e diel, gusht 24, 2008

Robert Martiko: I Braktisuri

Faruk Myrtaj





Braktisja e fëmijës është e fundit, më e dhimbshmja, në radhën e pamundësive të femrës për të realizuar nënën. Diçka që vështirë se falet, vështirë se justifikohet. Sepse vihet në dyshim instikti i saj, që është natyral.
Por në këtë jetë-rropatje na ka ndodhur edhe një braktisje tjetër, jo më pak e dhimbshme, por shumë më e gjerë: nuk i bëhet vetëm një fëmije, por një populli të tërë, pasi I ke premtuar atij të bëhesh nënë për të.
I braktisuri i Robert Martikos, në leximin tim, është dhimbja e dytë që përfshinë edhe të parën.

Kam pasur rastin të lexoj edhe dy librat e tjerë të Martikos. I quajta “libra” në kuptimin e “veprave”, “punëve”, “prononcimeve apo dëshmive me shkrim”, pa e parë të udhës e as të nevojshme të pohoj përkimin e tyre si realizim në një gjini të veçantë të artit të të bërit letërsi. Gjë që nuk e kam vënë në dyshim qysh në leximet e para të dukjeve të tij internetike. Gjithnjë sipas meje, prania e elementëve filozofikë (shqyrtime, reagime, polemizime) me paraardhës a bashkëkohës, vetëm i shton seriozitet letërsisë. “Dritëhije shpirtrash të humbur” dhe “Flijime të skajshme”, dy librat e mëparshëm të Robert Martikos, ishin më të denduruar me to. Më ndodh ta çmoj e ta shijoj shumë këtë lloj letërsie, jo prej vetisë joshëse të filozofisë, por pikërisht prej thirrjes së saj në ndihmë të artit të fjalës. Në këtë pamje, iu gëzova prozave të para të Martikos me tërë shpirt. Masën e subjektivitetit ma bënte të pakonsiderueshme fakti që as e njihja dhe as kisha lexuar gjë prej këtij autori. Dhe m’u shfaq njëherësh si Shkrimtar.
Disa miq të mi, që tashmë janë edhe të Robert Martikos, për shkak të leximit të tij, në krye të herës hezituan për pak: “a nuk bën pak si shumë përsiatje filozofike ky Martikua yt?! Dhe, a nuk është paksa i vështirë në lexim në librat e tij?!” Ishin të motivuara vështrimet e tyre. Sepse Robert Martiko ka fytyrën e tij, për shkak të jetës së tij. Jeta e njeriut tek krijuesi është stili i tij. Unë jam gati të shtoj edhe më: në librat e Martikos ka jo pak moral. Ai e ka shpallur: Mos e ndërto të mirën tënde në të keqen e tjetrit. Dhe Martiko nuk e ndan Njeriun prej Shkrimtarit. Ka plotë që e ndajnë, por me vullnet të Zotit, nuk shterojnë që s’shterojnë ata që e çmojnë moralin te Njeriu. Dikur i kanë quajtur idealistë. Vazhdojnë t’i quajnë idealistë. Duke nënkuptuar ata që besojnë e mbajnë gjallë shpirtin. E Njeriut. Dhe, për pasojë, të Njerëzimit.
Në dy librat e mëparshëm, ka proza që duhen lexuar ngadalë, ose më shumë se një herë. Janë të rënda. Siç vjen edhe jeta. Nuk të lë të vraposh gjithnjë. Shpesh duhet ulur ritmi, detyrueshëm. Atëherë janë çastet kur nxiton mendimi, meditimi, mendja kërkon të merret në konsideratë më tepër se dora dhe këmba, madje edhe më shumë se zemra. Heronjtë e Martikos janë në shumicë të tillë. Por njerëzit, vetat, personazhet janë farëllojësh, siç i ka ndodhur t’i ndodhin në jetë. Nuk ka qenë e lehtë të jetoje me ta. Por ishte e pashmangshme. Pas tyre, mes tyre, do gëzoje dhe vuaje, prej tyre do inspiroheshe dhe nëse duhej, për shkak të tyre do hiqeshe mënjanë duke pritur që të njohin veten. Mënyra e marrë-dhënies me ta, mendoj se përcakton mënyrë-shkruarjen për ta. Gënjim-zhgënjimet prej tyre, jo më pak se përkushtim-admirimet për ta, pra pësimet dhe përfitimet fizike dhe materiale në këto korelacione, them se janë ato që ngrejnë e mbajnë gjallë devizën e një shkrimtari.
Megjithatë, proza e mbrame e Robert Martikos, “I Braktisuri”, lehtësohet ca prej kësaj prirjeje të natyrshme për autorin. Nëse dy të mëparshmit mbase kërkonin edhe lexim të dytë, libri i mbramë (më shumë roman në kuptimin e parë të fjalës, se vëllezërit e vetë!) është më i drejtëpërdrejtë. Por nuk është më i lehtë-shkruar. Përkundrazi.
Mbase është përpjekje e autorit për të arritur lexuesin aktiv, atë të pranishmin në publik, lexuesin që e shpreh konsideratën e tij. Është dicka e natyrshme. Mbase është kureshtje e autorit për aftësitë e shumëllojta brendavetes. Them se ka pasur sukses. Edhe duke qenë më i qartë. Megjithatë, bashkohem me deklarimin (kur bëhet natyrshëm-jo për pozë) të krijuesve që pohojnë se “nuk janë gati të gatuajnë për të gjithë”.
Te prozat e Robert Martikos të joshin thelbet, më shumë se dukjet; të prekin situatat, më shumë se predikimet. Por, edhe dukjet edhe predikimet, kanë vendin e vetë: ftojnë të bëhesh më i mençur, jo si stoli qytetareske moderne, por pikërisht në arsyen e të jetuarit: të kuptuarin e jetës dhe fenomeneve.
Vini re titujt e tri librave: fare lehtë i vendosa brenda një fjalie. Robert Martiko është papushim Vetja. Kështu e shpreh afërsinë apo distancën me tjetrin. Gjithësekush, e gjen veten natyrshëm diku në këtë fushë të ngarkuar elektromanjetike.

Romani “I Braktisuri” arrin të lexohet si një ngjarje reale ndodhur në ëndërr. Ose si një kllapi e makthshme që vetëm si ëndërr mund të besohet. Pra, si një jetë që shkrimtari e mozaikon si art që meriton sy e vesh dhe zemër. Zemër që rreh vrullshëm përmes shfaqjes si arësye.
Tërë mjedisi, vetat-karakteret, ngjarjet, shkak-pasojat, janë thellësisht të identifikueshme. Është Shqipëria reale. Jo ajo e predikuara, as ajo e ofruara për konsum lavdie dhe pushteti të Numrave Një. Është, për fat të keq, Shqipëria e izoluar nga bota dhe e braktisur prej një ideologjie të panatyrshme, dhe prej një nëne që vetëm jetë nuk lind e as respekton dot jetë: autori nuk ngurron ta artikuloj shkoqur: nëna Parti. Duket sikur fjala e (pa)zgjedhur drejtëpërdrejtë bën të kërcënojë edhe mjeshtërinë e rastit, por a nuk është e vërtetë që edhe arti paguan çmimin e vetë? A e motivojmë dot predikimin justifikues të ndokujt “për të shpëtuar letërsinë, kur nuk shpëtohej dot njeriu”?!
Përgjatë prozës në fjalë, kemi paralelisht me Atdheun e braktisur prej tërë Botës, veçanërisht prej Perëndimit të ëndërruar pambarimisht, edhe një fëmijë të braktisur prej nënës natyrale. Braktisja merr vlerën maksimale të dhimbjes. Nëna natyrale nuk respekton dot as edhe instiktin fiziologjik. Së paku nuk shfaqet ndryshe. Nuk arrin të shfaqet nënë.
Ndërkohë tjetra, e shtirura si nënë, e ushtron braktisjen pa mëdyshje, pa dhimbje. E mban popullin në një situatë naive, prej fëmije. Një fëmijë pa fëmijëri, një rini e parealizuar, dhe një burrëri e drobitur. Nëna ideologjike është gati ta sakrifikojë për hir të egos së vetë: e ka lënë të izoluar prej botës, ia ka vogëluar e mbyllur jetën, është gati ta humbas edhe fizikisht.
Ardhja e sovjet(ikë)ve në një qytet të bregut dhe porosia e autoriteteve për të mos ua prishur, edhe nëse ata prekin vajzat e gratë e vendasve, është vetëm një shkas për të vizatuar tablonë e madhe. Tërë ajo krenari kombëtare, ajo mburrmë me historinë e madhe, ajo vetëlëvdatë krenarie dhe rezistence vjen e tretet si kripë në ujë. Secili gjen veten, bënë jetën e vetë, të reduktuar në përditshmëri, aq sa autori duket se vetëm përshkruan. Rrënimi ka ndodhur në majën e piramidës, gjersa zbret si detyrë ideologjike gjer poshtë. Mjerimi material dhe shpirtëror janë tashmë art i pastër, sidomos në këtë distancë kohore. Varfëria është e gjithëgjendshme (janë pikëlluese kujdesjet e gjyshes për të ushqyer dhe veshur nipin jetim nga babai dhe braktisur nga nëna e tij), por amoraliteti, servilizmi, spiunllëku, mungesa e dinjiteteve dhe kokëulja masive janë shokuese, ngjethëse. Martiko vizaton lehtë, sikur vetëm regjistron, por kamera sheh me syrin e mjeshtrit.
Citimet e Yzlos janë të gjitha nga burime sovjetike, gjeneralësh rusë, por edhe rrugët emërtohen “Dolorez Ibarur”, “Xherxhinski”, “Julius Fuçik”, goma e këpucëve të heroit të librit është çekosllovake, edhe pse fqinja jevgë Amritë mezi ka siguruar ca valvolinë të përdorur prej oficinës dhe me të lanë kokat e fëmijëve që vuajnë nga qerja. Duket se gjithcka rropatet e rëndomtë, ofiçina shtynë ditët me javashllëkun proverbial “ata bëjnë sikur na paguajnë, ne bëjmë sikur punojmë”, pjesët e ndërrimit janë sërish të vjetrat, deri në rrënim të makinerive. Kujt nuk i kujtohen të djelat vullnetare, si privime të ditës së shtatë kur edhe krijuesi i Madh pushoi? Apo nëpunësit e aparatcikët e neveritshëm, që dilnin vetëm për nja dy orë, na buzëqeshnin dhe iknin parakohe, teksa ne të tjerët vazhdonim punën, domethënë procesin e të munduarit deri në rraskapitje? Njeri nga personazhet, Arvili, përgjon prej një vrime dollapi-garderobë këmbë vajzash me kilota të zbardhura, të gjithë përgjojnë të gjithë, bëhen ditë për ditë e më shumë të dhunshëm, dhe dashuria bëhet përditë e dicka më e panevojshme. Gjersa rrëfyesi, që ka qenë në burg për gjëra oridinere fillimisht, shkon e gjen prehje kur futet në hapësirën e ngushtë të varreve...
Atmosfera është thjesht gri...por shfaqet një i pazakonshëm, një qenie e çuditshme për atë realitet të vrazhdttë e hakërrues, Hoakim quhet, që inspiron. Situata në prozë merr dritë, bashkë me rrezikimin e përhershëm. Uni rrëfyes humbet atu-në e oridinerit. Madje ndjen të shndërrohet në armik politik. Madje, ca më vonë, në vrasës të marinsit sovjetik. Vetëm Hoakimit ia rrëfen të gjitha momentet-gati ëndërrorë të vrasjes së tij: me përjashtim të daljes së hënës! Dhe ai: Mos e konsidero veten kriminel...
“Është ai që më krijoi elementët e parë të ndërgjegjes. Kjo është arësyeja që megjithë fjalët e tij inkurajuese, nuk e ndjej veten të pastër”, shprehet ai.
Teksa përshkruan ndodhinë në fjalë, që është linja vertebrale e romanit, lexojmë: Në të vërtetë, prej meje, gjithcka kishte ndodhur padashur. Hoakimi më ka shndërruar në njeri të lirë. Nuk ndjehem aspak i fajësuar për turpet e bashkëatdhetarëve të mi. Secili përgjigjet vetë për veprimet që bën. Fjala vjen, në castin kur sulmova marinarin, nuk u nisa për të vënë në vend një nder të caktuar. Por thjesht, për të ndihmuar një njeri në nevojë...Mund të quhem në këtë mënyrë: njeri i lirë....Madje, aspak në stilin e Mersosë së Kamysë....Kurajua e individit duhet përdorur për të ndricuar njerëzit...”
“Jo pak herë i kërkoja Hoakimit llogari se përse shumica e shkrimtarëve nuk i vrisnin personazhet e tyre, por i çonin deri në nj farë pike...” Vijonte buzëqeshja e Hoakimit por “kur rastisi të më flasë për mizorinë e barkut të pangopur me bukë, përzier me paditurinë e njeriut të ligë, e paraqiti atë si më të tmerrshmen e të gjitha egërsive të shfaqura mbi rruzullin e tokës”.
Tërë libri është trokit-e-zgjo. Edhe pse fillimisht Hoakimi, pastaj edhe Rrëfyesi, personazhi kryesor, janë të vetëdijshëm se vetëdija dhe vetëdijësimi i të tjerëve, “personaliteteve të shfytyruar”, ishin njëherësh shumë të rrezikshëm. Pas ngjarjes tek Kodra e Varreve filli s’mund të mos mblidhet në kahen nga e cila shkon rrokopujthi tërë shoqëria e kalbur.
Dëshmitarët në gjyqin e tij kanë fustane ose këpucë të reja. Janë ata që duartrokisnin në pritjen për sovjetikët, se ashtu u kishin thënë. Dhe sërish, jeta përshkruhet si e parë më parë në ëndërr, ose si e jtuar së dyti, më thellësisht, në ëndërr. Është sozia e të ndjerit më mirë në e më sigurt në varr, së gjalli, se në shtëpi njeriu.
Nënat, në të dy trajtat e përmendura, nuk duken më. Edhe pse fëmija rritet e moshohet, mbetet me përfytyrimin e dikurshëm, të moshës deri në 6 vjeç për të. Deri në fund beson e shpreson t’i gjendet, së paku sa për ta parë e për ta puthur për herë të fundit; e pret në atë qelinë e posacme, ku vjen edhe njeriu që i ka zënë vendin babait të vdekur i pandihmuar në aksident.
Edhe aty, në prag të lamtumirës së fundit, prej njerëzve të nënës parti i ofrohet shpëtimi, me kushtin për tu bërë spiun! Ndryshe, ndryshe nuk ka asnjë shans të mbetesh në këtë botë.
“Por, natyrisht, nuk është vetëm çështje genesh, por edhe edukate”, lexojmë te kjo prozë e Martikos.
Hoakimin e kishin vrarë një ditë më parë. Kohën e mbetur vendos t’ja dedikojë atij. Koha e mbetur s’është vetëm e një njeriu. Është e njerëzimit. Atij që është. Me problemet e veta. Proza e Martikos nuk është thjesht një kujtesë e asaj që ndodhi aq përbindshëm sa nuk ka si përsëritet më. Ajo kujton se braktisja e njeriut është e pranishme.

Nuk ka komente: