e hënë, dhjetor 31, 2007

PASQYRA

















Nga Fatmir Terziu

Hapësirën qiellore e pranoj si vesh
Galaktikën si një pjesë të fytyrës
Ëndërr, syhapur që ngjizet peshqesh
Në iluzionin tim para pasqyrës.

Pastaj tentoj të zbres yjet
Hënën, Diellin, Gjithësinë
Aty ku floku im krihet
Aty ku shikimi im ngrin.

Kush e shpiku pasqyrën?
Kush ia dha Arkimedit në dorë?
Të mbledhë në një pikë dritën,
E të bëj anijet blozë?

Kush ua dhuroi vajzave magjinë
T’i falen përditë bukurisë
Të duken si lule në çdo stinë
T’i thonë zhduku dhe pleqërisë?

Pyetje që më bëjnë xheloz
Pyetje që veç më vrasin kohën
Aty ku shoh veten qeros
Aty ku s’e qas më modën.

Aty tani kam pak hapësirë
Edhe pse iluzionet shkojnë e vijnë
Aty ëndrra ime ka ngrirë
Aty kam lënë pas rininë.

Hapësirën kristalore e praroj dhe qesh
Teksa kaltërsinë ia ngul retinës
Ëndërr, syhapur që më mbeti peshqesh
Nga koha rinore para pasqyrës.

Nga vellimi i ri poetik: KALTERSI

Nuk ka komente: