e hënë, shtator 22, 2008

Ekip ëndrre


Fatmir Terziu

Ne shpeshherë udhëtojmë ‘undergroundeve’, jo vetëm nëntokës ku trenat bëjnë rrugëtimet e tyre të detyruara, bashkë me tonat, por edhe ‘undergroundeve’ të jetës. “Nëntoka-(t)” e jetës e thënë më shqip, nëse gramatika s’do të na shkul veshin. Dhe në këtë nëntokë, aty ku shpesh njeriu zbulon thesare, edhe ne pjesa njerëzore, që fati na solli të jemi në këto thellësi, shpesh dhe rëndom gjejmë thesare, pse jo edhe xhevahire. Herë me sy të hapur mbi ndonjë libër a gazetë. Herë në thellësi të ndonjë libri, dhe jo pak herë me sytë të mbyllur nga shkundja e ditës në punë. Dhe kur xhevahiret zbulohen nga kjo thellësi dhe në ‘underground’ dihet edhe rezultati.

Një ditë lexoja shkrimtarin e ri britanik Christian O’Conell. Lexoja në fakt dhe sytë ishin në të tyren e lartpërmendur. Por, fap ata, pra sytë e mi, nuk vepronin më si më parë. Nuk mbylleshin më. Tentova ti mbyllë me zor, por jo. Sytë edhe mund të mbylleshin në fakt, se ishin të tejlodhur, por të gjithë ata elementë anatomikë, që m’i pat mësuar një ish mësuesi im, tani deputet, dhe që rrethojnë sytë, vetulla, gropat e syve, kapakë e qerpikë, retina dhe cipa ishin kryeneçe. E po thashë nuk duan më gjumë dhe u ngula sërish në libër, ashtu sy-(hapur) më pas. Në këtë rutinë të njeriut syhapur, germat e shkrimit të britanikut më ngjanin si në një lojë futbolli, ndoshta jo tamam futbollistë të lojës profesionale, me futbollistë të blerë e të shitur qindra mijëra miliona, por me një strukturë të përafërt të tyre që pa u shitur as edhe blerë, e luan shumë bukur futbollin në disa fusha, të blerta, të kuqe, blu, jeshile, madje edhe në fusha pa ngjyrë. Dhe për çudi këtë sërë njerëzore edhe O’Conell e kishte në skuadrën e tij “Dream Team”. E pashë dhe e lexova mbi pesë herë atë ekip të ëndërruar të britanikut. Ekipi ishte i plotë. Drejtues të ekipit kishte zgjedhur Winston Churchillin. Në portë ishte Henri i WIII, ish mbreti i anglezëve, dhe përpos të tjerëve, përpos njëmbëdhjetë emrave më ra në sy mesfushori i djathtë, James Bond. Këtu m’u trazuan shumë sytë. Trazimi sa vinte e bëhej i padurueshëm. E po mirë thashë, me vete, unë i luta sytë për gjumë dhe ata s’donin. Ç’faj kam unë tani?

Nejse sytë s’kishin faj. Faji ishte gjetkë. Mendja ime dëshironte të përfshihej në përzgjedhjen e një ekipi të ëndërruar, pra të një “Dream Team-i” të ngjashëm shqiptar. Dhe e nisa përqendrimin tim. Fillova me njeriun që do të vija në portë. Pashë përsëri menaxherin e ekipit të O’Conellit dhe vendosa të gjej atë të ekipit tim të ëndërruar. Epo thashë në një kohë me Churchillin, aty nga koha kur ai hyri në historinë britanike dhe atë botërore ne kemi Komandantin e Përgjithshëm. Në mendje solla edhe disa emra të tjerë të ngjashëm, por thashë është punë historie dhe historia akoma s’është nakatosur dhe në vend e ndërpreva gjetjen e trajnerit të ekipit të ëndrrës. Por, po s’pate trajner, dihet qartë që nuk ke mundësi të shkosh më tutje. Por, megjithatë, gjersa në ekipin real shqiptar prej kohësh kemi shije për trajnerët e huaj, më në fund m’u duk se e kisha gjetur trajnerin. Princ Vidi! Po, po atë do të vejë në portë thashë. Ai është edhe Gjerman dhe me Churchillin do të ketë kundërshti si pasojë lufte, mendova në çast. Erdhi radha e portës. Në portë ai kishte Henrin e WIII-të dhe kështu unë thashë të fusë në formacion Skënderbeun. Skënderbeun real, jo atë të filmit se ai më doli rus. E gjersa isha tek ana e Bondit, thashë të thërrisja Sulon e filmit “Kapedani”. Këtu thashë se prapë e gjeta kundërshtarin. Bondi i ka qejf femrat dhe Suloja ynë i ka inat ato. Kështu më tutje thashë të vazhdoja me kusurin e ekipit. Aty e kisha shumë lehtë. Ja ku është parlamenti thashë. Këdo që të zgjedhësh e bën të njëjtën punë...

Nuk ka komente: