Nga Fatmir Terziu
terziuf@roehampton.ac.uk
...Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Millibend, tha zoti Mazi më konfirmoi se Britania do ti përgjigjet pozitivisht shpalljes së koordinuar të pavarësisë së Kosovës...
...17 Janari është një datë, por tremujori i parë i vitit që po afron do të na gëzojë më shumë, tha Dr Bajram Rexhepi. Sot të gjithë janë për Kosovën, të gjithë shtetet e duan Kosovën. Pak janë ato shtete, që kanë dhe shohin probleme me statusin e saj. Edhe me ta po punohet nga faktori ndërkombëtar dhe ne duhet të ecim me faktorin ndërkombëtar...
Qëndra Irlandeze në Kampden mblodhi të martën në mbrëmje jo si zakonisht anëtarët e preferuar të saj, Irlandezët, që banojnë dhe e frekuentojnë atë qendër, në atë zonë të Londrës. Vizitorë të saj u bënë për gati dy orë pjesëtarët e një komuniteti tjetër, atij që erdhi në Britaninë e Madhe në kohë lufte, terrori dhe represioni masiv të përzënies me dhunë nga një diktator në dhënie shpirt e sipër. Qindra shqiptarë të Kosovës me banim në Mbretërinë e Bashkuar, ishin në fakt ata që dëgjuan, pyetën dhe duartrokitën, ish Kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Londër, Zef Mazin. Pas një pritjeje festive të grupit të fëmijëve të Komunitetit Shqiptar dhe fjalëve shpotitëse poetike të Selman Lokajt, vendin e humorit dhe gazmores e zuri në podium fjala e Deputetit të Parlamentit të Kosovës dhe i votuar në zgjedhjet e fundit për të Kryesuar Mitrovicën, Bajram Rexhepit. Foli me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, modest dhe i kuptueshëm. Një risi politike të cilën e shfaqi mjeshtërisht dhe bukur, duke shmangur potencialin emocional, që ka përfshirë militantizmin dhe shtirjen ‘patriotike’. Dr Bajram Rexhepi tha se vinte nga një leksion publik në Universitetin Ekonomik të Londrës (LSE) ku pyetjet që i ishin drejtuar tregonin se Kosova sot nuk është vetëm në vëmendjen e politikanëve, gazetarëve, gazetave, televizioneve, mediave, shqiptarëve, por edhe një shqetësim i auditoreve, një shqetësim i intelektualëve të tanishëm e të ardhshëm…
“Kam krenarinë t’ju them dhe t’ju deklaroj sot nga ky podium këtu në mes të Londrës, Kryeqytetit që na mbështeti dhe na mbeshtet në rrugën tonë drejt Pavarësisë, se nga informatat më të fundit që kam marrë, Kosova është në rrugë të mbarë." Më tej zoti Rexhepi u ndal në problematikën e datave, që shpeshherë janë shturë e devijuar nga faktorë krizash në botë. Sa herë përmendet një datë, lind për cudi një krizë apo shqetësim më i madh për ndërkombëtarët dhe ne mbesim pa shans. Mund të them se 17 Janari është një datë, por tremujori i parë i vitit që po afron do të na gëzojë më shumë. Ju thashë, për këtë, ne nuk duhet te fiksojme data, nderkohe qe Kryeministri i ardhshem ende nuk ka folur, ai ka plane, ai po degjon e keshillohet me ata qe na ndihmojne. Kryeministri i ardhshem do te flase ne kohen e duhur. E rrendesishme eshte qe ne kemi mbeshtetje. Sot të gjithë janë për Kosovën, të gjithë shtetet e duan Kosovën. Pak janë ato shtete, që kanë dhe shohin probleme me statusin e saj. Edhe me ta po punohet nga faktori ndërkombëtar dhe ne duhet të ecim me faktorin ndërkombëtar”. Më tej ai u ndal në situatën e tashme në Kosovë, politikën, shtetin, Qeverinë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbarëshqiptare, simbolet, administratën dhe mjaft probleme të tjera që u ngritën dhe u plotësuan nga salla.
