e enjte, dhjetor 11, 2008

Bota e nënës dhe vargu i dhimbjes



(Rreth poezisë së Medije Vraniqit)

Fatmir Terziu


Bota e nënës dhe vargu i dhimbjes janë elementë që ndeshen shpesh në poezinë shqiptare. Janë elementë, që nga vetë natyra ‘femërore’ e poezisë së krijuar nga poetet nëna shqiptare, tingëllojnë ndjeshëm dhe e bëjnë poezinë e krijuar një prezantim i bukur i letërsisë shqiptare. Robert Elsie, në një nga prononcimet e tij të fundit për BBC-në shprehet se “Unë gjithmonë kam dashur të prezantoj letërsinë shqiptare në përgjithësi dhe kam përshtypje që letërsia shqipe është më e fortë në fushën e poezisë. Çuditërisht do të thoja se për ne perëndimorët poezia është diçka krejt skajore, që nuk e lexojmë shumë, kurse në botën shqiptare poezia është qendra e letërsisë shqiptare. Kjo gjetje e njohësit të mirë të letërsisë shqiptare, Elsie, përforcon edhe thënien e poetit shqiptar Dritëro Agolli "Poezia buron nga poetët dhe mbetet tek ata". Ngjashëm me këtë por me një sens më të gjerë vjen postulati i Xhevahir Spahiut, “Tani që jam gjallë, vjen poezia tek unë, nesër kur s’do të jem, do të shkoj unë tek poezia ime”. Kështu në tërë këtë mori mendimesh për poezinë dhe lidhjen e saj në mjedisin krijues shqiptar, ajo që vjen më së shumti në veshët tona është se poezia buron nga vetë natyra poetike e njeriut, ose ashtu siç Flora Nikolla shprehet “me poezinë e vërtetë njeriu jeton edhe kur ka trishtim, por edhe gëzim në shpirt. Në të gjen një qoshezë të ngrohtë për veten... por kësaj here në vargje simfoni”. A nuk ndodh kështu edhe me poezinë e poetes shqiptare Medije Vraniqi? Vargjet e saj të postuara më herët “Vetëm një çast … Bijezo…” dhe të renditura në vëllimin e saj të ri poetik, flasin për një ngjashmëri emocionale, për një varg që buron nga dhimbja e nënës për të bijën, nga rrahjet e zemrës për pjesën e zemrës së saj. Në vargun e saj lexohet kjo ndjenjë, lexohet ky lot që shndërrohet në memorje, vëzhgohet ajo lidhje që shërben si shtysë emocionale, por edhe si një forcë njerëzore, që përjeton nën peshën e vargjeve poetike. Në fakt edhe ai që nuk e di fatin e një luleje të këputur aksidentalisht, edhe ai që nuk e ka përjetuar atë skenë, duke lexuar fatin e shpjeguar mes vargjeve të Vraniqit, gjen forcë të arsyetojë e të kuptojë se Loti i Nënës është një Fanar që nuk shuhet, është një diamant i shtrenjtë që gatuhet në shpirtin e nënës dhe ushqehet me gjakun e saj të pashteruar. Në këtë lot lexohet meraku, këshilla, urtia, fuqia, por edhe sfidohet dhimbja.
Duke kaluar nga poezia në poezi shihet qartë kjo sfidë. Një sfidë e kapluar emocionesh dhe drithmash nëne, një sfidë që prehet thellë në zemrën e Vraniqit. Jo më kot Nikolla do të shprehej më tej “në fund të fundit poezia është më shumë se një gjuhë e përcaktuar, është më shumë se estetika, poezia është një këngë që dhemb kur do t’i iki shpirtit…(!) Atë që mban një poezi brenda saj është vetë realiteti i kuptuar dhe i dhënë në formën më të pastër dhe më të sinqertë”. Fuqishëm e shpreh edhe Naum Prifti fjalën e tij në këtë pikë “Vëllimi me poezi i Medije Vraniqit shpreh ndjenjat e zemrës së lënduar nga humbja e papritur dhe e pakohshme e vajzës së saj të madhe, e Valonës së dashur e të paharruar. Poezitë e këtij qerthulli mbushur me lot, dhimbje e mall të pashuar për vajzën, do të mirëpriten nga lexuesit, sidomos do të gjejnë jehonë ndër nënat zemërdjegura, te motrat e gjyshet që kanë pësuar humbjen e të dashurve të tyre në moshë të re, ashtu sikurse familja Vraniqi. Të pa ngushëlluara nga humbja, ato qajnë sa herë i kujtojnë, duke pëshpëritur fjalë me veten e tyre.” Dhe Drenusha Zajmi Hoxha përforcon “Poetja vjen me dashurinë e nënës zbrazur fuqishëm nëpër vargje, duke na bërë të gjithëve ta lexojmë dhe të përjetojmë çdo fjalë e çdo varg me ndjenja të thella, ashtu si dhe janë shkruar.” Pra, natyrshëm mes këtyre thënieve dhe detajimeve të njerëzve të penës, kjo poezi e dalë nga thellësia e trupit femëror mes një shpërthimi kraterial të dhimbshëm është një tufë e përjetshme gonxhesh që mbesin të freskëta në kujtesë, shoqëri, mes miqsh, mes udhëtimeve të pasosura të jetës, kaplojnë oqeane, dete e qiej si mesazhiere për vlagën e plagën e shpirtmadhes Nënë. Kjo është njëra arsye që sqaron se përse ndalesa jonë është e dëshirueshme në këtë poezi, por tjetra është për lidhje të tjera që lidhen me vetë modestinë dhe poezinë modeste të Vraniqit, duke përfshirë frymëzimin, strukturën dhe kategorinë poetike në të cilën gjuha ka fuqinë e saj.


Një përjetim ndjenjash

Duke lexuar poezinë e krijuar nga Medije Vraniqi shihet edhe një detaj pikëlidhës me të shkuarën dhe origjinën e saj, që përcaktohet midis trinomit kohë-vend-hapësirë. Poezia e saj është një ndikim tipik që sinjalizon me të parën edhe origjinën e saj. Ajo ka lindur në Prizren në një familje me tradita shqiptare. Në moshë të re emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne Prizren ka nënën, motrat, vëllezërit, kushërinjtë e miqtë si edhe shoqërinë e rinisë së hershme. Jeton në Teksas me familjen e saj. Por edhe pse këtë se parathotë poezia e saj, vargu i saj e zbërthen nëpërmjet gjuhës dhe dihatjes poetike të tij tek lexuesi. Ajo që dihet është ajo që është thënë se poezitë ia kushton vajzës së saj, Valonës që humbi jetën në një aksident në moshën 25 vjeçare. Dhe të gjitha këto lexohen në fjalën e saj, në peshën e vargut që depërton deri në grimën e fundit për të treguar se është nënë, dhe si e tillë është e gatshme të ‘japë jetën, të falë sytë, të falë gjithë ç’ka në zemër”, me qëllimin e vetëm që të përjetësojë dashurinë, mallin dhe të tejkalojë dhimbjen për vajzën e saj.
Poezia e Vraniqit është një udhëtim mes aortës që pulson orë e çast, është një rrugëtim krenar, është një “Ah” i shprehur në mënyrë nëne, një këngë që këndohet nën zë, në zemër, në mendje dhe pa lëvizje buzësh. Poezia e Vraniqit është një lajtmotiv nënash. Ajo edhe pse është e fuqishme në detaj duket e qetë, e mençur dhe pjekur, e ardhur e gatuar dhe e panxituar, e rëndësishme kur duhet të nxjerrë mesazhin dhe dytësore kur e gjen arsyen të shprehë ndryshe, të shpjegohet ndryshe. “Vetëm një çast … Bijezo…” është forcë shpërthyese në “një rrugë në dëshpërim.../E mbështjell nga një membranë komfuze/nis ditën.../aspak qetësi/ditën nis duke shkelur çastet/shkel/orët që sillen mendimit tim/dritë s'shoh gjëkundi…”. Por edhe pse poetja nënë nuk sheh dritë gjëkundi ajo gjen mbretëreshën e figurave letrare, metaforën, që të shprehë gjetjen e saj sipërfaqësore që struket nën imazhe mendore dhe klithma zemre, por mbi të gjithë sheh atë dritë si vegim në syrin e saj që të gjej rrugëtim, “një yll rrugën t’më tregojë/Zoti vallë e ka shkruar/kjo cipëzë në deje t'më thembojë/Nuk jam në gjumë/jetoj zgjuar/e djallit i druhem./Besoj në Zot gjer në amshim/dallgët u përplasën në mua/Jeta... më njohu me këtë kafshim”. Dhe këtu ndoshta është ajo që bukur e ka thënë Drenusha në shkrimin e saj “Poetja Medije Vraniqi nuk është poete dosido. Ajo nuk vjen e ngarkuar me dëshirën për të na impresionuar me teknikat e përsosura të vargut apo më gjëra të pathëna më parë. Ajo vjen e qetë, por me një zë të fortë që të shkund, e brishtë, por njëkohësisht e fuqishme dhe kurajoze, e sinqertë dhe e hapur ashtu që lexuesi ka ndjenjë, sikur bashkëbisedon me një mikeshë të kahershme dhe duke ndarë ndjenjat: dashurinë, dëshpërimin, pikëllimin, gëzimin apo dhembjen, të cilat prekin çdo njeri herët apo vonë nëpër fazat jetësore.”. Poezia e Vraniqit parë në këtë këndvështrim është vërtet një përjetim ndjenjash, një botëkuptim i thellë dhe domethënës që jetohet e përjetohet në forma më jetike dhe lexohet ashtu këndshëm me ritmin e vetë jetës që përmblidhet metaforikisht nën vard. Ajo përdor metaforën e shpeshtë në vargun e saj dhe këtë e kryen bukur. E gjen të nevojshme këtë si një arsye të madhe për të prurë mes lexuesit krahasimin që bëhet në mednjen e saj, mirëpo ajo nuk shprehet në formën e plotë të krahasimit, që në vargjet e saj përafron dy gjëra sipas ngjashmërisë duke theksuar cilësinë e krahasueshme. Poetja i jep metaforës së përdorur në poezitë e saj atë mundësi që nuk lejon të shfaqet kuptimi i plotë po vetëm i mundshmi. Poezitë e saj “Në ësndërr”, “Nuk flas”, “Për ty”, “A thua...?!”, “Nostalgji” e mjaft të tjera kanë një ushqesë të mjaftueshme me epitetin metaforik, ku ndërtimi e metaforës sipas ngjashmërisë mbështetet në përdorimin me kuptim të dytë të emrit: “ A thua petku i rrezeve që kam/s'ndriçon shtegun e simes jete?/A thua lisi përbri dritares/nuk dhuron oksigjen pa pushim?/A Zoti e ka shkruar të rend drejt këtij ylli/në gjumin e pafjetur dhe me ty në zgjim!”. Por krahas kësaj poetja gjen fuqimisht edhe përdorimin e goditur të metonimisë, që në mjaft vargje realizimi i saj kryhet me kalimin e fjalës nga kuptimi i parë në kuptimin tjetër, kur ndërmjet tyre qëndron lidhja e varësisë jo e ngjashmërisë si te metafora, që në këtë rast sqaron si tek “Nuk flas”: “Nuk dua të vras heshtjen me zëra e fjalë,/Në to dhe dita njgjyrë të mugët merr./Nata s'është më natë, s'i vë dot një emër,/As çastit të mundimshëm që shpirtin ma rrëmben./Nuk dua të flas! Jo se s'kam fjalë,/As frazeologjia ime s'më ka tradhëtuar,/Por fjala kur del nga goja jashtë/Vret më shumë se plumbi, ndaj heshtjen dua.”

Nënëdhimbja në vargje

Medije Vraniqi është një nënë, një nënë që gjen armën e saj, poezinë, që të flasë, që të heshtë, që të shuajë dhimbjen, por edhe që të përjetojë. Ajo shprehet qartë tek poezia “Nuk flas”. “Nuk dua të flas! Jo se s'kam fjalë,” thotë ajo, por ajo shton se “As frazeologjia ime s'më ka tradhëtuar,/Por fjala kur del nga goja jashtë/Vret më shumë se plumbi, ndaj heshtjen dua.” E kush më bukur se nënëdhimbja dhe nënëurtia e prodhon këtë fuqi fjale të mençur? Më tej tek poezia “Për ty” del fuqishëm e gjitha. Këtu vargu tretet dhe prodhon tërësinë e trupit dhe mendjes së saj: “Për ty vargje po gdhend në letër./Për shpirtin dhe vështrimin e syve të tu./Dhe nëse gjumin tej kam tretur/Ëndrat i ruaj çdo çast me mu'./Për ty fletët i mbusha me mall/Dhe lapsin që ndjenjën ma gdhend/Dhe murret e gurrët, pemët e zogjtë/Dhe hapat, që ditëve i hedh aq rrëndë./Lulet me mall i mbusha si fletën,/Gjethet nga loti u thanë shpejt./Fryma jote! Oh.. bijë, i bëri/Të çelin petalet me ngjyra jete.”
Kjo është nëna, poetja Medije Vraniqi, që lotët dhe dhimbjen i ktheu atje larg në Texas, në shkëlqime diamanti mbi varg. Ky muaj është 2 vjetori, pra më 31 dhjetor është një ndalesë e vogël poetike mes vargut dhe vdekjes në aksident të vajzës së poetes, Valonës, që ajo i kushton librin. E këtu natyrshëm një botë nëne, një zemër që rreh e rreh papushim dhe ndihet tej klithmave mbi Oqean, pështillet në figurativen e vargut.

Nuk ka komente: