Nga Fatmir Terziu
Një rrufe preu si me sëpatë andej nga kurrizi i Reçicës. Pastaj një ulërimë e madhe jehoi dhe u shpërnda deri andej tutje, ku qafa e gjelbërt qëndron si një shall nën hijen e shapkës së Sharrit. Atë muaj sapo kishte pushuar në fakt gara e rrufeve me bombat që vinin nga ajri aty në kufirin ndarës së Kosovës me Maqedoninë.
-Kjo ndoshta është rrufeja e fundit, - tha Teuta dhe përsëri vazhdoi të hekuroste rrobat aty në atë kënd të dhomës së ndejtjes.
-Ndoshta, e fundit – shtoi Davidi, që vazhdonte të turfullonte mbi metodat analitike të diagnostikimit të sëmundjeve në atë libër të cilin ai kurrë se pëlqeu qëkur e bleu në libraritë e Torontos, vetëm pesë muaj më parë.
Pastaj prapë si në fillim. Qetësia e dhomës prishej herëpashere. Prishej vetëm nga shfletimet e faqeve të librit dhe nga zhurma karakteristike që lëshonte avulli që dilte nga hekuri i hekurosjes. Nga jashtë hynin zhurma të rradha. Herë dëgjohej ndonjë piskamë makine dhe herë ndonjë cicërrimë zogu në ikje e sipër. Nga dritarja e asaj dhome faqja lindore e malit të Sharrit dukej si në pëllëmbë të dorës. Ajo herë reflektonte ngjyrë gri në të bardhë bore e herë në ngjyrë ari. Vjeshta dukej sikur kishte sjellë në ato anë dy stinë përnjëherësh. Nën këmbët e asaj faqeje të larmishme ngjyrrash ndodhej edhe spitali ku punonin të dy. Teuta kishte gati tetë vjet që punonte në spital, ndërsa Davidi, thuajse kishte vitin e dytë. Të dy në fakt u dashuruan çuditshëm...
-1-
Atë ditë kolektivi i spitalit kishte një festë. Një nga mjeket e departamentit të Kirurgjisë ku punonte Teuta kishte ditëlindjen e saj të 35-të dhe stafi i spitalit kishte vendosur që t’ia organizonte festën e ditëlindjes së saj në mënyrë kolektive. Festa ishte në të mbaruar, kur një telefonatë prishi paksa qetësinë. Ishte telefonata e drejtorit të spitalit që i kërkonte Teutës një ndihmë. Diku në të dalë të Tetovës, në një banesë private ku banonte me qira Davidi, mjeku Kanadez, që kishte ardhur të ndihmonte spitalin e Tetovës, kishte shpërthyer uji dhe kishte përmbytur gati gjithshka.
-Shtëpia ku banon me qira mjeku nga Kanadaja, është përmbytur nga uji. Uji ka pushtuar gati çdo mjedis të saj, çdo dhomë, çdo orendi. Shtëpia është e pabanueshme, - i tha drejtori, Teutës në telefon.
-E pabanueshme?- pyeti Teuta.
-Po. Por ne vendosëm të të pyesim për një ndihmë. Meqenëse ke disa dhoma në shtëpinë tënde që nuk i shfrytëzon prej kohësh, a ka mundësi t’i afrojmë një ndihmë doktorit…Ai do të paguajë edhe qira të mirë për ju.
-Mirë, e keni menduar juve. Po opinioni ç’do të thotë? Unë jam një grua e re dhe e ve në mes të asaj shtëpie të madhe dhe në mes të një zone ku të tjerrët pa ndodhur gjë të qepin bishtin.
-E kemi menduar atë gjë. Doktori do të jetojë në dhomën e ndarë nga shtëpia juaj, në dhomën që ju e shfrytëzoni vetëm për miqtë dhe ai ka pranuar ofertën tonë. Dhoma është me derë tjetër dhe ka …
-Mirë atëherë qoftë e bërë. Çelësat po ia lë tek dezhurni.
Telefoni u mbyll. Teuta iu rikthye festës, por jo si më parë. Rrinte dhe e vriste mendjen. Qindra bubula mendimesh i qarkullonin në kokë. E mundonte psikoza e thashëthemeve. E mundonte një botë e brendshme dhe e errët.
-Oh, Teuta, ti dukesh si e lodhur?- i tha një shoqe.
-Po, në fakt, jam paksa e lodhur. Jam lodhur duke u turrur sa në laborator e sa në sallë të operacioneve. Ah kjo puna ime. Po hajde të festojmë dhe ia nisi këngës e para. Festa nuk zgjati shumë. Pas gati dyzetë e pesë minutash gjithkush ishte gati të linte sallën festive. Pasi uruan edhe njëherë kolegen e tyre dhe u përshëndetën të gjithë u larguan. Edhe Teuta u largua. U largua, por prapë me një mendje tek fjala që i dha drejtorit për dhomën me qira për doktorin nga Kanadaja dhe një tjetër tek dicka që e gërryente nga brenda si një tendosje mes lodhjes dhe mendimeve që herë mendonte se i vinin kot së koti dhe e lodhnin më shumë. Eh, tha pastaj me vete. Bota, bota ka punën e saj. Le të thonë c’farë të duan. Të gjithë e dinë se cila jam unë. Fundja fundit të njëjtën gjë do të bënte cdokush në një rrast të tillë. Njeriu në nevojë duhet ndihmuar dhe pikë. Paragjykimet janë vetëm paragjykime…
Ajo natë iu duk e gjatë Teutës. Më shumë ndejti syhapur se sa mbylli sytë. Nga larg i vinin zëra të cuditshëm. I zienin mendimet edhe pse mundohej t’i shpërfithte. Por lodhja e këputi aty nga mezi i natës…
E këputi vetëm për një cast, se prapë pas gati disa minutash gjumë, u ngrit menjëherë si e trembur.
-Vajza. Vajza ime e shtrenjtë, foli me vete. Ah c’më bëre more Agim? C’më ndave shpirtin në copa more Agim? Pse s’mu tha ajo gojë atëherë kur unë vendosa bashkë me ty të shkëpusja copën e jetës sime për … Sytë e saj të pushtuar nga lotët e kishin mbuluar xhamin e ftohtë të fotografisë së ish burrit të saj, Agimit, i cili u vra në …
***
Vazhdon…
Në këtë tregim ç’ndodh më pas?
Lexoni në Fjala e Lirë
***
Nuk ka komente:
Posto një koment