e shtunë, mars 22, 2008

BUQETA E TRABOINIT TË HARRON NGJYRËN … E FLOKËVE




Nga Fatmir Terziu

Kujto poezinë e madhe të Eseninit për nënën dhe lexo poezinë “Të shkuara” të Traboinit. Lexo dhe sill ndërmend Thomas Hardy’n në “Great Things” [Gjëra të mëdha] dhe rilexo “Tani hymë në Mars” që mban firmën e poetit Kolec Traboini; të vjen si një paralelizëm jetik, jo vetëm si përshtatje. Lexo “Vajza me bishtalec” të Traboinit dhe kujto jo një, por dhjetra poezi të Kadaresë, Agollit, Zeqos, Spahiut … , Sulkuqit, Bales apo Shehut. Të gjitha poezitë janë një model që stilizohet nën duar dhe frymëzime jetike, të gjitha janë një model, origjinal poetik. Kur Traboini i ‘dhuroi’ rreth nëntëmbëdhjetë perlat e strukura nën veladonin e “Floku i kuqërremtë”, të parët që lëshuan sinjalet dashamirëse ishin njërëzit e artit, dhe natyrshëm Vasil Qesari, një nga art-shije-vizion përfqësuesit, që me djersën dhe trurin e tij, ka vite që pushtëzon mendimin e nevojshëm, ka vite që zë vend në pjekurinë e mendimit kritik dhe krijues. Pastaj dhjetra vlerësime, pa përjashtuar edhe atë që shkrimtarë dhe poetë me emër e rikthyen dhuratën e Traboinit si një këmbim-shërbim intelektual. Por ajo që më shtyu të veçoj në shkrimin tim është detaji që gjendet në mënyrën e paraqitjes së poezisë nga Traboini. Veç vlerave që mbart ajo, veç vlerave origjinale poetike, poezia e Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e zbukuruar për të nusëruar, jo e masakruar, e peneluar me një shije dhe një dashuri të cilën një njeri i dashuruar hershëm me artin mund t’a bëjë. Natyrshëm, poezia e Traboinit kërkon vëmendje më të madhe, dhe këtë me kënaqësi duhet t’ia përkushtojmë. Nisja është një anë tjetër për një thënie të njohur, ja fillimi, ja ku filloi, ajo që në fakt ka filluar hershëm, kur emra të shquar të letrave shqipe kanë thënë e stërthënë me tonelata fjalësh për poezinë dhe krijimtarinë e Traboinit. Këto thënie ia dhurojmë buqetës poetike të Traboinit që erdhi në ditë të shënuar, dhe jo atij fillimi që ne e quajmë një nisje, vetëm një nisje… per poezine e nje rruge teper te gjate.

Nuk ka komente: