e shtunë, nëntor 24, 2007

FESTA E FLAMURIT NE LONDER: DUARTROKITJE DHE LUTJE PËR SIR NORMAN WISDOM



Festa e Flamurit në Londër nisi me festimet që Bashkësia Shqiptare Faik Konica në Londër organizoi këto në ditë në Haverstock School, Chalk Farm. Qindra të pranishëm gëzuan në një atmosferë festive. Flamuj të shqipërisë dhe të Britanisë së Madhe zbukuronin sallën plot. Dhjetra shoqata i ishin bashkëngjitur festives së flamurit. Shoqata "Peja" me kryetar Sherif Bllaca, kishte hapesiren e vet ne kete feste. Rruzhdi Jata, kryetari i shoqatës së Shqiptarëve në Hounsloë të Londrës, i pranishëm në këtë festë, e nisi ndryshe përshëndetjen e tij për Festën e Flamurit e organizuar nga Bashkësia Shqiptare Faik Konica me kryetar Talat Pllana dhe shoqata “Miqtë e Sir Norman Wisdomit” që drejtohet nga një grup intelektualësh me kryetar Fatmir Terziun. Ai lavdëroi të pranishmit dhe tha: “Falënderojmë komunitetin shqiptar që na mbush sallat dhe që na përkrah në inisiativat tona, por njëkohëisht falënderoj emrat e mëdhenj të historisë që na bëjnë të lumtur të krenohemi me ta. Emrat e Faik Konicës dhe Sir Norman Wisdomit, janë padyshim shembuj për të dy komunitetet, për vendasit dhe për ne…”. Më tutje një thirje në këtë tubim festiv iu bë edhe të pranishmëve dhe përfaqësuesit të Ambasadës së Shqipërisë që emrin e Sir Norman Wisdomit t’a vëmë në vendin e merituar historik midis dy vendeve, me qëllim që brezat të flasin ndryshe dhe të frymëzohen me arritjet e njeriut symbol të humorit dhe filmit komik. Duartrokitjet dhe lutjet për Heroin e Madh Sir Norman Wisdom ishin tepër emocionuese. Salla oshëtiu në ovacione nga fjala e Talat Pllanës, nga fjala e përcjelljes së përshëndetjes së Ambasadorit Zef Mazi e lexuar nga Sekretari i Ambasadës Shqiptare, Dastid Koreshi. Fjala e zotit Korreshi u mireprit dhe u duartrokit disahere. Shqipe Ratkocerri dhe faton Bakolli kënduan hymnin. Grupi i valleve dhe fëmijët e shkollës shqipe thanë fjalën e tyre me valle dhe recitime. I pranishëm ishte edhe Workneh Dechasa, Senior Refugee and Community Education Adviser dhe mjaft përfaqësues të tjerë.
Talentët Ari Qela, në kitarë qe ekzekutoi No=3 nga Moments Musicaux te Shubertit dhe Rumba Tumba nga Paul Harvey dhe talentet Jon Ratkoceri e Dardan Uka në pianon e mësuar nga mjeshtrja e pianos Hadije Gjinali, merituan më tepër duartrokitje.
Festa ishte nje arritje me shume ne punen e ketyre organizmave shqiptare dhe intelektuale. Drejtuesi dhe rregjisori i programit Fatmir Terziu mori duartrokitje dhe pershendetje prej te gjithe te pranishmeve. "Fjala dhe oratoria juaj, na beri te harrojme minutat,"- tha znj. Vllasolli per zotin Terziu.

QAFA E XINGARËS

Nga Fatmir Terziu
(Shkeputur nga "Mot i Qashter")

Atë ditë shefi i komisariatit të Gramshit dha një konferencë shtypi për të gjithë gazetarët. Ishte vetëm një ditë pas zbulimit të një arsenali të jashtëzakonshëm armësh që ishin gjetur në një tunel diku në afërsi të qytetit. Unë bashkë me kolegun B. D., kameramanin S.B., që punonim në të njëjtin televizion, por në gazeta të ndryshme ishim njëherrësh edhe një shembull i asaj kohe, i asaj që shtypi duhet të jetë në fakt, një shembull ku nuk duhet shikuar ngjyra politike apo partiake, apo bindjet personale, por vetëm synimi profesional i gazetarit. Por a ndodhte kjo edhe në Tiranë, në mendjen e disa gazetarëve?
Lamë Gramshin aty nga ora gjashtë pasdite. Sapo kaluam Qafën e Xingarës, një grup i armatosur dhe me maska na zuri rrugën. Në timon ishte kameramani S.B. Ai manovroi me shpejtësi dhe as vetë s’e kuptuam se si shpëtuam nga ajo situatë ku drejt nesh vërshuan breshëri kallashnikovësh. Makina fluturoi, gati si një start gare. S.B. kishte përvojë! Më poshtë një grup njërëzish të fshatit, që mbanin të njëjtin emër, me Kryeplakun në krye kishin dalë të shqetësuar nga ajo batare armësh… Na ndaluan të qëndronim me ta. Dhe ashtu u bë. Aty nga ora tetë të shoqëruar nga kryeplaku dhe tre-katër burra të tjerë lamë Xingarën dhe deri në Llixha ishim në shoqërinë e tyre. Në studion e televizionit hymë në kohë, për të dhënë lajmet. Aty treguam gati me detaje historinë dhe ndodhinë. Ata të televizionit na thanë s’e e dinin gjithë c’ka kishte ndodhur, s’e Kryeplaku kishte njoftuar në telefon… Lajmi ishte dhënë dhe ne vetëm prisnim telefonatat… Kolegu im foli në telefon me redaksinë e tij të gazetës dhe nga prapa telefonit ‘shefi redaktor” i tha: “Po pse rri në një vend me ata të RD-së, pse rri me ‘plehra’ si ta…”. B.D. rrudhi ballin dhe ngriti supet… Unë vetëm qesha me vete. Të nesërmen gazeta RD, kishte dhënë lajmin tim orrigjinal, pa koment, ndërsa gazeta e kolegut tim nuk tha asnjë fjalë, përkundrazi shkruante se ‘nuk ka më probleme në Gramsh’… Pastaj një ditë më pas ndodhi një hata tjetër. Një nga politikanët e vet krahut politik që kjo gazetë mbështeste u ‘kontrollua miqësisht’ në autobuzin që u ndalua dhe u grabit nga grupet e armatosura që vepronin në Qafë të Xingarës në atë kohë…

KRISJA: “NJËSITET GUERRILE NË SKENË”

Atë kohë isha caktuar nga redaksia të mbulojë gati ç’do lëvizje të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, në vizitat e tij të punës nëpër rrethe. Isha gati pjesë e asaj kolone të gjatë që gjarpëronte me trokun e një shpejtësie marramendëse, si në garat e makinave, për të dhënë lajmin dhe shënuar gati gjithë fjalën, thëniet, pyetjet, përgjigjet dhe ndodhitë e evenimentit. Dhe gjithkush nga shtypi dhe njërëzit e shtypit që ka ndjekur Pr.Dr. Sali Berishën në misionin e tij tepër të përkushtuar, është shumë lehtë t’a kuptojë atë, por shumë e shumë vështirë t’a ndjekë e t’a raportojë me të njëjtën shpejtësi. Takimet e fushatave dhe takimet me raste të Kryetarit të PD-së dhe Presidentit të Republikës ishin gati rrufe. Ata fillonin e mbaronin në terren të gjërë, nga Jugu në Veri, gati-gati pa pushim. Pra ishin dhe janë shumë për t’i hedhur në letër. Po kujtoj vetëm njërën, ndoshta njërën që më ka mbetur paksa më shumë në mendjen time.
Rradhën e kishte Gjirokastra, pas një vizite rrufe në Përmet. Situata në Jug të Shqipërisë po ziente, lajme të ndryshme gazetarësh vinin nën zë për kërcënime të shumta. Unë isha në një makinë me Z. K. e radios. Ajo aspak e qetë, më e ndjeshme dhe më pranë lapsit dhe diktofonit të saj. Flisnim për gjëra kot, aspak në lidhje me situatën. Nuk e di pse. Udhëtuam gjatë dhe ndaluam në hyrje të Gjirokastrës. Kishim kaluar Tepelenën, ku kishte zhurma se s’do t’a kalonim dot, pasi kishte lajme se do të bllokohej rruga nacionale nga një grup të pakënaqurish që kishin humbur paratë në firma dhe në meditim e sipër pamë e ripamë sheshin e qytetit të gurtë duke u ngjitur drejt Pallatit të Sportit. Rolandi, pedagogu i Universitetit të Gjirokastrës ishte më i angazhuari. Ai kishte marrë rolin e organizatorit dhe në pamje të parë dukej si në një xhirim filmi. Dy skenarë shkonin e vinin. Ai që ziente diku përreth, e në skuta dhe ai që në sipërfaqje kishte një buzëqeshje dhe një temperament të ftohtë. Presidenti kreu fjalën e tij në një Pallat Sporti të mbushur plot. Entuziazëm. Entuziazëm!? Pastaj drejt Universitetit. Aty sërrish tension. Studentë që hynin e dilnin. Studentë që pastaj paraqisnin opsione dhe pyesnin. Presidenti dëgjonte dhe përgjigjej… Diku andej nga fundi i stolave plot me studentë në sallën e leksioneve të Universitetit, ku zhvillohej takimi, një student i rrethuar me nja dy a tre të tjerë ishte më i zjarrti. Fliste pa rradhë, pëshpëriste dhe trazonte e turbullonte situatën… Askush nuk i ndërhynte, veç Rolandit, pedagogut të Universitetit, që i thoshte: “Mirë, mirë … të njohim ne ty… të njohim”. Pyeta, se ç’ishte kjo njohje për studentin, por gjeta ngritje supesh. Aty kaluan plot 45 minuta dhe asgjë në fakt për të thënë ishte rezultative, se shumica e studentëve të pranishëm ishin gati spektatorë dhe të heshtur. Vetëm dëgjonin e pëshpërisnin!
Pastaj një ikje e shpejtë e Presidentit. Helikopteri kishte ardhur të transportonte atë dhe kolona e makinave kishte lënë qytetin e Gjirokastrës në rrugën e Përmetit dhe jo nga rruga nacionale e Tepelenës. Ne pyesnim, dhe habiteshim: “Pse?!” Por askush nuk dinte gjë… Pastaj shpejt në makinë, dhe bashkë me ne shumë gazetarë të tjerë. “Do ikim nga Tepelena?”- pyesnim dhe shihnim shoferin… Ai nisi makinën. Një tension i brendshëm ziente mes nesh. Pastaj në rrugë. Kolona të gjata makinash dhe pastaj një kthim prapa… Rruga në të hyrë të Tepelenës ishte bllokuar. Barrikadë me skelete makinash të vjetra dhe blloqe betoni ishin shkarkuar në mes të saj. Shoferi pyeste drejtuesit e makinave që ktheheshin prapa, makinat që qëndronin në vend dhe ata që shanin e shanin …
Është një rrugë tjetër. Është rruga nga Përmeti, por është e gjatë dhe e frikshme. Ashtu bëmë. U kthyem prapa. Ecëm e ecëm. Kur fap një zhurmë. Pastaj një tjetër. Makina filloi të tundej e shkundej e tëra. “Gomat!”- tha shoferi. Dy dërrasa me gozhdë dymbëdhjetëshe ishin ngulur në mes të tyre dhe kaq e pati. E dija që Përmeti ishte historik, nga historia e shkollës sime, por nuk e dija se historia e shkollës sime do të përsëritej në këtë mënyrë. Unë e dija dhe kisha mësuar s’e gozhdët ia vinin njësitet guerrile kamionëve armike që transportonin ushtarë dhe armatime dhe jo gazetarëve apo dhe vetë shqiptari-shqiptarit. E çuditshme; “Njësitet Guerrile janë rringjallur”- tha dikush mes nesh… Për fat pas nesh ishte një makinë e Gardës…, dhe ne qëlluam me fat. Në Kolonjë hymë pas mesnate. Aty komunikova me redaksinë e Tiranës… “Mos u mërzit më tha redaktori për shkrimin,… a je mirë vet?” I tregova se me kë isha dhe kaq. Lamë Pogradecin pas, kur ora shënonte tre e tridhjetë minuta pas mesnate…