Rreth 17 vjet më parë në Shqipëri, pikërisht më 21 Dhjetor 1990, filluan të hiqen bustet e Diktatorit Sovjetik, Josif Visarianovic Stalin. Bustet e Stalinit mbaheshin dhe mbroheshin me ligj në vendin ish komunist të Ballkanit, ku sundonte PPSH, partia e Komunistit Enver Hoxha. Bustet e tij, më së shumti paraqisnin një figurë ushtaraku me mustaqe dhe me lludhë. Ato vendoseshin pranë shkollave të Lira Ushtarake dhe në Garnizone.
Po pse u zgjodh pikerisht 21 Dhjetori...
Shumë pak qytetarëve mund t'u kujtohet se sot është ditëlindja e Stalinit, një datë e harruar përgjatë këtyre 17 viteve, por që gjatë gjysmë shekullit të diktaturës përkujtohej në çdo vit, në mënyra të ndryshme festive. Shumë nostalgjikëve që militojnë sot në PS apo Partinë Komuniste u kujtohet kjo datë dhe protesta e sotme e Ramës, sipas tyre, nuk është një rastësi, por lidhet pikërisht me këtë simbolikë të një prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia njerëzore.
Opozita bën thirrje për mbajtjen e një proteste pikërisht më 21 dhjetor, datë e cila shënon ditëlindjen e diktatorit famëkeq të komunizmit, Joseph Stalin. Shumëkush mund ta konsiderojë përputhjen e këtyre dy ngjarjeve si koincidencë, por nostalgjia dhe simpatia që Edi Rama ka manifestuar ndaj "heronjve" të diktaturës së proletariatit, shuan çdo dyshim se organizimi i protestës pikërisht në këtë ditë është vetëm rastësi. Përveç kësaj, edhe mjaft slogane të Ramës apo shëtitjet e tij sa në njërin fshat në tjetrin të kujtojnë takimet "gju më gju me popullin" të diktatorit Hoxha. Deklaratat e Ramës për riciklimin e figurave të komunizmit apo tentativat e disa mediave pranë tij për të mohuar dhunën dhe terrorin e tmerrshëm të ushtruar ndaj qytetarëve nga diktatura komuniste, janë ende të freskëta në mendjet e opinionit publik. Edhe vetë nostalgjikët e regjimit komunist e shohin me simpati këtë "rastësi" të qëllimshme të zgjedhur nga kreu socialist.
Por, përveç përkujtimit të ditës në të cilin lindi diktatori i madh i ideologjisë dhe terrorit komunist, protesta në prag të festave është gjetur si një justifikim nga kreu i PS-së, për të mbyllur bilancin e dështimeve në drejtimin e partisë. Organizimi i një proteste të tillë po përdoret si instrument për të amortizuar sadopak valën e kundërshtimeve që po zien përbrenda radhëve të socialistëve, që nga selia qendrore deri në bazën më të largët të partisë. Metodat diktatoriale, shkelja e vazhdueshme e statutit të partisë, përqëndrimi i pushtetit vetëm në duart e kryetarit dhe përjashtimi nga radhët e partisë të atyre që mendojnë ndryshe, kanë irrituar bazën socialiste, e cila shpeshherë nuk ngurron ta krahasojë Ramën me diktatorin komunist Hoxha.
Protesta u gjet si e vetmja rrugëdalje për t'i shpëtuar një analize në fund të vitit, për arritjet apo mosarritjet e Partisë Socialiste në opozitë. Shumë përfaqësues socialistë në forumet e larta të saj e kanë akuzuar Ramën se nuk ka asnjë platformë për të bërë opozitë, ndërsa kanë kritikuar në mënyrë të vazhdueshme qëndrimet refraktare të Grupit socialist ndaj bashkëpunimit të ofruar nga mazhoranca në emër të reformave. Por, në këtë nismë, Rama po përdor si barkë shpëtimi për interesat e ngushta personale jo vetëm Partinë Socialiste dhe mbështetësit e saj, por edhe aleatët e vegjël të së majtës. Në dy vite të qeverisjes së koalicionit të djathtë, bilanci i Partisë Socialiste, si partia kryesore e opozitës, mbetet regresiv dhe anarshist si në parlament, ashtu edhe në jetën politike. Në dy vjet opozitë, në arkivat e Kuvendit nuk ekziston asnjë nismë ligjore e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, gjë që dëshmon se sikurse në tetë vite të qeverisjes së saj, kjo parti nuk ka asnjë alternativë për zhvillimin dhe integrimin e vendit. E vetmja alternativë, me anë të së cilës Rama është përpjekur të bindë opinionin publik, janë klishetë demagogjike për një politikë të re, ndonjëherë të shoqëruara edhe me terminologji kishtare, siç ishte rasti i enciklikës.
Opozita, edhe në vendin më të zhvilluar të globit, mund të gjejë dhjetra arsye për të protestuar dhe kjo është një e drejtë e garantuar me ligj dhe në praktikë në Shqipëri. Por, fatkeqësia qëndron në faktin se opozita shqiptare po përdoret në mënyrën më të ulët për qëllimet personale e politike të vetëm një personi. Rikthimi i unit në krye të Partisë Socialiste ka çoroditur grupin e saj parlamentar dhe ka nxitur përçarjen në radhët e bazës së partisë.
Lexo ne
Fjala e Lire