e premte, dhjetor 07, 2007

“KRITIKËT E KRITIKËS”


Nga Fatmir Terziu
...Ne do t’i lëmë këtu këta ‘kritikë të kritikës’ të përmallen e të gjejnë të vërtetën e sotme pse edhe Kritika e Re ka fjalën e vet. Ka fjalën e vet të duhur, në kohën e duhur dhe nga lartësia e duhur...A nuk është populli që të vë e të heq festen? Pra jo 'vet-kritikuesit' apo 'vet-kritikët'. Le të shërbej edhe "Tema" e Mero Bazes si një leksion për këta 'kritikë të kritikës' që ende janë në kuozën e ëndërrave. “Mosbesimi nuk është një konditë e këndshme, por siguria është absurde”- thotë Volter.

Më kujtohet ai plak i mençur. Më kujtohen fjalët e tij dhe lotët e tij. Emrin nuk m’a tha, edhe pse iu luta të m’a thoshte. Më doli përpara dhe më kërkoi të falur, që më ndalonte në mes të rrugës. Më zgjati një zarf. Më tha vetëm ca fjalë: “Të njoh bir nga Televizioni, ku punon. Të shoh dhe të dëgjoj me kujdes… Por sot kam dëshirë të jap këtë ndihmë për gazetën ‘Tema’, për kritikën dhe kritikët e saj… Unë besoj se ju mund të më ndihmoni, se besoj, se mund t’i takoni kolegët tuaj në Tiranë…” Kaq më tha atë ditë. Dhe unë ia çova menjëherë amanetin e tij në vend… Më kujtohet ishte mëngjez. Ishte qershor 1998. Ishte e hënë. Ishte ditë pensionesh për lagjen ‘Beqir Dardha’ në Elbasan. Tani sjell ndërmend më mirë, se ç’donte të shprehte ai plak i mencur atë kohë, se ç’donte të shprehte me ato duar dhe me ato buzë që i dridheshin… Ai ishte dashuruar me një të përditshme. Ai ishte dashuruar me analistët dhe kritikët e “Tema’-s, pelqente analizen dhe fjalen kritike te Mero Bazes. Kryeredaktori i nderuar i ‘Tema’-s qe eshte nje nga profesionalistet e gazetarise shqiptare, e di mirë këtë gjë, ndoshta i kujtohet edhe sot.
Nga ajo kohë e deri më sot, jam ndeshur në këtë udhë të gjërë të ‘kritikës’ dhe ‘kritikuesve’ për të gjetur veten, për të gjetur ‘kritikën dhe ‘kritikuesit’. Për pak kohë kisha lënë në heshtje këtë udhë. E kisha lënë pa shkelur. E kisha lënë të tillë, se rruga të shpie gjetkë ndonjëherë, në stacione të padëshiruara ose të paparashikuara.

BABALLARËT E ‘KRITIKËS’ (?!)

Ka kohë që ‘ustallarët’ e një mentaliteti të mykur tentojnë të zgjohen?! Mosbesues e te pasigurte ne misionin e tyre. Mosbesim? Siguri? “Mosbesimi nuk është një konditë e këndshme, por siguria është absurde”- thotë Volter. Ende flejnë diku nën jorganin e shtruar hershëm? Flejnë e gërhasin. Flejnë e shohin ëndërra. Shohin ëndërra me ‘kritikë’ realë, dhe bëhen kritikë ‘realë’. ‘Kritikojnë në heshtje, kritikues pa fjalë! Kërkojnë masha për të mos djegur duart, duke prekur në sedër ‘izmeqarët’ e moçëm. Rrëmojnë në kohë! Koha e ëndërimtarëve ka thirrur në skenë ‘izmeqarë e ustallarë’ në një front, në një podium thurjesh e linçimesh të ëndërrave. Vetë shohin ëndërra vetë thurrin ëndërra! Tamam si në orrigjinë, tamam si në orrigjinë… Po cila është kjo orrigjinë? A kanë ndonjë orrigjinë këta ‘kritikë’ të kritikës që kërkojnë me qiri t’a gjejnë? Interneti? Ai nuk është orrigjinë e tyre, edhe pse ‘zogjtë’ e tyre janë metastaza të kësaj epidemie që po pushtohet nga vetë ata. Ata janë kritikë? Ata i kanë shpëtuar plagjiaturës. Ata s’kanë ‘plagjiaturë’, pra vjedhje të mundit, veprës dhe trurit të të tjerëve?! Ata kanë një udhë, udhën e ‘kuqe’ që lind aty ku lindi dhe zgjohet aty ku rrjeshtat në të kuqen e tyre dalin në sheshin publik, ashtu tamam ‘kritikë’, si ky modeli i pa (kopjuar) i ‘kritikëve’ të rrinj.

