"Kosova është një rast absolutisht unik dhe nuk përbën kurrfarë precedenti të ri, as të rrezikshëm", deklaron historiani i njohur britanik Noel Malcolm. Në një intervistë për BBC-në, autori i librit "Kosova - një histori e shkurtër", thotë se e ardhmja e Kosovës duket se do të vendoset brenda gjysmës së parë të këtij viti. Akademiku britanik tha se "Shqipëria e Madhe" është një kërcënim fals që përdoret si kërcënim kundër pavarësisë së Kosovës.
- Zoti Malcolm, kur mund të pritet zgjidhja e statusit të Kosovës?
Noel Malcolm: Duket sikur e ardhmja e Kosovës do të vendoset brenda gjysmës së parë të këtij viti. E di që është e lehtë të jesh shumë optimist për këtë çështje, por nuk duhet nënvlerësuar kapaciteti i diplomatëve dhe politikanëve ndërkombëtarë për të shpikur më shumë vonesa e taktika, për të shmangur vendimin e fundit. Megjithatë, pas deklaratës së Presidentit Bush në Tiranë, në qershor të vitit të kaluar, dhe pas shenjave të qarta që janë dhënë nga lojtarët kryesorë ndërkombëtarë në këtë situatë, mendoj se është mjaft e qartë se brenda pak muajsh do të kemi njohje të Kosovës së pavarur nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, e kur kjo të ndodhë, Kosova do të bëhet e pavarur.
- "Kosova - zgjidhje mund të jetë vetëm pavarësia" është titulli i një artikulli të shkruar prej jush në vitin 1998 në Britani. Atëherë, në fakt, mund të ketë pasur plot politikanë ndërkombëtarë që nuk ia kishin dëgjuar as emrin Kosovës. Pse ishit i sigurt që atëherë se pavarësia ishte zgjidhja e drejtë për Kosovën?
Atëherë isha i sigurt për të njëjtat arsye që jam i sigurt edhe sot. Praktikisht, nuk ekziston asnjë mundësi tjetër serioze për stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo u bë e qartë në vitet '80-të. U bë e qartë qëkurse erdhi në pushtet Millosheviçi, që ky territor nuk do të trajtohej si pjesë normale e qeverisjes nga Beogradi. U bë krejtësisht e dukshme që e ardhmja e shqiptarëve të Kosovës do të sigurohej vetëm në një shtet të pavarur kosovar. Gjithçka që ndodhte pasi kisha shkruar ato fjalë në vitin 1998, veçse ma forconte bindjen për pavarësi, megjithëse kisha qenë i bindur për këtë.
- Megjithatë, edhe sot nuk mungojnë argumentat pro dhe kundër pavarësisë. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë hiç më pak se pavarësi, serbët e barazojnë pavarësinë me destabilitetin e Ballkanit, ndërsa rusët flasin për të ashtuquajturin precedent. A pajtoheni ju me qëndrimin e shqiptarëve se Kosova është rast unik?
Unë mendoj se në një kuptim të rëndësishëm, Kosova përbën një rast unik. Në një këndvështrim tjetër, po kaq të rëndësishëm, duhet të kuptojmë se ajo nuk krijon ndonjë precedent të ri. Kosova është një rast unik, për shkak të asaj që pamë në vitin 1999. Ne pamë aparatin shtetëror të një shteti modern europian, pra shteti Serbi e Mal i Zi që kishte mbetur nga ish-Jugosllavia, të përdorej për përzënien e një përqindjeje të madhe të popullsisë së një territori. Ai aparat i dëbonte, u griste dokumentat e identitetit, me qëllimin e qartë për të mos i lejuar të kthehen më. Që prej vitit 1945 nuk kishim parë gjë të tillë në Europë. Kjo ishte gjë e jashtëzakonshme, që gëzoi popullaritet në radhët e serbëve të zakonshëm. Ku ishin marshimet e mëdha të protestës nëpër rrugët e Beogradit kundër dëbimeve? Thjesht, nuk pati të tilla. Sikur Millosheviçi të kishte pasur sukses në manovrat e tij, ai do të kishte gëzuar popullaritetin e njerëzve të vet. Kjo më bën të mendoj se mungon legjitimiteti themelor demokratik në rastin kur Beogradi pretendon ndonjë të drejtë morale për të qeverisur Kosovën. Kjo, pra, e bën Kosovën një rast absolutisht unik. Por qasja tjetër që nuk është theksuar sa duhet, ka të bëjë me faktin se në Jugosllavinë e vjetër Kosova ishte një nga njësitë e sistemit federativ. Ndaj them se nuk kemi të bëjmë me ndonjë precedent të ri. Ne po ndjekim precedentin e vjetër, sipas të cilit, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnja u bënë shtete të pavarur, sepse edhe ato ishin njësi të federatës. Ajo federatë u shpërbë, u prish krejtësisht. Ky është interpretimi zyrtar i asaj që ndodhi. Kjo do të thotë se nuk është diçka që do të ndodhë në Turqi me kurdët, sepse Turqia nuk është federatë, por edhe po të ishte, nuk po shpërbëhet. Kjo gjë nuk do të ndodhë as me baskët në Spanjë. Me fjalë të tjera, Kosova nuk krijon precendë të rrezikshëm në të ardhmen, por ndjek një precedent korrekt tashmë të përcaktuar me shpërbërjen e Jugosllavisë.
- Kur Kosova ta shpallë pavarësinë e, sikurse ju parashikuat, të njihet nga fuqitë e mëdha perëndimore, disa mund të friksohen se me krijimin e dy shteteve shqiptare, Shqipëri e Kosovë, do të prishet ekuilibri në Ballkan. Mendoni se ka bazë për një shqetësim të tillë?
Unë nuk shoh ndonjë rrezik apo kërcënim në këtë mes. Në fillimin e viteve '90-të, kur Moldavia po përcaktohej si një shtet i pavarur, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, mund të thuhej se 'ky është një kërcënim i tmerrshëm për rajonin', sepse Moldavia përbëhet kryesisht nga popullsi rumune e po na krijoheshin dy shtete rumune. Është interesant, se në atë kohë shumëkush priste që Moldavia të bashkohej me Rumaninë. E prapë askush nuk mendoi se kjo do të përbënte ndonjë katastrofë për rajonin. Që prej asaj kohe, kemi dy shtete fqinjë, Rumani e Moldavi, ku flitet rumanisht. Mos e kanë shkatërruar ato ekuilibrin e sigurisë në rajon? Sigurisht që jo. Fakti është që ne kemi disa miliona shqiptarë në Shqipëri e disa milionë shqiptarë në Kosovë. Kjo gjendje do të vazhdojë, pavarësisht statusit zyrtar, pavarësisht kufijve. Rreziku lind vetëm nëse ata kanë ndonjë arsye politike për të kërcënuar apo bërë luftë me fqinjët. Unë nuk shoh arsye të tilla. Prandaj edhe nuk e shoh fare as rrezikun.
- Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në gjithë rajonin po kërkojnë integrim euro-atlantik. A nuk është kjo dëshmi se frika nga "Shqipëria e Madhe" është thjesht një mit?
Gjithë diskutimet për "Shqipërinë e Madhe" që kemi dëgjuar gjatë viteve të fundit janë zhvilluar nga politikanë të vendeve të tjera, që përpiqeshin të ngrinin kundërshti për statusin e Kosovës. Unë mendoj se ky është një kundërshtim fals. Në të vërtetë, dy herë fals. Së pari, sepse unë besoj që, edhe nëse Kosova e Shqipëria bashkoheshin, kjo nuk do të sillte ndonjë kërcënim për vendet fqinje. Së dyti, sepse, sinqerisht, nuk mendoj se ky është skenar realist. Unë mendoj se varet shumë nga se si u shtrohet pyetja njerëzve. Po t'i pyesësh shqiptarët nëse janë bërë gabime dhe padrejtësi gjatë përcaktimit të kufijve në vitin 1913, sigurisht që do të thonë "po". Nëse i pyet se a u pëlqen ideja që një ditë, në të ardhmen, gjithë shqiptarët të jetojnë së bashku në një shtet, mendoj se thuajse gjithë shqiptarët do të thonë "po". Por nëse i pyet se a do të votonin nesër për t'u bashkuar e për t'u qeverisuar nga një qeveri e përbërë kryesisht nga shqiptarët e anës tjetër, mendoj se përgjigjja e ndershme e shumicës do të ishte "jo, për këtë nuk do të votoja që nesër"! Unë sinqerisht besoj, se, pas pavarësimit të Kosovës, nëse do të organizoheshin referendume në të dyja anët, nuk do të kishim votim pro një Shqipërie të bashkuar. Unë mendoj se kjo tezë është përdorur si një lloj kërcënimi kundër mundësisë së pavarësisë së Kosovës, po që mendoj se është një kërcënim fals.
Nuk ka komente:
Posto një koment