e mërkurë, tetor 22, 2008

Petraq Kita! Ky emer poeti...


Ky emer poeti i ngulur qe ne femijerine time -tek e shihja cdo mengjes te ecte ne kalldremin e rruges time ,tek e shihja te qendronte para shtepise sime ne pritje per vellain tim dhe shokun e ngushte te tij.
Nen sqetull mbante librat ,e mes tyre nje fletore ku hidhte vjershat e tij te para .
Petraq Kita!
Ky emer qe u cfaq per here te pare ne moshen 7- 8 vjece me poezi ne Kendin Letrar te Shkolles Tetevjecare "Naim Frasheri" ,Korce ,ku me Petraqin ishim bashkenxenes.Emer qe u cfaq me pas ne,revisten Pioneri e organe te tjera te kohes .
Te gjithe ne me te vegjelit e shihnim me admirim dhe peshperisnim :Ai eshte poet!
Petraq Kita!
Miku im i femijerise ,i rritur se bashku ne lagjen e Mirahorit te Madh -ka lindur poet!
Me pas pervec miqesise si te rritur bashke ne nje rruge , ne vitet e para te demokracise ,me Petraqin do te me lidhte nje bashkepunim ne gazeten lokale te Korces sone -duke botuar disa shkrime te mija publicistike e poezite e para.
Gjithmone e kam sjelle ne kujtese ,ketu ne mergim ,poetin korcar -Petraq Kita -kete vlere te artit e kultures te Korces -se ku eshte e cfare ben.
Ne nje bisede te para dy diteve me nje autor ,e permendem ,mikun tim Petraqin -por gjithmone une pyesja ku eshte Petraq Kita??
Kur ja "klithma " ime degjohet nga Poeti Nase Jani -dhe sot une jam e gezuar te degjoj edhe per arritjet e Petraqit.
I uroj Petraqit ,
Suksese ,shendet e sa me shume pranvera -se e kalove gjysmen e shekullit duke thurrur vargje per dashurine ,mallin atdheun ,njerezit e thjeshte .
Me shume dashuri e respekt
Raimonda Moisiu
Hartford CT USA.

Shqiperia, Plutoni i “përjashtuar” nga sistemi diellor


Faruk Myrtaj

Pak kohë më parë, poeti Arian Leka realizoi performancën me titull “Na ishte një herë e një kohë... përpara Plutonit“. Kjo performancë, me moderim të dr. Lindita Arapit dhe nën vëmendjen e medias vendase, u krye në muzeun Leopold Hoesch në qytetin Dyren, Gjermani.
Në qendër të kësaj metofore qe vendosur ish planeti Pluton, i cili, sipas shkencëtarëve, pak muaj më parë, u “përjashtua” nga sistemi ynë diellor, pasi nuk plotësonte standartet, se ishte më i largëti, më i errëti, më i panjohuri e kështu me radhë. Të gjitha analogjitë shkonin e i bashkëngjiteshin Shqipërisë, më të largtës, më të panjohurës, që njëlloj si Plutoni, nuk i plotëson standardet.
Metafora e tejqyrës, përdorur nga Arian Leka, iu propozua publikut si një nga mënyrat për ta vështruar Shqipërinë dhe njerëzit e saj, për të zvogëluar distancën midis. Por bashkë me rekomadimin teksti i Lekës mbante edhe këshillën: CAUTION - përdoreni tejqyrën në anën e duhur të tejqyrës. “Ka shumë mënyra për ta vështruar Shqipërinë”, shkruante Leka në tekstin introduksion. “Mund të fillohet me një mjet të thjeshtë si tejqyra. Por këtu duhet të bëjmë pak kujdes sepse, si për çdo instrument, edhe për dylbinë jepet një këshillë si ato ku të thonë: mbajeni larg fëmijëve dhe zjarrit. Kështu pra, fillimisht duhet zgjedhur me kujdes ana e duhur e lentes. Nëse syri vendoset mbi lenten që zmadhon, Shqipëria afrohet aq sa mund ta prekësh edhe me dorë. Nëse e kthen nga ana e kundërt, lentja ia largon syrit pamjet dhe ky vend degdiset larg, shumë larg, edhe më larg nga ç’është në të vërtetë, madje edhe më larg se Plutoni...”
Deklamimi i tekstit si edhe i poezive u krye nga aktori i teatrit të Neusit-Këln, Holger Stolz. Leximet kulmuan me poezinë “In memoriam“ ku një varg u lexua në gjermanisht nga Stolz dhe tjetri në shqip nga Arian Leka. Tekstet poetike qenë përkthyer mjeshtërisht nga Hans Joachim Lanksch.
Veprimtaria u organizua me iniciativën e Asociacionit Heinrich Boell Haus, Bashkisë së Qytetit Dyren si dhe nën kujdesin e veçantë zonjës Dr. Dorothea Eimert, njëkohësisht dhe bija e kompozitorit të shquar gjerman dhe themeluesit të muzikës elektronike Herbert.
*************************************************


Introduktë

Në krye të herës ishte..., përpara Plutonit

Arian Leka


Të nderuar Zonja dhe Zotërinj, po japim lajmet më të fundit.

Shqipëria ndodhet në 39 gradë e 38 minuta dhe 42 gradë e 39 minuta të gjerësisë Veri. 19 gradë e 16 minuta dhe 21 gradë e 4 minuta gjatësisë Lindje. Aty gjenden të katër elementët jetëdhënës: Ajri. Zjarri. Uji. Dheu. Që nga koha e paleolitit të hershëm besohet se aty ka jetë. Por ajo është e vogël, aq e vogël, sa shpesh, po të sillesh si Guliveri, duke dashur ta tregosh në hartë, e mbulon me gisht dhe, në vend ta bësh të njohur, e fsheh edhe më shumë nga syri. Aty ka 2731 orë ndriçim diellor në vit dhe rreth 1430 mm. reshje vjetore. Kjo gjë krijoi kushte që në Shqipëri, përveç mbi 3 milion njerëzve me tipare adriatike, të ketë pasuri mbitokësore, lule, drurë, shpezë, shtazë, dete, liqene, lumenj, fusha e male. Jo vetëm Toka Mëmë, por edhe Plutoni, perëndia e errët pagane, ndihet i kënaqur nga dhuratat e nëndheut të saj, pasi aty ka qymyr të zi guri, bitum të zi, naftë të zezë, krom, hekur-nikel e bakër të kuq. Ata që e kanë vizituar këtë vend janë pak. Ata që kanë shkruar për të- ndonëse mes tyre edhe Ptoleme gjeografi dhe Herodoti - janë edhe më pak. Por mes tyre është edhe një gjerman, i cili, teksa kthehej nga Kryqëzata e fundit, diku mes viteve 1498-1499, u ndal në Durrës-Epidamnus sipas korkyrasve dhe Dyrrachium sipas latinëve, dhe teksa çlodhej në mol, mblodhi gjithsej 26 fjalë, duke krijuar rreth 500 vjet më parë, të parin fjalorth shqip-gjermanisht. Mes fjalëve të tij shquajnë dy që edhe sot e kësaj dite janë fillimi dhe fundi i çdo etike, estetike dhe morali të shoqërisë njerëzore: fjalën Mirë (myr) dhe fjalën Keq (kyecke). Ky ishte Arnold fon Harf, i lindur këtu pranë, rrethinave të Këlnit, jo më shumë se 20 minuta tokësore nga kjo sallë. Johannes Kepler, të cilin e përkujtojmë me nderim këtë dimër, në 435 vjetorin e lindjes, nuk kishte si ta dinte këtë, pasi nuk kishte lindur ende.

Pas Harfit, përsëri një tjetër gjerman; Gottfried Wilhelm Leibniz. Ky qe i pari që tha se gjuha e këtij vendi, e Shqipërisë pra, ishte gjuhë e shtëpisë, e familjes indeoeuropiane. Johannes Kepler, nuk kishte si ta dallonte, pasi shihte yjet, sferat, maste largësinë dhe elipset e atyre gjërave të përsosura që mund t’i shohësh vetëm duke ngritur kryet lart dhe që ndodhen aq larg nga vendi për të cilin bëjmë fjalë sot.

Ka shumë mënyra për ta parë Shqipërinë. Mund të fillohet me një mjet të thjeshtë si tejqyra. Por këtu duhet të bëjmë pak kujdes sepse, si për çdo instrument, edhe për dylbinë kur e blen të re, jepet një këshillë si ato ku të thonë: mbajeni larg fëmijëve dhe zjarrit. Kështu pra, fillimisht duhet zgjedhur me kujdes ana e duhur e tejqyrës. Nëse syri vendoset mbi lenten që zmadhon, ky vend afrohet aq sa mund ta prekësh edhe me dorë. Nëse e kthen nga ana e kundërt, lentja ia largon pamjet syrit dhe ky vend degdiset larg, shumë larg, edhe më larg se ç’është në të vërtetë, madje edhe më larg se Plutoni...

Përsëri Plutoni... Ju kujtohet Plutoni? Ju kujtohet rebeli që ndryshon format, që nuk plotëson kushtet dhe standardet për t’u quajtur planet? Të gjithë jemi zhgënjyer shumë prej tij. Plutoni i largët: më i vogli, më i errëti, më i panjohur, më shpresëpaku për shenja jete. Nuk ju kujtohet? Po mirë. Plutoni nuk vendos dot për veten. Pikërisht për këtë shkak, një komision i nderuar ekspertësh u detyrua të mblidhet dhe ta zhgradojë, ta quajë trup të thjeshtë e të shkretë qiellor, që vërtitet në hapësirë, sigurisht thjesht jo dhe aq për qejf të vet. Nuk ju kujtohet ky rast? Ka veçse pak muaj që ka ndodhur!?

Por ka edhe një Pluton në Tokë. Plutoni në Tokë është Shqipëria: e panjohur, e largët, e errët, shpresëpakë për shenja të mundshme jete ndonëse i ka të katër elementët. Thjesht një outsider. Diku aty. As Lindje, as Perëndim. As e krishterë dhe as myslimane... Që kaloi nga udhëtimi me kuaj drejt e në epokën me kuaj fuqi... Një As... As... Askush nuk e di gjithë të vërtetën kur flitet për përralla. Mbase tek antenat diçka nuk shkon... në marrjen a në dhënien e sinjalit. Njëlloj si Plutoni, ajo nuk i plotëson standardet dhe shqetëson herë pas herë të tjerët që mblidhen e vendosin si të sillen e çfarë të bëjnë me të. E di, ata, shkencëtarët, ata, kanë gjithmonë të drejtë. Por fantazia e mësuar dhe e rritur qysh fëmijë me 9 planetë, ndihet më e varfëruar pa Plutonin. Sistemi ynë diellor vërtitet si në një baladë me një kokë të prerë planeti në dorë. Ndërsa për Plutonin nuk më vjen keq fare. Atë fat paskësh pasur që në ngjizje. Për të paskësh qenë e shkruar dhe kësmet të jetë herë ish perëndi në jetën e mitologjisë nëntokësore dhe herë një ish planet në jetën e epërme qiellore. Do kishim arritur të jetonim mirë edhe pa këtë dituri të pa kundërshtueshme. Madje, edhe pa Pluton jetohet, ndonëse ka zëra që thonë se të këqijat e kësaj bote vijnë ose nga largësia e Plutonit ose nga idealizmi i Platonit. Por këtu ndodhemi jo të gjykojmë, por për të dëgjuar në gjuhën shqipe, në gjuhën e familjes pra, një poet shqiptar, aq të ngjashëm me vendin e tij.

Mërzia e thellë e vetmitarit Luis Medina

Tregim

RAMIZ GJINI


Nëntëdhjetë vjeçari Luis Medina, banor i apartamentit të katit të parë, telefonoi e tha se i qe djegur llampa e dritës në guzhinë.
Qysh para gjashtë muajshë, kur fillova punë si mirëmbajtës i pallatit, e deri tani, që po shkruaj këto radhë, mund t’i kemë ndërruar llampat e apartamentit të tij më tepër se pesëdhjetë herë.
Sipas një llogarie të thjeshtë, që bëra me vehten, këtij vetmitari të plakur e të harruar nga bota, asnjë llampë elektrike nuk i ka rezistuar më shumë se një javë. Kurse kompania, “Sunlite”, që i kishte prodhuar, shkruante mbi kartonin e amballazhimit, se jepte garanci, që një llampë me kapacitet shtatëdhjetë e pesë voltë, rezistonte ndezur, tek e pakta, njëmijë orë.
Herën e fundit, - kjo ndodhi para katër ditësh, - ia kisha hequr një llampë në guzhinë. Më kujtohet mirë, që bloza e tymit, pati krijuar nga brenda asaj llampe të djegur, një figurë, mu si një krimb i madh trungu të kalbur, me kokën sterrë të zezë. Athua se e kishte vizatuar një dorë e padukëshme dhe e stërvitur artisti. Pa i thënë asgjë plakut, e hodha në koshin e plehërave, që ndodhej diku pranë derës. Pastaj, mora një llampë të re, që Luisi e kishte lënë për mua sipër tryezës dhe e vendosa në vend të asaj që hoqa. Atë ditë, ai tha se donte të dilte jashtë, por, s’mundej, pasi i dhimbnin kockat. Për më tepër, qielli ishte vrenjtur dhe rrekej të binte shi.
Nganjëherë, kur jashtë dita qe me diell dhe e ngrohtë, Luisi, dilte nga shtëpia, thjeshtë për endirë. Bënte ecajake të vogla, i ndihmuar nga kujdestarja e tij ngalakaqe, Laura.
Laura, i shërbente Luisit me orar të reduktuar dhe paguhej nga bashkia e qytetit tw New York-ut. Një pjesë të mirë të ditës, si dhe gjithë natën, Luisi e kalonte i vetëm në shtëpi. Por, edhe gjatë kohës kur Laura gjendej bashkë me të, ai qe i dënuar të dëgjonte ankesat e saj. I qahej plakut për një farë Dimitri, që ajo e thërriste shkurt Dima, - një tip rusi allçak, që ia binte asaj shpirtin në majë të hundës.
- Mos u mërzit Laura, - e ngushëllonte Luisi, - Gëzohu, që tashmë, ti ke vërtet arsye për ta lënë Dimën e për të gjetur një tjetër . Dhe kjo, do të thoshte: “Jepi munxën Dimitrit dhe mos na çaj veshët me të”.
Ngalakaqes Laura, i vinin përshtat këto fjalët e tij, ndaj, menjëherë, niste t’ia hapte fletët lakrorit me një ngazëllim lirik: i tregonte për një djalosh me origjinë polake, i cili, nuk qe si Dimitri, por, xhentil e i dashur. Na e kishte njohur një ditë gjatë udhëtimit me tren dhe patën shkëmbyer bashkë edhe numrat e telefonave. Madje, të nesërmen, kishin parë edhe një shfaqje teatri në Broadway, kishin darkuar në një hotel të klasit të parë e kushedi çfarë tjetër... Dokrra në diell, që plakut rrozgan, në njërin vesh i hynin, në tjetrin i dilnin.
Në fillim, e bëja pa përtesë ndërrimin e llampave në apartamentin e vetmitarit Luis Medina. Natyrisht, jo për bakshishin e vogël, që ai s’harronte të më fuste në dorë teksa lagohesha, por, e bëja pse më pëlqenin ato historitë që tregonte. Për çdo herë, me kërkesën e tij, ulesha me mendimin për të qëndruar vetëm pesë minuta dhe mbërthehesha aty për një kohë të gjatë. Ama, kur ai, nisi të më telefononte gjithnjë shpesh e më shpesh për të njëjtin problem, atëherë mendova, që ndoshta, diçka nuk qe siç duhej në rrjetin elektrik. Kështu, i bëra një kontroll të hollësishëm gjithë linjës, por nuk gjeta ndonjë gjë që duhej ndrequr. Ndonëse nuk e dija egzakt ku qëndronte problemi, thjeshtë për të bërë një provë, ia hoqa siguresat rrjetit të apartamentit të tij dhe i zëvendësova me të reja. Por, edhe pas kësaj pune, ndërsa ditët kalonin, vetmitari Luis Medina, vazhdonte të telefononte shpesh e më shpesh e të thoshte, se i qe djegur llampa. Një herë në guzhinë, një tjetër herë në korridor e kështu me radhë... Dhe unë, qeshë i obliguar të shkoja për t’ia ndërruar, e gjithashtu, për çdoherë, si me një rast, të rrija pak çaste për t’u llafosur me të. Mirëpo, kjo historia e llampave që digjeshin pa ndonjë shkak, dukej sikur nuk do të kishte fund. U rropata gjatë për të gjetur një zgjidhje, dhe, kur nuk munda, i telefonova një mikut tim, inxhinier elektrik, i cili, banon në New Jersy. Ai më këshilloi të provoja të vendosja njëherë në linjën kryesore të rrjetit, një si tip stabilizatori të vogël. Më shpjegoi, që ky mjet i thjeshtë, mbante nën kontroll impulset e fuqishme të rrymës, dhe njëkohësishtë, i filtronte ato.
Ia thashë këtë Luisit dhe ai e pranoi ofertën time. Kështu, e bleva atë mjet stabilizues dhe e instalova në linjën kryesore të rrjetit. Pastaj, i dhashë atij faturën dhe ai e pagoi bashkë me hakun tim të punës. Por, për çudinë time, edhe ky stabilizator i instaluar në rrjet, nuk dha ndonjë rezultat. Plaku Luis, vazhdonte të më telefononte, dhe mua, do të më duhej sërish të shkoja, të paktën, dy herë në javë për t’i ndërruar llampat.
Një ditë, kur ai po më fliste me shumë mall e dashuri për gruan e tij, tashmë e vdekur, pata një ndjesi mistike: mos ndoshta kishim të bënim me ndonjë nga ato rrengjet, që thuhet se të vdekurit u punojnë nganjëherë të gjallëve? A nuk vazhdonin të ndodhnin këto fenomene në disa shtëpi, që amerikanët i quajnë “most hunted“? Mos ndoshta, atë gruan e tij të vdekur, e pati marrë malli të luante me të gjallin Luis?
Dalngadalë, erdh’ e mu forcua një llurbë dyshimi, që shpirti i kësaj gruaje, i dërrmuar nga pritja e gjatë, e linte nganjëherë atë botë dhe vinte e hynte në apartamentin e ish burrit të saj të vetmuar. Pastaj, me një marifet, që vetëm të vdekurit e dinë, i digjte llampat si të deshte t’i thoshte: “Mjaft, Luis, me këtë dritë të shpifur e të gënjeshtërt, për të cilën, të duhet të paguash faturën çdo kryemuaj. Erdhi koha, të vish pranë meje ku do të ndriçohesh nga një dritë e dlirë dhe hyjnore, pa çelësa që prishen, llampa që digjen e fatura pagese“.
Ia thashë këtë Luisit si me humor dhe ai, qeshi e tha:
- Unë e di, që Nensin tim e ka marrë malli, ashtu siç më ka marrë edhe mua. Por, nuk besoj të kërkojë të më heqë, atë, që Zoti ka bërë ymër“.
Ndërsa vazhdoja t’ia ndërroja llambat e djegura, ma shkrepi të rrëmoja në njërën nga bibliotekat e Brooklyn-it ku gjeta një libër të shkruar nga një far dr. Raymond A. Moody, i ndihmuar nga Elisabeth Kubler-Ross. Ky libër titullohej ”Life After Life” dhe rrekej të shpjegonte jetën pas vdekjes. Qe botuar e ribotuar, në s’gaboj, nja pesëdhjetë e tre herë, që do të thoshte, se kishte qenë i lexuar nga miliona njerëz.
E shfletova fletë pas flete këtë libër, duke e lexuar me kujdes, me shpresën se mos gjeja aty të fshehta mistike, raporte e fakte lidhjesh mes frymëve të vdekura dhe atyre të gjalla. Por, gjatë leximit, unë pashë, që shumica e eksperiencave të grumbulluara aty, qenë nga ish pacientë të sëmurë kristianë, që kishin provuar vdekje klinike.
Gjatë vdekjes klinike, shpirtërat e tyre, kishin braktisur trupat. Pastaj, patën ecur përmes një tuneli të gjatë e të errët. Ata tregonin, që në fund të këtij tuneli, fekste një dritë-ëngjëll, nga e cila, buronte një zë që i pyeste, çfarë kishin bërë në jetë. Nga përgjigjja, që ata do jepnin, varej fakti, nëse do të hapej dera e parajsës apo ajo e ferrit. Mirëpo, në vend që të përgjigjeshin, ata qenë kthyer e ia kishin mbathur me të katra, sepse, medemek, qenë kujtuar për diçka që paskan harruar ta bënin. Atëherë, shpejt u binda, që ky libër, nuk kishte gjë tjetër, përveç disa informacioneve paralele, të ngjashme me shkrimet e shenjta, që të them të drejtën, Sania, e ndjera gjyshja ime, i ka pas ditur përmendësh.
Kur u dhashë brenda në apartamentin e tij për punë të asaj llampës së djegur, qe vakt mbrëmje. E gjeta qyqevetëm në guzhinë, te ulur në karrige, me të dy parakrahët e vendosur mbi tryezë, i ndërkallur në mendime dhe me shpirtin e thekur nga vetmia. Më kishte lënë një kopje të çelësit, që sa herë t‘i shkoja për t‘i ndërruar llampat, të mos e merrte mundimin për t’u ngritur e për të më hapur derën.
Guzhina, ndriçohej disi nga drita e zbehtë e korridorit. Me duartë që i dridheshin e memzi i bindeshin, ai përpiqej të sistemonte ngadalë disa fotografi të vjetra, të bëra para gjashtëdhjetë vjetësh. I nxirrte nga një album i grisur dhe i fuste në një tjetër album të ri. Ashtu siç qe, i zhytur në mugëtirë, i harruar nga bota, i plakur e i dobësuar, dukej si të qe ngritur nga varri për të bubërritur të shkuarën e tij të largët.
- Njeriu, në moshën time, - tha pas pak ai, - është i tepërt në këtë botë.
Pastaj, shtoi, se ishte i dëshpëruar, ngase i pati telefonuar të birit në Florida, por i qe përgjigjur sekretaria telefonike dhe i kish thënë të linte mesazh.
E pyeta çfarë moshe kishte i biri.
- Sapo ka mbushur shtatëdhjetë vjeç, - tha ai me tonin e zërit të një prindi, që krenohet me djalin e tij, - Ka dalë në pension dhe tashmë, luan me nipërit e mbesat e vogla.
Ndërkohë, afrova një karrige, hypa në të dhe hoqa llampën e djegur. Por, u habita kur vura rè, që në dorë mbaja të njëjtën llampë, që unë, e kisha hequr njëherë katër ditë më parë. Thjeshtë për t’u siguruar, e vështrova sërish ngultas me vëmendje. Nuk kishte pikë dyshimi: ishte e njëjta llampë, me atë figurën si një krimb i madh trungu të kalbur, me kokën sterrë të zezë, formësuar nga bloza e tymit brenda qelqit.
Pa çelur gojë, me një lëvizje të matur të dorës, që të mos thyhej, e hodha atë llampë të djegur në koshin e plehërave, që ndodhej diku pranë derës. Pastaj, mora llampën e re, që ai e pati lënë sipër tryezës, ia vajisa pak fundin e filetuar dhe e vendosa në vend të asaj, që sapo hoqa. Pata kujdes, të mos e vidhosja fort, me dëshirën e mirë, që, kur vetmitarit të plakur Luis Medina t’ia ngulte sërish kthetrat mërzia e thellë, të kishte mundësi ta hiqte lehtë. Pastaj, në vend të saj, të vendoste atë tjetrën, të djegurën, siç pati bërë ngaherë, thjeshtë, që të kishte një shkak për t’më thirrur.

New York, dimër, 2008

Poeti qe botohet ne tre gjuhe

Nga Aleko Likaj


Luan Xhuli eshte autori i botimeve ne tre gjuhe. Me profesion inxhinjer – kimist, per me shume se dy dekada ne sektorin e naftes, ai i eshte kthyer pasionit te vjeter te letersise, qe nga viti 90 te. Eshte marre edhe me publicistike, dhe njihet si autor i shume teksteve te kengeve per femij e te rritur. Prej vitit 1995 jeton dhe punon ne Greqi si emigrant ekonomik. Ne kete vend, ai ka mundur qe te botoje poezi ne shtypin e dites, dhe ne revistat letrare. Eshte nderuar me tituj dhe çmime te ndryshem. Eshte marre dhe vazhdon qe te beje perkthime nga gjuha greke.

"Besoj", ka qene libri i tij i pare me poezi i botuar ne vitin 90 te, dhe kane pasuar pastaj edhe dy vellime te tjera, serrish me poezi, si "Maska e Kohes" ne vitin 2003 dhe, "Nje firme me shume", ne vitin 2005.Tre vite me vone, "Diten e enderoj, naten e le zgjuar" nga shtepia botuese "Globus". Ndersa ne proze pas noveles, "Ariani", ne vitin 2007 te, ka shkruar dhe botuar edhe librin me tregime, "Ku po shkon o Devoll".

Autori, Luan Xhuli, suksesin e tij e ka kerkuar edhe ne gjuhen greke, ku njeh deri tani disa botime vellime me poezi, si dhe perralla per femije, ndonje liber prej tyre, Xhuli i etiketon si tregime. Shtepia Botuese « Elinika Gramata », ne harkun e tre viteve ka perfshire tituj si, "Biografia e syve", "Qeparisi qe donte te matej me qiellin", dhe,"Perralla per femije". Ndersa nga botimet e Kastanjotit, vlen te permendet libri poetik, "Mbaj ere molle" Gjithashtu, ne proçes botimi ne kete ent botues, eshte edhe vellimi me poezi, "Kujt t'i kerkosh tani te falur". Kjo shtepi botuese ne mareveshje me botues franceze, « Libera », ka pergatitur nje vellim me vjersha ne kete gjuhe, i cili eshte hedhur ne qarkullim ne France, pak kohe me pare. Te drejten e autorit e ka marre Shtepia Botuese Greke.



* * *





Luan Xhuli shfaqet ne poezine e tij, si nje poet i formuar dhe orgjinal ne ritmin e vargut, me nje lloj muzike, qe di ta « orkestroje » mire. Keto dite kam mundur qe te lexoj disa prej vellimeve te tij, dhe jam ndjere i befasuar me metaforen shume ngjyreshe, qe te duket se te merr ne udhetimet e kujtimeve te tij, per te çuar ne universin e botes se emigrantit, larg Atdheut. Jam ndjere mire personalisht, kur kam hasur edhe me vleresime serioze nga poetet greke, ne shtypin e perditshem te atij vendi... Keshtu, Niko Vatupulo, ne 10 Gusht 2006 tek « Ikafemerini », nen titullin, « Poezia ne kufijte e rrefimit », thote se, « Luan Xhuli eshte poet i ndjenjes, i se thjeshtes, i se bukures, i rrefimit, i vleres, i kujtimit, i llahtares. Vargu i tij te rremben ne rrjedhen e se perditeshmes ». Ndersa poeti dhe kritiku Vasili Ruvali ne 29 Gusht 2006 tek e perditshmja tjeter greke « Elejferotipia », ne analizen e tij, nenvizon se, « Libri poetik « mirizo milo » ( arome molle), te fut ne nje kopesht te vertete poetik, qe edhe pse ka dale nga ai, vazhdon te kundermoje molle nga te Korçes ». Ne artikullin « Atdheu i dyte na sheron…thote se, …keshtu shprehet poeti, Luan Xhuli, kur e pyesim per veprat e tij. Autor i tre vellimeve me poezi, me botime ne shume revista letrare-artistike ne Greqi, me çiltersine e nje femije te thote : Une, si poet, nuk kam vetem ngarkesen emocionale te se sotmes, por edhe te kaluares sime. Me dinamiken dhe forcen e gjuhes greke, shume nga ato cilesi marrin tjeter forme, me shprehese, me poetike. Per mua, ambjenti ku po jetojme tani, nuk eshte vetem vendi ku emigrova, eshte nje atdhe i dyte, qe na sheron dhe na shton cilesine dhe ndjenjat

Erdha dikur si nje peme e vogel,

qe s’ngopet me klorofil, s’ngopet…

shkruan poeti pa u shtirur dhe pa pozuar.

I tille eshte poeti shqiptar, qe shkruan ne gjuhen greke… »

Perseri nga faqet e kesaj gazete, gazetaria greke K. Vasillaqi, thote per poetin qe ka lindur ne Baban te Korçes se, « poezite e tij kane drite, diell…si nje shtepi me shume dritare… » Poetia dhe botuesia A. Xandra, nenvizon se, « Luan Xhuli, qe shkruan ne gjuhen greke, te befason me te thjeshten, qe se njohin te tjeret ». Nje tjeter botues dhe poet grek, J.Hronas i kosideron poezit e e Xhulit si, « te verteta, qe i mungojne kohes…dhe flasin duke te pare ne sy… ». Kurse shkrimtari J. Ksanthulis thekson se « Poezite e tij, (L.XH) jane aq te pasura, sa ngjasojne me femijet e pafuqishem, ku nuk mund qe te veçosh asnje ». Nje tjeter poeteshe dhe kritike letrare greke, M.Laina, ndalet per te thene se, « Vargjet e Xhulit, jane rruge te gjera, ku figuracioni letrar, s’e ndjen ngushtesine… ». M.Kanas, poet, shkruan se, « Akoma nuk e kam marre vehten, nga ato qe me shkaktoi poezia e nje poeti shqiptar, qe shkruan ne greqisht…bravo…

Por per poetin Xhuli, kane shkruar ne shtypin e perditshem brenda dhe jash trojeve te atdheut, edhe plot nga poetet dhe shkrimtaret shqiptare si , Kacalidha, Kapllani,Jani, Pojanaku, Jovani, Gjoka, Topalli, Petromilo e te tjere, shumica prej tyre jetojne dhe punojne ne shtetin fqinj, si emigrant.

Tani që edhe minjtë janë bërë krijesa të dashura dhe inteligjente



Nga Blerta Alikaj

Tani që edhe minjtë janë bërë krijesa të dashura dhe inteligjente (shihni Ratatouille), filmat kanë mbetur keq për personazhe negative, bile tamam tamam, për kriminelë. Krimineli ka tepër rëndësi në një film se sa më negativ është, aq më i mirë del heroi. Dhe ja ku dalin në skenë shqiptarët dhe bota e tyre e prerë për celuloidin.

Përse shqiptarët janë kandidatura më perfekte për kriminelë filmash? Ju rrëfej arsyet:
1. Shqipëria është dhuratë nga zoti për skenaristin e stresuar që ka nevojë për zgjidhje immediate. Askush nuk e di tamam ku ndodhet, as shqiptarët vetë. Kufijtë i ndryshojnë çdo pesë minuta, këtej i bien, andej i ngjiten copa, dhe klimën mund t’ia përshtatësh sipas qejfit. Kush do ta verë re nëse skenaristi i shton shkretëtirën e Kalaharit, ose e vë në kufi me Irakun?

2. Saktësia gjuhësore dhe historike. Ik mos na bëj për të qeshur tani.

3. Kriminaliteti. Tani që lufta e ftohtë ka mbaruar, rusët i kemi miq, jakuzza dhe mafia janë stërpërsëritur në pafundësi, njerëzve u kanë ardhur në majë të hundës policët e dhe agjentët e CIA-s të dalë nga binarët, terroristët mund të të hedhin në gjygj për njollosje karakteri, dhe francezët kanë Kanën, shyqyr Zotit që kanë dalë shqiptarët dhe bëmat e tyre në pah. Sipas burimeve të sigurta informative, megjithëse shqiptarët numërojnë vetem 3-6 milionë njerëz, ata të tërë mbajnë armë dhe trafikojnë femra në Francë. Dhe përdhunojnë plakat greke nëpër shtratet e tyre. Pa përjashtim. (Nuk e di nëse plakat i shpërndajnë me tollon. Pyesni skenaristët, jo ambasadat se ato do t’ju kërkojnë para. Po s’më besuat, shihni Inside Man.)

4. Paraqitja. Të gjithë e dimë se nuk ka paraqitje më të përshtatshme për kriminelat që shesin virgjëreshat amerikane në Evropë, sesa kaçurrelat e lyrosura bisht pëllumbi, mjekra e parruajtur, sytë e futur, balli me gunga dhe nofullat katrore. Si the, ku e njeh skenaristi kushëririn tënd? Po të tërë shqiptarët njësoj janë. (Se nga kemi dalë ne të tjerët, një Zot e di.) Një plus më shumë, tërë shqiptarët janë të shkurtër, prandaj nuk ka nevojë që heroi kryesor të veshë këpucë me taka.

5. Raca. Meqë ne jemi teorikisht të bardhë, regjizorët shpëtojnë nga akuzat e stereotipizimit dhe racizmit, bile quhen të guximshëm edhe realistë. Dhe meqë jemi praktikisht qytetarë të shkallës së dytë, spektatorët nuk identifikohen me ne dhe nuk zemërohen me regjizorët.

1. Çmimi i lirë. Bile çfarë çmimi, as mos më paguaj hiç, vetëm më jep një pjesë në film. Unë e kam për nder kur më marrin në punë të jashtmit dhe e bëj akademinë e arteve të plasë nga zilia. E shef profesoro si e bëj kriminelin! Edhe francezin bile! Pa duar!

2. Zakonshmëria. Njëkohësisht me veçoritë tipike kriminale që na dallojnë, jemi kaq të padallueshëm saqë mund të interpretohemi kollaj fare nga çfarëdolloj aktori relativisht i bardhë me aksent si; grekë, sllavë, meksikanë dhe Antonio Banderas. (Megjithëse Antonios hallall)

3. Diktatori. Dihet që ne kemi pasur një diktator për 50 vjet. Kjo na bën tërheqës në depresionin dhe zymtësinë tonë, si edhe shpjegon psikologjikisht tendencat sadiste, fiksimet dhe natyrën tonë kriminale. Për më tepër, diktatori është kaq ekzotik, sa e fusin kudo ku kanë nevojë të a) venë në dukje njohuritë e heroit b) bëjnë ngjarjen më interesante. (shih The Simpsons)


4. Koncepti i kanunit. Ky i ka ushqyer një sezon të tërë punonjësit dhe aktorët e Law and Order. Plus që i bën të duken të zgjuar në biseda intelektuale.


5. Feja. Dihet që ne kemi tre fe. Dihet që katolicizmi nuk preket, dhe ortodoksia shërben vetëm për ngjarje ekzotike nëpër filma. Terroristët janë gjithmonë myslymanë. Paçka se shumica e myslymanëve shqiptarë hanë e pinë me vëllezerit e tyre të krishterë, çifutë, dëshmitarë të Jehovait, mormonë etj. Ama emrin e kanë myslymanë prandaj janë fiks për terrorista.
Prandaj flini të qetë. Edhe njëherë, me dashje a pa dashje, shqiptarët shpëtuan civilizimin perëndimor. Për ata që kanë dyshime, imagjinoni një botë pa kinema dhe do ta shihni që nuk ekzagjeroj.
Shënim: Edhe pse jo analiste e mirëfilltë, autorja ka konkluduar studime ekstensive në fushën e kinematografisë botërore, brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Të tëra gabimet drejtshkrimore, stilistike dhe në informacion janë faji i botuesve dhe i lexuesve, kurrësesi i saj.
Bibliografia:

* Taken
* My mom’s new boyfriend
* Inside man
* The silences of Lorna
* Një ndër tre episode nga Law and Order
* The Simpsons
* Wag the dog

Sfida me shqipen



Prof. Papas Gaetano Petrota

Dy kapitujt e parë dhe pjesa e parë e kapitullit të tretë të këtij libri ishin shtypur kohë më parë si hyrje e një studimi mbi gramatikën e krahasuar që kisha ndërmend të botoja. Por, duke mos mundur të përballoj shpenzimet e mëdha që nevojiteshin për këtë, u detyrova të ndryshoj planin e veprës.

Rendita edhe njëherë, pra, lëndën e bollshme bibliografike të mbledhur prej meje përgjatë shumë vite hulumtimesh të kujdesshme, dhe kështu ka ardhur në dritë ky libër, i cili në tërësinë e tij, përmbledh të gjithë ato njoftime rreth popullit, gjuhës, letërsisë dhe studimeve shqiptare, që deri më tash kërkoheshin më kot në çfarëdo manuali.

Unë shpresoj se kjo meritë, edhe nëse e vetmja meritë, e punimit tim, do të bëjë që të më falen të metat jo të pakta dhe as të lehta që gjithsecili do të arrijë të vërejë me lehtësi në të: - mungesa e një përzgjedhjeje mes veprave me një farë vlere artistike dhe e shkrimeve edhe më pak se mediokre që janë përmendur në këtë vëllim, ku mbizotëron shqetësimi, që mund të duket i tepruar, për të shënuar libra, broshura dhe periodikë si burime gjuhësore për Fjalorin Shqiptar, të cilin e mendoj mes gjërave më të ngutshme për të cilën duhet të marrë masa Ministria e Arsimit në Shqipëri; - ndonjë përsëritje dhe ndonjë palidhshmëri, që i detyrohen ndërprerjeve të zgjatura e të shumta të shtypit (prej nga rrjedh edhe cilësia e ndryshme e letrës me disa fletë të zbehta dhe të keqpërdorura), për shkak të ndryshimeve të detyruara të vendqëndrimit dhe të punëzënieve shkollore që më kanë shkëputur nga studimet shqiptare; - ndonjë tregues i pasaktë bibliografik, që i detyrohet pamundësisë për të pasur përherë para syve shtypin dhe librat që janë bërë të rrallë ose deri të pagjendshëm; - heshtja, që askush nuk do të duhet ta besojë si të vullnetshme, rreth veprave që ndoshta do të kishin merituar të përmendeshin me përparësi ndaj shumë të tjerave, por që nuk kam arritur t'i njoh as drejtpërdrejtë e as tërthorazi.

Dhe në lidhje me këtë, ndërsa falënderoj të gjithë ata që më kanë dhënë njoftime biografike dhe bibliografike, si dhe autorët që më kanë dërguar botimet e tyre dhe në mënyrë të veçantë Sh.T. Imzot Pal Skiroin, i cili ka vënë në dispozicionin tim bibliotekën e tij mjaft të pasur me libra dhe periodikë shqiptarë, ju lutem fort të gjithë atyre që do të vërejnë gabime dhe pasaktësi në librin tim të kenë dëshirën të më vënë në dijeni për të ndrequr gabimet që atyre iu rezultojnë nga njohja e sigurt dhe e drejtpërdrejtë e veprave.

Për sa më përket mua, nuk kam kursyer as kohë, as mund duke hulumtuar me kujdesin më të madh të mundshëm, deri dhe duke ndërprerë ndonjëherë edhe për shumë muaj hartimin e këtij punimi në pritje të të dhënave dhe njoftimeve që u ishin kërkuar vetë autorëve apo bibliotekave ku gjendej ndonjë kopje e librave më të rrallë shqip.

Mund të pohoj se pjesa më e madhe e librave, broshurave dhe periodikëve, të cilët i përmend përgjatë rrjedhës së veprës, janë lexuar dhe studiuar prej meje.

Prandaj e pranoj dhe po e riprodhoj, edhe me çmimin për të qenë i patakt, gjykimin e Sh. T. Prof. At E. Pavolinit, njëri prej të paktëve kompetentë të njëmendtë të studimeve shqiptare, i cili me pak fjalë vë në spikamë të metat dhe vlerat e këtij punimi. “Libri juaj, - ka shkruar Prof. Pavolini, - është hartuar, sa gjykoj unë, me shumë kujdes dhe ndërgjegje; lënda është tepër e bollshme, ndonjëherë ndoshta e tepërt: ndoshta disa gjëra me vlerë të paktë mund të ishin lënë mënjanë ... por ju keni synuar të jetë i plotë, dhe libri juaj, në këtë këndvështrim, do të përbëjë një lloj enciklopedie të Shqipërisë letrare: vepër për të cilën vërtet ndihej nevoja”.

Sigurisht çmimi i inkurajimit që më është dhënë nga Akademia Mbretërore e Italisë përbën për mua një shpërblim të çmuar moral për mundimet e gjata dhe të rënda që kam hequr për të çuar në fund këtë vepër që, për herë të parë, bashkë me historikun e studimeve etnografike, gjuhësore dhe folklorike, u paraqet studiuesve një tablo pothuaj të plotë të letërsisë shqipe deri në vitin 1930.

Çmim më i lakmuar për mua do të ishte gjithashtu nëse ky libër, me gjithë të metat e tij, do të arrijë, siç jam i sigurt për këtë, të jetë i dobishëm për studimet dhe për studiuesit e albanologjisë, dhe nëse do të ndikojë për të davaritur paragjykimet që ende sot e kësaj dite qarkullojnë rreth popullit dhe gjuhës shqipe.

Çmim më i dëshiruar, më tej, do të ishte nëse do të arrija që me punën time të jepja edhe ndihmesën më modeste në marrëdhëniet e miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë, pasi në Itali janë lëvruar studimet shqiptare dhe një pjesë e rëndësishme, dhe jo padyshim më pak e vlershmja, e krijimtarisë letrare ka lulëzuar mes italo-shqiptarëve, të cilët me lidhje ngulmuese në traditat stërgjyshërore dhe me ruajtjen e mrekullueshme të gjuhës, edhe duke qenë ata qytetarë italianë, kanë mbajtur në çdo kohë të gjallë idenë e një Shqipërie të pavarur, zonjë të fateve të saj dhe të lirë për të rinisur rrugën e përparimit fetar, moral, qytetar dhe ekonomik në bashkëpunim vëllazëror me Italinë.

Palermo, Seminari italo-shqiptar, 24 qershor 1931

POETI HAXHSAJ PERKTHEHET NE RUMANISHT






Dr. Luan TOPÇIU
Poeti kosovar Halil Haxhosaj po përkthehet për herë të parë në gjuhën rumune. Bashkë me poezinë e tij, lexuesi rumun do të krijojë dhe një përshtypje më të qartë të poezisë shqiptare të Kosovës. Sepse kjo poezi, mbart në vetvete elementë tipologjikë të gjithë poezisë shqiptare, posaçërisht të asaj që është shkruar në Kosovë, dhe padyshim tipare të poezisë moderne europiane.
Ajo që të bie në sy menjëherë, kur ke kontaktin e parë me të, mund të konstatosh lirisht, se kemi të bëjmë me një poezi të kondensuar. Poeti na ofron një lëndë gjuhësore të ngjeshur, me sa më shumë ide, me sa më shumë sugjerime lirike, në sa më pak shenja gjuhësore.
Ky proçes është i mundshëm në çdo gjuhë natyrale, aq më tepër kur fjala është për gjuhën shqipe, një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit, me shumë mundësi ekspresiviteti dhe tejet e pasur me mjete leksikore dhe sintaksore. Poezia e Haxhosajt të kujton më së shumti tablo nga piktura minimaliste, ku thelbi i pasqyrimit të botës reduktohet në sa më pak objekte, në sa më pak ngjyra, në sa më pak mjete artistike, për të mbërritur sa më shpejt tek thelbi i gjërave - në kuintesencën e tyre.
Hoxhosaj dëshmon se është një poet i thellë dhe i rafinuar, me aftësi vëzhguese dhe përzgjedhëse, një artist që di të ndalet në momentin e përshtatshëm, të marrë në konsideratë detajet më domethënëse për poezinë e tij. Përzgjedhja me sqimë i detajeve dhe kapja e momenteve të përshtatshme poetike kryet, sepse poeti mbetet i interesuar për mesazhin lirik, dhe mesazhet e tij nuk tejkalojnë kurrë kufijtë e poezisë, teksti dhe ligjërimi poetik mbeten esencialisht lirikë.
Poeti mendon me figurë, ai artikulon mendimet e tij përmes fjalës të ngarkuar me imazh, përmes asosacinesh, përsiatjet mbi botën, mbi realitetin historik, mbi dashurinë, miqësinë, tradhëtinë, mbi njeriun në përgjithësi në këtë vëllim poetik-autori përpiqet të japë disa përgjigje me nota tejet vetanake.
Poezia e Haxhosajt është një poezi e përpunuar gjuhësisht, poezi që të fton për të zbuluar mesazhe të fshehura nër vargje, në nëntekst, në kuptimin vertikal të tekstit, ai na ofron vetëm një pjesë të botës së tij, pjesën tjetër na i le ne si lëçitës ta zbulojmë, ta ndërtojmë, ta krijojmë. Kjo lloj poezie implikon dhe një shkallë të lartë pjesëmarrjeje dhe bashkëpunimi të lexuesit me tekstin poetik.
Akti i përjetimit të kësaj poezie përfundon me marrëdhëniet me receptorin, sepse nga vetë natyra e tij, teksti poetik është një objekt polisemik, hipostazë që presupozon një hapje të pafundme në marrëdhënie me receptorin (si funksion transgjuhësor dhe transenunciativ). Poeti kupton, si rrallë poet tjetër, sensin e masës.
Atë që do të thoshte dikur Michelangelo, se skulptura është art i të hequrit dhe jo i të shtuarit. Ashtu dhe Haxhosaj, heq gjithçka të tepërt, poezia mbetet me atë që konsiderohet prej tij si tejet e domosdoshme, pa teprica, pa proliksitet, shpjegime të panevojshme, fjalë, shenja që do ta ngarkonin pa nevojë poezinë.
Kryesisht, poezia e tij është e shkurtër. Më shumë duket si rezultat i një reduktimi gjuhësor i më shumë ideve, imazheve, asosacioneve, meditimeve, se sa një poezi e konceptuar si e tillë. Kështusoj mund të themi se poezia fiton përmes kondensimit thellësi, hermetizëm poetik, magji, ekspresivitet, etj.
Në lëndën poetike që mbetet pas kaq e kaq operacionesh heqjeje dhe reduktimi, poeti ka kujdes për kombinacionet e mundshme të fjalëve, ideve, imazheve, për kombinimet gjuhësore për të krijuar një poezi që gjeneron ide e mendime poetike.
Poeti filozofon përmes fjalës dhe përmes ligjërimit lirik. Haxhosaj ka zgjedhur mjetet adekuate për të filozofuar, për të medituar, poezia mbetet thelbësisht e mbështetur mbi mjetet specifike të artit.
Sa herë kam dashur të shëtis kotësive
Të gjitha rrugët janë lidhur nyjë
Sa herë kam dashur të rri i vetmuar
Mendimeve u ka ardhur era myk
Sa herë kam dashur të çlodhem
Koha është vonuar për të ardhur
Sa herë kam bredhur pakuptimësive
Tym m’i ka dalë kokës
(Rrugët janë lidhur nyje)
Teksti poetik i mësipërm na sjell qëndrime ekzistenciale mbi vetminë, përsjatje mbi ontologjinë e qenies, mbi kohën dhe rrjedhjen e saj, mbi kuptimin e botës dhe mbi pakuptimësitë e saj. Haxhosaj në kërkimin e rrugëve të tij, në përçapjet e heroit lirik për të na dëshmuar përvoja ekzistenciale, na ofron rezultate dështimesh, trishtimesh, mosrealizimesh. Poeti është një mendimtar lirik, ai filozofon në mënyrë të figurshme, na jep sinteza të një vetëpërcaktimi ekzistencialist, na përcjell, njëherazi, një përvojë ekzistenciale që merr forma përgjithësuese. Poeti është transmetues i një shorti vetanak, i një dëshpërimi personal, i një zëri që kërkon të përçojë tek të tjerët: një mesazh lirik.
Halil Haxhosaj zotëron një timbër të veçantë në poezinë shqipe, një timbër tejet personal, tejet të përpunuar dhe tejet të pjekur, të kalkuluar, të matur, njëherazi të ngrohtë dhe plot ngjyrë. I botuar dhe i njohur në shtypin e specializuar, debuton në vitin 1964, e dorëzon librin e parë për botim në vitin 1979, fiton çmim në vitet 1980, vepra e parë poetike del në vitin 1992, për të arritur përgjatë këtij viti, në vëllimin e tij të shtatë.
Poeti ruan koloraturën lokale dhe kombëtare përmes artikulimit të shenjave poetike autoktone si: Dukagjini, Shtjefën Gjeçovi, Hasi e Gjakova, Drenica e Tetova, Tropoja, Tepelena, Kalabria, Manastiri, Janina e Çamëria. Autori ka kryer studimet albanistike në Prishtinë. Është kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Gjakovë, profesor i gjuhës shqipe dhe autor i disa vëllimeve poetike, Damarë të ringjallur, Në kafaz me pantera, Këngë të ngrira, Zëra të grisur, Hija e orëligës. Librit të zotit Haxhosaj ia shtojnë vlerën edhe qëndrime dhe regjistra shumë të pasura me ndjenja, si një poezi autorefleksive ku heroi lirik i drejtohet mëkatit, mallkimit, faljes, pendimit, mallit, mëshirës.
Ardhja e poetit në gjuhën rumune është një ngjarje, një ogur i mbarë, që lajmëron ardhjen e poezisë kosovare tek lëçitësit rumunë, në këtë vend ku kanë parë dritën e botimit veprat e Naim Frashërit, Asdrenit, Lasgush Poradecit...

Ky është libri i parë, i një autori kosovar, që doli për herë të parë në gjuhën rumune: Halil Haxhosaj "Umbra viselor / Hija e ëndrrave", botim i Bashkëisë Kulturore të Shqiptarëve t Rumanisë, në përkthim te Baki Ymerit, me një parathënie të shkëlqyer, të dr. Luan Topçiut.

Fenomeni Arian Leka



Andi Meçaj


Mendime për librat e tij poetikë “Anija e Gjumit” dhe “Strabizëm”
Poezia e Arian Lekës është tingull i bukur si dallgë, ajo shushurinë gjethnajë, të flet me zërin stërgjyshor dhe të futet thellë, në skutat më të fshehta të shpirtit.
Duke lexuar librin: “Anija e Gjumit”, hyn në një botë të lëngshme, ku anijet, dallgët, vjeshta, pema, gjethet, ndjenjat, dëshirat, ëndërrat, iluzionet, Durrësi, fëmijëria, adoleshenca, dashuria, malli, lamtumira, ankthi, të derdhen para syve veshur me petk muzikor, aq sa lexim përftohet më mirë si këngë, një këngë e brendshme, që të ngjitet në mendje e nuk të shqitet, siç zakonisht na ndodh, me melodi të preferuara e të arshivuara në kujtesë.
Me detin poeti Leka, ka lidhje të forta, aq sa mund ta quaj apo edhe ta “pagëzoj”:

“Poet i Detit”.
Nga libri “Anija e Gjumit” veçoj këto poezi:
“Murale”, “Babai Sheh Ëndërra” .../dhe mua..., /më duhet të vras gjithë kuajt, /që vijnë e më trembin babanë, /kur është duke ëndërruar.../
“Tetor”, “Ti dhe Unë”, “Kapedan” /Lundro nëpër venat e mia /kapedan ulqinak, /s’do e shohësh dajlanin në Bunë, /direku bashit /të mbiu në dorë - gisht i gjashtë; /...
“Në Valbonë”, Rënia e Engjëllit Nga Qiejt” /Gjethet bien.., /nuk janë pendët e mia, /mos i gënjeni me stinë fëmijët, /janë krahë të këputur perëndie /...
Është libër që të detyron ta veçosh nga moria e botimeve të sotme, ta lexosh hera herës dhe autorin e tij t’ua rekomandosh edhe të tjerëve.
Libri poetik “Strabizëm” është një shikim ndryshe i lëndës poetike. Lënda poetike është futur në laboratorin e tij krijues me të gjithë diapazonin, ngjyrimet dhe dimensionet e saja, nga ku përvetësohet, ringjizet dhe del prej andej një amalgamë kryekëput tjetër, diçka “strabike” apo siç shqiptohet kjo fjalë në origjinën e saj “Stravike”, e shtrembëruar, që unë do ta quaja më saktë e thyer apo e përthyer.
Libri ka një gjuhë poetike që të kujton atë të përrallave.
Ka rikrijime legjendash.
Ka rikrijime legjendash moderne.
Ka ritëm muzikor që nuk të lë ta ndash secilën poezi apo ta veçosh nga të tjerat, kjo e ben leximin në kontinuitet të domosdoshëm si një simfoni ku të gjithë instrumentet bashkohen aq mrekullisht dhe të duket se dëgjon vetëm një.
Poezia e Lekes ka një mallëngjim të fortë për traditën, për të krijuar një traditë të re të tijën.
Leka është një poet mesdhetar i lidhur me ujin, me udhëtimet me anije, me eksplorimin, të cilat shfaqen jo vetëm në formë por edhe në gjuhë.
Gjuha e librit nuk është kozmike, por tokësore, përfshin një rajon gjeografik të përcaktuar mirë, gjë që përbën dhe pasaportën e saj.
Edhe format e vjetra përshembull soneti, rondoja, e të tjera, duke u trajtuar në këtë kontekst nuk janë më një nostalgji forme të ngurosur por marrin një tjetër ngjyrim.
Sa më shumë ta lexosh dhe ta studiosh këtë libër, aq më shumë probleme nxjerr të cilat duhen shtruar në tavolinë.

“Tradhëtia” ndaj gjuhës shqipe




Albert Zholi

Tranzicioni i tejzgjatur shqiptar ka ndikuar jo vetëm në politikë, ekonomi, karakter, por edhe në huazimet gjuhësore.
Tendencat e huaja gjithnjë kanë bërë vend në territorin shqiptar. Duke qenë një vend i vogël, strategjik, gjithnjë të huajt kanë plaçkitur kulturë dhe kanë lënë zakone të prapshta dhe një mënyrë të shprehuri që thellë- thellë, nuk i përket rrënjëve tona. Kosova ka jetuar gjithnjë nën represionin serb dhe si e tillë, është munduar ta ruajë gjuhën e saj shqipe në thelbin e saj, duke ruajtur të folurën më të kulluar që i përket gegërishtes së vjetër . E tek të kujtohet fjala – shitore - të duket shumë larg fjala –market -, dhe një cungim i bukur i fjalëve krijon një origjinalitet dhe bukuri gjuhe nëse ne themi –domosdoshmëri- kosovarët thonë –domosdoja-, përveç-përpos, fëmija-fëmiu, i arritur-i përmbushur. Por sigurisht një shqipeje të kulluar i janë kthyer dhe shkrimtarët më të modës si dhe kokat e arta të letërsisë, që kanë qenë gjithnjë fanatikë ndaj përdorimit të gjuhës së tyre të mëmës si një xhest atdhetar dhe një detyrë për t’ia transmetuar brezave të mëvonshme. Një pjesë e madhe artistësh të penës ndërmjet tyre dhe të rinjtë i janë kthyer dialektit me shumë përkushtim. E nëse do citonim një poezi të Ledia Dushit do kuptonim gjithë bukurinë e gegërishtes:
Kanë mbarue kumbllat; vera asht rrëzue n’përrue…Jam kthye n’mal…Mbramja m’varet n’shpinë, zjermi del prej kështjellash…Asht festë…Ndër drita varun n’qiell, kryet tem i vdekun.
Por sigurisht nuk është qëllimi ynë të flasim në këtë tendencë vetëm për letërsinë, por për të gjitha sferat e jetës shqiptare. Fjalë të reja kanë zënë vend në gjuhën e përditshme të komunikimit, ndërkohë që letërsia ështa shumë më e kujdesshme.
E teksa ka nisur të jetë një përshëndetje shumë e modës fjala -Tung- shkurtim i –tungjatjeta- herë pas here të zë veshi funde bisedash si: hajt pra ciao, ose :okey, paçim! Një miks gjuhësh që duket pak e habitshme, por që është një mënyrë e re së foluri. Dhe njerëz në moshë madhore i dëgjon të shqiptojnë këto përshëndetje. Nën ndikimin e telenovelave në gjuhën portugeze vajzat e vogla që adhurojnë Zhaden kanë nisur të përmendin pas çdo fraze allah allah! Dhe Hola! Një modë së foluri prej Orienti.
Nëse padashur do hysh në mënyrën se si të rinjtë përshëndeten, patjetër që do keqkuptohesh me fjalët. Ja disa shprehje: Hë mi Lace! Që do të thotë : Hë mi parazite, njeri që e vret kohën kot. Ej bobi! Që në gjuhën e adoleshentëve përkthehet Hë more boss, rob me pare. Hë figure ç’kemi! Që do të thotë që je shumë i njohur nga të tjerët për bëma. Ose: Hë tipi! Përkthehet, je shumë gazmor. Përdoren dhe fjalët patok, rosak, derrkuc e shumë epitete kafshësh që padyshim lidhen me ngjashmërinë e formës së trupit, të fytyrës apo ecjes. Kjo është gjuha e adoleshentëve shqiptarë. Një gjuhë që padyshim do ndryshojë dhe nën ritmin e kohës do mbetet veç një kujtim i shkuar.
Por ndërsa lojërat e moshës bëjnë të vetat, përdorimi i fjalëve të huaja ka zaptuar shtresën e lartë të shoqërisë. Elita, fut këtu dhe politikanët, ose përdorin një gjuhë të pakuptueshme ku frazat dhe terminologjitë mbizotërojnë, ose bien kryekëput në hulli mendimesh, që i çojnë dhe të tjerët në qorrsokak. Duke sjellë një hendek të madh mes politikës së tyre të pakuptueshme dhe popullit të thjeshtë. Karakteristikë e Parlamentit shqiptar është përdorimi pa fund i frazeologjisë së rënduar me sofizma . Por ndodh një fenomen i çuditshëm. Kur sherret janë pikante dhe ndoshta nga më të vështirat, pra në momentet më delikate të karriges së tyre funksionare, me shumë dashuri politikanët i kthehen gjuhës së popullit duke i nxjerrë dhe me tepri nga bagazhi i tyre . Beni i Xhikes u bë për një kohë të gjatë lajtmotivi i bisedës së njerëzve. I kujtonte të gjithëve zhargonin e lagjes. Shumë herë këta të fundit në kulmin e kontradiktave të mendimit nuk kanë turp të shqiptojnë dhe fjalë të ndyra që janë kundër etikës së komunikimit. Por, fundi i fundit jemi shqiptarë dhe siç thotë Dritëroi, nuk ndjehemi rehat nëse nuk ulërijmë për të nxjerrë marazin tonë dhe nuk shqiptojmë ndonjë fjalë të ndyrë ose ngrejmë dorën.
Vetëm një pjesë e madhe intelektualësh që e duan veten e tyre, që vlerësojnë më shumë se gjithçka atdheun ku kanë lindur, bëjnë maksimumin e tyre për të gjetur fjalë që kanë një tingull të bukur në shqip. Sigurisht që meritën e madhe e kanë përkthyesit e mëdhenj si Shvarc, Nonda, Varfi që nëpërmjet përkthimit të perlave të letërsisë kanë qëndisur gjuhën shqipe. Pa harruarr këtu dhe shkrimtarët e mëdhenj që nga Naimi, Kadare, Dritëroi, Xoxe që rrëmojnë në thesarin e popullit për të gjetur kryevepra. Një fjalë shqip që populli e ka krijuar me shumë mençuri tingëllon vlerë dhe respekt për ta futur në gjuhën e mendimit dhe të shprehjes. Le të bëjmë disa krahasime djalë i ri -djalë riosh, nëse do thoshe -e vetme- s’mund ta krahasosh me fjalën popullore –kallogre-, ose sprapsem - zbyth. Populli ruan thesare të mahnitshme, puse, ku dija njerëzore është grumbulluar me aq shumë mund.
E megjithatë, modërat e reja që kanë nisur të duken dhe në emërtimet e rrugëve, duket sikur i bën indiferentë njerëzit realë. Fenomeni i kujtesës së një populli nuk mund të ndryshojë shpejt. Janë disa monumente, disa vende me emër që do mbeten jetë e mot. Siç janë pazari i vjetër, Flora, rruga e Elbasanit, rruga e Kavajës, Tirana e Re e shumë emra toponime që lidhen me kujtesën e një populli dhe nuk mund të zhduken kollaj.
Por huazimet nuk mund të frenohen nga askush. Sepse është koha e globalizimit të gjithçkaje. Dhe fundi i fundit kanë hyrë shumë.
Mjafton vetëm një shëtitje rreth 15 katëshit. Do të zënë sytë tituj dyqanesh dhe baresh si London, Firenze, Biznes Shop, Internacional, Chaplin, Piazza, Athina, Akropoli, Carlsberg, Manhatan, e shumë emra të tjerë qytetesh nga filli i botës në fund të saj, që emërtojnë bare e dyqane. Disa prej pronarëve kanë jetuar në ato vende dhe duket se i sjellin kujtimin duke emëruar biznesin e tyre. Ndërkohë që restorantet popullore mbajnë tituj pak të çuditshëm por që japin ngrohtësinë e familjes Tymi, Xha Rrema, Oxhaku, Devolli, Korça, Përmeti, Ali Pasha, Tepelena, Vjosa, Kashta, Tirona, Oxhaku, Tetovarët e shumë të tjera. Emri, sipas biznesmenëve zgjidhet nga luksi. Nëse bëhet fjalë për një dyqan të shtrenjtë duhet të jetë patjetër me emër të huaj, ndërkohë që ato të dorës së lirë kanë emër shqiptar. Një lloj padrejtësie që ia bëjmë vetes dita ditës. Sepse duhet të kemi parasysh që të huajt do na vlerësojnë siç duhet vetëm kur ne të jemi vetvetja, të kemi gjuhën tonë, traditat tona.
Por shumë gjëra ne na shpëtojnë, ndoshta nga dëshira e madhe që kishim për të qenë si bota. Para disa ditësh një plak ishte duke i treguar një histori familjare nipërve të tij. Dikush nga fisi i tij i kish ardhur për vizitë në shtëpi. Quhej Mahmut. Fëmijët e tij, atëherë të vegjël nuk e njihnin, por kur dëgjuan këtë emër filluan të kakariseshin në të qeshura që s’mbaronin. Dëgjon dhe miku dhe i thotë të zotit të shtëpisë: Përse qeshin fëmijët. I zënë ngushtë plaku që atëherë kish qenë rreth 35 vjeç i thotë pak me turp:qeshin për emrin tënd. Po kush ta ka vënë more derëzi dhe i nis dhe atij kukuritja. Më pas gjithçka kthehet në shaka. Në kohët e shkuara prindërit të kushtëzuar nga kushtet ekonomike dhe zakonore, derdhnin tek e ardhmja e tyre një dëshirë për të frenuar vullnetin e Zotit për shumë fëmijë. Sose, Mbarime, Mjaftoni, kanë qenë emra që janë krijuar nga dëshira për të mos bërë fëmijë tjetër dhe që ishin rrjedhojë e varfërisë që kish pllakosur ekonominë shqiptare. Emra të tij vihen shumë rallë në ditët e sotme, vetëm në nderim të ndonjë gjysheje që nuk jeton më, duke marrë një rrokje dhe duke e modernizuar. Meqë përmendëm punën e emrave, në ish kohën e diktaturës shumë fëmijëve që lindnin u vihej emri i diktatorit dhe i fëmijëve të tij. Një gjë që ndodh në gjithë diktaturat e botës. Tre vjet më parë kur u rrëzua diktatori i irakut dhe…. mbi 50 mijë veta ndërruan emrin e tyre. Quheshin Sadam. Një mentalitet që fundi i fundit pikaset në të gjitha vendet e botës.
Por emrat e bukura shqipe janë shumë si Flutura, Shpresa, Bajame, Pranvera, Shega, Fatime, që i përkasin një brezi që do zhduket pa u ritransmetuar. Ndërkohë që emrat Gëzim, Bashkim, Urim, Përparim, Alban, duket sikur përdoren më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri. Tendenca e shqiptarëve është t’i vënë emra të huaj fëmijëve të tyre, duke menduar se janë shumë internacionalë dhe kuptohen nga të gjithë. Emra si Alba, Stela, Keti. Luis e shumë amerikanizma, italianizma, greqizma kanë pushtuar listën e thërritjes së emrit nëpër shkolla. Kjo tendencë është akoma më e madhe në vendet ku shqiptarët kanë emigruar. Por sigurisht dhe ky është një shtrembërim që i bëjmë vetes, thjeshtësisht pa e kuptuar.
Një mendimtar i madh ka thënë që, bota është një fshat i madh, ku të gjithë pak a shumë ngjajmë me njëri tjetrin. Na ndan vetëm e shkuara, kultura që paraardhësit na kanë transmetuar dhe do i trashëgojmë në të ardhmen. Shumë gjëra do ndryshojnë në të ardhmen. Por një gjë është e sigurt: koha do filtrojë modërat, por jo shqipen e kulluar. Ajo është pasaporta jonë, gjaku i jetës shqiptarëve në shekuj… Për atë gjuhë duhet të luftojmë të gjithë.

Laureati Fatos Arapi




Pak kohe me pare, Akademikët Ali Aliu dhe Mateja Mateski thanë se çmimi i Mbrëmjeve strugane të poezisë shkon në duar të vërteta, tek autori që shërben si shembull për shumë poet të rinj.
Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe të universitetit të UEJL-it në Tetovë si dhe Instituti i studimeve politike dhe ndërkulturore, në kuadër të edicionit të 47 të mbrëmjeve strugane të poezisë organizoi prezantimin e laureatit të sivjetshëm, fituesin e “Kurorës së artë” poetin shqiptar Fatos Arapi. Për veprën dhe jetën e tij foli akademik Ali Aliu.
“Për Fatos Arapin mund të them se është njëri nga dy-tre poetët më të mëdhënjë të pjesës së parë të shekullit 20 dhe të fillimit të këtij shekulli, i cili ka arritur kulminacionin e tij në poezi. Shumë nga poetët e gjeneratave të reja ia kanë zili. Poezia e Fatos Arapit ka dimension evropian dhe si e tillë është pranuar gjithkund ku është përkthyer në gjuhët evropiane", tha Aliu.
Akademiku Mateja Matevski i cili ka përkthyer 15 vepra të Arapit, nga shqipja në maqedonisht, tha se çmimi shkon në duart e vërteta.
“Mbrëmjet e Strugës realizuan një projekt shumë të rëndësishëm me ndarjen e Kurorës së artë Fatos Arapit, së pari ai vërtetë është poet i rëndësishëm shqiptar dhe evropian me domethënie universale edhe pse është poet shqiptar me çka poezia shqiptare, për të cilën kam mendim shumë të mirë, i bashkohet këtij çmimi prestigjioz ndërkombëtarë", thotë Mateja Mateski.
Mbrëmjet strugane realizuan një projekt shumë të rëndësishëm me ndarjen e “Kurorës se artë” për Fatos Arapin së pari, sepse ai është vërtet poet i rëndësishëm shqiptar dhe evropian me rëndësi universale, dhe së dyti për arsye se është poet shqiptar me të cilin poezia shqiptare, për të cilën kam një vlerësim shumë të madh, përfshihet në këtë çmim prestigjioz ndërkombëtar.
Për poetin Arapi, i cili në shenjë falënderimi mori piktura artistike dhe ”Maska e artë”, folën edhe akademikët Luan Starova dhe rektori i universitetit të SHTUL-it Vebi Bexheti. Të pranishëm ishine dhe shumë politikan vendas.



Shtigjet poetike te Fatos Arapit


Fatos Arapi lindi në qytetin e Vlorës. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; disa drama: Partizani pa emër,1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku,1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe "Poezia dhe vjersha". Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të vëçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rrugë të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t'i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë "Antiburokratike", apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë "Pse erdha në jetë". Siç shihet, poeti i thurr ode lirisë dhe "mejtimit të lirë" siç e quan ai. është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.
Parë nga kjo perspektivë vetë çensurimi, mund të bëhen interpretime të shumëfishta: se shoqëria e re është ajo që sjell dhe garanton lirinë, apo, se poeti sikur e ndien të rrezikuar lirinë, prandaj del në kundërshtim të brendshëm me kohën e vet. Cilido nga interpretimet duhet marrë parasysh dhe për faktin e leximit zyrtar të poezisë. Por, edhe në rrafsh të artikulimit gjuhësor, në përzgjedhjen e figurës dhe të figuracionit, Arapi do të kërkojë mundësi të reja në thurrjen e vargut dhe artikulimin e fjalës. Eshtë ndjerë e hutuar mbase dhe vetë çensura përballë vërshimit të figurshëm në stilin "Nata shkon shaluar mbi kurriz të maleve", "Nata e ngarkuar me alarme...", te poema mjaft e ndjerë dhe e suksesshme e asaj kohe "Alarme të përgjakura".
Në fillim të viteve shtatëdhjetë, e sidomos me veprën e botuar më 1972 "Më jepni një emër", besimi dhe entuziazmi mbi të nesërmen e sigurtë sikur fillon të meket. Do të vërehet kjo në dy rrafshe: në përsiatjet për idenë e ekzistencës, (në çastet e dëshpërimit personal) dhe, në prirjen e figurshmërisë së mbyllur, për të mos qenë deri në fund i lexueshëm. E tillë mund të jetë dhe poezia, titullin e së cilës mban vëllimi "Më jepni një emër". Vërehet se shumë dilema shqetësuese fshihen nëpër vargje, shumë çështje dhe kategori vihen para pikëpyetjeve, ose të paktën shumë çështje të ekzistencës mbesin të hapura... Dhe pikërisht gjatë viteve shtatëdhjetë, syri zyrtar do të dalë publikisht me alarmin nga rreziku i një poezie të tillë. Qoftë në frymën e entuziazmit dhe të besimit të fillimit, qoftë në kuadër të shenjave të para për zvetënimin e këtij besimi, poezia e Fatos Arapit për gjatë gjysmë shekulli arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike. Në planin tematik, poezia e tij nuk e vuri poezinë në shërbim të politikës së ditës. Në rrafshin e shprehjes, ai vazhdoi të jetë origjinal duke e zgjeruar hapësirën krijuese dhe artikulimin figurativ. Zakonisht vetëm me një lëvizje, me një shpërthim befasues, poezia e Fatos Arapit sugjeron thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve të reja ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit. Edhe figura, prandaj del përherë e re, çuditërisht e freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme.
Është një gjuhë poetike e aftë ta ndjekë e ta artikulojë të fshehurën, të padukshmen, të ndrydhurën në mjedisin që e rrethon, me tërë tragjedizmin, trishtimin dhe egërsinë bashkë. Mund të thuhet se figura në poezinë e Arapit është ndër më efikaset dhe ekspresivet në poezinë bashkëkohore shqiptare. Në mpleksjen ndërvarëse: nga njëra anë realiteti, nga ana tjetër imagjinata, emocioni dhe intelekti, lind kjo lirikë. Prandaj lexuesi e gjen, e zbulon veten me ndjesinë se dhe ai kështu e përjeton botën përreth, por nuk ka mundur ta formulojë ashtu. Nga përplasja e poetit: (imagjinata, emocioni, filozofia) me realitetin, reflektohet synimi drejt përsosjes së njeriut.


Është një loje


Është një loje e madhe, e dashur
lodrojne fjalët, ritmet, rimat;
perqafohen figurat, vijnë rreth dritave
si fluturave prej rrezeve te diellit
u perzhiten krahet
ato prapë gicilohen me dritat
Loje e hapesirave
qe mbyllen të gjitha ne buzët e tua
kur ti vet qenke ne buzë te jetës
firome e mermerimes se tyre
Është një loje e vërtetë, e dhemshura ime
loje e mjergullave, qe tretën nëpër agime
për te rilindur mbremjeve ne gjire te fushes
..se detit
e legjendave, qe jetojne midis mjergullave
qe braktisin vet legjendat
e te nesërmen përsëri dalin prej tyre
si zogjt e pellumbave – prej levozhges se bute
loje e endrrave, qe shartohen nëpër trungun
.e endrrave
e dallendysheve qe sapo ngriten folene
brenda syve te tu
loja jote dhe imja;
loje e vdekjes dhe e perjetesise.

Ata qe dashurojne akoma
Ata qe s'kanë buke,
kur te kujtojnë buken,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata qe s'kanë zjarr,
kur te kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Të pagjumet e botës,
me syrin hapur si nata,
ne mesnaten e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata qe kanë vdekur
dhe dashurojne akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë.

28 Korrik 1451
...Kte ditë si Rozafen

muroseni themelit ne keshtjelle

Dhe vetëm gjirin ia lini pak jashtë,

gjaku i Muzakes te rrjedhe.


Do vijnë ditë te tjera

aty te pine paprere.

Do te jenë ato ditë--Vajkal,

Albulene do të jenë...



Po trokas ne zemren tënde


Motiv arberesh

Po trokas ne zemren tënde
hapma deren,zonja ime!
Kaloj pragun e hyj brenda...
Dua qe te kem mbi krye
hapësirën ere yjesh;
te shikoj rrekete qiellore
se si lozin gjithë dritëza
burimit te syrit tënd.
Dhe si luftetar i varfer
qe te mbështet kryet mbi gurë,
gjer te nise lufta prapë,-
dua koken ta mbeshtes
mu ne gjoksin tënd prej dielli...

...dhe te marr,moj,një sy gjume.