njeri –tjetrin. Rasti më i mirë ishte zgjedhja e presidentit Obama si një afrikano-amerikan. Po kështu ajo u spjegoi atyre se cilat kafshë më të preferuara kishin presidentet e Amerikes dhe që u kujdesën për to, në Shtepinë e Bardhë.
Pasi e përfundoi spjegimin e mësimit me një pasion të veçantë ajo ftoi para auditorit shkrimtarin Naum Prifti i cili u mirëprit me duarkrotje nga të gjithë bashkatdhetarët.
Ndërsa në ekran jepej e shkruar përralla: “Doktor Ariu”, zëri i shkrimtarit do të vinte në qetësi të plotë të gjithë auditorin, kurse nxënësit ishin thithur si me magnet nga vetë autori që ju tregonte përrallën fëmijëve. Ata me sytë e vëmendshëm në ekran që herë pas here shfaqeshin figura të ndryshme duke shoqëruar përrallen e shkrimtarit, dukej që kishin rrokur mesazhet e përrallës dhe nuk donin që mësimi të përfundonte.
Pasi autori e përfundoi së treguari, Edon Greva, Mathea, Dexhina, Ortendi, Kevin, Stiven, Olsi dhe Orion Reci, shprehnin dëshirën që xhaxhi shkrimtarin ta kishin prapë midis tyre. Ata donin kush e kush ta takonte më parë, të bënte pyetje të ndryshme, ku shkrimtari Prifti ndjente një kënaqësi të veçantë që ishte midis tyre. Në fakt Bordi i shkollës ka në plan të ftojë herë pas here shkrimtarë të ndryshëm ku mësimi do të ketë më shumë larmishmëri dhe nxënësit do të njihen më nga afër me veprat e tyre. Në bibliotekën e re që sapo kemi krijuar, znj.Zh. Hoxha bibliotekare, ka ekspozuar herë pas here libra nga shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, që na kanë dhuruar libra për këtë biblioteke si: Marinaj, Luzaj, Gjini, Prifti, Mrijaj, Velaj, Mehmeti, Pali, Theohari, Pajo, Duka, Hila, Bacelli, Gjoka, Hysi, Fili, Lazëri etj. Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë shkrimtarëve të kudondodhur jo vetëm të shoqatës sonë, që deshirojnë të dhurojnë libra për bibliotekën e Institutit, janë mëse të mirëpritur!

Pas mësimit

Për këtë mësim të hapur dhe për punën e shkollës shqipe do të përshëndeste auditorin aktori dhe regjisori i shquar i të gjitha trevave shqiptare, z.Xhevat Limani.
Ai interpretoi pjesë nga Naim Frashëri për gjuhën shqipe, zëri i tij do të kumbonte fuqishëm në këtë ndërtesë dhe do të pushtonte sallën me mjeshtërinë e tij. Ai u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e fuqishme të auditorit, cka tregon se emigrantët kanë nevojë më shumë se kurrë për këto orë të këndshme vetëm shqip!
Ndërsa z.Jim Inffin përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe nxënësve ju foli me dashuri dhe respekt për luftën e UÇK, pasi ai shumë prej tyre i njihte personalisht. Ai kishte marrë pjesë në Rambuje. Me fjale të thjeshta dhe tepër të qarta ai dënoi ashpër Sllobodan Millosheviçin, duke e quajtur një përbindësh dhe pohoi se Shtëpia e Bardhë dhe populli amerikan e përkrahu Kosovën dhe do të jetë gjithmonë në krah të saj. Nxënësit dëgjonin me vëmendje dhe krenoheshin kur z.Jim Inffin, ju fliste atyre për trimëritë e prindërve të tyre gjatë luftës me Serbinë.
Mësuesi veteran z.Pjeca, ish kryetar i shoqatës “Dibra” kishte ardhur së bashku me bashkëshorten e tij dhe ajo një mësuese e palodhur veterane, i cili me emocion të vecantë përshëndeti bordin e shkollës dhe nxënësit që po vinë rregullisht në shkollë. Të gjithë nxënësit që vinë këtu në shkollë janë të fituar se po mësojnë gjuhën e bukur shqipe, humbës janë ata që nuk vinë të ulen në bankat e shkollës.
Edhe mësuesi tjetër veteran nga Dibra, z.Daci anëtar kryesie i shoqatës “Dibra”me dashuri dhe me një elekuencë në të folur, do të përshëndeste për këtë punë fisnike të hapjes së shkollës, pasi shkolla është punë, kulturë, fjalët i merr era, shkolla është vendi dhe puna që na bashkon dhe kulturon.
Ai ka sjellë nipin e tij në shkollë, pasi si mësues veteran që është e di mirë efektin e shkollës dhe të shoqërimit në klasë.
Profesor Amedan Jani kishte ardhur me dy nipërit simpatikë të cilët do të regjistrohen për vitin 2009. Ai foli me një respekt të veçantë për punën që po bëhet dhe me humor pohoi:
“Ne dibranët punojmë me numra të mëdhenj, prandaj duhet me doemos të kemi shkollë publike shqipe këtu në Staten Island”.
Në fund Z.Zylo së bashku me mësueset Adelina, Blerina, V.Watkins, Likollari, ndanë dhuratat për Vitin e Ri ku një falënderim të veçantë për këto dhurata do të merrte z. Dritan Gashi një patriot i palodhur për Kombin, i cili kishte sponsorizuar enkas për këtë ditë. Ai sapo regjistroi dy vajzat e tij dhe me kënaqësi të veçantë do të kujdeset për mbarëvajtjen e shkollës shqipe.
Pas dhuratave u shtrua një kokteil i përgatitur nga familja e vjetër dibrane, Glloboçishta, dhe nga tri vajzat e edukuara të z.Ruci, që vazhdimisht na kanë mbështetur në ceremoni të tilla.
Mësues, prindër, nxënës, bashkatdhetarë kaluan orë të këndshme në këto prag festash, ata vallëzuan dhe kërcyen së bashku si motra e vëllezër të një gjaku. Mbrëmja festive u shoqërua nga muzikantët tashmë të mirënjohur në komunitet, nga Dashnor Cene dhe Odise Salillari, të cilët pa u lodhur na kanë shoqëruar në këto organizime ceremoniale me bashkatdhetarët tanë.
I gjithë mësimi i hapur dhe mbrëmja festive u filmua dhe fotografua nga amerikani Todd Watkins.

Dhjetor 2008
Staten Island, New York

Nuk ka komente: