e martë, shtator 23, 2008

Fatos Arapi..., Poeti.



Faruk Myrtaj



Po, ka qenë treshja Kadare-Agolli-Arapi, ose Kadare-Arapi-Agolli. Pas tyre shtohej ndonjë tjetër. Por ata që shtoheshin pas Treshes nuk ishin Zija Çela, as Vath Koreshi, as Koço Kosta, as...asnjeri prej atyre që janë edhe sot. Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Faik Ballanca, Bilal Xhaferi dhe të ngjashmit e tyre ishin të vdekur e të mbuluar...Ata kanë qenë dhe do beten librash, por jo në atë listë...Vijonte një varg krijuesish që jo se nuk ishin të tillë, por nuk ngriheshin dot më sipër. Nuk duhej, nuk...
Agim Shehu i di më mirë ato kohë!

Por jemi tek Poeti, Fatos Arapi. Sa herë që flasim për poezinë shqipe, madje edhe kur ndërmjet hyjnë historitë me trishtimet dhe privimet e kohës jo letrare, rrallëkush guxon ta mënjanojë Arapin si poet.

Nëse do të ishte ndryshe, kush do ta mbante në kujtesë Fatos Arapin pas rënies të ngrehinës hata të censurës që u ishte kthyer edhe në autocensurë?
Në vitet '90 e pas (mos thoni, ju lutem, ç'hynë koha fizike apo politike apo liria, ç'hynë në art!) Fatos Arapi erdhi duke u ngritur. Duke u rinuar. Si poet e kemi lexuar pikërisht kështu...Modern dhe tradicional, poet i vjetër dhe i ri, njëherësh. Jo pse i ka kënduar dashurisë më herët se gjithë të tjerët e kohës me dashurinë si fjalë të huaj...
Fatos Arapi e rriti poetin brenda vetes, pa nxituar ta shfaqte: Lere të flasë!, thoshte për ndokënd që kërkonte doemos faqet e para të reklamës.

Po, Fatos Arapi provoi të hynte edhe në politikë, por pa u ndarë me Vlorën, me Zvërnecin, me ullinjtë atje. Do të ishte bërë deputet i Vlorës, nëse do të kishte fituar. Dhe unë do të dëgjoja me qetësi përgjigjen për pyetjen: Kush tjetër prej emrave më të zëshëm vlonjatë do të duhej të ishte zëri i vlorës në Parlamentin shqiptar?
S’kam dëgjuar të thonë: pse nuk duhej të fitonte kandidati Fatos Arapi?
As më kujtohet, më duket nuk e kam ditur kurrë, emrin e deputetit demokrat që fitoi përballë Arapit, por jam i sigurt se edhe ai për Fatos Arapin do votonte...nëse politika do të ishte qoftë edhe pak atdhetare, pra sadopak poetike...

E si të mos ndjehej ngushtë atëherë, jo vetëm ai, por edhe tërë ata që e njihnin, ata që e lexonin, ata që kishin ndenjur për një kafe me të dhe e kishin parë të njomte sytë për gjëra që s'bëjnë vaki kurrë t’i prekin politikanët shqiptarë...

I la gjërat të bënin të vetën, siç kishin bërë gjithnjë, dhe i mbeti besnike asaj që nuk e kishte tradhëtuar kurrë, poezisë.

Po i ikte kohës tjetër, asaj kohe që dukej sikur nuk e kishte dërguar "me të tjerët", që kishte bërë sikur "ia kishte harruar Vllas Arapin", që kishte bërë sikur nuk i dinte Arapët prej fillimeve të Shqipërisë si Shtet i Mëvetshëm..., si të mos i ikte poeti?
Por jo si ca të tjerë që shanin kalin pasi hidhnin lumin...Nuk i humbiste kollaj miqtë e shokët e djeshëm, dhe s'ishte e lehtë të zinte shokë e miq të rinj, por Fatos Arapin e takon, e njeh dhe e bën intim duke lexuar poezinë e tij. Ai është në vargun e tij, siç është në ato vargje Vlora e ullinjve dhe Tirana e tiranëve dhe tiranive...
Ai bëri t'i ikte dhe i ka ikur Treshes së asaj kohe, për të mbetur Poeti që është, më vehte. Dhe ia ka dalë...

Në një mënyrë tjetër prej Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. Duke i përjetuar ngjitje-zbritjet poetike dhe politike shqiptare, në mënyrën e tij. Me më shumë vetmi se të parët... Nuk është e lehtë të hyet midis tyre. Kam provuar, me konsiderim sa më të drejtë, me kujdesin për të qenë sa më korrekt, dhe...nuk është e lehtë. Mbase do të ndjehen më të lirshëm, më të shkoqur, më të sinqertë me njeri tjetrin, në shënimet e tyre. Që i kanë në duar. Që do t’i lenë...Kanë obligim ta bëjnë këtë gjë. E kanë edhe përgjegjësi. Nëse do të mundin, do të japin leksionin që nuk e dhanë dot në kohën dikur: që arti, fjala, ajo mbetet.

"Kujtohem që jam", është njeri nga titujt e Fatos Arapit. Sepse, ka një mister të pa shpjeguar në këto zhvillime. Zakonisht të kujtojnë të tjerët. Në një situatë normale, ngrihet tjetri dhe të ngrè shëndetin. Fatos Arapit i mbeti të kujtojë veten që Është. Ndër Tri të Treshes, i vetmi që nuk është dekoruar. Siç janë katandisur e shpërdoruar, titujt e nderjet pikën e vlerës nuk kanë, përballë emrit të Poetit, por ja që kështu është.
Ishte pothuaj i sigurt, e kam dëgjuar të parashikonte se as Petro markon nuk do ta dekoronin, por nuk i doli fjala. U gëzua që nuk i doli fjala për Petron...
Kam pasur rast dhe fat të jem njohur, e të kem ndenjur, me Fatos Arapin. Është njeriu që mund të hesht gjatë, dhe pastaj të shpërthejë; është ai që duron dhe pastaj thotë Mjaft, mjaft dè! Është njeriu që edhe gabon në të përditshmen shqiptare, por nuk gabon në gjërat që kanë lidhje me thelbin e qenies shqiptar dhe Poet...
Fatos Arapin, poetin, Atë.

Si të mos e nderojmë?

Nuk ka komente: