e shtunë, shtator 20, 2008

E K L I P S



C I K Ë L P O E T I K; Nga L E O N Z. L E K A J


Leon Lekaj u lind në vitin 1955 në qytetin e Shkodrës. Në 1974 mbaron Liceun artistik për Muzikë, në Tiranë, profesion të cilit nuk arrin t’i gëzohet gjatë. I ati i tij, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej themelimit të saj, arrestohet dhe dënohet politikisht. Deri në vitin 1991, vit që përkon me rikthimin e tij në vendlindje detyrohet të bëjë punë të rënda fizike. Në Shkodër kryen fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në universitetin “L. Gurakuqi“ dhe me diplomimin e tij lë atdheun për të emigruar në kryeqytetin helen, ku familjarisht vazhdon të jetojë edhe sot. Është autori i romanit “Shpirt i Braktisur”, dhe ka për botim monografinë “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara” .Cikli që po iu paraqesim është i pari i këtij lloji për autorin dhe është shkëputur nga vëllimi poetik që Leon Lekaj ka në proces.

NJË SHPIRT QË NUK I BRAKTIS NDJENJAT

...Mbas romanit “Shpirti i braktisur” , vepër me ndjenja dhe emocione të veçanta, ku personalisht mjeshtërinë e të shkruarit e vendos në shkallën sipërore, Leon Lekaj, peshon këtë radhe bagazhin e tij poetik në strukturën e një libri metaforash dhe rrymash vargëzimi, të cilat duken forma të një poezie moderne, që kërkon koha.
Bashkëfolës dhe bashkautor me çdo fjalë, tingull dhe notë ku luan fraza, ky poet të fut në një botë të veçantë dhe tipike, duke kristalizuar ide, filozofi, sofizma dhe traditë..., duke pasuruar shpjegimin tij poetik tepër, tepër profesionalisht.
Për autorin, poezia është shprehja më e koncentruar artistike e fjalës. Duket dhe kuptohet pa më të voglën hije. Fjala është e matur, e pjekur, e thellë dhe emocionuese. Ritmi të rrëmben, duke të futur në galaktikën krijuese, që ka atmosferë, pasion dhe kulturë...
Figuracioni i virgjër, i pa konsumuar dhe i veshur bukur, ulet aty ku e vendos poeti, duke i dhënë rolin e vështirë të qëndresës dhe ekuilibrit poetik në vazhdimësi.
Leon Lekaj, ka një mulli të veçantë bluarje për fjalën...dhe duke lexuar poezitë e tij, mu kujtuan sentencat e poetit të madh P.Eluar që thoshte “...mielli i bluar mirë se ka frikë lagështirën....” njëlloj si të thoshte për këtë krijues të pjekur që ka frikë dukjen..., me ndryshimin rrënjësor se L. Lekaj asnjëherë nuk i la të braktisura ndjenjat...

Nga Luan Xhuli
xhulil@yahoo.com

R Ë N I E

Mos më thirr në ikje...
kur gjakun e kam të shprishur
e zemra si orë rrangalle
të vrasë kohën e shkuar.
Pjesët e tua
kanë mbetur në vend numëro.
Si hapat rreshtorë
të një ushtrie të tradhtuar.
Si mendimet e mia për ty.

Mos më thirr në ikje...
Kur honet t’i shkel kokëposhtë
e graviteti i Edingtonit
të ketë shtangur në fundin mortor
Mospërfilljen
s’mund të ma vrasë thirrja
As absurdi koshient i Sartrit
Më shumë se britma e lagësht
e syve të tu.
1 9 9 1

Njëshi i pari,
nënta e fundit
Nën njëshin zero,
mbi nëntën zero prapë
Pak mbi asgjënë,
pak nën asgjënë
Prej zgripit të hiçit.
qëlloj pushtetin tënd
pak mbi...
pak nën...

D I F E R E N C Ë

Të sotmen e ngrita mbi shpinë
në të përpjetën e mundimshme
drejt të nesërmes.
Më iku për duarsh e ra poshtë
në greminë vitesh të humbura
si ritual i pashmangshëm mërzie.
Sizifi dinak
më parashtroi
idenë e shkëmbit të vet,
me ngjitjezbritjet e pafundme,
ndërsa mua
më duhet të përtyp diferencën
me kuptimin e ditëve
rrokullisur
në honet e së shkuarës
Pakuptueshmërisht.


I P Ë R G J Y S M U A R

Ika, e s’i thashë gjë nënës
Se lotët e saj s’doja
t’i merrja me vete.
Motra?
Eh! Si motrat.
Mu lut ta merrja në telefon
patjetër.

E dashura
më porositi për një bizhuteri
që unë emrin kurrë
nuk ia kisha dëgjuar.
Shokët më vështronin
me sy të trishtë
e dinin se netëve
kisha për t’iu munguar.

Ika, e s’i thashë gjë nënës
Dherave të huaja
tani endem larg.
Dhe ndjehem në shpirt
krejt i përgjysmuar
se malli më ka brejtur
pak e nga pak.


DASHURI PLANETËSH

Dielli ra në dashuri me hënën
në një gosti qiellore
planetësh
me miq e të ftuar.
Dhe u skuq i tëri
në një skuqje diejsh
tek pa hënën e tronditur
që aq shumë qe zbehur.
I tha fjalë të nxehta
të fisit diellor
të mbushura me afshe përvëluese...

Hëna e refuzoi telegrafisht
në një e-Mail të shkurtër
me gjuhë të ftohtë prej hëne.

...që prej asaj kohe
mijëra shekuj
humbën kuptimin e tyre
Ritualit amëshues të përgjërimit.
Në një dashuri planetësh zemërgur.

E K L I P S

Jetoj nën eklipsin e plotë
të ndjenjës
Prej shekujsh.
Bashkëmoshatar i Adamit
dhe Evës.

VETËVRASJA E XHEK LONDONIT

Dikur,
bota i hapi krahët edhe për ty
si kompensim mospërfilljesh memece
të kohërave që shkuan.
Emri yt dërmoi muret e heshtjes
zhytur në pigmente indiferentizmi
dhe harresa fjalësh.

Marshoi drejt teje
vargu i qëllimtë
prirë nga fama.
me kurora dafinash
dhe piedestale lavdie...
që u thyen
përballë kujtimit
të krahëve të mbyllur.

Vetëvrasja jote,
i vetmi shpëtim zhgënjimesh!!!???

N D A R J E

U thyen vegimet e takimeve të para
Ku humbnim deri në shpërbërje
Si dy kristale bore në ajër.
Tani shoh vetëm shpinën e ikjes
Dhe vështrimin tim të vjedhur
Produkt fluid pendese
Për fjalët e pathëna.

Do të ikim në kahe të kundërt
Si vektorë të zemëruar
Në rendje drejt të tjerëve.
Ti, nuk e di se si
Unë, me imazhin tënd të brishtë
Thyer puthjeve të ftohta.
Atje ku ndarja,
magjistricë ngjarjesh tragjike
pret LAMTUMIRËN.

Ç A S T

Pikëllimin e tij më pëlqen të prek
Tek end veten fijekëputur
Pleksur mëngjesit
me diell të vakët.

Këtë çast.
Vajzat e mia flenë
Mes ëndrrash për të nesërmen
Pa e ditur se ati i tyre
Tinzisht gjumin ua përkund
me ninulla dëshirash
dhe tjerr ashtin e vetvetes,
ashtu, fijekëputur
ngushëlluar
prej përshëndetjes
së tyre mëngjesore
dhe limitit kohor
të çastit.

P E R Ë N D I M

U kris pa zhurmë dita
Dhe në prehër të muzgut ra
Zbehur ndriçimit në ikje
Si një e moshuar
Që pret çastin e mbramë
Përtyp copëza hapësire
në piktakime të kuqërremta qiejsh.

Jam zemëruar me pafundësinë
si koncept më vete
ndaj shpjegimet ia kërkoj perëndimit
flakëruar ditës që vdes,
që rilind
a ringjallet
në amëshim
për të më lënë jashtë loje
në lojën e pavdekësisë
që sërish
të nesërmen pret.


PAS NJË MUNGESE

Pëshpëritën pemët e reja:
-Po vjen një i panjohur.
Thanë fëmijët që luanin rrugës:
-Po vjen një i panjohur.
I tha një gjimnaziste shoqes:
-Po vjen një i panjohur.
E sytë i kthenin të gjithë nga unë.
...veç rrugica e vjetër heshtte.
Siç dukej mendonte.
Të ma falte mungesën...?
Apo të më qortonte.


NË ROZAFË

Atje...
Njerëzit i shmangen legjendës
Si një tangjente gjeometrike
Që nuk shkon dot më larg
se rrethi

... Në rrasht, asht e frymëmarrje
piklon një lot
metamorfozë gjiri.

Kahe zhgënjyese vektorësh
Ngulur në kujtesë mijëvjeçarësh
Prej murimit tënd

Shkelje bese
Ndëshkuar në kështjellë
Si tempull turpi
...Rozafë

KONTAKT DHIMBJEJE

U tkurr muzgu si çelës soli
Hapësira,
pentagram vijash të tejdukshme
mbarsur me tinguj dhimbjeje.

Autoritet i huazuar prej Karuzos
Improvizon skena udhëkryqesh
Dhe pret duartrokitje monedhash

Kontakti me tingujt e tij
Më shumë se një akord
Në mi settima...

D I L E M Ë

Ka kohë që Atje...
mungoj në apelin e ditës,
të muajit , të vitit.
Netëve fle me qyrk faji

Dita më shpie në labirinte
ëndrrash e shpresash
dhe lehtas,
si të dojë të mos më lëndojë
prej qyrkut të fajit
më zhvesh...

...E gjithë kjo lojë tekstilesh
do t’i ngjiste negativit të
mitit Penelopës
nëse ikja ime s’do të qe plakur
më tepër sesa Uliksi i Saj.

A P R I M A V I S T A

Atë çast...
Hutimi i mori për dore në
pentagrame vijash
të epërme,
ku britmat e syve
interpretuan jashtë kufijve
të mbyllur.

Kërkuan pushime të çfarëdoshme
për ritmin e çmendur
të zemrës...
dhe kur nuk gjetën
bënë nota të gjata puthjeje
duke ndjerë brenda vetes
harbimin e gjakut...
dhe laitmotivin e një
simfonie të pambaruar

AMBIVALENCË

Ne mbetëm të huaj
edhe pasi u njohëm e dashur.
Ambivalenca e thënieve të tua
më çoi hullive të ftohta
ku përshkruhet heshtjet e fjalëve.

Tastiera e ndjenjave
mbeti e shurdhët
vetë shurdhëritë e gjata
më shpien hullive të ftohta
ku përshkruhen heshtjet e tingujve.]

Vetëtimat e shikimeve
në fushën e gjakosur të zemrës
shkruan mesazhe të pakuptimta
e më çuan hullive të ftohta
ku përshkruhet heshtjet e dritave.

Përjetësisht i dashuruar
do të mbetem
me ambivalenten e heshtjeve
përderisa mbetëm të huaj
edhe pasi u njohëm,
e dashur

l.lekaj@mail.gr

Nuk ka komente: