Çfarë do t'u thoshe kineastëve të rinj?
Të bëjnë filma sa më shumë shqiptarë, me tematikën dhe karakterin tonë. Duhet të përjetësojnë këto momente dramatike e të dhimbshme. Por nga ana tjetër ndjej dhe kënaqësi kur shoh pallate, rrugë të reja dhe Tirana po merr përmasa të tilla që po çudisin edhe të tjerët.
Takimi për 75-vjetorin e tij është më shumë se urime të ardhura nga kolegë. Teksa shkojnë njëri pas tjetrit të thonë dy fjalë për Hysen Hakanin, natyrshëm kujtimet marrin udhën. Salla e vogël e Teatrit Kombëtar kthehet në një hapësirë nostalgjike për vitet që kanë lënë pas. Regjisori i filmave "Debatik", "Toka jonë", "Njësiti gueril", "Oshëtimë në bregdet", "Cirku në fshat", "Mysafiri" etj, kujton dhe njëkohësisht tregon pengjet që i kanë mbetur.
Festoni 75 vite jetë. Si ndjeheni në këtë përvjetor?
Njeriu aspiron të bëjë gjëra të mëdha. Unë kam bërë aq sa kisha mundësi në ato rrethana që ishin, por pata punuar me zell dhe shpirt dhe hera-herës duke qenë koshient se shumë gjëra nuk do të mund t'i bëje dot ashtu siç i përfytyroje. Megjithatë, jam krenar jo vetëm për punën time, por për atë çka është pasqyruar përmes saj. Fakti që ne kemi një popull vital, i cili është gati të japë gjithçka për ekzistencën e këtij trualli të admirueshëm dhe që na e kanë zili plot nga komshinjtë rreth e rrotull.
Për gati një orë, në ekranin e vogël kaluan filmat që ju keni bërë ndër vite. Ndjetë nostalgji?
Jo vetëm nostalgji. Çdo plan filmi të kujton se sa mund është dashur për ta realizuar atë skenë dhe sa me pasion që e merrnim punën. Ishin hapat e para të kinematografisë dhe pikërisht kjo duhet çmuar. Ne kineastët e parë kemi qëlluar në shenjë dhe i kemi hapur rrugën kolegëve tanë që erdhën pas nesh. Kur po shihja filmin "Debatik", m'u kujtua kur ai është shfaqur në vitin 1985 në Itali, duke u konsideruar si filmi më i mirë shqiptar. Unë kam parë gjysmë fshehurazi një material për të, ku thuhej se "është një film i mbështetur në truallin amtar, film që është i përshkruar fund e majë me poezi, ku regjisori njeh shkëlqyeshëm gjuhën kinematografike dhe film që është vazhdë e denjë e neorealizmit italian". Ky ishte vlerësimi më i lartë që mund të më bëhej në atë kohë, kur neorealizmi ishte rryma më e ndritur për të gjithë botën. Sot ndjehem krenar, pasi i shoh filmat dhe nuk kam pse ul kokën. Pavarësisht se si ishin rrethanat, kemi bërë aq sa mundnim dhe hera-herës jashtë forcave tona.
Ju ndodh që t'i rishihni filmat tuaj?
Ndodh, por kur i sheh pas kaq kohësh, sigurisht që i sheh me një sy tjetër.
Si janë ditët tuaja sot?
Unë përpiqem t'i marr jetës frutet e vona, pasi tani jam si një fletë e zverdhuar dhe pres që një ditë furtuna do të më marrë dhe dua të lë diçka nga personaliteti im. Shkruaj vjersha dhe merrem me ca punë shoqërore. Vjershat më japin mundësi që nuk m'i ka dhënë kinematografia. Kam mundësi të shkruaj mbi tematika që zgjedh vet. Së shpejti do të dalë libri i tretë i titulluar "Skaner". Është skaner për ditët që jetojmë sot. Nuk ka shpirt artisti që të rrijë indiferent para gjithë këtyre ngjarjeve të mëdha që ndodhin në vendin tonë.
Keni pishmane?
Ka plot pishmane. Plot filma i konceptonim ndryshe dhe ishim të detyruar t'i bënim siç kërkoheshin. Kisha dëshirën që të bëja vet një film tani dhe kam pasur një skenar të shkëlqyer, por nuk arrita dot ta bëj për arsye ekonomike.
Ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të shkruani kujtimet e shesh-xhirimeve?
Shumë veta më kanë pyetur për këtë dhe do të mundohem ta mbyll edhe këtë borxh. Madje dua të falënderoj gjithë familjet tiranase dhe durrsake, që na kanë pritur kur Kinostudio nuk kishte atelie dhe ata i shndërruan shtëpitë e tyre në të tilla. Rrinin me ne deri në 1-2 të mëngjesit dhe jo vetëm që nuk dëshpëroheshin, por të nesërmen prisnin të merrnin vesh si kishte shkuar xhirimi.
Çfarë do t'u thoshe kineastëve të rinj?
Të bëjnë filma sa më shumë shqiptarë, me tematikën dhe karakterin tonë. Duhet të përjetësojnë këto momente dramatike e të dhimbshme. Por nga ana tjetër ndjej dhe kënaqësi kur shoh pallate, rrugë të reja dhe Tirana po merr përmasa të tilla që po çudisin edhe të tjerët.