e premte, dhjetor 28, 2007

PORTRET STRUGE













Ne shtratin e Drinit, Gusht 2007: Im ate Dail Terziu dhe une ne Struge [vizitoni faqen zyrtare]

Nga Fatmir Terziu
-1-
Një grusht kaçurelash trazojnë qetësinë
Si flokë të thinjura notojnë mbi Drin
Unaza e bregut të Ohrid i mban mbi shpinë
Ashtu të blerta e të freskëta në çdo stinë.

Nga larg një mjelmë zbret ngadalë
Krahëhapur, bardhoshe e radhë
Mbi Liqen ndalon me stërkalë
Pastaj puth ujin e tij me Mall.

Kaçurela, stërkala e kaltërsi qielli
Bëhen më pas një ngjyrë
Si në telajo t’a fikson Dielli
Këtë portret Struge në fytyrë.

-2-


STRUGËS

Qytet poetik, i vargut
Mbete nga lindja në vdekje
Trup e buzë të lagur
Kurrë nuk ndjen etje.

Nga larg kurora e gjelbërt
Vjen e krihet në syrin tënd
Dhe ti e mban në prehër
I këndon me mall këngë.

Puhiza zbret mëngjezeve
Nga gryka e Ladorishtës poshtë
Dhe shtrohet pastaj mes rrezeve
Që dielli t’i ngul si gozhdë.

Erë mollësh të sjell fusha
Dimër, verë, pranverë e vjeshtë
E kush s’ti provoi troftat e prushta
E s’mbeti restoranteve në rrjesht.

Qytet poetik i poetëve
Qytet symbol i pastërtisë
I bardhë ditëve dhe netëve
Me zemrën e Shqiptarisë.


-3-

MORTJA E VJETËR

Baladën e shkruar moçëm e lexova në syrin tënd
Poemën e trazuar të viteve e pashë në hapësirë
Dhe të dyja m’u bënë menjëherë këngë
Aty buzë Liqenit ku shikimi im mbeti ngrirë.

Valët kaltëroshe më sollën pranë vitet
Mjelmat më trazonin zhurmueshëm kujtesën
Tek shihja trupin tënd që rritet e rritet
Krahasuar me atë që kish fiksuar lapsi i djeshëm.

Në tregun e hapur u ngatërrova për një çast
Mbi ca pllaka, mbi ca gurë në gjuhë tjetër
Por pranë në ndihmë më erdhi një plak:
“Këtë peshqesh, - më tha, - e kemi nga Mortja e Vjetër”.
-4-
BUZË LIQENIT

Një trumcak, një qukapik dhe një galë
Deftera, çanta, lapsa e pena kishin marrë
Pranë Liqenit të Ohrid bënin fjalë:
Anëtarë të një ‘Komisioni të Rradhë’.

Këtu ka qenë një gropë tektonike
Thoshte trumcaku me zërin ziliqar
Jo këtu ka qenë zonë vullkanike
Shtonte gala: me sytë e mi e kam parë!

Pastaj qukapiku i zi çukitqar
Nxori nga çanta e tij e zezë
Një letër të gjatë si çarçaf
Dhe e shtriu aty mbi tryezë.

Uji i Liqenit ka qenë ‘i kripur’
Ja, thuhet këtu në hartë
Këtë, vetëm ne ‘qukapikët’ e kemi ditur
Është vërtet një gjë e rradhë.

Dy trofta pikaloshe kurriz qëndisura
Ngritën kokat shpirtlënduar
Kemi dëgjuar e dëgjuar gjëra të krisura
Por këtë qyfyre s’kemi për t’a harruar.

Dëgjoni tani me kujdes
Ju trumcakë, qukapikë e gala:
‘Kush kërkon idetë e tij të shes
Të mos ngatërroj krap me ngjala!’
-5-
BUKURI E RRADHË

Si një pikë loti shfaqet nga larg
Ai sy kaltërosh mes gjelbërimit
Malet, kodrat, kreshtat në varg
Gati të nisin garën e vallzimit.

Dielli vjen, ulet dhe ikën ngadalë
Hëna shfaqet e zhduket pa fjalë
Diku sheh një troftë, diku një ngjalë
Që krenohen me bukurinë e rradhë.
-6-
XHELOZI

Puthmë fort në sy
I thotë Liqeni, Diellit
Dhe fap një veri
Zë hapësirën e Qiellit.

Xheloz ky Veriu
Ulërin mbi Liqen
Në kthetra ariu
Vetëtimat i kthen.

Xheloz i pafuqishëm
Kurrë s’e ka të gjatë
Një Diell i fuqishëm
Rishfaqet aty prapë.

Dhe nis kështu puthja
Në një kaltërsi të vërtetë
Ku natyrshëm del lutja
U trashëgofshit përjetë!
-7-
MALIT I RA NJË PIKË LOTI

Kohë të hershme fort
Mote, vite të shkuar
Malit i ra një pikë lot
Formoi Liqenin e bekuar.

Pastaj rreth tij qindra duarartë
U mblodhën dhe i qëndruan pranë
I kënduan me ditë e me natë
E quajtën të Zotit dhuratë.

Këngët gëzuan pa masë
Gjallesa, shkurre e pyje
Por Armiku nisi të pëlcasë
Inatin e tij nisi të shfryjë.

Brodhi e brodhi anembanë
Pagoi harace derë më derë
Pastaj ‘ata’ e piketuan, e ndanë
Trupin e liqenit e prenë.

Liqeni qëndroi krenar
Duroi të ligën e paguar
S’kish forcë për t’a ndalë
Atë dorë të mallkuar.




Struge 2007