Ambasadori Zef Mazi, që u prit me duartrokitje, duke theksuar se ishte ‘gjysëm-kosovar’, ngase gruan e kishte nga Prizreni, tha se vinte nga një takim me zotin Millibend dhe në bisedë me të kishte marrë informata për situatën më të re në lidhje me Kosovën. Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Millibend, tha zoti Mazi më konfirmoi se Britania do ti përgjigjet pozitivisht shpalljes së koordinuar të pavarësisë së Kosovës. Por, zoti Mazi theksoi se vëmendja tjetër e Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe është se në Ballkan është shumë e rëndësishme të shmangen përgjigjet e shkurtra dhe pranon se është një situatë shumë e komplikuar, të cilën ai ia tha edhe programit të BBC-së në një intervistë të tij. Ai theksoi: “Kosova tashmë ka vetëm një kundërshtar në Unionin e Europës (KE). Të gjithë shtetet janë në udhën e saj, dhe këshilla e zotit Millibend është që ne të bëhem pjesë e durueshme, pjesë e kulturuar. Ne duhet të mos marrim hapa të nxituar, por të punojmë e të përkrahim komunitetin ndërkombëtar në mesazhin e tij në të mirë të Kosovës…”. Me tej folen edhe pjesetare te tjere nga grupi organizator i takimit...
Por c'fare shprehen te pranishmit pas takimit?
Cfare tha per ne Ambasadori Mazi dhe Dr Bajram Rexhepi?
Gazetari i Irish Post i pranishem ne kete takim tha...
Vazhdon…me tej shkrimi tek "Fjala e Lire" online, rregjistrimi falas.
LLOGORJA E AKADEMIKËVE NË "LUFTËN E FJALËVE"
Shumë prej tyre shprehen, se “Fjala e akademikut dhe studiuesit është të bëjë kërkimin e fakteve dhe të paraqesë faktet herët a vonë sipas një mënyre tematike”, të tjerë thonë se “ajo që u shpreh u shpreh, me ecurinë dhe me problemet e tjera u takon mediave, i takon institucioneve…”, një numër tjetër shprehen se “misioni ynë mbaroi me luftën…” ose më tej për ca të tjerë kur thonë “të presim finalen…”.
Dhe heshtja e tyre ka ngjallur sërrish polemika, ka nxjerrë në dritë një dritë jeshile për të zbuluar e ndriçuar misionin e penës së tyre të para tetë viteve, që shkruante me gjakun e qindra të pafajshmve në zemër të Ballkanit. Shumë prej tyre shprehen, se “Fjala e akademikut dhe studiesit është të bëjë kërkimin e fakteve dhe të paraqesë faktet herët a vonë sipas një mënyre tematike”, të tjerë thonë se “ajo që u shpreh u shpreh, me ecurinë dhe me problemet e tjera u takon mediave, i takon institucioneve…”, një numër tjetër shprehen se “misioni ynë mbaroi me luftën…” ose më tej për ca të tjerë kur thonë “të presim finalen…”. Logjikshmën dhe në mënyrë institucionale kjo hierarki mendimi duket shfajësuese në plan të parë, duket e qartë edhe në fushën profesionale të argumentimit dhe paraqitjes së mendimeve dhe në fakt edhe mund të anashkalohet, dhe mostrajtimi i mëtejshëm mund të bëhet palë me heshtjen reale të disa prej tyre. Këtu emrat e tillë janë shumë, sepse ashtu siç e thamë që në fillim Lufta e Kosovës rrëmbeu shumë emra të fushës së letrave, më së shumti elitën akademike të të gjitha vendeve, por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizohet emër për emër, apo të kritikohen emra të përveçëm. Synimi i këtij shkrimi është të shkund sadopak një interes tjetër debati në këtë situatë kur një “luftë” tjetër ka përfshirë zgjidhjen e statusit të Kosovës në arenën politike ndërkombëtare, që do të ndihmonte në zgjidhjen dhe arritjen e “finales”. Shkrimi mes disa fakteve dhe argumentave kërkimore të muajve të fundit do të shpjegojë faktin e heshtjes së këtyre penave akademike për këtë problem të mprehtë dhe domethënës për fatet e një populli.