QATIPËT E RRINJ ME KALEM TË VJETËR

Qatipët e rrinj me ‘kalem’ të vjetër janë zgjuar nga gjumi. Janë zgjuar nga gjumi, jo s’e u ka dalë gjumi letargjik, por s’e i zgjuan agallarët; agallarët i kanë izmeqarë dhe kështu izmeqari, duhet për rast e pa rast…, izmeqarë e ustallarë në një pazar!
Izmeqar?!
Izëmqar?!
Izëmqarr?!
Oh, qyqar!
Nga sepetët e mykur kanë kohë që rrëmojnë në historinë e tyre të ‘veçantë’ të përçarjes, dhe vetëm llapin. Llapin natën, llapin ditën. Llapin në shi dhe llapin në diell. Shkruajnë në të bardhë dhe nxijnë në të zezë. Bardhë e zi, e zi e bardhë. Këtu një mollë, aty një dardhë. Këtu një zhurmë, andej shumë fjalë. Andej një poterë, këndej të mbesin në derë. Në derë si hije ngatërrojnë prezencën. Prezencën e strukur nën roba të kollarisura, fringo të reja. Palo burra e palo gra! S’ka llaf tjetër aty nga dalin. S’ka shushurimë tjetër veç zërit të tyre, në atë derë, ku s’ka as derë, as dritare, as shenjë për të hyrë. Thjesht një ndasi, një e thënë ndryshe. Aty edhe haletë qeshin me ta. Aty qeshin edhe në hale për ta! Edhe halet u flasin atyre me gjuhën e tyre, me gjuhën e papërtypshme. Hale historike, dalë nga huluçinacione histerike. Hale!
Një erë e ndyrë kundërmon. Në këtë kundërmim korbat e zeza gjejnë shije, gjejnë frymëzim. Frymëzim korbash, apo zogjsh korbash.? Kjo ende s’dihet, vështirë të kuptohet. Ata s’kanë dy shkolla. Ata kanë vetëm një. Kanë shkollën e Korbave. Kanë shkollën e maskaradave. Thuaje shqip po deshe; Korbave aq u bën e zeza. Ajo është ngjyra dhe natyra, është vetë fytyra e tyre.

KONSTRUKTI PARALEL

Principialiteti i konstruktit paralel” për William Strunk, Jr. në The Elements of Style, kërkon që ekspresiviteti i përmbajtjes dhe funksionit të një kritike ose të një shkrimi, duhet të jetë nënshkruar njëlloj. Strunk këshillon që ‘forma mundëson lexuesin të përqafojë’ me më shumë interes përmbajtjen dhe funksionin. Shembujt janë sipas Strunk në “Ten Commandments”, ‘the Beatitudes’ dhe në peticionin e ‘Lord’s Prayer’… Ne do t’i lëmë këtu këta ‘kritikë të kritikës’ të përmallen e të gjejnë të vërtetën e sotme pse edhe Kritika e Re ka fjalën e vet. Ka fjalën e vet të duhur, në kohën e duhur dhe nga lartësia e duhur. Kritika e Re flet me gjuhën e re, me gjuhën e teknologjisë dhe jashtë jorganit apo carcafëve të mbuluar me Fillin e Kuq’, apo me fyllin e Grupit të hershëm ‘baritor’.
Fjalët e pakta e të mençura të plakut elbasanas, le të na zgjojnë pak kujtesën, le të çojnë aty ku duhet të nis kritika, aty ku duhen gjetur kritikët. A nuk është populli që të vë e të heq festen? Pra jo 'vet-kritikuesit' apo 'vet-kritikët'. Le të shërbej edhe "Tema" e Mero Bazes si një leksion për këta 'kritikë të kritikës' që ende janë në kuozën e ëndërrave.

Lexo: