Pjesë nga skenari i filmit të ri dokumentar ‘NGËRÇ’ (SPASM), me skenar dhe regji te Fatmir Terziut.
...Me ditë, me javë, me muaj pritëm nën makthin prindëror të shënonim një pikënisje tjetër për jetën tonë, fëmijët tanë, të ardhmen tonë. Erdhëm në atë fillim pranveror nga ai vend i vogël në zemër të Ballkanit me synimin për të harruar ca lotë dhe për t’u bërë pjesë e jetës së lirë, qytetërimit, jetës Perëndimore Britanike. Dy valixhe të ngjeshura me rroba, tre fëmijë për dore dhe një përrua lotësh në faqe. Erdhëm dhe menjëherë në rrjeshtin e madh të emigracionit.
Një emër tjetër për ne; Emigrant! Emigrant në letra, emigrant në strehim, emigrant në Bashki, emigrant në rrugë, emigrant në bibliotekë, emigrantë në shkolla. Fëmijë emigrantësh u quajtën fëmijët tanë.Dy binjakët e vegjël, vetëm tre vjeç atëherë na pyesnin: përse ne s’kemi emër tjetër? Përse nuk kemi më nana, të afërm,… përse nuk… Dhe ne vetëm lotë kishim, lotë që dilnin nga thellësitë e zemrave tona të ndrydhura nga ai rregjim jete, të cilin kurrë nuk e dashuruam për momentin, dhe kurrë s’e deshëm me gjithë shpirt ato çaste hutimi, ato sekonda e minuta që fiksuan tmerrin tonë, të cilin kurrë nuk e shfrytëzuam për një jetë më të mirë, por për hir të jetës së fëmijëve, qënieve të pafajshme të kësaj bote të mbushur me urrejtje, djadhëzi e çmendurina njërëzore. Por ja që fati i njeriut qenka si ai i gjethes vjeshtuke, ku era vallëzon me të sipas dëshirës dhe pastaj fap dhe e shpie andej nga sytë këmbët…, si një ngërç Tamam si gjethja hutaqe! E gjitha nën një emër, e gjitha nën një stres…
Emigracion!
Fabrikë lotësh që lan rrugët
Rrugët, zyrat, gjykatat dhe letrat
Pjellë e një kohe tendosjesh që mbart mbi vete
Makuteritë e reja që mbruhen nga të vjetrat…
Emigrim!
Zhgarravitje mortale e jetës
Rrugëve, shesheve, autostradave, aeroporteve
Aty ku vetë jeta ngrin si një pjesëz
Aty ku ajo i përket vetëm rregjistrit të lotëve…
E diela, e hëna, e marta, e mërkura, e enjtja, e premtja, e shtuna dhe prapë nga e para. Aty nga dritarja ku ke një hapësirë lirie vetëm mendon, hamendëson një jetë që ke lënë pas, dhe një jetë që ke nisur në një rrugë padashje… Nga ekrani i vogël të vijnë në vesh fjalë të reja, zëra të rinj të propozojnë udhëtimin tënd. Aty nis jeta jote e panjohur…
(P-1)Unë isha vetëm tre vjeç kur erdha nga Shqipëria. Mbaj mend kur puthja ekranin e televizionit sa herë që dilte im atë, i cili ishte gazetar televiziv. Më kujtohet kur zihesha me vëllain tim binjak, Evin, se kush të puthte i pari “Babin” tek ekrani. Unë isha e vogël, por mbaj mend edhe kohën kur fillonte emisioni i babit tim në televizion. Mbaj mend që një ditë mami gati sa nuk kishte ngrirë pas ekranit. Im atë fliste, dhe dikush prapa telefonit kundërpërgjigjej. Ai debatonte me babin tim. Unë atëherë as që e dija se pse ndodhte gjithë ajo poterë, gjithë ai debat. Vonë prindërit e mi më treguan dhe unë e kuptova… Por ajo kohë iku shpejt, gati-gati u harrua. U harrua se filluan probleme të tjera për ne, për prindërit tanë, për familjen tonë në një shtet tjetër, në emigracion…
(P-2)Kam lënë diku një libër të vogël. Aty ende kam shenjat e para në gjuhën shqipe. Kam germat dhe fjalët shqip që mësova në Kopshtin ‘Imelda Lambertini”…
Nuk ka komente:
Posto një koment