Një nga analistët e mirënjohur A. J. Bellamy në shkrimin e tij “Kosovo: After the War, the War of Words” (Kosova: Pas Luftës, Luftë Fjalësh), botuar në The International Journal of Human Rights, Volume 5, Issue 3 Autumn 2001, faqet 97 – 110, shprehet jo më kot që në titull se “Kosova e pasluftës është dhe gjendet mes luftës së fjalëve”. Kjo kuptimplote për momentin, pasi zgjidhja e problemit padyshim pret “fjalën”. Dhe kur lufta e fjalëve del në mejdan, shpallet në sheshin e madh politik dhe akademik, padyshim “pena” është protagonisti kryesor. Dhe ajo duhet të jetë aktive, ndoshta po aq aktive kur trajtoi Luftën e Përgjakshme. “Lufta e fjalëve” e mbërthyer më së shumti në politikë, duket disi e pakonceptueshme në interesat akademike, për faktin se midis kësaj fjale ka mure e ura që duhen kapërcyer.
Akademikët shpeshherë nuk pajtohen me deklarimet e politikanëve. Ata i quajnë nxitime dhe rrëmbime emocionale çasti, fakt që ndoshta i shton rradhët e heshtjes akademike për problemin në fjalë. Gjatë hulumtimeve dhe kërkimeve tona bazuar në rezultatet e postës elektronike, arkivave akademike të gjashtë viteve të fundit dhe disa anekseve profesionale të lëmisë së letrave, fakti flet se kjo “penë” ka heshtur në masën 20-25 për qind, krahasuar me bumin e një periudhe që trajtoi problemin e Luftës në Kosovë në të gjithë hapësirën e Globit.
Më tej edhe kur elita akademike ka folur ose shkruar, më së shumti është tematikë e luftës, plagëve të saj, dhe shumë pak për projektet konkrete. Këto të fundit sigurisht më së shumti i përkasin qeveritarëve vendas, elitës akademike shqiptare të Kosovës e elitës intelektuale shqiptare kudo që është. Në fushën e projekteve, heshtja ose opsioni i akademikëve dhe analistëve të huaj është më shumë i aspektit vëzhgimor. Këtu ata mendojnë se sërrish “rradhën e ka media për të folur”.
Për t’a ilustruar më qartë këtë ide për fjalën e medias, po citojmë një akademik aktiv Britanik në kohën e bombardimeve të NATO’s mbi Kosovë, por i heshtur për situatën në fjalë. Philip Hammond, Profesor në LSBU në Londër shrehet: “ media [për Kosovën - shënimi im] ka luajtur një rol kryesor në mbështetjen e idesë për mbrojtjen humanitare ndërkombëtare, ndoshta më të madhin, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Akademikët gjetën ushqimin e nevojshëm aty.” Sot kur Kosova e pasluftës është mbërthyer në këtë fushëbetejë të re të “Luftës së Fjalëve”, natyrshëm duhet flakur tej heshtja. Akademikë të të gjithë fushave duhet të dalin në “llogoren e parë”.
KOHA KËRKON RIDALJEN NË SKENË TË ‘FJALËS’
Këshilla e fundit e Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Dejvid Millebend, ‘për të qenë të durueshëm e të matur’, nënkupton të qënit të pjekur, për të qenë në një hap me Perëndimorët. Kjo dhe mbështetja e deklaruar se Britania do të njohë Pavarësinë e Kosovës përbën thelbin e domosdoshëm të ftesës publike për fjalën e mencur akademike dhe analitike në këtë kohë që “Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Millibend, konfirmon në një intervistë për BBC-në se Britania do ti përgjigjet pozitivisht shpalljes së koordinuar të pavarësisë së Kosovës, por shton se në Ballkan është shumë e rëndësishme të shmangen përgjigjet e shkurtra dhe pranon se është një situatë shumë e komplikuar” (BBC, 2007: online). Thuajse të njëjtën thirje bënë në mesin e shqiptarëve që jetojnë në Londër edhe ish Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi edhe Ambasadori i Shqipërisë Zef Mazi. Pra në terrenin e ‘komplikuar’ vetëm fjala e mencur mund të depërtojë e të përballet. Vetëm një fjalë e argumentuar mund të sjell bereqetin e pritur dhe ndoshta të munguar për një kohë. Në këtë terren duhen renditur lapsa, pena, kompjutera dhe elementë përbërës të tyre, me një emër Media, prapa të cilës vjen fjala e pjekur, e matur dhe konkuruese.
