Fatmir Terziu
Një gjuhë e thjeshtë, e lehtë për tu riprodhuar, e kuptueshme. Vjen nga mendja e një poeti shqiptar, një publicisti dhe një njeriu të fushës së letrave shqiptare. Riza Lahi, solli në mesin e ‘miqve’ të tij vargje që vijnë nga kjo ndjesi e karakterizuar në njohurinë, bagazhin dhe mendimin e pasur të tij. Një krijimtari e tillë tipike, edhe pse mund të quhet imagjinare, apo kalimtare, ajo jeton gjatë, mbetet në kujtesë dhe trajtohet si një dhuratë. Poeti Lahi me dashmirësinë e tij udhëtoi në vite, rrëmoi në histori, duke sjellë në mendje një datë historike, 28 Nëntorin, dhe pastaj iu drejtua të ardhmes, kur me fjalën ‘stërgjyshër’, apo gjyshër ai gatoi një harmoni fjale dhe një mirëkuptim të bukur. Diku shfaqi haresë, shfaqi edhe ndonjë lapsus, por me zemrën e tij dhe penën bujare ai iu rikthye dhe shtoi dhe gati përditë tashmë plotëson këtë nismë kaq prekëse. Këtë nismë që shërben si një lidhje. Në fakt ajo është një lidhje!
Është një lidhje e hershme me këtë lloj krijimtarie dashamirëse. Është një lidhje që vjen në gjuhën e hershme të zonës ku ajo është gatuar, një gjuhë tipike shkodrane që gatuan me ciltërsinë e shpirtit dhe prodhon atë që ndjen. Është një lidhje, që vjen në formën e një ngjashmërie me “Evgeni Onjegin” të Aleksandër Sergejevic Pushkin, një poezi dashamirëse që ngjan me thelbin e poezisë së shkruar nga Pushkini në atë libër të hershëm, por që komunikon edhe sot në mjaft gjuhë të botës.
Këtu vec të tjerave janë disa kualitete poetike dhe gjuhësore. Janë këto kualitete që përbëjnë një kontribut në literaturën dhe kulturën e komunikimit mirëkuptues. Me termin kulturë literature unë dua të shënoj rrugën në të cilën gjuha e përdorur nga Lahi në këtë prurje miqësore, të ngjashme me karikaturat miqësore në art, është përdorur jo vetëm si një medium i artit letrar por edhe si një medium i gjithë formave të komunikimit të shkruar. Kjo lloj kulturë krijimtarie është shumë mirë e përqafuar në bazë të karaktereve dhe tipave dhe në kualitetin vargor që prodhohet.
Nuk dua të nxitoj se këtu është thelbi i krijimtarisë së Lahit, por nuk dua t’a mohoj se në këtë lloj krijimtarie ka kohëpërkushtim, dashamirësi dhe vlera njëkohësisht. E shkruara e Lahit është një kombinacion poetik me një thurje tradicionale, ku rima dhe rrjedhshmëria e vargut është si në një valle ritmike dhe leximi është tërheqës, me personazhe reale, të lexuar e të palexuar, të njohur apo pak të njohur, që gjithësesi nën penën e Lahit vijnë si një dhuratë në mjedisin letrar të mërgimit.
Natyrshëm duhet kuptuar edhe një fakt tjetër, atë që mundësia e kapjes së të tërës dhe përfshirjes së gjithë emrave do të ishte një mundësi ideale dhe do të donte për autorin një punë studiuese, kërkimore apo ku di unë. Kaq sa ka realizuar Riza Lahi, kaq sa ka pikasur ai, natyrshëm duket brilante, duket përshëndetëse me pak fjalë.
Leximi i ‘vetes’ nën vargun e Lahit është një simbolikë reale, një dhuratë e ndjeshme, një vëzhgim detajues dhe tipik. Por në një këndvështrim më të mprehtë, duke shmangur hapur qejfmbetjet, hatëret apo edhe keqkuptimet, ajo që duhet thënë është përkushtimi dhe ideja për një nismë të tillë. Bukur Riza!
Dhe sinqerisht duke njohur shpirtin, zemrën dhe karakterin e këtij njeriu-ideplotë mendoj se duhet përgëzuar e përgëzuar…
Nuk ka komente:
Posto një koment