e martë, nëntor 20, 2007

SEFEDIN AGOLLI: ‘BABAI’ I PIKTURËS SHQIPTARE ME SPATUL

Nga Fatmir Terziu
(Shkëputur nga libri i autorit: Mot i Qashtër)

"Unë u shkëputa nga tradita dhe kolegët e mi, duke lënë mënjanë penelin dhe fillova të punoj me spatulën, dhe ajo u bë zotëruese në çastin kur unë doja të isha i veçantë, që piktor të isha unë Sefedin Agolli, aq sa po t'i hiqnin këto iniciale unë të isha prapë aty. Mendoj se mënyra se si e përdor unë spatulën do të ishte shenja dalluese për pikturën time"

Ndodhemi në këmbë të Kristoforidhit, në të djathtë të bustit të tij në qendër të Elbasanit. Në kurriz të tij ndodhet një godinë tipike, që dallon nga të tjerat, edhe pse e strukur në gjirin e pishave disavjecare, që rrethojnë atë dhe bustin e Kristoforidhit të Aberates shqipe. Arkitektura e godinës është tipike. Në faqen anësore nga e djathta e rrugës që të shpie në Teatrin “Skampa” duket simbolika e vitit 1936. Në të është strehuar Galeria e Arteve të Elbasanit. Është viti që pason pesë hyrjet e brishta në Demokraci. Në një qoshe të godinës ndodhet studioja e Mjeshtrit Sefedin Agolli. Ora shënon 8:30 minuta pasdite dhe dritat ende në studio janë ndezur. "Sefedini gjithë ditën rri në studio, duke filluar që nga ora 10.00 e deri në mbrëmje" thonë pastrueset e Galerisë dhe punëtorët e shitoreve aty pranë. Trokasim në derë; piktori Elbasanas del me një spatul në dorë dhe na fton në brendësi të studios. Studio modeste, por me një bagazh tepër tërheqës. E gjithë Shqipëria ndodhet aty. Në peisazhin e Agollit, nën strehën e spatulës së tij që përkëdhel e përkëdhel telajon zbret Jugu e Veriu i shqipërisë, shtrihet fusha e lartësohet mali, qethen kodrat e kodrinat bukurroshe, shtriqet lugina karakteristike shqiptare, valëzon e gjarpëron lumi shqiptar, flagëron madhërisht Perëndimi e qeshet Agimi, dritëlindja mëngjesore… Në Elbasan janë rreth 20 ekspozita, të hapura nga Agolli, pa llogaritur rreth 15 të tjera në Kryeqytetin shqiptar. Atij i pëlqen të pohojë: "Unë jam një piktor i Elbasanit, i atij qyteti ku piktura, muzika, artet, jo vetëm punohen, por edhe këndohen". Ishte intervista e parë me të Madhin e pikturës shqiptare për shtypin qendror dhe unë ndjehesha disi i tendosur. Por modestia dhe mikpritja e tij më bëri palë, më bëri të clirohem nga cdo ndjesi casti. Peisazhi i tij është karakteristik në dallim me peizazhet e kolegëve, sepse spatula e veçon atë. Për përdorimin e saj është vlerësuar edhe nga kolegët e mjeshtërit e pikturës.
Në një cep të studios zë vend një kënd shënimi dhe një foto me shkrimtarin e Madh Ismail Kadare. Nën të firma e të madhit të letrave shqiptare, Kadare për të papërsëritshmin Agolli. “Mbaj kujtime të mira me Kadarenë”, - na thotë Agolli dhe na zgjat edhe disa fotografi të tjera. Janë qindra personalitete të vendit dhe të huaj që kanë vizituar studion dhe janë shprehur për të, për pikturën e tij. Janë presidentë vendi, kryeministra, ministra, ambasadorë, ushtarakë, civilë të profesioneve të ndryshme dhe pena të dëgjuara vendase e të huaja… le të shtojmë edhe qindra piktura që kanë vizituar oda Perëndimore dhe nusërojnë me nurin shqiptar dhe talentin e Agollit në Perëndim. Pikturat e tij ndodhen në muret e gjeneralëve të Nato-s, që erdhën nga Danimarka e Franca në Krastë të Elbasanit dhe pëlqyen pikturat e tij në kohën më të bukur të Historisë Shqiptare, atë të pastrimit të plagëve të Kosovës.
Ai është “babai” i pikturës shqiptare peisazh të realizuar me spatul. Ali Oseku shprehet: Arti i tij është universal, me ujë, toka, pyje e gjithë jeta, i ndjesuar përditë sikur përshëndet veten e tij, ne të tjerët. Bëhet ëndërrimtar, optimist, përrallë, rendit momente, emocione, thjesht përkundet, krijon lëvizje, strukturon, modelon dhe herë pas here i këndojnë pyjet, burimet, ujërat dhe tregojnë ngashërimin e shpirtit. Dhe ne mendojmë, ëndërrojmë dhe bëhemi personazhe në peisazhet pastore, në lëng dhe në substancë vitale, në dritën mesdhetare gati të një parajse... Sefedin Agolli është piktor romantik i lirisë. Piktura e tij zë vend nderi në pikturën kombëtare. Hasan Albani, piktor: Me teknikat e vajit dhe me përdorimim mjeshtëror të spatulës, piktura e tij është e veçantë dhe me vlera të spikatura artistike pse jo dhe psikologjike. Jashar Demiri: Natyra më e bukur nga ç'është në realitet është pasqyruar në këtë ekzpozitë. Koço Kosta: Shumë peisazhe të zotit Sefedin Agolli vinë nga shpirti i autorit. Aty fillon arti, ndaj ne ndihemi të ngrohtë. "Pikturën e sodita nga afër dhe nga larg, nga larg kishte një efekt interesant, të fuste në një botë tjetër, gjërat profesionale që vërejta stili i formuar, formati i zotëruar, lirizmi i natyrës dhe i shpirtit dhe një bujari e pazakontë. Piktori Njazi Ruka i shkruan "Je i vetmi artist që ke pikturuar poezinë e natyrës shqiptare, në veçanti pyjet tona madhështore, peisazhet tuaja s'më kujtojnë asnjë piktor tjetër". Ndërsa poeti Agim Pepa është shprehur "Kur puqen bashkë talenti me mjeshtërinë e spatulës vjen mrekullia". Peisazhi i piktorit të njohur Sefedin Agolli soditet me kënaqësi, edhe për optimizmin që të zgjon dhe është i pranueshëm në çdo ambjent, larg kërkesave komercialë me të cilën shumë piktorë kanë gjetur mënyrën e tyre të të pikturuarit. Shumë të tjerë e urojnë zotin Agolli për shfaqjen e papërsëritshme të bukurive shqiptare "të cilat gjithmonë e më pak pasqyrohen në artet tona". Dikush në ekspozitën e tij të 13-të shkruan se sheh atë kolorit të freskët, atë lëvizje brenda peisazhit shqiptar, e cila çuditërisht kontraston me qetësinë. Për novacioni në ngjyra për stilin e tij plot kolorit dhe gjetjet interesante, për natyrën që lulëzon bukur në prehrin e magjisë së çuditshme të pafund të natyrës. Të tilla thënie gjenden shumë në librat e përshtypjeve të mbajtura nëpër ekspozita. Ndërsa piktori Ndini Bardhi i thotë me entuziazëm "vazhdo të këndosh këngën tënde, kjo është më e rëndësishmja për një artist. Ky është një sukses i bukur dhe i gëzueshëm duke përfundur me fjalët se arti i madh kurrë nuk shuhet e nuk zbehet".
Tani studioja e tij ka kohë që ka udhëtuar drejt Tiranës. Gazetarja Dhurata Hamzai është e para që e ka zbuluar atë për interesa artistësh dhe admiruesish të së bukurës në shkrimin e saj “Një ditë në studion e Sefedin Agollit”. Ajo shkruan “kushdo që ka dëshirë, mund ta vizitojë studion "Agolli" pranë shkollës "Sami Frashëri" në Tiranë", qoftë sa për të vështruar herë pas here pikturat”. “Për mua nuk ishte hera e parë që shihja veprat e piktorit të njohur Sefedin Agollit, por ishte një nga ditët e para të punës sime që jetova mes impulseve intensive artistike, saqë prekja zbulime pas zbulimesh pas çdo impresioni. Po më ndodhte si tek të gjitha ato vepra universale ku artisti s'ka nevojë të jetë aty, sepse ai tashmë është bërë krijues. Kështu ka ndodhur edhe me piktorin e njohur Sefedin Agolli, lindur në qytetin e Elbasanit në vitin 1938. Më 1969 pas mbarimit të studimeve ai nuk iu nda për asnjë çast pikturës. Bëhet shpejt një piktor me zë në qytetin e tij të lindjes. Në vitet 1977-1980 dha ekspozitat e para vetiake. Më 1984 Sefedini la penelin dhe filloi të merrej me spatulën. Kjo e dalloi atë menjëherë nga piktorët e tjerë. I vlerësuar mjaft që nga viti 1989 po pa ndërprerje, Sefedin Agolli ka hapur 15 ekspozita të teknikës së vajit me nga 50 deri në 60 punime. Është pjesëmarrës në ekspozitat "Onufri", përveç atyre të hapura në Galerinë Kombëtare të Arteve”.
Orën kur ndërruan nocionet për një shprehje sa më individuale Sefedin Agolli e përshkruan në këtë mënyrë: "Unë u shkëputa nga tradita dhe kolegët e mi, duke lënë mënjanë penelin dhe fillova të punoj me spatulën, dhe ajo u bë zotëruese në çastin kur unë doja të isha i veçantë, që piktor të isha unë Sefedin Agolli, aq sa po t'i hiqnin këto iniciale unë të isha prapë aty. Mendoj se mënyra se si e përdor unë spatulën do të ishte shenja dalluese për pikturën time". Unë vetëm me spatul i bëj të gjitha pikturat, kur nuk është spatula nuk është piktura. Unë punoj me penel, por unë nuk e ndjej materien, trungun e veprës sime, ndërsa spatula më lë sasira boje e ngjyrash në raport të kombinuar me dritën dhe hijen, të tilla që si peisazhi, toka, trungu, atmosfera, i gjithë universi është konceptim për pikturën time. Dhurata Hamzai shton “Njeriu që ka parë i mrekulluar momentin kur sapo feks një mëngjes do ta gjejë përsëri këtë ndjesi në pikturën e Sefedin Agollit. Në librin e përshtypjeve një nga vizitorët do t'i shkruajë poetikisht: Ndërkohë që nata po bie, karakteristika e saj do të shkrijë në zemrën e yllit Afërditë, kurse brenda ekspozitës ka diçka tjetër një natyrë e bukur që lind në telajo me mendimin e piktorit e përcillet deri në një ëndërr të qetë. Artistë, modern dhe jo modern, por sidomos edhe shumë të moshuar kanë gjetur shumë fjalë për t'i thënë pikërisht përballë një ekspozite të Sefedin Agollit. Një e moshuar thotë: "Jam e moshuar, pashë ekspozitën e punimeve tuaja, jam mahnitur nga bukuria e përsosmëria e tyre. Gëzoj me gjithë zemër, kuptova fare mirë se puna juaj nuk ka shkue kot. Ju e doni shumë Shqipërinë, vendin e shtrenjtë tonin dhe nuk shkëputeni prej saj. Pra kjo më ka kënaq pa masë dhe më ka naltësue shpirtënisht, tue më shtue dashuninë për vendin që ju e keni qit ashtu të gjallë siç asht në të vërtetë. Pra flasin për të amatorë dhe njerëz të zakonshëm, është shumë prekëse një nga emocionet e shrehura nga një vizitore. "Pashë një ndjenjë arti të hedhur në mënyrë të rrallë në pikturë. Kur të vras varfërinë të jeni i sigurt se një nga tablotë tuaja do të jetë pranë shtratit tim".