Kontaktoni per me shume informacion: terziu@googlepages.com
KOSOVA MERITON PAVARËSINË E SAJ
Anthony Lloyd
"The Times"
Përtej kufijve të Serbisë, një formë e neveritshme e revizionizmit është shfaqur përgjatë viteve në mesin e atyre që njihen si kritikë të vullnetit të Kosovës për pavarësinë. Një pjesë ka lindur nga dëshira arrogante për të krijuar kundërthënie. Pjesa më e madhe nga injoranca. Dhe një pjesë tjetër buron nga racizmi: enigmatikë, të varfër, muslimanë dhe me gjuhë e kulturë të ndryshme nga pjesa tjetër e Evropës, shqiptarët e Kosovës janë shënjestër e lehtë për elementët që synojnë vetëkënaqësi në radhët e klasës pseudo-politike të Evropës Perëndimore. Argumentet e kritikëve të pavarësisë së Kosovës bazohen në dy doktrina false të vetëmohimit. E para, thotë se shteti i Serbisë nuk është përgjegjës për masakrimin e shqiptarëve midis 1998 dhe 1999 dhe se forcat serbe të sigurimit disi janë mashtruar nga provokimet e UÇK-së për vrasjen e mijëra të pafajshmëve. E dyta, thotë se më shumë se 800 mijë shqiptarë në kohën e bombardimeve të NATO-s janë zhvendosur nga frika e bombardimeve dhe jo nga njësitet militare serbe.
Po të ishin këto pohime të vërteta, atëherë rasti fundamental për pavarësinë e Kosovës, do të ishte i padrejtë në mënyrën më fatale. Por, ato nuk janë të vërteta. Dhe këtë e di jo si një supozim, por si fakt. Kam shumë kujtime nga Kosova në kohën që e kam kaluar atje, duke raportuar midis viteve 1998 dhe 2000. Në mesin e imazheve të varrezave masive, fshatrave të djegura dhe kufomave të enjtura, një imazh më ka lënë përshtypje të veçantë. Në luginat jashtë fshatit Istniç, kam parë 40 mijë kosovarë të përndjekur nga policia serbe. Të rinj, të moshuar, burra, gra, fëmijë, të gjithë shikonin syhapur horizontin ku grumbullohej tymi që vinte nga fshatrat e tyre, të djegura nga spastrimi serb, prej të cilit kishin ikur. "Ku është Evropa? Ku është Amerika?", më pyeste një refugjat.
Pas një dite apo dy, policia serbe i detyroi ata të shkonin në fqinjësi, duke i rrahur dhe kërcënuar me armë. Këta njerëz nuk kishin ikur nga bombat e NATO-s. Bomba e parë e NATO-s ishte shtatë muaj larg. Kjo ka ndodhur në verën e 1998-ës. Atëherë, bota nuk çante kokën edhe aq shumë për Kosovën dhe një vit më vonë, në kuadër të operacioneve më të mëdha të spastrimit, serbët tashmë kishin filluar përndjekjen e mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre.
Përkujtimi i asaj çfarë ka ndodhur gjatë luftës është shumë e rëndësishme për çështjen e pavarësisë së Kosovës, meqë zbulon përfshirjen absolute të autoriteteve serbe në shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe ka dëshmuar atëherë dhe tani për një pushtet jonjerëzor dhe të padrejtë, nga i cili shqiptarët e Kosovës meritojnë të jenë të pavarur. As UÇK-ja nuk ishte engjëllore. Si forcë rebele e çdo karakteri të njeriut (dhe jo vetëm e entitetit mafioz sikur që pohojnë revizionistët), ajo përbëhej nga luftëtarë të lirisë, intelektualë, fshatarë, nacionalistë, e madje edhe elementë kriminalë dhe të dhënat për të drejtat e njeriut në këtë kuadër ishin të tmerrshme. Por, UÇK-ja ka pasqyruar vullnetin e popullatës shumicë, vullnet ky, i cili ka fituar kredibilitetin më së shumti nga sjelljet e qeverisë serbe kundrejt popullatës civile.
Dhe derisa komuniteti ndërkombëtar mendohet se çfarë të bëjë me Kosovën tani, duhet t'i rikujtojë këto fakte, posaçërisht tash kur koha më nuk është në anën e askujt. Pjesa më e madhe e kësaj kohe është shpenzuar në pavendosmëri që nga viti 1999. Më herët gjatë këtij viti, Rusia, në përpjekje për të rikthyer ndikimin në rajon, e ka hedhur poshtë planin e arsyeshëm të Kombeve të Bashkuara për pavarësi të mbikqyrur të Kosovës. Pesë muaj të tjerë negociatash midis Kosovës dhe Serbisë përfunduan pa ndonjë rezultat më 10 dhjetor. Dhe bllokimi aktual duket se nuk do të lëvizë. Në njërën anë, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e përgatitur veten për shpallje të njëanshme të pavarësisë, në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës dhe pjesës më të madhe të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, kryeministri nacionalist i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, i mbështetur nga Rusia, e ka shndërruar statusin e Kosovës në çështjen parësore të politikës serbe, duke tërhequr vërrejtjen për pasoja të rënda nëse Bashkimi Evropian e njeh pavarësinë e Kosovës. Parashikuesit e fatit flasin për një pasqyrë të zbehtë, në të cilën Kosova shpall pavarësinë e saj, Serbia e sfidon atë, duke e shpallur të paligjshme në mungesë të një vendimi nga Këshilli i Sigurimit dhe si rezultat dhuna shpërthen në Kosovë, zgjerohet tek serbët në Bosnjë dhe shqiptarët në Maqedoni, të cilët gjithashtu synojnë pavarësinë. Përfundimi: një luftë e re në Ballkan, e cila përshkallëzohet nga lufta e re e ftohtë. Por, realiteti është krejt ndryshe. Zoti Thaçi, e di se i duhet njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe ka thënë tashmë se shpallja e pavarësisë do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Ai e kupton se pa këtë mbështetje shpallja e pavarësisë do të thellonte stagnimin ekonomik në Kosovë, e cila edhe tash varet nga ndihma ndërkombëtare për të mbijetuar.
Në anën tjetër, pavarësisht nga propaganda e Koshtunicës, shumica e serbëve janë më të shqetësuar me gjendjen e tyre ekonomike se sa që janë me statusin e Kosovës, që do të thotë se ata mund të ngurojnë të kërkojnë patronazhin e Rusisë nëse kjo nënkupton përkeqësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Me humbjen e katër luftërave në 16 vitet e fundit, ata duket se nuk janë duke u ngutur të hyjnë në një konflikt tjetër dhe përkundër kërcënimeve, nuk ka pasur mobilizim të njësiteve ushtarake. Brenda në Kosovë ndërkaq, në mungesë të pajtueshmërisë midis dy grupeve etnike që prej vitit 1999, pakica serbe jeton në enklava, pas zhvendosjes nga shqiptarët. Trazira të lehta, protesta dhe vrasjet janë të mundshme, por me 16 mijë ushtarë të NATO-s nuk ka gjasë të ketë përplasje të gjerë midis forcave paramilitare.
Prandaj, rruga përpara mund të mos jetë edhe aq e rrezikshme sikur që thuhet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian duhet të sforcojë misionin civil dhe ushtarak në Kosovë, për të siguruar mbrojtjen e pakicës serbe. Edhe pse do të ishte ideale të gjendej një rrugë përpara me të cilën do të pajtoheshin edhe Serbia edhe Rusia, Bashkimi Evropian duhet ta pranojë se një gjë e këtillë nuk do të ndodhë. Dhe kur të shqyrtohet përgjigja mbi shpalljen e pashmangshme të pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian duhet të shkëputet nga gjuha emocionale e lojtarëve rajonalë dhe revizionistëve, duke kujtuar tri fakte të thjeshta. Serbia e ka humbur Kosovën më 1999. Shumica dërmuese e kosovarëve duan pavarësinë. Dhe mbi të gjitha, ata e meritojnë pavarësinë.